Unë Besoj në…Birin e Tij të Parëlindur

  • on 07/12/2014

Unë Besoj në…Birin e Tij të Parëlindur

Përse Kredoja e Apostujve përdor shprehjen “Birin e tij të vetëmlindur?” A nuk gjejmë në Bibël të thuhet se engjëjt janë bij të Perëndisë (shiko Jobin 1:6 se bashku me 2:1)? Mbi të gjitha, a nuk quhen besimtarët gjithashtu bij të Perëndisë (Gal. 4:6; Fil. 2:15; 1 Gjo. 3:2)? Po. Kjo është e vërtetë. Por kur rrëfejmë me kredon se besojmë në “Birin e tij të vetëlindur,” duhet të kuptojmë se vetëm Krishti është Biri i natyrshëm dhe i përjetshëm i Perëndisë. Ne nga ana tjetër, jemi bij të birësuar të Perëndisë, që nuk vijmë nga përjetësia po jemi të krijuar në kohë dhe hapësirë, dhe se jemi të adoptuar nga hiri përmes vetë Krishtit. Pra, përgjigja fshihet pas dallimit ndërmjet birit të natyrshëm dhe bijve të adoptuar. Le të shikojmë më në detaj ndryshimin. së pari natyrën hyjnore të Krishtit si Biri i trupëzuar, si Perëndia-Njeri; dhe së dyti, marrëdhënien që ka ky Bir me Atin Perëndi në ndryshim nga njerëzit.

Biri i Perëndisë

Krishti është Biri i Atit Perëndi, i cili u bë njeri me qëllim që të bëhej Shpëtimtari ynë dhe për të përmbushur detyrën për të cilët Ati i Tij e pat shuguruar e mandatuar, dhe për të cilën Fryma e pat fuqizuar e vajosur. Krishti është i vetmi Bir i vërtetë dhe i përjetshëm si dhe Perëndi i vërtetë e i përjetshëm, së bashku me Atin dhe Frymën. Dhiata e Re insiston në këtë gjë, kur përdor termin monogenes – i vetëmlinduri. “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë… Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.” (Gjo. 1:14, 18). Termi ka për qëllim që të theksojë të veçantën, uniken, të papërsëristshmen. Marrëdhënia që Biri ka me Atin si dhe natyra që Biri ka në vetvete, është plotësisht unike dhe tjetër në krahasim me krijesën. Termi ka për qëllim që të theksojë natyrën hyjnore që Biri ka në vetvete si plotësisht Perëndi, dhe marrëdhënien hyjnore me Atit, si një “Perëndi prej Perëndie” siç thotë Kredoja e Nikeas. Por çfarë provash kemi për hyjninë e Biri si Perëndi prej Perëndie?

Së pari, kjo vjen domosdoshmërish nga vetën natyra e Perëndisë. Perëndia është i përjetshëm, i pafund dhe i pandryshueshëm. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Ati Perëndi ka qenë përjetësisht një At, pafundësisht një At, dhe pandryshueshmërish një Atë. Por si mund të ketë qenë Perëndia një Atë, përjetësisht, nëse Ai nuk ka pasur një Bir për nga përjetësia, pra një Bir të përjetshëm? Perëndia është i pandryshueshëm. Është e pamundur që Ai të mos ketë qenë dikur një At, por ndryshoi në natyrën e Tij dhe u bë më vonë i tillë.

Në këtë kuptim, themi se ne besimtarët nuk mund të jenë kurrë bij si Biri. Ne jemi bij të Perëndisë sepse Ai pati mëshirë për ne dhe na zgjodhi e na adoptoi në familjen e tij. Por për Zoti Jezus Krisht nga ana tjetër, kjo ishte një çështje e drejtë që ai e mbarte për shkak të qenies së tij si ajo e drejta e birit ë parëlindur, i takon atij natyrshëm. Ne kemi një fillim, Biri vjen nga përjetësia, dhe buron përjetësisht prej esencës hyjnore të Atit. Dhe këtë burim të përjetshëm, Bibla na e përshkruan si vetëmlindje.

