Darka e Fundit – Marku 14:22-26

Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im”. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj. Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë”. Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve. (Marku 14:22-26)

 

Festimi i fitores përmes përkujtimit të vdekjes. Kjo është ironia e Kryqit dhe mesazhi i Darkës së Zotit si një prej dy sakramenteve të Kishës. Krishti dëshiron që ne ta kujtojmë atë përmes vdekjes së tij. Çdo komb, familje apo grupim shoqëror ka ditë të shënuara të cilat i kujton e i feston me kënaqësi. Por njerëzimi nuk feston fatkeqësitë apo vdekjet, vetëm fitoret. Krishti nga ana tjetër, në themelimin e Darkës së Zotit si një prej institucioneve të Kishës na urdhëron që të festojmë vdekjen e tij. Ai ka urdhëruar një festë e cila duhet të mbajë të freskët e të gjallë në mendjen dhe zemrën e popullit të tij poshtërimin e tij në Kryq dhe turpin në të cilin ai vdiq. Ai nuk dëshiron që ne të harrojmë trupin e tij të dërrmuar, gjymtyrët dhe anën e tij të shpuara për ne. Kjo është mënyra se si ai dëshiron që të mbahet mend. Kështu, në Darkën e Zotit ne kemi festimin e fitores përmes përkujtimit të vdekjes së tij në kryq.

Festimi i Pashkës

Ishte darka e Pashkës. Pjetri dhe Gjoni, të dërguar nga Jezusi, tashmë patën bërë tërë përgatitjet e nevojshme për festimin e Pashkës. Ligji e kërkonte që një qengj merrej në Tempull dhe sakrifikohesh atje sipas ritualit të përcaktuar nga Ligji. Më pas ai sillej përsëri në shtëpi për tu gatuar për festën e Pashkës. Darka fillonte me Kupën e Parë të verës. Darka kishte katër (raunde) të tilla. Më pas vinte pjata e parë, që quhet Haroset, dhe ishte një lloj salce që bëhej nga barishte të hidhura,  fruta e arra të ndryshme, ngjyra e së cilës duhej tu kujtonte Izraelitëve baltën me të cilën të parët e tyre patën prodhuar tullat gjatë periudhës së skllavërisë në Egjipt. Më pas vinte radha e saj që njihej si Hagadah. Hagadah ishte radha kur një prej djemve do të pyeste atin, “Çfarë do të thotë e gjitha kjo?” Dhe babai i shtëpisë do të recitonte historinë nga Ligji i Përtërirë 6:5 e në vazhdim, e shoqëruar më pas me një predikim të shkurtër. Më pas do të këndohej një apo më shumë prej Psalmeve Hallel, (Psalmet 113-118). Më pas i vinte radha pjesës kryesore të darkës, e cila shoqërohej me bukën pa maja. Shtëpia ishte pastruar nga majaja një ditë më parë në mënyrë ceremoniale siç e kërkonte Ligji. Kjo pjesë e darkës hahej në heshtje, por në këtë moment Krishti ndërhyn në liturgjinë e Moisiut duke e thyer heshtjen me fjalët “Ky është trupi im.” Më pas servirej pjata kryesore që ishte qengji i kurbanit i pjekur i shoqëruar nga kupa e dytë e verës. Më pas vinte kupa e tretë e verës që njihej si edhe kupa e bekimeve. Kjo ishte kupa, për të cilën Krishti pat thënë, pasi pat falënderuar, këto fjalë “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë.” Më pas, këndoheshin pjesa e mbetur e Psalmeve Hallel (115-118). Dhe në fund pihej kupa e katërt.

Krishti bëri tre gjëra  të reja gjatë kësaj darke. Ai alternon shërbesën e Pashkës. Së pari, gjatë ngrënies së bukës pa maja, ai ndërhyn me fjalët “Ky është trupi im”. Së dyti, në momentin e kupës së tretë ai thotë “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë.” Së treti, normalisht Krishti do të kishte festuar edhe kupën e katërt të verës, por jo. Ai thotë “Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë.

