• on 06/05/2008

Ungjilli sipas Isaise: Një filozofi Kristologjike e Historisë (Isaia 53:12)

nga Albert Kona

Prandaj do t’i jap si pjesën e tij shumë, dhe ai do ta kete si plaçkë të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve. Isa 53:12

Sot dua që të marrim në konsideratë deklaratën e Isaisë, të Biblës, dhe mbi të gjitha të Zotit Perëndi porsa i përket historisë së botës. Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit, por veçanërisht të Krishterët të ngrenë herë pas herë sytë lart nga horizonti ynë personal dhe ta shikojmë jetën dhe ekzistencën njerëzore nga një këndvështrim më i plotë. Ne jemi si ata lojtarët e futbollit në fushën e lojës që rendim me topin por që nuk e shikojmë dot të tërë lojën, ndryshe nga shikuesi nga maja e stadiumit që e shikon lojën nga lart dhe plotësisht. Perëndia shpall tek Isaia 55:8-9 këtë: “Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”… 9 “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.” Perëndia është i përjetshëm, është i kudogjindshëm dhe i gjithëdijshëm. Ai ka krijuar hapësirën, ka krijuar kohën, ka krijuar njeriun që lëviz në hapësirë dhe kohë, dhe e drejton lëvizjen e njeriut nga pika a tek pika b. Perëndia ka krijuar me një qëllim në mendje, dhe përmbushja e qëllimit të Perëndisë përmes lëvizjes së njeriut në hapësirë dhe kohë është ajo që ne zakonisht e quajmë historia e njerëzimit. Edhe është kjo arsyeja që i Krishteri duhet të ngrejë sytë lart nga qielli, që i krishteri duhet të bëjë jo vetëm pyetjen: Çfarë po më ndodh mua? Por edhe pyetjen ?farë po ndodh në botë? Çfarë thotë Bibla për këto gjëra? Cili është roli i besimit tim në të tëra këto gjëra? Cili është kuptimi dhe lidhja e ngjarjeve që ndodhin në këtë botë? Ku po shkon historia? Të lëvrosh këto pyetje do të thotë të me filozofinë e historisë. A ka historia e njerëzimit kuptim e lidhje? A mund të ketë ajo kuptim dhe lidhje? Sot unë shpresoj që ju do të shikoni këndvështrimin biblik të historisë, këndvështrimin e Perëndisë porsa i përket historisë. Nëse historia botërore studiohet siç duhet përmes lenteve të Biblës, duke mbajtur para syve tanë që Krishti është Zoti i Historisë, që historia ka në qendër Krishtin dhe Kishën e Tij, dhe që historia drejtohet nga Krishti për lavdinë e tij dhe të mirën e Kishës së Tij, studimi i historisë kthehet në një mjet inkurajimi për ju dhe në një argument për ti besuar edhe më fort Krishtit, për tu mbështetur edhe më shumë tek Ai. Por më parë vini re filozofinë jo biblikë apo moderne të historisë së njerëzimit dhe e bëj këtë gjë që ju të dini se ka antiteza, se ka një ndryshim rrënjësor ndemjet të menduarit biblik mbi historinë dhe atij sekular.

I.     Filozofia Moderne e Historisë

Në këtë moment ka të paktën një gjysmë dyzime këndvështrimesh të ndryshme mbi historinë që besohen, ndiqen apo predikohen duke filluar që nga katedrat universitare apo podiumet mediatike deri tek grupet e pensionistëve që luajnë domino nëpër parqe. E vërteta është gjithmonë një dhe absolute ndërsa mënyrat e gabuara të të menduarit janë gjithmonë në shumës. Një filozofie historisë është ajo që fillon dhe ndërtohet mbi filozofin Gjerman Hegel, i cili është influenca deçizive e Engelsit dhe e Marksit. Kjo filozofi thotë që historia drejtohet apo shtyhet nga ekonomia. Që, një ngjarje ndjek tjetrën, një komb mund një tjetër, një civilizim zëvendësin një tjetër sipas një ligji të caktuar që Hegeli e quajti ligji i presionit ekonomik. Ky ligj ekonomik sipas Marksit do të prodhonte së fundmi një shoqëri pa klasa. 100 vitet e fundit nuk e kanë konfirmuar opinionin e Marksit mbi progresin dhe kuptimin e historisë.