Natyra hyjnore e Birit gjenerohet apo buron përjetësisht nga Ati. “Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete” (Gjo. 5:26). Ati Perëndi është, dhe këtë Ai e ka nga vetvetja. Por po kështu i ka dhënë birit të njëjtën gjë. Pra nga njëra anë Biri e ka qenien e Tij prej Atit, por nga ana tjetër ekziston si një Perëndi. Pra, kur flasim për Krishtin si Biri i Perëndisë dhe si i vetëmlindur, nuk i referohemi ngjizjes dhe lindjes përmes Marisë, pasi këtë Kredoja e thekson në pikën pasardhëse, por gjenerimit nga Ati apo burimit të përjetshëm prej Atit. Pra, edhe pse themi i vetëmlinduri, si një akt i kryer në të kaluarën, është më e saktë që ta shikojmë atë si një akt që vazhdon të ndodhë. Natyra hyjnore e Birit, përjetësisht buron prej asaj të Atit. Kjo është një vetëmlindje e përjetëshme.

Si mund ta ilustrojmë këtë gjë. Në fakt është e pamundur që të gjejmë një analogji të përsosur nga krijesa. Gjëja më a ngjashme që mund të gjejmë është nga analogjia e diellit dhe dritës, por që nuk është e plotë. Dimë se për aq kohë sa dielli ka ekzistuar, ai ka prodhuar dritë. Është e paimagjinueshme për ne një diell pa dritë. Kështu është me Perëndinë. Për aq kohë (nëse mund ta përdorim këtë koncept për Perëndinë) sa Perëndia Ati ka ekzistuar, ai ka edhe gjeneruar apo buruar nga atyra e Tij hyjnore, Birin. Dhe sepse Ati ka ekzistuar gjithnjë, Biri gjithashtu ka buruar gjithnjë nga Ati, përjetësisht i vetëmlindur.

Së dyti, në Bibël shikojmë se Krishti kishte atributet e Perëndisë. Ai kishte atributin e omnipotencës – i gjithëpushtetshëm. Ai deklaroi “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mat. 28:18). Dhe Ai e provoi se ishte kështu. Ai demonstroi fuqinë e Tij mbi natyrën. Ai qortoi erën dhe i foli detit “Pusho, fashitu” (Marku 4:39). Dhe ato iu bindën. Dishepujt pyetën “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?” (4:41), dhe përgjigja është sigurisht, Ai është Biri Perëndi. Biri eci mbi ujë drejt dishepujve të tij të rrezikur në det, dhe furtuna pushoi (Marku 6:48-51).

Ai demonstroi fuqinë e tij mbi demonë (Marku 1:25; 9:14-27), madje mbi një legjion të tërë demonësh (Marku 5:9-13). Ai demonstroi fuqinë e Tij edhe mbi engjëjt besnik të Perëndisë, duke iu referuar atyre shpesh herë si engjëjt e mi (Mar. 8:38; Mat. 26:53).

Ai demonstroi fuqinë e tij mbi jetën dhe sëmundjet. Ai shëroi lebrozë (Mat. 8:1-4); të paralizuar (Luka 5:17-26); dorëthatë (Marku 3:1-12); të verbër (Marku 8:22-26; 10:46-52); epileptikë (Luka 9:37-45); shurdhmemecë (Marku 7:31-37), sa që njerëzit thanë për të: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë: Ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!” (Marku 7:37).

Ai madje demonstroi se kishte autoritet e fuqi madje edhe mbi vdekjen. Pasi pat ngjallur Llazarin nga vdekja (Gjoni 11:35-45); ai u ngrit edhe vetë nga vdekja, për të dhënë provën më absolute se Biri është i gjithëpushtetshmi Perëndi.