Kur Krishti thotë “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë,” tre pasazhe nga Dhiata e Vjetër të vinë në mendje: Eksodi 24:8 ku lexojmë ratifikimin e Besëlidhjes që Perëndia bëri me Popullin e tij përmes Moisiut. Moisiu, pasi pat sakrifikuar dema të rinj, dhe pasi pat lexuar nga libri i besëlidhjes në prezencën e tërë popullit, e spërkati popullin me gjakun e demave. Jezusi po aludon këtu, që një besëlidhje e re po ratifikohet përmes derdhjes së gjakut të tij. Ky është një akt ratifikimi i Besëlidhjes. Pasazhi i dytë është Isaia 53:12, që njihet si Kënga e Shërbëtorit të Përvuajtur të Perëndisë. Aty thuhet se shërbëtori e derdh gjakun e tij për shumë. Darka e Zotit është rituali i ratifikimit të besëlidhjes që bëhet në emër të shumë personave të tjerë, të popullit të Perëndisë. Pasazhi i tretë është Jeremia 31:31, që njihet si premtimi i Besëlidhjes së Re që do të vinte. Në atë pasazh premtohet ardhja e epokës së Mesisë. Kur Krishti tha “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re,” ai tha, epoka e Re, me qendër Mesinë ka filluar në mua. Unë jam përmbushja e të gjitha premtimeve dhe qëllimeve të Dhiatës së Vjetër. Le ti shikojmë këto tre gjëra më në hollësi.

Ratifikimi i Besëlidhjes

Darka e Pashkës flet për Besëlidhjen. Pashka duhej ngrënë në atë mënyrë siç i kishte përcaktuar Perëndia në mënyrë që ti kujtonte Popullit të Tij se si Perëndia e çliroi popullin e tij nga skllavëria në Egjipt. sipas instruktimit të Perëndisë, qengja u therën, gjaku i tyre u përdor për të lyer shallkat dhe arkitraun e shtëpive (Eksodi 12:7). Kur engjëlli gjakmarrës i Perëndisë do të vinte, ai do të shikonte gjakun dhe do të kalonte mbi shtëpinë e nuk do të hynte në të për të marrë jetë. Menjëherë pas kësaj, Izraelitët duhej të largoheshin me shpejtësi nga Egjipti, dhe kjo ishte arsyeja e ngrënies së bukës pa maja që përdorej për pashkë. Pashka pra, ishte koha kur kujtohej vepër shpëtuese e Perëndisë.

Kur Pali flet për veprën shpëtuese të Krishtit ai thotë “pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Kor. 5:7). Me këtë ai kupton se jo vetëm ne jemi të shpëtuar nga gjaku i Krishtit, nga sakrifica e vetë qengjit të Perëndisë, por edhe se e tërë ngjarja që festonin Izraelitët, i tërë rituali, therja e qengjave, lyerja e shtëpisë me gjak, engjëlli i hakmarrjes që kalon mbi shtëpitë e popullit të Perëndisë pa i prekur ata, dhe çlirimi i tyre prej skllavërisë së Egjiptit, e tërë madje edhe historia kur ndodhi nën drejtimin e Moisiut, fliste për Krishtin. Gjaku i qengjit ishte evidenca se mallkimi ishte hequr dhe se bekimi ishte dhënë. Kjo ishte çfarë do të shikonte engjëlli i vdekjes, kjo ishte çfarë duhej të festonte e besonte populli i Perëndisë, dhe kjo është çfarë ne duhet të kuptojmë e përjetojmë edhe sot nëse ne jemi në Krishtit, pashka jonë. Për këtë arsye Gjon Pagëzori tha “Ja Qengji i Perëndisë që i heq mëkatin tërë botës.” Krishti është qengji i pashkës që flijohet për mëkatin tinë. Përmes besimit në Krishtin, ai bëhet zëvendësuesi ynë, mëkat-mbajtësi. Ai merr mbi veten e Tj mallkimin tonë ndërsa ne marrim bekimin e Tij. Ngrënia e qengjit të Pashkës, për Izraelitët kuptonte pjesëmarrje. Pjesëmarrje e përfitimeve të vdekjes së qengjit, mbrojtje nga mallkimi i gjykimit të Perëndisë, dhe pjesëmarrje në trupin e popullit të Perëndisë. Të tëra ritualet e sakrificat e gjakshme të Dhiatës së Vjetër predikonin këtë gjë, Krishtin që do të vinte si qengji final dhe i vërteti i Perëndisë. Sot ne nuk kemi nevoje për sakrifica të tilla. Simbole si buka dhe vera janë ato që ratifikojnë sot besëlidhjen e Perëndisë, dhe na sigurojnë se mallkimi është hequr e bekimi është dhënë.

