Vuajti Nën Pontin Pilat

  • on 16/01/2015

Vuajti Nën Pontin Pilat

Nga djepi në varr, kaq shpejt e kalon Kredoja e Apostujve jetën e Jezusit. Ajo kapërcen shërbesën publike të tij, mrekullitë, predikimet, udhëtimet e marrëdhëniet e tij me dishepujt, dhe shkon nga lindja tek vdekja e Krishtit. Formuluesit e Kredos nuk e bënë këtë gjë për të denigruar mësimet apo mrekullitë e Krishtit, por sepse duke ecur në hapat e Pjetrit, Gjonit dhe Palit, ata kuptonin se gjëja më e rëndësishme në jetën e Jezusit ishte vdekja e Tij. E megjithatë, Kredoja gjen vend për të përmendur Pilatin. Përse kjo gjë? Le të studiojmë se përse Kredoja thekson vuajtjen e Krishtit dhe Pilatin e këtyre vuajtjeve.

Vuajtjet e Krishtit

Gjëja më e rëndësishme në jetën e Krishtit janë vuajtjet dhe vdekja e Tij. Një prej mënyrave të shumta, se si Ungjijtë na e theksojnë këtë gjë, është edhe boja që ato harxhojnë për të folur për këtë gjë. Një e treta e Ungjillit sipas Mateut, Markut dhe Lukës përshkruajnë vetëm javën e fundit të Jezusit në Jerusalem, ndërsa Gjoni i dedikon gjysmën e Ungjillit të tij, ngjarjeve të kësaj jave. Nuk ekziston asnjë biografi e ndonjë njeriu të shquar, në të cilin autori merr gati gjysmën e hapësirës së librit, për të përshkruar javën e fundit të heroit të librit. Por për Jezusin, fundi i jetës së Tij është historia e Tij.

Fundi i jetës së Krishtit, me të gjitha vuajtjet e rënda që ai përjetoi, ishte vetëm një intensifikim i të tërë jetës që ai jetoi në tokë. Edhe pse ne nuk na pëlqen që të dëgjojë lajmë traumatike e plot gjak, ne nuk duhet ta kthejmë kokën nga ana tjetër, e as nuk duhet të harrojmë se adhurojmë një Shpëtimtar, jeta e të cilit u damkos nga vuajtje të thella. Ja shtatë mënyra se si vuajti ai: (1) Ai dorëzoi vullnetarisht gëzimin dhe lumturinë e qiellit, prezencën e mrekullueshme Atit dhe të Frymës, për të shërbyer për ne në tokë. (2) Ai përjetoi dobësitë e natyrës tonë njerëzore (urinë, etjen, sëmundjet, lodhjen, trishtimin dhe brengat. (3) Ai njohu deprivimet e varfërisë. (4) Ai duroi fyerjet, tradhtinë, shpifjen e përgojimin, blasfemimin, refuzimin dhe përbuzjen. (5) Ai përjetoi tundimet nga Djalli si asnjë prej nesh. (6) Ai pati një vdekje të turpshme dhe të tmerrshme. (7) Ai përjetoi dhimbjen dhe ankthin e hidhur në shpirtin e tij si një i akuzuar dhe i mohuar e i braktisur nga Ati i Tij qiellor. Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme, sepse Ai nuk ishte thjesht një hero i cili vdiq në mënyrë tragjike, dënimi i padrejtë i të cilit duhet të na shkaktojë keqardhje.

Filmi Pasionet e Krishtit nga Mel Gibson është një prodhim shumë tërheqës, por i paaftë për të përshkruar atë që synon të bëjë, vuajtjet e Krishtit. Fjala pasion vjen nga Greqishtja biblike e Dhiatës së Re, πάσχειν, që më pas u përkthye nga Latinët si passio dhe që në shqip do të thotë “të vuash.” Problemi me filmin qëndron në mungesën e interpretimit teologjik të vuajtjeve të Krishtit. Filmi përshkruan dhe të shtyn fuqishëm që të të vijë keq për torturimin e një njeriu të mirë i cili vuajti dhe vdiq në një mënyrë të tmerrshme e të dhunshme. Por vurratat e kamxhikëve dhe gozhdëve në trupin e gjymtyrët e aktorit, as nuk fillojnë të përshkruajnë atë që Krishti përjetoi në trupin dhe në shpirtin e Tij, urrejtjen e pafund dhe inatin e vrullshëm të Perëndisë kundra tërë mëkatit të tërë racës njerëzore. Në gjashtë orë, Krishti vuajti të tërë masën e pafundme të zemërimit të drejtë të një Perëndie pafund.