Në Bibël shikojmë se ai kishte edhe atributin e gjithënjohjes – omniscience. Krishti tha “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë” (Mat. 11:27). Pra Biri deklaron se njohja e tij është e njëjtë më njohjen e Atit. Por sepse Ati e njeh përjetësisht Birit, atëhere edhe Biri e njeh Përjetësisht Atin, aq më tepër që personi i Atit është i pafudmë, atëhere edhe njohja që Biri ka për Atin është e tillë. Është e pamundur për një krijesë të thjeshëtë të njohë Perëndinë e pakuptueshëm. Është e pamundur për një qenie të fundme të përmbajë një qenie të pafundme. Kështu, Ati dh Biri ndajnë së bashku, të njëjtën atribut hyjnor, pra edhe të njëjtën natyrë hyjnore.

Në Bibël shikojme së Ai kishte edhe atributin e omniprezencës – të kudogjendjes.  Fjala e fundit në Ungjillin sipas Mateut, pasi ka dhënë Porosinë e Madhe: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt” (Mat. 28:18), ishte, “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (v. 20). Dhe kështu dishepujt u nisën. Në fillim ata ishin vetëm dymbëdhjetë. Më pas disa dhjetëra, më pas disa qindra e sot disa mijëra e qindra mijëra. Ata kanë shkuar në çdo kontinent të botës, në çdo komb e fis, dukë dhënë lajmin e mirë të Krishtit në qindra gjuhë të ndryshme të botës. Ata kanë kaluar male e oqeane, dhe gjithnjë Krishti Jezus, Biri i Perëndisë ishte me ta, siç është edhe sot me ne, sepse Ai është Perëndia omniprezent, i kudogjendur dhe i gjithëdijshëm.

Së treti, në Bibël shikojmë se Biri bënte veprat e Perëndisë. Akti më absolut i Hyjit është akti i krijimit. Bibla thotë se Ai është Krijuesi. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjo. 1:3). Ai është Krijuesi i galaksive. Kjo vërteton se Ai ishte plotësisht Perëndi, përndryshe ndryshimi Krijues-krijesë zhduket dhe kumbet çdo kuptim. Disa heretikë (si për shembull sekti i Ariani apo Dëshmitarët e Jehovait) kanë thënë se Perëndia në fillim krijoi Birin, dhe më pas i dha atij fuqinë dhe autoritetin për të krijuar. Kjo është çmenduri ta pohosh, sepse Biri është ose Krijues ose krijesë. Ideja që një krijese mund ti delegohet autoriteti dhe fuqia për të krijuar  do të thotë që kësaj krijese të parë i është dhënë gjithashtu edhe atributi për të qenë i gjithëdijshëm, i plotfuqishëm, dhe i pafundmë e i kudogjendur, atribute që mund ti këtë vetë Perëndia. Që Biri të jetë Krijues i gjithçkaje duhet pa tjetër që të mos jetë vetë një krijesë e parë e kësaj gjithçkaje. Në fakt “në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të” (Kol. 1:16-17).

Pjesë e akteve të Perëndisë është edhe akti i gjykimit. Por Ati ka vendosur që të mos gjykojë vetë asnjë, “por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar” (Gjo. 5:22-23). Në fakt të gjithë një ditë “do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur” (1 Pje. 4:5). Apostulli Pal na thotë gjithashtu se është Zoti Jezus Krisht Ai “që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij” (2 Tim. 4:1).

Së katërti, shikojmë në Bibël, se Biri pranonte dhe urdhëronte adhurimin e Tij si një Perëndi. Lexojmë se “Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi…” (Mat. 8:2). Se në një rast “iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe duke e adhuruar i tha…” (Mat. 9:18). i vërberi që shëroi Ai i tha, “Unë besoj, o Zot”; dhe e adhuroi” (Gjo. 9:38). Kudo nga shkoi Judenjtë që dinin të dallonin ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, dhe që dinin se adhurimi i njeriut ishte blasfemia më e madhe dhe që dënohesh me vdekje, adhuruan Krishtin, sepse ishin të detyruar që të pranonin e rrëfenin hyjninë e Tij.