Nga ana tjetër amerikani Henry Ford pat thënë që historia është thjesht një ngjarje e dhimbshme pas një tjetre. Historia për të nuk ka kuptim, nuk ka lidhje, e nuk ka qëllim.

Një filozofi tjetër e historisë është ajo që mbahet nga religjionet orientalë, hindutë dhe budistët, që historia është ciklike, dhe që kjo përfshin edhe doktrinën e tyrë të ri-mishërizimit apo të ri-inkarnacionit. Ai që sot është kryeministër nesër do të jetë gomar dhe në jetën e tretë mizë. Në Evropë kjo si influence shihet tek historiani gjerman Oswald Spengler i cili shkroi që historia ka karakter ciklik apo zëvendësues. Njëri civilizim zëvendëson një tjetër, një kulturë zëvendëson një tjetër.

Problemi me të treja këto filozofi të historisë që predikohet në mënyrë totalitariane nga universitetet dhe masmedia është që jo vetëm janë jo-biblike, jo vetëm që janë anti-biblike, por që nuk janë në gjendje që të shpjegojnë marshimin e evenimenteve historike, asnjëra prej tyre nuk është në gjendje që të provojë që historia ka një qëllim në vetvete, që ekzistenca e njerëzimit, e botës, e ngjarjeve ka një qëllim drejt së cilës ajo po ecën, një kuptim, një zgjidhje, një përfundim. Këto filozofi të historisë thonë që kombe ngrihen e bien, që teknologjia avancon, që lëvizje intelektuale shkojnë e vinë, që lufta ndjek paqen dhe paqja luftën, dhe e gjitha kjo nuk ka asnjë kuptim, nuk ka destinacion. Asnjëra prej tyre nuk të ofron arsye për të jetuar, për të shkuar në punë dhe për të luftuar për një ndryshim apo qëllim. Është e mrekullueshme që si pastor të çohesh në mëngjes dhe të fillosh punë duke e ditur që edhe sot ashtu si edhe çdo ditë unë do të fitoj pasi perëndia sot si edhe çdo ditë tjetër do të fitojë, pasi Krishti edhe sot si edhe çdo ditë tjetër kontrollon rrjedhën e historisë për lavdinë e Tij dhe bekimin e Kishës. Sa prej zyrtarëve, pushtetarëve dhe politikanëve mund ta thonë një gjë të tillë – Që në fund ata do të fitojnë?

II.     Filozofia Biblike e Historisë

Por nga ana tjetër ne kemi filozofinë Biblike të historisë së njerëzimit e cila është radikalisht e kundërta e çfarë u tha më parë. Perëndia thotë “Prandaj do t’i jap si pjesën e tij shumë, dhe ai do ta ketë si plaçkë të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.” Sipas Fjalës së Perëndisë, Perëndia jo vetëm që kontrollon historinë e njerëzimit, jo vetëm që ai përfshihet me të dhe vepron në të dhe përmes saj, por edhe që Perëndia po e drejton atë drejt një qëllimi të fiksuar që më parë, një qëllim që në qendër të saj ka Krishtin dhe Kishën.

A. Bibla i njeh dhe i konsideron ngjarjet njerëzore

Kështu së pari, Bibla i njeh dhe i konsideron ngjarjet njerëzore, ngritjen dhe rënien e kombeve dhe civilizimeve, i njeh figurat historike që dominojnë në relievin njerëzor, dhe i jep atyre vendin që i takon. Për shembull: Te Danieli 8, ne lexojmë atë që njihet si profecia e Dashit dhe e Cjapit. Perëndia përdor një gjuhë figurative letrare për të përshkruar rënien e perandorisë Persiane dhe pushtimin e saj prej mbretërit të Grekëve, Aleksandrit të Madh. Vini re, ne e quajmë atë Aleksandri i Madh, Bibla e quan atë “Cjapi leshtor – mbreti i Javanit.” (Javani=grekërit). Ky është këndvështrimi Biblik. Bibla nuk i injoron lëvizjet e historisë njerëzore, progresin e njohjes e të teknologjisë, nuk është indiferente ndaj figurave historike, por nuk i konsideron ato si çështjet e vërteta të historisë, kuptimin e vërtetë të historisë. Tek libri i Predikuesit në Dhiatën e Vjetër, Solomoni nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë shkruan në kapitullin e parë “Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell” (Pred. 1:9). – dhe pasi e shtjellon këtë temë për rreth 11 kapituj, tek i dymbëdhjeti shkruan:

12 Biri im, ruhu nga çdo gjë që del jashtë kësaj. Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë, dhe studimi i tepërt e lodh trupin. 13 Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut”. 14 Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.”

