• on 25/11/2014

Unë Besoj në…Jezus

“Unë besoj në Perëndinë, Atin…dhe në Jezus Krishtin, Birin e Tij.” Kjo është deklarata e besimit tonë. Kur Kredoja e Apostujve e deklaron Perëndinë “Krijuesin e qiellit dhe të tokës,” ajo thotë se Krishterimi është ndryshe nga Hinduizmi apo paganizmi; por kur ajo deklaron se ne besojmë në Jezusin, që është Krishti dhe Biri i Perëndisë ajo distancohet plotësisht nga Judaizmi dhe Islami, dhe qëndron stoikisht plotësisht e vetme dhe hyjnore. Kjo deklaratë është si guri i themelit të Krishterimit, ashtu edhe elementi kryesor që e bën atë kaq të veçantë. E gjithë Dhiata e Re u shkrua që të bënte këtë deklaratë, të shpjegonte kuptimin e saj, dhe ta vërtetonte atë.

Krishti është Qendra

Doktrina e Krishtit është themeli dhe qendra e Krishterimit biblik. Kjo reflektohet edhe në strukturën e vetë Kredos. Nga 112 fjalë, 71 fjalë shkojnë për të artikuluar doktrinën e Krishtit. Kredoja flet më shumë për Krishtin se sa për të tëra pikat e tjera të besimit të marra së bashku. Ky bllok Kristologjik qëndron në qendër të kredos e rrethuar nga doktrina e Atit dhe e Frymës. Kjo në vetvete ose është ose blasfemia më e madhe, ose pasqyron të vërtetën më e mrekullueshme. Jezusi qëndron ndërmjet Atit dhe Frymës si diamanti i Kurorës Hyjnore. Arsyeja është sa e qartë aq edhe marramendëse, Jezusi është Krishti, vetë Perëndia i mishëruar në mesin tonë, Emanuel (Mat. 1:23). Është e pamundur që njeriu të njohë Perëndinë, Trininë, shpëtimin, ngjalljen dhe jetën e përjetshme pa Jezus Krishtin. Jezusi tha “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje…Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjo. 14:6, 9). Dhe në fakt, në origjinën e saj, kjo kredo është një zgjerim i deklaratës së thjeshtë dhe të hershme, “Jezusi është Zot” (1 Kor. 12:3; Fil. 2:11).

Por në qendër të kësaj deklaratë dhe të këtij besimi qëndron një person i vërtetë, dhe jo thjesht një paketë idesh dhe besimesh abstrakte e filozofike. Duhet ti rezistojmë tundimit që ta trajtojmë Krishterimin sikur të ishte një “izëm” tjetër, si Budizmi, Frojdianizmi, Marksizmi, Darvinizmi, Islami, etj. Tërë këto janë sisteme abstrakte që qëndrojnë dhe funksionojnë të shkëputura nga themeluesi i tyre, dhe të reduktuara në sisteme doktrinash dhe idesh. Marksi origjinoi disa ide që sot operojnë të pavarura prej tij. Marrëdhënia ndërmjet Jezusit dhe Krishterimit është krejt tjetër. Sa për fillim, Buda, Muhameti, Marksi e Frojdi janë të tërë të vdekur, ndërsa koka e Krishterimit është jo vetëm ende i gjallë, por mbi të gjitha i ngritur nga vdekja. “Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë” (Vep. 2:24).

Emri Jezus

Emri i Personit të Dytë të Trinisë, i mishëruar si njeri është Jezus. Ky është një emer që iu dha atij, nga një engjëll (Luka 2:21). Lexojmë tek kapitulli i parë i Ungjillit sipas Mateut, se një engjëll i Zotit iu shfaq Jozefit, burrit të ardhshëm të Maries, dhe i thotë: “Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:20-21). Engjëlli, jo vetëm që i jep emrin Jezus, Perëndisë që do të zbriste mbi tokë përmes veprës së trupëzimit, por edhe jep arsyen se përse duhej të quhej kështu. Ai do të ishte Shpëtimtari.