Kur Farisenjtë i thanë Jezusit që ti qortonte dishepujt e Tij sepse ata adhuronin dhe lavdëronin emrin e Tij, Ai iu përgjigj: “Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin” (Luka 19:40). Kur Thomai e adhuroi me fjalët “Zoti im dhe Perëndia im!”, Jezusi e bekoi (Gjo. 20:28). Por kur Apostullit Gjon iu shfaq një engjëll i Tij, dhe Gjoni ra në gjumë para engjëllit, ky i fundit e qortoi: “Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt…Adhuro Perëndinë!” (Gjoni 22:9). Adhurimi i diçkaje tjetër veç Perëndisë është idhujtari. Dhe nëse Jezusi nuk do të ishte Perëndia i trupëzuar në mesin tonë, ai do të ishte fajtor për pranimin e idhujtarisë tonë.

Së pesti, shikojmë se biri ka shenjtërinë si të një Perëndie. Krishti tha që të gjithë njerëzit janë mëkatarë, dhe se zemra jonë është gënjeshtare. “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta” (Mar. 7:21). Por Ai tha gjithashtu “Cili nga ju më bind për mëkat?” (Gjo. 8:46). Shikojmë Pjetrin që thotë “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar” (Lu. 5:8). Dhe Palin që deklaron veten të jetë kryemëkatari (1 Tim. 1:15), por asnjëherë nuk kemi as pranim mëkati nga Krishti, përkundrazi deklarim shenjtërie. Unë “bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë” Atit (Gjo. 8:29). Në Kryq ai fali armiqtë e Tij por nuk kërkoi flaje për veten e Tij. Madje, edhe krimineli i kryqëzuar me të tha “Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe” (Lu. 23:41).

Jezusi nuk ishte një njeri i mirë. Ai nuk ia lejoi njerëzve këtë opsion që ta thonin. Kur dikush iu drejtua Atij me fjalët “Mësues i mirë,” ai e ndaloi dhe e pyeti: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë” (Luka 18:19). Kjo është e rëndësishme për ta thënë, pasi të gjitha sektet, e mbi të gjitha Islami e quajnë Jezusin një mësues të mirë. Por nuk e kuptojnë se duke thënë këtë kanë rrëfyer kundra qëllimit ë tyre hyjninë e Tij. Si? Nëse nuk ka njerëz të mirë sipas standardit të Perëndisë, dhe nëse vetëm Perëndia është i mirë, atëhere, Krishti ose është Perëndi, ose nuk është i mirë. Ai është ose Perëndia i mirë ose një njeri mëkatar. Dhe kështu, Kurani dhe sektet e tjera, ose duhet të deklarojnë Krishtin mëkatar si të gjithë të tjetërt, ose ta deklarojnë atë Perëndinë siç ka bërë Krishterimi për këto dymijë vite. Krishti nuk ia opsionin njerëzve për ta pranuar si një njeri të mirë por jo si Perëndi. Nuk është e pranueshme që të themi “Oh Jezusi, ai ishte një njeri i mrekullueshëm e i pamëkatë.” Jo, Ai ishte dhe është Perëndia i trupëzuar, Krijuesi i qiellit dhe i tokës; Shpenguesi Hyjnor; Ai i cili mund të thotë “Përpara se sa Abrahami të ishte, Unë jam” (Gjo. 8:58). Dukë thënë këto fjalë, Ai morri mbi veten e tij emrin Jehovah, “Unë Jam.”

Së gjashti shikojmë se Biri ka autoritetin si një Perëndi. Ai predikoi si një person që ka tërë autoritetin e Perëndisë në vetvete. Fjala e Tij sihte fjala e fundit dhe autoriteti final në çdo gjë. Për Dhiatën e Re dhe profetet e saj Ai tha: “Moisiu ka thënë…por unë po ju them,” “Ju keni dëgjuar se ju është thënë…por unë ju them.” Apo, “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se…” Sa herë që Ai fliste kështu, Ai thoshte fjalën e findit dhe finale. Ai ishte standardi i të vërtetës dhe e vërteta absolute. Kur Ai dha Predikimin në Mal (Mat. 5-7), Ai foli si qëmoti në Malin Sinai ku Ai i dha Ligjin Moisiut, dhe përfshiu gjithçka nën zotërimin e Tij. Krishti është ligjvënësi mbi Sion. Ai madje tha se motivi më i lartë që mund të ketë njeri është që të bëjë diçka për shkakun e Tij, apo për hir të Tij: “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.” (Mat. 5:11). Ai ose ishte një ego-maniak, ose ishte Perëndia i mishëruar.

