Vuajti Nën Pontin Pilat

  • on 18/04/2014

Vuajti Nën Pontin Pilat

eccehomo111Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit. 2 Dhe Pilati e pyeti: “A je ti mbreti i Judenjve?”. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: “Ti e thua!”. 3 Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak. 4 Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: “Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!”. 5 Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur. (Mark 15:1-5)

Pika kulmore e historisë që përcjellin ungjijtë është kryqëzimi i Mesisë, Birit të Perëndisë për mëkatet e njerëzimit. Në një farë mënyre, historia e kryqit fillon me mëkatin e parë në Kopshtin e Edenit, pasi duke filluar që nga ai moment, sakrifica zëvendësuese nga një shpëtimtar bëhet e domosdoshme dhe e vetmja mënyrë shpëtimi për njerëzimin. Kuptohet që konsumimi apo plotësimi i premtimeve të Dhiatës së Vjetër për këtë shpëtimtar dhe këtë sakrificë fillon dhe plotësohet që me ngjizjen dhe lindjen e Krishtit në Betlehem, dhe kështu mund të themi se e tërë Dhiata e Vjetër udhëton për tek Krishti dhe Kryqi i tij në Golgota, ashtu siç vetë jeta dhe shërbesa e Krishtit ishte një udhëtim drejt Golgotës. Nga Luka 9:51 mësojmë se “kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jerusalem” gjë që shkaktoi konflikte me dishepujt dhe njerëzit që i vinin për ti kërkuar ndihmë pasi “ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jerusalemi,” (v. 53). Darka e Fundit ishte inicimi i Besëlidhjes së Re, agonia në Gjetsemani ishte përgatitja për kryqëzim, ndërsa arrestimi dhe qëndrimi përpara akuzuesve të tij, dhe veçanërisht përpara Pontit Pilat ishte shkallarja e fundit për në destinacion.

Heshtja e Krishtit

Krishti qëndroi i heshtur para akuzuesve të tij, me një heshtje që çudiste Pilatin, që tërbonte judenjtë, që përmbushte Shkrimet e Shenjta, që lavdëronte Perëndinë dhe që vazhdon të intrigojë mendjen moderne. Sanhedrini, apo ekuivalenti i parlamentit të Judenjve të asaj kohe, e kishte akuzuar Krishtin për blasfemi, pasi ai e pat deklaruar veten e tij të ishte jo vetëm Mesia, që në vetvete nuk ishte një krim pasi Izraelitët po e prisnin daljen në skenë të Mesisë, por Krishti e pat deklaruar veten e tij të ishte vetë Perëndia i mishëruar në njeri, dhe kjo ishte akuza për blasfemi. Por Sanhedrini nuk kishte juridiksion mbi dënimin ne vdekje, dhe kështu Roma e përfaqësuar nga zyra e Pontit Pilat, si prefekti Romak mbi Judenjtë ishte hallka e duhur për ekzekutimin e Krishtit. Fillimisht, Pilati refuzoi që të merrej me këtë gjë, pasi e konsideroi si një gjë religjioze që nuk kishte të bënte me Romën, por Sanhedrini me dinakëri e përktheu Mesianizmin e Jezusit në terma politike. “Ky është Mbreti i Judenjve.” Në këtë moment, Krishti bëhet çështje e Romës. Dhe kjo është një nga hipokrizitë e judenjve. Ata dëshironin që Mesia të ishte një drejtues politik, një ngadhënjimtar ushtarak, një revolucionar çlirimtar, një Mbret i Judenjve e shpëtimtar nga pushtimi Romak. Por Jezusi refuzoi të ishte Mesia sipas përkufizimit të tyre, dhe për këtë arsye Judenjtë e sollën para Pilatit. E akuzuan të ishte kërcënim për Romën sepse ai refuzonte të merrej me Romën. Roma nuk arrestonte e kryqëzonte viktima nëse nuk i konsideronte kërcënime politike. Idetë kanë pasoja, ky është ligj i natyrës. Mesazhi i Krishtit nuk është pa pasoja sociale, ekonomike dhe politike. Por Krishti nuk ishte një zelot revolucionar. Krishti tha “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote” (Gjoni 18:36). Përgjigja e Krishtit ndaj pyetjes së Pilatit “A je ti mbreti i Judenjve?” nuk duhet kuptuar si një mohim, por si një pohim indirek mesazhi i të cilës ishte: Do të bëje mirë ta kuptoje pyetjen tënde!