Engjëlli i Zotit bën diçka që ka qenë traditë dhe thesar i civilizimeve të vjetra, dhe që dëshmon për kujdesin dhe rëndësinë që i kushtonin të vjetrit emrin që i jepej njeriut. Në ato kohë, emri që i jepej një njeriu kishte për qëllim që të komunikonte një mesazh, të dëshmonte për diçka që kishte ndodhur, apo që do të ndodhte në lidhje apo përmes këtij personi, apo të identifikonte karakterin dhe veprën e personit. Emrat kishin për qëllim që të tregonin historinë e personit. Shembujt janë të shumtë. Perëndia ia ndërroi emrin Abramit, në Abraham, që do të thotë “Ati i shumë kombeve” (Zan. 17:5).

Është një fakt interesant, që vënia e emrit të një fëmije, në vetvete, është një akt religjioz, është një shpallje besimi. Sistemi i kaluar komunist e kuptonte shumë mirë këtë gjë. Si rrjedhim, me ligj, në Shqipëri u ndaluan emrat e huaj, emrat religjioz, si dhe emrat me kuptime që mund të dëshmonin për kundra regjimit komunist. Më pas, sistemi, duke kuptuar vakuumin që krijohej, gjeti një zgjidhje po aq religjioze. Ai miratoi një indeks emrash, prej nga të cilit prindërit duhej të zgjidhnin emrat për fëmijët e tyre. Emrat në këtë indeks u grumbulluan kryesisht nga varret pellazge dhe ilire, disa nga mitologjia vendase dhe ajo greko-romane, si dhe nga personazhet historike të pranuar e lavdëruar nga sistemi. Kuptohet që këto emra ishin me prejardhje pagane, që edhe pse u kishte humbur kuptimi etimologjik, ngeleshin përsëri të tilla. Ky ishte në vetvete, përsëri një akt religjioz, një shpallje besimi apo mosbesimi.

 Kështu, emrat në Bibël tregonin qëllimin që Perëndia do të kishte për atë person. Kjo është mbi të gjitha e vërtetë për sa i përket Jezusit. Jezus është emri i Tij i vërtetë.  Ky është ekuivalenti në Greqishten e Dhiatës së Re, të emrit Jozue apo në disa përkthime gjendet si Joshua. Ky gjendet në Dhiatën e Vjetër që në Hebraisht do të thotë “Jehova (apo Jahveh) është ai që të shpëton,” apo thjesht “Shpëtimtar.” Kaq i uritur ishte Izraeli në shekullin e Parë për një shpëtimtar, për vetë Mesinë e Perëndisë, dhe kaq i nxitur ishte instinkti popullor, që ndjente se po afrohej koha e Mesisë, sa që emri Jezus-Jehova është ai që të shpëton, ishte një prej 10 emrat më të përdorshëm për meshkujt e asaj kohe. Për shembull, një prej bashkëpunëtorëve të Palit, quhej gjithashtu Jezus i quajtur gjithashtu Just (Kol. 4:11). Por vetëm Jezusi nga Nazareti, predikuesi i varfër Galileas, biri i Maries, që provoi përmes mrekullive dhe mesazhit të tij, përmes plotësimit deri në një të mbi 300 profecive të bëra për të në Dhiatën e Vjetër, e mbi të gjitha përmes vdekjes e ngjalljes së tij ditën e tretë, vetëm ky Jezus është me të vërtetë Mesia, Shpëtimtari i vërtetë, në fakt vetë Jehova që erdhi të shpëtojë. Engjëlli i tha Jozefit, “ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Vetëm Jezusi është Jehova që të Shpëton.

Çfarë historie e mrekullueshme shpëtimi na zbulohet në emrin e Zotit tonë. Përmes emrit të Tij, një emër që u caktua nga Perëndia për të, ne na tregohet se Ai është në personin dhe veprën e Tij mishërimi i plotësisë së shpëtimit. Përmes Tij ne na është dhënë shpëtimi nga fuqia, dominomi dhe pasojat e mëkatit. Kur ne rrëfejmë emrin e Tij, ne deklarojmë se vetëm Ai është Shpëtimtari i përsosur e përfundimtar. Se vepra e Tij ka përfunduar gjith­çka që ishte e nevojshme për shpëtimin tonë. Ne rrëfejmë ne fjalët e Palit se, “…kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari” (1 Tim. 1:15).