B. Filozofia Historike e Dhiatës së Vjetër

Por Bibla jo vetëm që i njeh lëvizjet dhe figurat historike, por por gjithashtu na e jep të saktë kuptimin dhe interpretimin e progresit kronologjik të ngjarjeve historike, e cila na është dhënë në mënyrë të ngjeshur tek Isaia 53:12. pjesa e vargut 12 që thotë “Prandaj do t’i jap si pjesën e tij shumë, dhe ai do ta kete si plaçkë të fuqishmit” na zbulon, na profetizon që Krishti, Shërbëtori i drejtë i Perëndisë dhe vetë Zoti Perëndi, personi i dytë i Trinisë, pas mishërizimit të tij, lindjes, kryqëzimit të tij për mëkatet e popullit të Tij, jo vetëm që do të ngrihet nga të vdekurit – sic na e profetizoi vargu 11 – por gjithashtu do të mbledhë frytet e fitores së Tij në këtë botë. Bibla thotë që Ai do të bëjë të drejtë shumë veta përpara Perëndisë. Kur Isaia përdor fjalën shumë – ai i referohet gjithmonë popullit të perëndisë, Kishës së tij për të cilin ai dha veten e tij siç na siguron Pali tek Efezianët 5:25. Shënoni një koment të vogël në biblat tuaja pasi përkthimi që ju keni atje i frazës “Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit” është shumë i pasaktë. Përkthimi korrekt është ai që ju kam dhënë në buletinin e sotshëm “Prandaj do t’i jap si pjesën e tij shumë, dhe ai do ta ketë si plaçkë të fuqishmit.”

Perëndia Atë na zbulon në këtë varg premtim që Ai i ka dhënë Birit: “Prandaj do t’i jap si pjesën e tij shumë.” Ati thotë, do ti jap Krishtit si shpërblim për sakrificën e Tij të tërë ata për të cilët Krishti vdiq në kryq, të tërë ata për të cilët Krishti pagoi. Ati do ti japi Birit të tëra ata të cilët Krishti i ka blerë e shpenguar me çmimin e gjakut të Tij. Të tërë ata, Ati premton, unë do ti bëj që të vinë tek ai, do ti besojnë Atij, do ta duan atë, do ta ndjekin Atë, do ta adhurojnë Atë. “Prandaj do t’i jap si pjesën e tij shumë” – dhe pastaj Ati shton “dhe ai do ta ketë si plaçkë të fuqishmit.” Me këtë frazë të fundit Ati i premton Krishtit dhe njerëzimit që Ati do të nënshtrojë nën këmbët e Krishtit pushtete e principata, frone e zotërime. Nëse mund tju kujtohet, kjo është një gjuhë që Ati e përdori në strofën e parë të këngës së Shërbëtorit, që janë vargjet 13-15 te Isaisë 52. vargu 15 thotë; “15 kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.” Këtë premtim, këtë profeci, që Ati do ti nënshtrojë kombet nën këmbët e Krishtit ne e gjejmë edhe në shumë vende të tjera në Dhiatën e Vjetër. Tek Psalmi 2, të cilin ne e këndojmë në këtë kishë thuhet:

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota? 2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, 3 duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”. 4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta. 5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe, 6 dhe do të thotë: “E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë. 7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: “Ti je biri im, sot më linde. 8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin. 9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile.”

Tek Ps 72 që ne do ta këndojmë përsëri sot thuhet:

8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës. 9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin…Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë….17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.”

C. Filozofia Historike e Dhiatës së Re

Dhiata e Re gjithashtu na e konfirmon këtë filozofi Kristologjike të Historisë, këtë filozofi pra të historisë me qendër Krishtin dhe veprën e Tij për Kishën e Tij. Tek Kol 1;16 Apostulli Pal e shikon Krishtin si qendra dhe arsyeja e ekzistencës së gjithësisë dhe e historisë së saj disa mijëra vjeçare. Ai thotë:

“sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.