Një prej pyetjeve që bëhet është se kush e vrau Krishtin? Pilati, Perëndia apo njerëzit? Në fakt është gabim që t’ia lësh fajin ndonjë personi të vetëm. Pilati, në kredon e Apostujve përfaqëson tradhtimin, refuzimin dhe mohim e Krishtit nga e gjithë bota. Rembrandti i famshëm, në tablonë e tij të njohur, Ngritja e Kryqit (1633), pikturoi edhe vetën e tij në të e madje në qendër të saj, për të simbolizuar që ai ishte shpirtërisht prezent në kryqëzimin e Jezusit, dhe që në fakt ai ishte një prej kryqëzuesëve të Jezusit.

Në fakt, ishin mëkatet i tërë njerëzve dhe dashuria e Perëndisë ato që vranë Krishtin. Të gjithë njerëzit, pavarësisht se ku janë e kush janë, janë mëkatarë dhe kanë nevojë për faljen nga Perëndia dhe pajtimin me të. Ky mëkat, kjo paaftësi njerëzore për të shkuar tek e për tu pranuar nga Perëndia bënë vuajtjet dhe kryqëzimin e Krishtit, e Perëndisë-Njeri një domosdoshmëri. Kaq të thella i ka rrënjët mëkati në qenien njerëzore sa që ne nuk jemi në gjendje që të thyejmë vargonjtë skllavërues të saj. Njeriu është skllav i mëkatit. Ungjilli na deklaron se Perëndia veproi për të thyer dominimin e mëkatit mbi ne. Përmes vuajtjeve dhe vdekjes së Jezus Krishtit, Perëndia ndryshon situatën tonë. Faji i mëkatit falet, fuqia e tij thyhet, njolla e saj pastrohet.

Por ky shpengim pati një kosto të lartë. Falja e mëkateve ka një kosto të sajën, që kërkonte vuajtjen dhe vdekjen e Birit të Perëndisë. Për lidhjen ndërmjet vuajtjes dhe shpengimit lexojmë tek Isaia 52:13-53:12, një pasazh prekës që përshkruan vuajtjet e mistershme të Shërbëtorit të Perëndisë. Ai ishte i pafajshëm, ai vuajti në vend të njeriut për shkak të mëkatit të njeriut.

I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit,

            njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes…

Megjithatë ai mbante sëmundjet tona

            dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona

por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia

            dhe të përulur.

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona,

            u shtyp për paudhësitë tona;

ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të,

            dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Ne të gjithë endeshim si dele;

            secili prej nesh ndiqte rrugën e vet,

dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të

            paudhësia e ne të gjithëve.

ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave

            dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

(Isaia 53:3-6, 12)

Dhiata e Re e shikon këtë pasazh të përmbushur në vuajtjet e Krishtit Jezus, si Shërbëtori i vërtetë i Përvuajtur i Perëndisë (1 Pjetrit 2:21-25). Vuajtjet e Krishtit nuk ishin as të pakuptimta dhe as aksidente të historisë, por mënyra e mrekullueshme dhe e mistershme e Perëndisë me atë të së cilës Ai siguroi shpëtimin për gjithë botën.

Por vuajtjet e Krishti janë të rëndësishme edhe për të adresuar vuajtjet tona sot. Shekulli i 20 ka qenë shekulli më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Tmerret e kota dhe të pashpjegueshme të Luftës së Parë Botërore, kampet e asgjësimit të Hitlerit, gjenocidi Komunist kudo ku u vendos, miliona fëmijë të abortuar çdo vit-fryt i ateizmit tolerant, dhe së fundmi, terrori dhe vuajtjet e të Krishterëve kudo nëpër botë por veçanërisht në botën Arabe nën terrorin e “Regjionit të Paqes”, të shtyjnë të mendosh për lidhjen ndërmjet vuajtjeve të Krishtit dhe të vuajtjeve tona. Një lëvizje politike e njohur si Protest Atheism, doli si reagim ndaj këtyre gjërave. Kredoja e tyre thotë: “Ne nuk mund të besojmë në një Perëndi i cili qëndron i sigurt atje lart në qiell, ndërsa e gjithë kjo vuajtje vazhdon në tokë. Nëse ai nuk e njeh vuajtjen atëherë ai nuk na njeh ne.” Por e vërteta e Ungjillit është se Perëndia nuk qëndroi i paprekur nga vuajtjet atje lart në qiell, në fakt ai e përjetoi vuajtjen tonë po aq, dhe në fakt më shumë se sa ne. Prandaj dhe doktrina e trupëzimit të Perëndisë në njeri është kaq e rëndësishme. Prandaj dhe kredoja thekson vuajtjet e Krishtit. Tek Heb 2:14-18 lexojmë: “Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën…Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit. Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.”

