• on 09/10/2014

Unë Besoj në Perëndinë (iii)…

(Artikulli ne PDF)

J.B. Phillips, një studiues dhe teolog i Universitetit të Kembrixhit, botoi një libër në 1952, me titullin Your God is Too Small (Perëndia yt është tepër i vogël). Libri është tepër i aplikueshëm edhe për ne sot, sepse shpjegon se problemi me të cilin ballafaqohemi të gjithë sot është se nuk kemi gjetur një Perëndi aq të madh e të aftë për tu përballur me nevojat dhe vështirësitë tona moderne. Në një botë në të cilën jeta jonë shtriqet në gjithfarë drejtimesh, në të cilën horizonti ynë mendor shtrihet përtej kufijve të habisë për shkak të zbulimeve dhe avancimeve shkencore, idetë tona mbi Perëndinë janë jo vetëm statike por tepër të vogla për t’ia përshtatur apo shoqëruar atyre. Kisha moderne ka një teologji xhuxhe dhe i beson një Perëndie xhuxh e të paaftë për të adresuar botën moderne dhe për ti dhënë përgjigje problemeve të botës moderne. Antidot e këtij problemi është njohja dhe përjetimi personal i Perëndisë së Biblës. Për shembull, Psalmi 139 është një kurë e mirë për ato mendime të ulëta që mund të kemi për Perëndinë madhështor të këtij universi.

Njohja e Perëndisë

Atributi i parë i Perëndisë që Davidi veçon në këtë Psalm është njohja e përsosur dhe e pafundme që Perëndia ka për vetën e Tij dhe për gjithësinë që ai ka krijuar:

Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua. Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij” (vargjet 1-6).

Termi teologjik që përkufizon këtë atribut të Perëndisë është omniscience-gjithëdija. Omni (të kesh të gjithë) science (njohjen). Njohja e njeriut rritet dhe shtrihet nga dita në ditë, por ajo është një njohje e fituar përmes një procesi, dhe që sado që të shtrihet, do të ngelet gjithnjë e kufizuar dhe e varur. Njohja e Perëndisë nga ana tjetër është ndryshe nga ajo e njeriut jo vetëm për nga sasia por edhe nga cilësia, si edhe nga burimi i saj. Perëndia nuk e arrin njohjen që ai ka përmes observimit dhe arsyetimit. Ai e ka atë njohje nga vetvetja në çdo moment të qenies së tij (Jobi 37:16). Për sa i përket përmbajtjes, njohja e tij është e përsosur dhe pagabueshme. Për sa i përket mënyrës, njohja e Tij është intuitive dhe imediate. Ai nuk e fiton këtë njohuri. Perëndia e njeh fundin nga fillimi përmes një akti të vetëm reflektimi:

Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, 10 që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen,” 11 duke thirrur nga lindja një zog grabitqar dhe nga një tokë e largët njeriun që do të zbatojë planin tim. Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë; kam bërë planin dhe do ta realizoj. (Isaia 46:9-11)

Me qindra janë pasazhet biblike që flasim për gjithë-njohjen e Perëndisë. “Dhe do t’i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta” thotë Krishti tek Zbu. 2:23. “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Heb. 4:13). Të gjitha veprimet e krijesave të Tij janë të njohura për të, madje edhe tradhëtimi e mëkati njerëzve, sepse është Ai që i ka paraparë dhe parathënë ato, si në rastin e tradhëtimit të Judës, e mohimit të trefishte që Pjetri i bëri Krishtit, e arrestimit, torturimit, kryqëzimit dhe ngjalljes së Tij prej të vdekurve. Profecia bazohet mbi faktin që Perëndia ka gjithë-njohjen: “Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë” (Isa. 42:9).

E gjitha kjo duhet të mbushë zëmrën e të Krishterit me lavdërim, pasi sipas Psalmit 139, jo vetëm Perëndia njeh gjithçka dhe përsosmërish, por edhe sepse Perëndia na njeh ne personalisht. “Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.” Për ata që i fiksojnë sytë, mendjet dhe zemrat në adhurimin privat dhe publik të Perëndisë, në kishë apo gjatë devocionit personal apo familjar, Perëndia thotë “Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij” (Mal. 3:16). Ti o i Krishterë që i parashtron Perëndisë Atit dëshira e peticione që nuk guxon tua tregosh të tjerëve, ki sigurinë se ai të dëgjon çdo psherëtimë: “O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur” (Psa. 38:9). Njohja e Perëndisë është ngushëllim për të Krishterin që dyshon në njohjen e vetvetes. Nëse ti o lexues, ndërsa kapesh pas Krishtit përmes besimit, dyshon në shpëtimin tënd kur shikon mëkatin në zemrën dhe jetën tënde, mos harro se Perëndia shikon farën e besimit dhe hirin e shpëtimit atje ku ti nuk e shikon dot, sepse është Ai që e ka vendosur dhe e ruan atë atje. Kur Abijahu, biri i Jeroboamit (që ishte mbreti më i lig i Israelit), u sëmur dhe vdiq, Perëndia tha se ai foshnje ishte i vetmi “tek i cili u gjet diçka e mirë dhe që i pëlqen Zotit, Perëndisë të Izraelit.” Perëndia pa hir në mes të një dinastie të ligjsh e ligësish.