Krishti Krijoi gjithçka dhe në funksion të vetes së Tij – “me anë të tij dhe në lidhje me të” thotë Pali. Dhe çfarë janë këto gjëra? “ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata”…arti, teknologjia, historia njerëzore e lëvizje historike. Gjithçka është në funksion të qëllimit dhe lavdisë së Krishtit. Apostulli Pal përsëri deklaron të njëjtën gjë tek Kolosianëve 2:15, teks të cilin unë jua hapa para dy javësh me paramendim për tju dhënë juve kontekstin për këtë javë. Aty ne lexuam këto fjalë: “dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të.” Dhe nëse mbani mend, përkthimi më në shqip ishte: Dita që Krishti u morr në qiell ishte dita e ngadhënjimit të madh, ishte dita kur Krishti si një gjeneral ngadhënjimtar ul në të djathtë të Ati dhe i ofroi vetes së tij dhe Ati një spektakël madhështor plaçkën që ai kishte kapur rob, “frone, zotërime, principata dhe pushtete.”

Pro Kishë e Krishtit, mos u shpërqendro në këtë moment, pasi nuk po flasim për diçka që nuk ju intereson. Këtu Krishti po flet për ju. Ju jeni po aq shumë sa edhe Krishti e kësaj profecie të Isa 53:12. Duke komentuar mbi këtë varg, Apostulli Pal deklaron tek Efesianëve 1 që Ati e ringjalli Krishtin “…prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, 21 përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme, 22 dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës, 23 e cila është trupi i tij, plotësia i atij që mbush çdo gjë në të gjithë.” Krishti është përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim, emër i kësaj epokë dhe i atyre që do të vinë, dhe duke qenë se Krishti është koka e Kishës, trupit të tij, Kisha gjithashtu është në të njëjtat pozita.” Sepse Krishti ka fituar Kisha fitoi. Sepse Krishti fiton çdo ditë, Kisha fiton çdo ditë. Dhe është për këtë arsye që Pali thotë tek Rom 8:37 “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.”

Por dikush mund të mendojë: Unë i besoj këto gjëra: por si shpjegohet që gjërat nuk duken ashtu siç janë? Arsyeja është se jo ë gjithë ata që i janë premtuar Krishtit i janë dhënë Atij. Bota duhet të vazhdojë, evenimentet botërore duhet të vazhdojnë marshimin e tyre pasi ka ende njerëz, të zgjedhurit e perëndisë që nuk janë prurë ende te këmbët e Krishtit në besim dhe dashuri. Pjetri thotë tel 2 Pjet 3 “kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit.” Krishti tha siç lexojmë tek Mateu 24:14 kur komentoi mbi ardhjen e tij dhe konsumimin e plotë të planit të tij këto fjalë: “Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.” Dhe përsëri, Apostulli Pjetër shkroi:

8 Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. 9 Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.”

Me fjalë të tjera, çfarë Krishti bleu me gjakun e tij do ti jepen Atij në momentin dhe situatën e duhur të hapësirës dhe kohës, që është pra historia njerëzore. Krishti do të sundon mbi këtë botë në atë mënyrë që është më e frytshme për kishën e Tij. Progresi i historisë njerëzore është në funksion të këtij qëllimi: mbledhja e të zgjedhurve të Perëndisë, e popullit të tij, dhënia e një zemre të re, plot pendim, besime dhe bindje, dhe e gjitha kjo do të ndodhe siç po ndodh deri në ardhjen e fundit të Krishtit.

Ky pra është qëllimi dhe interpretimi i vërtete i historisë. Historia e njerëzimit është historia e shpëtimit, është historia se si Perëndia ndërhyn vazhdimisht dhe në mënyrë konstante duke i drejtuar ngjarjet në funksion të planit të tij, duke siguruar kontekstin historik në të cilin ai thërret kishën e Tij përmes predikimit të fjalës, në të cilin ai pastron kishën e Tij përmes predikimit të fjalës dhe persekutimeve sporadike, deri sa kisha e tij është e plotë dhe e gatshme për të hyrë në prezencën e plotë të perëndisë. Historia e njerëzimit është historia e Krishtit, e armiqve të tij, e komploteve dhe përpjekjeve kundra Krishtit sic lexojmë apo këndojmë tek Psalmi 2, është historia e triumfit të Krishtit, dhe se si krishti i kthen ata në plaçkë lufte, është historia e popullit të Krishtit, e Kishës së Tij.