Në këtë darkë Krishti po u thotë dishepujve, “Unë ratifikoj këtë Besëlidhje të Re me ju, një besëlidhje që vuloset me gjakun tim.” Darka e Zotit është ratifikimi dhe rifreskimi i Besëlidhjes tonë me Perëndinë, një Besëlidhje që u bë dhe na u ofrua nga vetë Perëndia. Darka e Zotit është vulosja dhe rifreskimi i marrëdhënies tonë me Perëndinë, i marrjes së mallkimit dhe i dhënies së bekimit. Kupa e tretë njihej nga Izraelitët si kupa e bekimit. Këtë kupë morri Krishti dhe tha se është simboli i besëlidhjes së re. Kupa e bekimeve që Krishti mbante në dorë ishte simboli i të tëra bekimeve që populli i Tij do të pinte më vonë, pasi Krishti të kishte pirë më parë kupën e hidhërimeve të cilën ai e përmendi në mes të lutjes në agoni në Kopshtin e Gjetsemanesë, dhe që ai e konsumoi plotësisht në Kryqin e Golgotës. Darka e Zotit është pra ratifikimi i Besëlidhjes së Re në Krishti, por jo vetëm kaq.

Marrëdhënia me Perëndinë

Darka e Zotit flet për një miqësi, një marrëdhënie e pjesëmarrje me vetë personin e Krishtit. Tek 1 Korintasve 10:16 lexojmë: “Kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?” Si duhet ta kuptojmë këtë?

Ne nuk shoqërohemi e nuk bëjmë miqësi me sende pa frymë, por me njerëz të gjallë. Ne nuk shoqërohemi me bukën, e as nuk kemi miqësi me verën. Ne shoqërohemi, marrim e japim me vetë Krishtin. Buka dhe vera e Darkës së Zotit janë vetëm simbole të kësaj marrëdhënie e shoqërimi që ne duhet të kemi gjatë sakramentit me vetë personin e Krishtit që simbolizohet prej tyre. Krishti vërtetë tha “bëjeni këtë në përkujtimin Tim.” Por në përkujtimoret e kësaj bote, njerëzit e gjallë sjellin ndër mend historitë e njerëzve të vdekur me të cilët nuk kanë e nuk mund të kenë më një marrëdhënie e shoqërim personal. Darka e Zotit është shumë më tepër se sa një përkujtimore e tillë. Ajo është një marrëdhënie në tërë kuptimin e fjalës. Një marrje e dhënie miqësie e bekimesh me Krishtin. Ne ushqehemi me Krishtin, marrim prej Tij atë lëndën ushqyese shpirtërore, marrim prej fuqisë e vitalitetit të Tij. Shpallim dhe përjetojmë bashkimin tonë me të, nja bashkim ushqyes si ai i vreshtit me shermendet e tij.

Kështu kur reformatorë si Gjon Kalvini, reformuan liturgjinë e adhurimit nga supersticionet dhe shtrembërimet e Papatit, ndërmjet të tjerash rifutën edhe elementin liturgjik që njihet si Sursum Corda. Kjo është një shprehje në Latinisht që do të thotë “Ngrini Zemrat Lart,” dhe vinte që nga shekulli i tretë. Pra, në momentin e festimit të Darkës së Zotit, ne duhet që të ngremë zemrat tona lart për tek Krishti, i ulur në anë të djathtë me Atin, dhe të marrim e japim me të, të shoqërohemi e kemi miqësi me të atje. Ne nuk ulemi rreth një altari dhe shikojmë Krishtin që të na risakrifikohet sa herë që serviret kungimi, siç besojnë katolikët apo Ortodokset. Sakrifica e Krishtit është kryer një herë dhe përgjithmonë. Ne nuk shikojmë drejt por lart me sytë e zemrës, dhe rifreskojmë miqësinë tonë me Krishtin. Kur Krishti tha “Ky është trupi im…ky është gjaku im” ai tha “këto flasim për mua.” Mendoni dhe meditoni, mbusheni mendjen dhe zemrën tuaj me Krishtin dhe me veprën e padukshme apo të mistershme të Frymës së Shenjtë në Darkën e Zotit.