Por mbi të gjitha Perëndia njohu nevojën tënde për një zëvendësues si në rastin e Abrahamit dhe Isakut. Ndërsa Abrahami ngriti dorën për të sakrifikuar birin e tij të vetëm Isakun në Malin Moria (Zan. 22), Perëndia e ndaloi. “Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit.Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh” (Zan. 22:13-14). Jehovah Jireh do të thotë Jehova shikon dhe siguron. Dhe këtë bëri ai me nevojën tonë për një Shpëtimtar, për një zëvendësues, për një qengj të shenjtë që të vdesë në kryq për mëkatet tona dhe në vendin tonë. Në fakt, Jezus Krishti është Jehovah Jireh, Perëndia besnik i besëlidhjes që njohu nevojën tonë më thelbësorë dhe më të rëndësishme dhe siguroi gjithçka për të, vendosi veten e Tij në kryq për ne.

Prezenca e Perëndisë

Atributi i dytë që Davidi veçon në këtë psalm është edhe prezenca e pafundme dhe personale e Perëndisë.

7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? 8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. 9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, 10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë. 11 Po të them: “Me siguri terri do të më fshehë”, madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: 12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

Perëndia është kudo. Teologët e njohin këtë atribut me termat pafundësia (imensiteti) dhe  gjithëprania (omniprezenca) e Perëndiaë. Pafundësia si koncept teologjik i referohet nuk kufozohet apo limitohet prej krijesës për sa i përket shtrirjes së prezencës së Tij. Gjithëprania i referohet marrëdhënies që Perëndia ka me tërë qenien e tij kundrejt krijesës. Perëndia është kudo prezent në gjithësi dhe këtë botë me tërë qënien e tij. Pra nuk duhet të kuptojmë se një pjesë qenies së Perëndisë është në kontinentin Afrikan, ndërsa një pjesë tjetër e Perëndisë është në kontinentin Evropian, dhe kështu në mënyrë “respektive” Perëndia është kudo. Jo, me këtë atribut duhet të kuptojmë se e tërë qenia e Perëndisë është kudo, e plotë në çdo cep të krijesës së Tij. Pra Perëndia është i plotë e i përsosur në qenien e tij si në Afrikë ashtu edhe në Evropë, ashtu edhe në skajet e gjithësisë në të njëjtën kohë. “A jam unë vetëm një Perëndi nga afër”, thotë Zoti, “apo dhe një Perëndi nga larg? A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?”, thotë Zoti. “A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?”, thotë Zoti,” (Jer. 23:23-24). “Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!” (1 Mbr. 8:27). “Kështu thotë Zoti tek Isa. 66:1: “Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia. Ku është, pra, shtëpia që mund të më ndërtoni dhe ku është vendi i çlodhjes sime?”

E megjithatë ky atribut i Perëndisë bëhet problematik për ne, pasi në vend që ne të rendim drejt Tij plot pendim e besim, ne rendim prej tij, dhe në budallallëkun e zemrave tona mendojmë se mund të shpëtojmë prej tij. Nga ana kronologjike, ky ishte veprimi i parë që njeriu beri pas rënies. Adami dhe Eva “dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit” (Zan. 3:8). Dhe njerëzimi vazhdon të përpiqet të rendë prej Perëndisë. Por “ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? 8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty” thotë Davidi.

Është interesante që Davidi përmend Sheolin. Sheoli në konceptim e teologjisë së Dhiatës së Vjetër është vendi i të vdekurve, varri. Por pas kësaj fjale fshihet lavdia e ungjillit, dhe në fakt mendoj se edhe vetë Davidi nuk e kuptonte thellësinë e kuptimit të këtyre vargjeve që ai po shkruante nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Ne adhurojmë dhe i shërbejmë një Perëndie të cilit mund ti bëjmë pyetjen: Si është vdekja? Si është varri? Mund t’ia bëjmë këtë pyetje pasi Krishti ishte ai që e përjetoi vdekjen përpara nesh.  Dhe madje ai vetë e përjetoi varrin për tre ditë, përpara nesh. Ne adhurojmë një Perëndi të pavdekshëm e të padukshëm, të gjithëdijshëm e të kudogjendshëm, por që e njeh vdekjen personalisht. Kjo është arsyeja pse bashkimi jonë me Krishtin nuk prishet nga vdekja, dhe se trupat tonë thjesht prehen në varr apo “flenë” në Krisht. Pali thotë “tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije për sa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur” (1 Sel. 4:14-15). Nuk ka asnjë vend ku ti o i Krishterë do të jesh pa praninë e Zotit tënd. Nuk ka asnjë vend ku ti o i Krishterë mund të shkosh, dhe ku Zoti yt nuk pret atje për ty.