Filozofi dhe teologu i shekullit të 5, Shën Augustini, i pari që deduktoi nga bibla dhe artikuloi filozofinë e Krishterë të Historisë njerëzori, e bërë këtë në librin më të rëndësishëm të shkrua ndonjë herë pas Biblës, të titulluar Qyteti i Perëndisë. Në këtë libër ai thotë që ka dy qytete apo dy mbretëri në këtë botë, Qyteti i Perëndisë dhe qyteti i botës. Njeriu në mëkatin e tij mendon se qyteti i tij është qyteti i vërtetë në këtë botë, i vetmi qytet që ka rëndësi, i vetmi qytet në të cilin ia vlen të jesh anëtar. Augustini i bën një analizë tepër të thellë (dhe pak shkatërruese për trurin) qytetit të njeriut, dhe shpjegon se si historia e e qytetit të kësaj bote është vetëm një nën-temë apo një nën-linjë në në historinë e vërtetë. Historia e vërtetë është historia e Qytetit të Perëndisë dhe e popullit që jeton në të, se si u futën në të, se si u fituan për të, që në fakt është historia Atit që dërgon Birin, historia e Birit që vjen dhe jetoi ndër njerëz, që vdiq për ta dhe u ringjall për ta, është historia se si Ati dhe Biri dërgojnë frymën e shenjtë ditën e Pentakostit dhe që prej asaj kohë kjo frymë po sjell një e nga një pranë Krishtit të zgjedhurit e Atit, ata që Isaiah i quan “të shumtët,” dhe se si At, Biri, dhe Fryma e Shenjtë ngrenë dhe përmbysin popuj e mbretërira vetëm e vetëm për këtë qëllim dhe për nënshtrimin final të çdo gjëje nën këmbët e Krishtit.

III.     Aplikime:

Ne mbyllje deshiroj te rendis dy aplikime për të gjithë ju sot:

Se pari, nëse ju nuk jeni i Krishterë, nëse ju nuk i besoni Krishtit si Zotin dhe Shpëtimtarin tuaj, nëse ju nuk ia keni nënshtrua gjurin tuaj Krishtit, nëse ju nuk ja nënshtroni gjurin tuaj Krishtit çdo ditë dhe në çdo gjë, duhet të dini se një rrezik ju kanoset. Bota që juve ju duket si më e vërtetë nuk është gjë tjetër veçse ajo bezja mbi të cilën historia e vërtetë projektohet. Pavarësisht nga preference juaj ju jeni pjesë e historisë së vërtetë. Krishti tha: Ata që nuk janë me mua janë kundra meje. Ju nuk mund të jeni neutral pasi Perëndia nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Ju jeni pjesë e historisë së vërtetë por nëse nuk jeni në Krisht, ju jeni pjesë e saj si humbës. Rezultati i kësaj lufte shpirtërore kozmikë është fiksuar që më parë. Krishti, me ngritjen e tij nga varri dhe ngritjen në të djathtë të Atit tashmë është fitimtar. Ky është realiteti, kjo është e vërteta. Ju ose do të shikoni realitetin në sy dhe ti besoni Krishtit për shpëtimin tuaj duke e shpallur atë si Zotin tuaj dhe duke ja ulur gjurin tuaj plotësisht dhe në çdo gjë Atij, ose do të zhysni kokën në rërë duke shpresuar që e gjitha kjo është vetëm një ëndërr e keqe. Urimi dhe nxitja imë është që jut ë bëni pjesë në kategorinë e parë të dëgjuesve. Eja tek Krishti, është Ai që po të thërret, pendohu, besoji Atij dhe lëshoje vetveten në kujdesin dhe dashurinë e tij.

Por nëse ju jeni i Krishterë, kujtohuni dhe mbani mend atë që ka me të vërtetë rëndësi. Sigurohu që jeta që po shpenzon në këtë tokë të shpenzohet për lavdinë e tij pasi për atë edhe është krijuar. Deklaroju Krishtin atyre “të shumtëve” siç i quan Isaia, jeto dhe puno për avancimin e Qytetit të Perëndisë në mes të qytetit të njeriut, dhe ti do të jesh në anën e fitimtarit, dhe vepra e duarve të tua do të ketë fryt dhe kuptim. Amen.