Plotësisht Njeri

Emri Jezus e identifikon atë gjithashtu edhe si plotësisht njeri. Po! Ai është Jehova. Personi i dytë i Perëndisë Triune-At, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Mesia duhej të ishte plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Shpëtimtari ka dy natyra, atë njerëzore dhe atë hyjnore. Këto natyra ai i pati si kur ishte këtu në tonë, në atë që njihet si gjendja e përulur e Tij, ashtu i mban edhe sot në qiell, në gjendjen e lartësuar të Tij. Deri në përjetësi Jezusi do të jetë gjithnjë Theanthropos, Perëndia-njeri. Këto dy natyra ai i mban njëkohësisht, pa i përzier ato me njëra-tjetrën, si pretendonte Eutikianizmi, një prej herezive të Kishës së hershëm, pa i shkrirë si pretendonte Monofizitizmi, dhe as duke i ndarë ato aq shumë nga njëra-tjetra, sa i largon ato përtej pikës së kontaktit, siç pretendonte Nestorianizmi. Ne i mbahemi doktrinës historike të Unionit Hipostatik të dy natyrave në personin e Jezusit, dy natyra të pandashme por edhe të papërziera e të pashkrira me njëra-tjetrën. Ai ka një natyrë të plotë njerëzore, dhe në të njëjtën kohë një natyrë të plotë hyjnore. Ai është pra plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, “sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kol. 2:9).

Por le të fokusohemi për një moment në natyrën e tij njerëzore. Jo shumë njerëz e mohojnë sot natyrën njerëzore të Jezusit. Në fakt ekzistenca e tij historike nuk dyshohet më nga akademia. Në shekujt e parë të Kishës, ekzistonte një sekt, Docetistët që thonin se Jezusi kishte vetëm paraqitjen e një njeriu, se ai ishte më tepër një fantazmë dhe jo një njeri i vërtetë e i plotë. Sot kjo nuk dyshohet më. Ajo që dyshohet sot është hyjnia e tij.

Por Jezusi ishte njeri në çdo drejtim. Prejardhja e tij ishte njerëzore: Ai u lind nga Maria, vinte nga fisi i Davidit, prejardhje e Adamit. Ungjijtë përshkruan në detaj këtë pemë të familjes së tij njerëzore (Luka 3:23-38; Mateu 1:1-16). Ai pati vëllezër dhe motra (Mark 6:3).

Ai gjithashtu kishte edhe një paraqitje njerëzore të zakonshme. Profeti Isaia pat profetizuar për të: “Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim” (Isa. 53:2). Manteli njerëzor që Biri veshi mbi hyjninë e tij, mbuloi shumë më shumë shenjtëri e lavdi hyjnore se sa ne njerëzit mund të duronim, apo të shikonim e të mos konsumoheshim. Dishepuj e armiq e njohën atë si një njeri të plotë. “A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë?’’-habiteshin armiqtë e Tij,-“dhe skandalizoheshin për shkak të tij” (Marku 6:3). Pas ngjalljes nga vdekja, ai ishte po aq njeri sa edhe më parë. Maria e ngatërroi për kopshtarin e varrezave. Dy dishepujt në rrugën për në Emaus e morën për një qytetar të zakonshëm. Ai u paraqit si njeri. Ai e provoi veten të ishte njeri, me një origjinë që shkonte deri tek njeriu i parë.

Ai gjithashtu kishe jo vetëm një trup njeriu por edhe frymë njeriu. Ai përjetoi gjithçka që ne si njerëz përjetojmë në këtë jetë. Ai pati uri dhe etje (Marku 1:13). Ai qau (Luka 19:41). Ai përjetoi tronditjen e vdekjes së të dashurve të tij (Gjo. 11:33). Ai fjeti dhe përjetoi lodhjen si edhe ne (Marku 4:38). Ai vuajti, dhe së fundi edhe vdiq si edhe ne. Ai ishte vërtet dhe plotësisht njeri.

Por ai ishte gjithashtu vërtetë dhe plotësisht i pamëkatë. Shumë kanë dëgjuar apo thënë shprehjen “Të mëkatosh është njerëzore, të falësh është hyjnore.” Ne shpesh herë shfajësojmë vetveten apo njëri-tjetrin duke thënë: “Po jemi njerëz në fund të fundit, edhe bëjmë gabime.” Me këto fjalë kuptojmë se natyra njerëzore dhe të mëkatuarit janë domosdoshmërish të pandashme. Kjo nuk është e vërtetë. Kur njeriu u krijua, ai u krijua pa mëkat. Do të vijë gjithashtu edhe koha kur njerëzimi i ngjallur me një trup të ri në një botë e qiell të ri do të jetë gjithashtu pa mëkat edhe pse plotësisht njeri. Jezusi ishte njeriu i përsosur dhe në të qëndronte njerëzimi i përsosur. Ai nuk mëkatoi kurrë. Prandaj, me autorin e Letrës drejtuar Hebrenjve mund të themi “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Heb. 4:15-16).