Por le të kemi kujdes, që kur flasim për vuajtjet e njerëzimit dhe ato të Krishtit të mos i barazojmë ato me njëra-tjetrën. Vuajtjet e Zotit tonë Jezus Krisht janë unike. Kjo jo vetëm për shkak të personin të tij unik si Biri i përjetshëm i Perëndisë i cili u bë njeri përmes trupëzimit, por unik në atë që Ai vuajti zemërimin dhe urrejtjen e Perëndisë për ne dhe mëkatin tonë. Pali thotë se Perëndia “e bëri të jetë mëkat, për ne, ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Kor. 5:21). Në vuajtjet e Krishtit ne dëshmojmë realitetin e pakrahasueshëm dhe mahnitës të Perëndisë në personin e Krishtit, i cili për shkak të dashurisë që kishte për ne, mbajti mbi veten e Tij dënimin që mëkati ynë meritonte. Krishti “mbajti në trupin dhe në shpirtin e tij zemërimin e Perëndisë kundër mëkatit të të gjithë racës njerëzore,  në mënyrë që përmes vuajtjes të Tij si e vetmja sakrificë shlyese,  Ai të mund të çlironte trupin dhe shpirtin tonë nga dënimi i përjetshëm dhe të fitonte për ne favorin e Perëndisë, jetën e drejtë dhe të përjetshme” (Katekizmi i Heidelbergut, 37). Vuajtjet dhe kryqi i Krishtit janë jo vetëm demonstrimi i shenjtërisë së Perëndisë, i gjëmës së mëkatit tonë, dhe i urrejtjes së Perëndisë ndaj mëkatit tonë, por edhe demonstrimi i dashurisë së Perëndisë për krijesat e tija. Në vuajtjet zëvendësuese të Zotit Krisht, ne shikojmë harmoninë e përsosur ndërmjet dashurisë së Perëndisë dhe drejtësisë së tij, sepse Ati e dha Birin e tij “për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit” (Rom. 3:25-26).

Gjykimi i Pilatit

Dihet që Krishti vuajti dhe u kryqëzua nën urdhrat e Pontit Pilat. Por përse duhet, që kredoja të përmendë Pilatin, kur nuk përmend shumë nga jeta e Krishtit e aq më pak nga ndonjë prej Apostujve të Tij? Për disa të Krishterë kjo është e çuditshme, për disa të tjerë kjo ka qenë ofenduese. Sido që të jetë, Guvernatori (apo Prokuratori) i Judesë nga viti 26 deri 36, ka mbetur pjesë e Kredos, Në fakt është shumë e rëndësishme që Kredoja e Apostujve e përmend atë. Do të rendisim disa arsye.

Së pari, përmendja e Pilatit e rrënjos Kredon në histori. Rufinusi i Aquilesë, një teolog dhe historian i shekullit të pestë (340-410 AD) shkroi: “Ata që na dhanë Kredon treguan shumë urtësi kur theksuan datën  se kur ndodhën këto gjëra, me qëllim që të mos lejojnë asnjë lloj pasaktësie apo paqartësie të mos trazojë qëndrueshmërinë e traditës.” Përmendja e Pilatit e lidh Kredon me historinë. Ajo afirmon se kemi të bëjmë me një ngjarje, dhe që kryqëzimi i Krishtit në fakt ka ndodhur vërtetë në histori. Ungjilli nuk është një gojëdhënë apo një mit, por një ngjarje e rëndësishme dhe madje qendrore për historinë e njerëzimit, që ndodhi në një vend të caktuar në një kohë të caktuar (Luka 3:1-3).

Kjo është e rëndësishme sepse ne të gjithë jetojmë në histori, jemi pjesë e saj. Ungjilli na afirmon se Perëndia vetë hyri në këtë telajon e historisë, u bë pjesë e kohës dhe e hapësirës që Ai vet pat krijuar, në mënyrë që të takohet me ne dhe të na shpengojë ne. Perëndia zbriti në tokë me qëllim që të na takonte aty ku jemi, në kohë dhe në hapësirë. Doktrina e Trupëzimit na tregon se Perëndia zbriti poshtë tek ne që të na ngrinte ne lart tek Ai. Ky është realizmi i besimit të Krishterë. Ungjilli nuk ka të bëjë vetëm me idetë, por me faktin se Perëndia veproi dhe vazhdon të veprojë në histori.