Po kështu vëmë re ndryshim ndërmjet tij dhe predikuesve të Tij. Pali tha se “ne nuk predikojmë veten tonë” (2 Kor. 4:5), por Krishti predikonte veten e Tij. Edhe pse nga njëra anë ai thoshte se ishte “zemërbutë dhe i përulur nga zemra” (Mat. 11:19), nga ana tjetër tema qendrore e predikimit të tij ishte vetvetja.

  • Unë jam rruga, e vërteta, dhe jeta…
  • Unë jam dera e deleve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë…
  • Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën për delet e tija.
  • Unë jam hardhia… pa mua nuk mund të bëni asgjë.
  • Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet…
  • Gjoni 14:6; 10:7, 8, 11; 15:5; 10:9

 Dhe kështu vazhdoi gjatë gjithë shërbesës së Tij këtu në tokë. Jezus Krishti predikoi vetveten. Me të vërtetë ai do të ishte egomaniaku më i madh në historinë e njerëzimit, nëse nuk do të ishte me të vërtetë, Perëndi prej Perëndie, Biri i trupëzuar i Atit.

Vargjet e pasazhet e mësipërme nuk janë disa rreshta të shkëputura e të izoluara nga njëra-tjetra. Shkrimet na japin historinë e Zotit Jezus Krisht si historia e Perëndisë, si historia e Birit të përjetshëm, që hyri në racën njerëzore dhe në telajon e kohës me qëllim që të na shpengonte ne.

Bijtë e Perëndisë

Mësimi i mësipërm është i domosdoshëm që të kuptojmë birësimin tonë. Për shkak të Adamit, ne jemi natyrshëm bij të zemërimit dhe të mosbindjes (Efe. 2:2-3). Njerëzit nuk linden bij dhe bija të Perëndisë, sikur të ishte e drejta jonë si qenie njerëzore. Ne lindemi bij të mëkatit. Por ne duhet të bëhemi bij e bija të Perëndisë përmes adoptimit apo birësimit. “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Gal. 4:4-5). Ungjilli mund të përkufizohet shkurt në këto tre fjalë: Birësim përmes shlyerjes. Zemërata e Perëndisë ndaj nesh është fashitur për shkak të vdekjes së Krishtit me qëllim që ne të pajtohemi me Perëndinë dhe të birësohemi në familjen e Tij.

Pra, qenia Bir, i Krishtit Jezus, apo birërimi (një fjalë e re që nuk gjendet në asnjë fjalor) është ndryshe nga qenia jonë bij e bija të Perëndisë. Ne na bënë bij e bija të Perëndisë, Krishti ka qenë gjithnjë Bir i Perëndisë. Jezusi nuk u bë Bir i Perëndisë në momentin e mishërizimit e lindjes përmes Maries, sikur ti ishte dhënë ndonjë titull apo identitet i ri. Biri i Perëndisë ka qenë gjithnjë Biri i Atit që përpara krijimit (Heb. 1:2). Birërimi për të është i përjetshëm. Birërimi për ne ka një moment fillimi. Nga natyra Ai është Biri i Perëndisë. Nga natyra ne nuk jemi bij të Perëndisë. Ati ndan esencën Tij be Birin, dhe jetën që ka në vetvete (Gjo. 5:26). Por ne nuk ndajmë me perëndinë Triune esencën hyjnore të Perëndisë. Ne quhemi bij dhe bija të Perëndisë sepse na është dhënë një jetë e re dhe hirshëm jemi mirëpritur në familjen e Atit tonë qiellor. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme…Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjo. 3:1618). Sepse Ndërmjetësi ynë për tek Perëndia nuk ishte vetëm plotësisht njeri, por edhe plotësisht Perëndi, bëhet e mundur adoptimi ynë. Sepse Krishti ishte Bir i Perëndisë, ne mund të bëhemi bij dhe bija të Perëndisë. Birërimi i Krishtit bën të mundur birësimin tonë.