Përmbushja e Premtimeve

Kur Krishti tha “Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë,” ai foli për përmbushjen e plotë të premtimeve që simbolizohet e aplikohet përmes sakramentit të Darkës së Zotit. Ne vërtetë kemi pjesëmarrje reale e shpirtërore me Krishtin këtu dhe tani, por do të vi një moment kur kjo pjesëmarrje bëhet e plotë.

Po! Beteja e madhe dhe vendimtare u bë e u fitua në Kryqin e Golgotës. Por ju dhe unë jetojmë në atë periudhën ndërmjet Ngritjes së Krishti lart dhe të Ardhjes së Tij të Dytë. Beteja vendimtare është fituar por lufta nuk ka mbaruar, siç ishte edhe rasti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zbarkimi i Aleatëve në Normandi, me 6 Qershor 1944, ishte fitorja vendimtare që ktheu fatin e luftës, por fundi i saj do të vinte vetëm shumë muaj më vonë, me 8 Maj 1945, dhe periudha ndërmjet këtyre dy ditëve ishte sa e gjatë për ata që ishin nën pushtim, aq edhe sfilitëse dhe e rrezikshme.

Ne jemi shtegtarë, në një shtegtim drejt Qytetit Qiellor siç e quan Gjon Bunjan tek libri i tij “Udha e Shtegtarit,” Jerusalemin e Ri, përjetimin e konsumimin e plotë të tëra bekimeve të Perëndisë në qiellin e ri dhe tokën e re. Por si çdo shtegtar, ne duhet të ndalemi herë pas here për çlodhje, ushqim e freskim. Kjo është Darka e Zotit. Ne ndalemi herë pas here për atë ushqimin shpirtëror që na restauron forcat, rifreskon shpirtin, forcon besimin, na siguron në shpëtimin dhe fitoren përfundimtare, e që do të na mbajë deri në lavdi.

Disa prej nesh mund të jenë më pranë lavdisë (për sa i përket moshës kuptohet) se sa disa të tjerë. Por për të gjithë ne që jemi në Krishtin Jezus, ky duhet të jetë një mendim i mrekullueshëm. Pali u shkruan Filipianëve se “unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë,” (Fil. 1:23). Nga njëra anë ai thotë së është mirë për Palin të jetë këtu që ti shërbejë Krishtit për të mirën e Kishës, por nga ana tjetër, të qenit bashkë me Krishtin është gjëja më e mirë për atë vetë, dhe deri atëherë, Darka e Zotit është oazi i ripërtëritjes dhe freskimit për të Krishterin teksa ne meditojmë se kush është Krishti, se çfarë ka bërë, dhe madje edhe se çfarë do të bëjë ai për ne. Ishte pikërisht gjatë themelimit të Darkës së Zotit që Krishti u tha dishepujve “Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:3).

Të gjitha këto duhet të shkaktojnë një reagim të veçantë tek i Krishteri. Kisha e ka quajtur këtë festim Eukaristi. Kjo vjen nga Greqishtja – falënderim. Krishti morri bukën dhe e bekoi, morri verën dhe falënderoi. Kisha e hershme e kuptoi thirrjen që del për të nga ky veprim. Ne duhet të jetojmë jetë mirënjohëse ndaj Perëndisë. Qëndrimi i zemrave tona gjatë Darkës së Zotit duhet të jetë ai i mirënjohjes dhe falënderimit; e renditjes së të gjitha bekimeve të pamerituara që kemi marrë nga dora e Perëndisë. Ai na deshi kur ne ishim ende armiq të tij, ai na dha Frymën e rigjenerimin kur ne rendnim prej tij, ai na dha faljen kur nuk e meritonim, ai na dha birësimin kur e mohonim, ai na dha një zemër të re për ta dashur atë, sy të rinj për ta parë atë, premtime që nuk mund të thyhen. “Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju,” (1 Sel. 5:18). “Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë” (Ps. 136:1). AMEN.