Kur Bashkëveprojnë Gjërat Për Të Mirë?

Nëse ka një varg në Bibël të cilin e përdorim shpesh për të inkurajuar vëllezërit në besim sa herë që ata kalojnë përmes vështirësish, por edhe kur vetë kemi nevojë për inkurajim atëherë kur nuk shohim dritë në fundin e një tuneli, ky është vargu i Romakëve 8:28.

Sidoqoftë, shpesh e lexojmë keqas dhe të tjerët i inkurajojnë përciptazi. Kjo ndodh kur ne përmendim vetëm pjesën e parë të vargut, ‘Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë’ dhe pak përmendim vazhdimin e vargut, ‘për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij’. Në fakt, pjesa e dytë është përcaktuese dhe kufizuese. Ajo përcakton se për kë bashkëveprojnë për mirë të gjitha gjërat. Por, edhe na tregon se ky bashkëveprim nuk ndodh për të gjithë.

Nëse Pali do të kishte shkruar vetëm ‘për ata që e duan Perëndinë’ ne do të mund të aludonim se mjafton të themi që e duam Perëndinë dhe konkluzioni do të ishte në dispozicionin tonë. Por duke shtuar ‘për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij‘ na kujton se përfituesit nuk janë prej ndonjë akti dashurie vetëburuese të besimtarit, por për shkak të përzgjedhjes sovrane. Theksi është patjetër tek kjo e dyta përderisa vargu pasues flet pikërisht për këtë.

Por çfarë do të thotë ‘të duash Perëndinë, të jesh i thirrur sipas qëllimit të Tij’? Të duash Perëndinë do të thotë të zbatosh urdhërimet e Tij (Gjoni 14:15). Po kush mund të zbatojë urdhërimet e Tij? Pak më tutje Krishti thotë, ‘Qëndroni në mua e unë në ju… sepse pa mua ju nuk mund të bëni asgjë (Gjoni 15:4-5)’. E si mund të qëndrojnë nëse më parë nuk jemi të vendosur në Të? Por Krishti ka thënë, ‘Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë, (Gjoni 6:37).‘ Gjithçka këtu është një term i përkthyer jo mirë, pasi kuptohet që bëhet fjalë për njerëz (term ‘pas‘ në Greqisht nuk cilëson nëse bëhet fjalë për njerëz apo objekte). Konteksti nënkupton që duhet të ishte më mirë ‘Këdo’. Pra, kushdo që vjen tek Krishti, bën kështu sepse Ati ia ka dhënë Krishtit.

Pra, ne jemi në Krisht sepse Ati na dha (kupto, përcaktoi e thirri) dhe se Krishti është Ai që na mban. Për sa kohë qëndrojmë në Të (sipas këndvështrimit tonë, se për Krishtin është Ai që na mban) aftësohemi të bëjmë urdhërimet e Tij. Kjo vërteton që ne e duam. Të duash Perëndinë nuk është një shkak me pikënisjen tek njeriu, por një pasojë me shkak parësor vetë Perëndinë.

Tani, ‘të jesh i thirrur sipas qëllimit të tij’ është në fakt e njëjta gjë si ta duash Zotin, por me këndvështrimin e Zotit. Kur ne shohim dikë që zbaton urdhërimet e Krishtit, ne themi se ky person e do Krishtin. Por kur Perëndia shikon të njëjtin person që zbaton urdhërimet ai thotë këtë e kam zgjedhur për qëllimin tim. Kjo duhet qartë kur Perëndia zbriti në tokë. Pse Krishti zgjodhi Zakeun, apo gruan me fluks gjaku, apo të dënuarin në kryq në anë të tij? Mos vallë ishin më të mirë se të tjerët në prani të Jezusit? Ne kemi tendencën të shohim një interes tek dikush dhe të themi se Krishti ndërtoi shpëtimin e tij mbi këtë interes, që Perëndia i shpëtoi sepse këta persona treguan një interes duke iu afruar Krishtit. Në fakt, interesi që këta individë shfaqën ishte fryt i rigjenerimit dhe thirrjes efektive që Ati kishte bërë në zemrën e tyre për t’ia dhënë ato Birit.

Si përfundim, Perëndia bashkëvepron çdo gjë për të mirë vetëm për ata që ai ka zgjedhur. Nëse duam të jemi të sigurtë për zgjedhjen ne duhet të kujdesemi që të zbatojmë urdhërimet e Tij. Kjo duhet të përfshijë edhe, por sidomos, kur ne jemi duke kaluar nëpër momente të vështira, për të cilat duam që të bashkëveprojnë për të mirë. Kështu kemi inkurajimin dhe sigurinë që jemi të Tijët: kur hedhim sytë në të kaluarën dhe shikojmë sesi ngjarje që kanë shkuar keq për ne janë shndërruar për të mirën tonë sepse kemi qëndruar në Të dhe kemi zbatuar urdhërimet e Tij, pavarësisht vështirësive apo mundimeve.

Vargu i Ditës

“Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.” — Ephesians 4:29 Listen to chapter . Powered by BibleGateway.com.

Buletini Liturgjik