Së dyti, përmendja e Pilatit rrëfen realitetin e vuajtjeve të Krishtit. Çfarë ne lexojmë në Ungjill e rrëfejmë përmes kësaj kredoje nuk është një alegori apo simbol i vuajtjeve universale të racës njerëzore në përgjithësi, por vuajtjet e një personi specifik, e Krishtit Jezus, Birit të trupëzuar të Perëndisë, i lindur në mënyrë të virgjër prej Marisë, që u rrit në Nazaret të Galilesë, që u tradhtua e u braktis nga gjithkush që ai njihte e donte, që vuajti dhe madje edhe u kryqëzua nën urdhrat e Pontit Pilat.

Së treti, përmendja e Pilatit vë në dukje karakterin publik të gjykimit, vuajtjeve dhe kryqëzimit të Krishtit. Pilati përfaqëson dëshminë e botës në vuajtjen dhe vdekjen e Shpëtimtarit që ajo mohon. Ditët e fundit të shërbesës publike të Jezusit u bënë përpara vështrimit të të gjithë kombit që ndodhej në atë kohë në Jerusalem për të festuar Pashkën. Procesi gjyqësor u bë në prezencën e dëshmitarëve, rrahja e kamxhikomi ndodhi në prezencën e armiqve e akuzuesve të tij, kryqëzimi u bë në shesh të hapur e përpara syve të të gjithëve. Ishte pamundur që ndokush të mohonte se këto gjëra ndodhën ashtu siç ndodhën.

Së katërti, përmendja e Pilatit deklaron pafajësinë e Krishtit. Përmes Pontit Pilat, si përfaqësues dhe garantues i ligjit dhe të drejtës Romake, autoriteti i të cilit vinte nga Perëndia, deklarohet dhe autentikohet pafajësia e Krishtit. “Pilati-thotë Mateu-mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ‘Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti (Mateu 27:24).” Ligji Romak e gjeti Krishtin plotësisht të pafajshëm. Dhe kështu kjo na kujton se nuk ishte për mëkatet e tij, por për tonat që ai vuajti e vdiq. “Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pje. 3:18).

Së pesti, Pilati përmendet në Kredon e Apostujve edhe si përfaqësuesi i tërë botës në mohimin e Krishti. Mohimi i Krishtit nga të tijtë dhe në fakt nga e gjithë bota është një prej temave kryesore të Dhiatës së Re. Shëmbëlltyra e Vreshtarëve të Këqij tek Marku 12:1-11 flet për këtë. Ai u mohua nga ata që kishte njohur që prej rinisë së Tij në Nazaret (Luka 4:16-30), vëllezërit e Tij deshën që ta lidhnin (Marku 3:21), drejtuesit fetar të vendit e blasfemuan  dhe e gjykuan (Mateu 26:59-66), ndërsa Pilati  e gjykoi dhe e dënoi si një kërcënim politik i stabilitetit të pax Romana në rajon. Prandaj edhe Gjoni deklaroi se “Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta” (Gjo. 3:19).

Në të gjitha këto arsye, le të mos harrojmë kryesoren, se sipas Apostullit Pal, “nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia” (Rom. 13:1). Këtë i tha edhe Krishti Pilatit, “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti” (Gjo. 19:11). Ponti Pilat ishte Prokonsuli që kryqëzoi Krishtin në përputhje më dekretin sovran të Perëndisë. Nuk ishte aksident që Perandoria e madhe Romake ishte në zotërim të Izraelit dhe që Biri i Perëndisë u lind nën atë qeverisje. Nuk ishte aspak një aksident historik që gjykimi i Jezusit u bë para një gjykatësi civil, i cili në fillim tha “Unë nuk gjej asnjë faj tek ky njeri” (Luka 23:4), por që më pas ia dorëzoi Krishtin, kryqit të Golgotës. Në të tëra këto ishte Perëndia i plotfuqishëm, i cili kontrollon gjithçka, dhe bën që të gjitha gjërat të funksionojnë së bashku për të përmbushur planin e Tij. Plani i tij ishte që Biri të vuante në vendin tonë, dhe që ne të kishim provat e patjetërsueshme të drejtësisë, të vlerës së pafundme të vuajtjeve të Tij shpaguese për mëkatin tonë, që besimi ynë të themelohej në të vërtetën, të kemi jetën e përjetëshme përmes Tij. “Ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Kor. 5:21).