Si pastor, mund të dëshmoj me shembuj se si problemet kryesore të besimtarëve burojnë nga që të Krishterët nuk dinë, nuk kuptojnë ose nuk besojnë doktrinën e birësimit. Birësimi është një akt i hirit të pamerituar të Perëndisë, në dhe përmes Birit të Tij, me anë të së cilës të gjithë ata që Ati i ka shfajësuar e falur, numërohen si bij e bija të Perëndisë (Efe. 1:5; Gal. 4:4-6). Perëndia na jep emrin e Tij (Zbu. 3:12), vendos në ne Frymën e Shenjtë të birësimit (Rom. 8:15), na jep lirinë për tu futur në prezencën e Tij (Efe. 3:12; Rom. 5:2), që të thërrasin Abba Atë (Gal. 4:6). Dhe që nga ai moment, ne jemi nën kujdesin e Tij atëror, marrin të gjitha liritë dhe privilegjet e të qenit anëtarë të familjes së Perëndisë (Rom. 8:17; Gjo. 1:12), marrin mëshirën e keqardhjen e Tij (Psa. 103:13); mbrojtjen e Tij (Fja. 14:26); përkujdesjen e Tij për nevojat e përditshme (Mat. 6:30-32; 1 Pje. 5:7); madje edhe disiplinimin e Tij (Heb. 12:6). Ne jemi trashëgimtarë të të gjitha premtimeve (Heb. 6:12), dhe bashke-trashëgimtarë me Krishtin në lavdi (1Pje. 1:-4; Heb. 1:14); të vulosur për ditën e shpengimit (Efe. 4:12).

Përqafimi me anë të zemrave tona të kësaj të vërtetë të lavdishme është një mënyrë e fuqishme drejt një zemre më të shenjtëruar, e një jetë personale, familjare dhe publike me nderuese për Perëndinë, dhe e një bashkësie lokale e mbushur me hir. Lutja vjen më spontane dhe natyrshëm, dhe na fut më shpejt dhe pa ndrojtje në realitetin e fronit të hirit, ku ne mund t’ia hapim pa frikë zemrat tona dhe të fshehtat tona Perëndisë që tashmë di çdo gjë.

Besimi i këtij realiteti të ri shpirtëror, nga njëra anë na bënë që të ecim plot siguri dhe pa frikë në këtë botë, dhe madje edhe pa e vrarë fort mendjen se çfarë mendon bota për ne. Ne duhet të ecim si bijtë e pronarit të madh të kësaj bote, që një ditë do të trashëgojmë gjithçka. Kjo është bota e Atit tonë, dhe për pasojë edhe e jona.

Por nga ana tjetër duhet të na bën edhe më të përulur dhe zemër butë. Në fakt na rrit mundësinë që të duam më fort dhe më shumë, të falim më shpejt dhe më plotësisht, dhe në mënyrë vetëflijuese edhe ata që na e bëjnë akoma edhe më të vështirë për ti falur dhe dashur.

Birërimi i Krishtit është baza e birësimit tonë. Kjo është arsyeja që rrëfimi i hyjnisë së Krishtit si i vetëlinduri i Atit është zemra e rrëfimit për besimtarin e Krishterë. i gjithë rrëfimi ynë, themeli i shpresës tonë, si për jetën ashtu edhe ne vdekje, është pikërisht kjo. Dhe po kjo është çfarë i prodhon në zemrën e të Krishterit atë ngazëllim “nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme” (1 Pje. 1:8), për shkak se “Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin” (2 Kor. 5:19), Apo siç lexojmë tek Rom 8:31-32, “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? 32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” AMEN.