Heshtjen e Krishtit para Pilatit nuk duhet ta ngatërrojmë me mosfoljen. Kur e pyetën për identitetin e tij ai foli e tha: jam Mbret, jam Perëndia, jam Mesia. Por kur e akuzuan për mëkate, atëherë Krishti heshti. Pse? Së pari, sepse nuk kishte kuptim që ti përgjigjej akuzave që nuk i besonin as vetë akuzuesit e tij. Nuk kishte se kë të binte për pafajësinë e tij. Vendimi ishte marrë, ai duhej të vritej. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se çfarë po ndodhte, dhe kështu nuk ia vlente që këto akuza e këta akuzues të nderoheshim me dinjitetin e përgjigjes. Së dyti,  Krishti po përmbushte profecitë e Dhiatës së Vjetër. “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën,” (Isaia 53:7). Le të mos harrojmë, se të ligjtë pa dashur dhe pa e kuptuar bëhen instrumente në përmbushjen e fjalëve të Perëndisë.  Së treti, heshtja e tij ishte heshtja përpara një providence që kontrollon e siguron gjithçka. Krishti po qëndron e pushon i qetë  teksa sjell ndër mend Atin e tij në qiell, dhe se me Atit nuk ndodhin gabime, se çdo gjë po ndodh sipas planit e qëllimit të tij. Ai po mendon për besëlidhjen e paqes që ai bëri me Atin. Sipas kësaj Besëlidhje, Ati i ka zgjedhur një shumicë shpirtrash Birit, Biri vjen dhe vdes për ta, Ati kujdeset për ringjalljen e Birit dhe lavdërimin e tij më pas, dhe se të dy bashkë do të dërgojnë Frymën për aplikimin e përfitimeve të kryqit mbi të zgjedhurit e Perëndisë. Ky ishte pakti që ata kishin bërë përpara themelimit të botës. Pilati mund të ishte i plotfuqishmi politik e ushtarak mbi Judenjtë, por fuqia e autoriteti final qëndronte në duar e Atit të tij në qiell. Nga ky meditim buron përgjigja e Krishtit ndaj Pilatit. Pilati i tha: ““S’po më flet? A nuk e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?”. Jezusi u përgjigj: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti”, Gjoni 19:10-11). Sa mirë do të bënin politikanët shqiptarë që ti vinin veshin këtyre fjalëve të Krishti. Së katërti, dhe me kryesorja, Krishti po hesht pasi mëkati nuk mund të flasë. Krishti është bërë mëkat për ne, i drejti për të padrejtët. Ai ka marrë mbi veten e tij mëkatin tonë dhe përgjegjësitë e mëkatit tonë. Mëkati nuk mund të ngrejë zërin, nuk mund të kundërshtojë, nuk mund të kërkojë drejtësi. Mëkati vetëm mund të heshtë dhe të marrë gjykim. Krishti po qëndronte në fakt, jo para gjykimit të Pilatit por të Perëndisë, dhe para Tij, asnjë mish nuk mund të flasë dhe të shfajësohet. Dhe kështu Krishti heshti.

I madh është kontrasti ndërmjet Adamit të parë dhe Adamit të Dytë. Paraardhësi ynë, Adami i parë ishte fajtor dhe u mundua që të shfajësonte veten. Adami i Dytë edhe pse i pafajshëm nuk u mundua që të mbronte veten. Le të marrim një mësim praktik nga shembulli i Shpëtimtarit tonë. Le të mësojmë që të vuajmë e të mbajmë plot durim dhe pa ankesa çdo sprovë që Perëndia e ka parë të mirë që të na japë. “Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje,” (Psa. 39:1). Asgjë në karakterin e të Krisherit nuk e përlëvdon më mirë Peëndinë se sa durimi nën vuajtje. “Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. 21 Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij,” (1 Pje. 2:20-21).