Fuqia e Perëndisë

Atributi i Tretë që Davidi cilëson në këtë psalm të tij është edhe gjithëfuqishmëria e Perëndisë. Perëndia jo vetëm njeh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e gjithë krijesës së tij, dhe më personalisht tonën, por gjithashtu është Ai që në fakt kontrollon në mënyrë sovrane të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe të gjithçkaje tjetër. Davidi thotë:

Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënës sime. 14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. 15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. 16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende. 17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! 18 Po të doja t`i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

 Në këto vargje ai flet për krijim e tij, një akt sovran e i mrekullueshëm i Perëndisë. Ai flet gjithashtu edhe për providencën e Perëndisë ne jetën e tij kur thotë “dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.” Perëndia është i Gjithëpushtetshmi, dhe kjo shihet në veprat e krijesës dhe providencës. Providenca e Perëndisë është qeverisja që ai i bën krijesës së tij materiale, imateriale dhe frymore. Ne nuk mund të kemi një konceptim të drejtë të Perëndisë, nëse nuk e shohim atë si të plotfuqishëm, ashtu si edhe të gjithë-ditur. Ai që nuk mund të bëjë atë që do dhe të kryejë gjithçka që dëshiron, nuk mund të jetë Perëndi. Ashtu si Perëndia ka një vullnet për të vendosur atë që e gjykon të mirë, ashtu ka dhe fuqinë për të zbatuar vullnetin e tij.

Fuqia e Perëndisë është aftësia dhe forca me anë të së cilës ai mund të përmbushë çfarëdo që dëshiron, çfarëdo që vendos urtësia e tij e pafund dhe çfarëdo që mund të vendosë pastërtia e pafund e vullnetit të tij…Ashtu si shenjtëria është bukuria e tërë atributeve të Perëndisë, po ashtu kjo është ajo që u jep jetë dhe veprim tërë përsosmërive të natyrës hyjnore. Sa të kota do të ishin këshillat hyjnore nëse fuqia nuk do të ndërhynte për t’i zbatuar ato. Pa fuqi, mëshira e Tij do të ishte thjesht një besim i brishtë, premtimet e tij një tingull i zbrazët dhe kërcënimet e tij nuk do të ishin veçse një dordolec. Fuqia e Perëndisë është si Vetja: e pafund, e përjetshme dhe e pakuptueshme, as nuk mund të kontrollohet, kufizohet e as të cënohet nga krijesa. Stivën Çarnok

“Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?” (Ps. 89:6). “Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?” (Dan. 4:35). Kjo u zbulua haptazi kur Perëndia u mishërua dhe banoi ndër njerëzit. Lebrozit i tha: “Po, unë dua, shërohu”. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij” (Mat. 8:3). Atij që kishte katër ditë që dergjej në varr, i tha: “Llazar, dil” dhe i vdekuri doli. Era e stuhishme dhe dallgët e tërbuara u qetësuan vetëm nga një fjalë e tij. Një legjion demonësh nuk mund ta kundërshtonte urdhrin e tij autoritar. Artur Pink thotë këtë tre aplikime nga gjithëfuqia sovrane të Perëndisë. Se pari, ne duhet të kemi një ndrojtje të shëndetshme e Biblike ndaj Tij:

Të gjithë duhet të dridhen para një Perëndie të tillë! Të trajtosh paturpësisht atë që mund të na shtypë më lehtë sesa shtypim një flutur nate është vetëvrasje. Ta kundërshtosh haptazi atë që është veshur me plotfuqishmëri e që mund të na bëjë copa-copa ose mund të na hedhë në ferr, kur të dojë, është çmenduri e vërtetë. Është urtësi që t’i vëmë veshin urdhërimit të tij “Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast” (Ps. 2:12).

Së dyti ne duhet ta adhurojmë atë:

     Shpirtrat e ndriçuar ta adhurojnë një Perëndi të tillë! Përsosmëritë e mrekullueshme dhe të pafund të një Qenie të tillë kërkojnë një adhurim të zjarrtë. Nëse njerëzit e famshëm dhe me pushtet kërkojnë admirimin e botës, sa më shumë duhet të na mbushë fuqia e të Plotfuqishmit me nderim dhe mahnitje. “Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eksodi 15:11).

Së treti, ne duhet ta hedhim veten tonë trup dhe shpirt në krahët e tij përmes besimit:

     Shenjtorët duhet t’i besojnë një Perëndie të tillë! Ai është i denjë për një besim të patundur. Asgjë nuk është e vështirë për të. Nëse Perëndia do ta kishte të kufizuar fuqinë ne do të binim në dëshpërim, por kur shohim se është i veshur me plotfuqishmëri, asnjë lutje nuk është e vështirë që ai të përgjigjet, asnjë nevojë nuk është shumë e madhe që të mos ta plotësojë, asnjë pasion aq i fuqishëm që të mos frenohet prej tij; asnjë tundim aq i fuqishëm prej nga i cili të mos të të çlirojë e asnjë mjerim aq i madh prej nga i cili të të ngushëllojë. “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë?” (Ps.27:1).

Prandaj “tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen” (Efes.3:20-21). AMEN.