Solo Christo

Fakti që Jezusi i Nazaretit është vetë ‘Jehova që të Shpëton,’ ka implikime shumë të rëndësishme për atë që e njeh veten për mëkatar dhe e kupton se ka nevojë që të shpëtohet prej fuqisë, fajit dhe dënimit të mëkatit. Dhe implikimi është pikërisht ky: Duke qenë se vetëm Jezusi është Jehova i trupëzuar e i ardhur për shpëtimin tonë, dhe se para se të vdiste ai deklaroi “U krye” (Gjo. 19:30), dhe fakti se ai u ngjall nga të vdekurit për të vërtetuar të gjitha deklaratat që Ai bëri mbi personin dhe veprën e Tij në tokë (Rom. 1:4), do të thotë se shpëtimi qëndron vetëm në të dhe përmes tij. Ai tha “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjo. 14:6). “Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën” (1 Gjo. 5:12). Ky është ekskluziviteti i Krishtit. Apostulli Pjetër predikoi “Në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Vep. 4:12). Vetëm në Emrin e Jezusit. Çfarë ka në këtë Emër? Përgjigja jonë është: “Gjithçka!”

Kjo është arsyeja, përse Reformacioni Protestant i shekullit të XVI-të insistoi në thirrjen luftarake të Reformacionit, Solus Christus-Vetëm Krishti. Sistemi mesjetar, që është ende dogma e Kishës Katolike dhe Ortodokse, mësonte se shpëtimi është nëpërmjet kombinimit të veprës së Marisë si Bashkë-shpëtimtare me Jezusin, plus përmes meritave dhe veprave të shenjtorëve, si dhe përmes veprave dhe meritave personale të besimtarit plus edhe Jezusin. E vërteta është se, edhe pse ky lloj Krishterimi flet për Krishtin dhe i beson e lutet Atij, ky lloj Krishterimi në efekt e mohon Krishtin sepse nuk i lutet vetëm Atij dhe nuk i beson vetëm dhe vetëm Atij.

Por le të mos gënjehet besimtari ungjillor. Edhe pse nuk i puthim dorën Papës, nuk i përulemi shenjtorëve, nuk adhurojmë ikonat, dhe nuk besojmë tek efekti shpëtues i pagëzimit regjenerues, ne besojmë po aq shumë në meritat tona, ne besojmë po aq shumë tek formula e vjetër dhe e mallkuar Krishti + diçka tjetër = shpëtimin. Në kohën kur Jezusi predikonte nëpër Galile e Jude, kishte shumë “që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët” (Luka 18:9). Sot shumë e imagjinojnë veten e tyre të Krishterë sepse kanë bërë dikur diku “lutjen e shpëtimit.” Po ajo është e njëjta gjë me “pagëzimin e rigjenerimit” të Katolikëve dhe Ortodoksëve. Njëri thotë unë u luta dhe u shpëtova, tjetri thotë unë u pagëzova dhe u shpëtova. Ty dyja palët e bazojnë shpëtimin e tyre në një instrument të Kishës, por që njeriu e përdor për të realizuar shpëtimin.

Për shumë të tjerë, Krishti është vetëm një shembull madhështor i jetës shpirtërore, dhe se Perëndia i ka pranuar ata, sepse ata, ashtu si edhe Jezusi, jetojnë sipas Rregullit të Artë. Por Bibla thotë se “asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij përmes veprave të ligjit” (Rom. 3:20). Pali thotë se “atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi” (Rom. 4:4-5).