Dënimi i Krishtit

Pilati ishte i plotësisht i ndërgjegjshëm për pafajësinë e Krishtit. Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira,” (v. 10).  Dhe kështu shikojmë Pilatin që bën një përpjekje të pafuqishme për të siguruar faljen dhe lirimin e Zotit tonë për të paqtuar ndërgjegjen e tij. Në fund ai dorëzohet insistimit të Judenjve, votimit demokratik për të mos patur Zotin si mbretin e tyre por pikërisht atë që i kishte robëruar, Çezarin. Tek Ungjilli sipas Gjonit lexojmë: “Pilati u tha atyre-A ta kryqëzoj mbretin tuaj?” Krerët e priftërinjve u përgjigjën: “Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit!” (Gjo. 19:15). Ja, njerëzimi që vret Perëndinë që e çliron për t’iu nënshtruar Çezarëve të kësaj bote që i robëron dhe në fund edhe i shkatërron siç edhe u ndodhi atyre kur Roma shkatërroi Jerusalemin në vitin 70 Pas Krishtit. Kështu Pilati e dërgon Krishtin që të kryqëzohet, për turpin e tij të përjetshëm dhe shkatërrimin e shpirtit të tij, pavarësisht se sa dhe se si i lau duart.

Pilati, politikani, pushtetari, apo nënpunësi pa parime është qenia më e vajtueshme në këtë botë. Ai është si një anije e madhe që endet nëpër det pa busull e kompas. Madhështia, fuqia, statusi, liritë dhe pasuria bëhen për atë tundimi, kurthi dhe në fund edhe kofini e dënimi i tij. Prandaj dhe Pali na urdhëron që të lutemi për pushtetarët e qeveritarët tanë. (1 Tim. 2:1)  Ata kanë nevojë për shumë hir që të mbahen larg nga i ligu. Princi i kësaj botë (Efe. 2:2) nuk vërtitet në rezidencat e njerëzve të thjeshtë por nëpër korridoret e institucioneve qeveritare e ligjbërëse të kësaj bote. Kundërshtari i Perëndinsë, i Ligu ishte forca që operonte prapa një populli që votonte dhe një Pilati që kryqëzonte. Vendet e larta janë vende të rrëshqitshme. Le të mos i kemi zili të mëdhenjtë e të fuqishmit e kësaj bote “sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri [apo i pushtetëshmi] të hyjë në mbretërinë e Perëndisë,” (Luka 18:25).

Zëvendësimi i Krishtit

Le të vëmë re së fundi se si lirimi i Barabës është simboli i planit të shpëtimit. Fajtori lirohet ndërsa i pafajshmi lidhet në vend të tij. Mëkatari shpëtohet ndërsa i Drejti dënohet. Baraba falet, Krishti kryqëzohet.

Në këtë shkëmbim vendesh ne kemi simbolin e mënyrës se si Perëndia fal dhe shfajëson njeriun. Ai e bën këtë sepse Krishti ka vuajtur në vendin tonë, i drejti për të padrejtët. Ne meritojmë dënimin e mallkimit që sjell mëkati ynë kundër Perëndisë dhe krijesave të tij. Por një Zëvendësues ka vuajtur në vendin tonë. Ne meritonim vdekjen e Përjetshme, por Krishti, Garanti i Besëlidhjes së Hirit me Perëndinë vdiq për ne. Ne të gjithë nga natyra, përmes Adamit të pare dhe për shkak të mëkatit tonë personal jemi në pozicionin e Barabës. Ne jemi fajtorë, të ligj, të denjë për dënim. Por kur ne ishim të pashpresë dhe pa Perëndinë (Efe. 2:2) në këtë botë, Krishti i pafajshmi vdiq për ne. Dhe kështu, Perëndia Ati, për shkak të Krishtit mund të jetë si i shenjtë ndaj nesh ashtu edhe shenjtëruesi i atyre që besojnë në Krishtin (Rom. 3:26).

Le të bekojmë Perëndinë sepse “e madhe është lavdia e Tij për shpëtimin tënd,” (Psa. 21:5) dhe se madhështore është shpëtimi që na është vënë përpara nesh sot. Le të mos i ngremë lutjet, adhurimin apo jetët tona mbi meritat e pafajësinë tonë, por mbi meritat e Krishtit dhe gjakun r tij të derdhur për ne. Le të bëjmë çmos që një shpëtim kaq të madh ta përdorim siç duhet për shpirtrat tanë. Mos pushofshim kurrë deri sa të themi me besim “Krishti është i imi. Krishti vdiq për mua dhe duke besuar në të unë kam paqe me Perëndinë.”