Ka nga ata ungjillorë që besojnë se kanë prova që janë në rregull me Perëndinë. Ata kanë bërë ungjillëzim, kanë prurë mjaft të tjerë në Kishë, kanë predikuar, janë të përfshirë në shërbesat e Kishës, janë dhjakë, pleq apo pastorë, dhe kanë bërë shumë vepra të tjera si këto për Perëndinë. Por këta harrojnë dy gjëra. Së pari, Perëndia nuk ka nevojë për ta dhe për punën e tyre. Së dyti, se shumë prej tyre, Jezusi do tu thotë në fund- “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi”.” (Mateu 7:21-23). Vini re se të gjithë këta kanë përdorur emrin e Jezusit. Të gjithë këta në një farë mënyrë kanë një historik personal se si janë kapur pas këtij emri. Por vini re gjithashtu, se nëse shumë që predikojnë e profetizojnë, që kanë fuqinë për të kontrolluar e dëbuar demonë, e që mund të bëjnë vepra të fuqishme, nuk do të pranohen apo njihen nga Jezusi në fund, aq më pak ne të tjerët që nuk kemi bërë dhe as nuk mund të bëjmë asnjë nga këto gjëra, nuk duhet ta vendosim besimin dhe sigurinë tonë në meritat dhe besnikëritë tona ndaj Tij. Nuk është besnikëria jonë ndaj Krishtit që na shpëton, por besnikëria e Tij ndaj nesh. Nuk është ç’farë ne bëjmë për Atë dhe për vetën tonë, ajo që na shpëton; por është çfarë Ai bëri për ne në Kryq, dhe vazhdon të bëjë, që na shpëton.

Disa ungjillorë të tjerë e bazojnë shpëtimin e tyre në faktin se kanë pasur përjetime të veçanta të Frymës, se flasin në gjuhë të panjohura, apo se kanë pasur zbulesa a vizione nga Fryma e Shenjtë. Por Letra drejtuar Hebrenjve (6:4-6) na zbulon se ka nga “..ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë, dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme,” dhe se disa nga po ky grupim bëjnë apostazi, bëjnë prapakthehu. Si? “Ata…e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.” Si e kryqëzojnë përsëri dhe e poshtërojnë Birin e Perëndisë? Duke e deklaruar Jezusin më pak se sa Shpëtimtarin e vetëm, duke e deklaruar veprën e kryqit më pak se sa plotësisht të mjaftueshëm, gjë që është në fakt tallje e përbuzje ndaj Krishtit dhe veprës së Tij. Ky ishte thelbi i veprimit që bënë Judenjtë ndërsa Krishti qëndronte i varur në Kryq (Marku 15:29-32). “Ku je ti që shpëtuake të tjerët? Ku je ti që shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë? Ku është fuqia jote? Ti nuk je Shpëtimtari përfundimtar, vepra jote nuk mjafton. Unë duhet ti shtoj atë që ngelet veprës tënde të papërfunduar.” Në thelb, ata ungjillorë që ja të fiksuar pas përjetimeve të reja, për inkurajim, për shenjtërim, për nxitje, deklarojnë se Krishti nuk është mjaft për ta. Dhe kjo është një gjë e mjerueshme.

“Shpëtimi i përket Zotit” (Jona 2:9). Ky është jo vetëm besimi Apostolik, jo vetëm deklarata e besimi i Kishës Militante këtu në tokë, por edhe por edhe refreni i Kishës Triumfante në qiell. Lexojmë tek Zbulesa, se “një turmë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; qëndronte në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre, dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit”.” (Zbu. 7:9-11).

Kur deklarojmë me Kredon e Apostujve se “Unë besoj në Perëndinë, Atin…dhe Jezus Krishtin,” ne deklarojmë se nuk ka asnjë vend tjetër ku ne shikojmë apo duhet të shikojmë për shpëtimin tonë. I dashur lexues, ti nuk mund të thuash se i beson Jezusit nëse nuk i beson vetëm Jezusit. Pavarësisht se sa me sa pasion krenohesh për Jezusin, apo se sa shumë flet për Jezusin e për dashurinë tënde për të, apo se sa shumë e sa mirë i shërben Atij, nëse i shton ndonjë gjë Jezusit, i tërë pasioni yt, e tërë dashuria jote, e tërë sakrifica jote është e kotë. Ose Jezusi është i vetmi Shpëtimtar, i përsosuri Shpëtimtar, i mjaftueshmi Shpëtimtar, i vetmi ngushëllim për ty si në jetë ashtu edhe në vdekje, ose Jezusi nuk është për ty aspak një Shpëtimtar.