Unë Besoj në Perëndinë…(i)

  • on 30/09/2014

Unë Besoj në Perëndinë…(i)

(Artikulli ne PDF)

Çfarë duhet të kuptojmë kur, së bashku me Kishën e të gjithë kohërave, deklarojmë “Unë besoj në Perëndinë…”? A mos është kjo thjesht një aleancë që ne deklarojmë me Judenjtë, Muslimanët, Hinduistët apo teistë të tjerë si ne, kundra ateistëve të kësaj bote? Apo mos ndoshta po deklarojmë se besojmë në dicka më shumë se sa kaq? Sigurisht që është kjo e fundit. Përmes Kredos ne rrëfejmë besimin tonë në Perëndinë e Biblës, në Perëndinë Triune të kësaj Kredoje në përputhje me doktrinën e Krishtit dhe Apostujve. Ne në fakt rrëfejmë besimin tonë në Perëndinë Krijues dhe Shpëtues të kësaj bote, që na u bë i njohur përmes Birit dhe Frymës, dhe që emrin i tij është At, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Nëse nuk është ky Perëndia që ne rrëfejmë, atëherë po recitojmë kredon e gabuar. Nëse nuk është ky Perëndia që ne besojmë, atëherë ne thjesht kemi deklaruar se i besojmë një lloj idhulli, aspak ndryshe nga paganët e kësaj bote.

Perëndia dhe Idhujtaria

Një është Perëndia,” është një nga deklaratat më të vërteta dhe në të njëjtën kohë më ngatërruese që gjendet në gojën e shqiptarit që pretendon se nuk është ateist dhe se beson në Perëndi. Po, është e vërtetë që ka vetëm një Perëndi në këtë botë. Por dy janë problemet që përmban kjo deklaratë. Së pari, kjo buron nga doktrina anti-trinitariane e Islamit. Islami gabimisht mendon se të Krishterët besojnë në tre Perëndi, pra se jemi triteistë, dhe si rrjedhim e deklaron veten monoteiste duke thënë se Perëndia është një. Në fakt Krishterimi i të gjitha kohërave dhe ngjyrimeve ka qenë dhe do të mbetet gjithashtu monoteistë. Ne besojmë në një Perëndi në tre persona, dhe jo në tre Perëndi. Për më gjatë, doktrinën e Trinisë do ta shqyrtojmë në detaj në kapitullin e radhës.

Së dyti, edhe pse ka vetëm një Perëndi të vërtetë, ajo çfarë njerëzit kanë në mendje, mund të mos jetë Perëndia i vërtetë, por një karikaturë e tij, pra një idhull. Urdhëresat “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë” (Eks. 20:3-4), nuk ndalojnë vetëm ateizmin por edhe idhujtarinë. Në fakt është idhujtari që të kesh ide, përkufizime apo doktrina të gabuara mbi Perëndinë. Është idhujtari të kesh “keqinterpretime, opinione të gabuara, dhe mendime të liga apo thjesht të padenja” për Perëndinë.[1]

Për shembull, civilizimi antik Greko-Roman kishte bërë pikërisht këtë gjë. Ata të gjithë besonin në ekzistencën e të mbinatyrshmes. Aristoteli madje, në mënyrë të saktë e përkufizoi atë me frazën “ὃ οὐ κινούμενον κινεῖ,”-i Palëvizshmi që Lëviz Gjithçka.[2] Ata gjithashtu besonin se njeriu ishte i krijuar në një farë mënyre i ngjashëm me Perëndinë. Problemi i tyre ishte se formuluan një ide mbi Perëndinë duke u nisur nga imazhi i njeriut. Pali i referohet kësaj kur shkruan:

Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve, (Rom. 1:19-23).

Pra Pali thotë se ata që i besonin Perëndisë në kohën e tij, e kishin përkufizuar Krijuesin në shëmbëllimin e krijesës, veçanërisht të frymorëve, në vend që ta ngrinin përkufizimin e tyre mbi Zbulesën e vetë Perëndisë për vetveten. Pra, thirrja jonë është që të mos jemi inoçentë dhe të mos biem në idhujtari ndërsa besojmë në Perëndi dhe e rrëfejmë atë përmes Kredos së Apostujve. Sipas Perëndisë, nuk është e mjaftueshme për ne që të kemi një besim të sinqertë kundrejt tij, por edhe një besim të saktë, pasi është e mundur që një person ta ketë sinqerisht…dhe…gabim besimin e tij mbi Perëndinë. “Njihu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqenie,” (Jobi 22:21) ishte këshilla e mençur që Elifazi i dha Jobit në dëshpërimin e tij. “Kështu thotë Zoti: “I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë Zoti,” (Jer. 9:23-24). Pra, njohja e Perëndisë-teologjia-është thellësisht praktike. Në fatkeqësi, vuajtje a varfëri…njih Perëndinë. Në pasuri, dituri e pushtet…njih Perëndinë. Si në të mirë ashtu edhe në të keqe njih personin, cilësitë dhe rrugët e Perëndisë. Kjo është pra thirrja jonë. Por le të ti afrohemi kuptimit të drejtë të Personit dhe Veprës së Perëndisë.

Perëndia është Frymë

Përkufizimin më të shkurtër të Perëndisë na e jep vetë Krishti e gjendet tek Gjoni 4:24, “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t`a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.” Perëndia është frymë. Në fakt vargu duhet përkthyer ‘Perëndia është një frymë’ edhe për arsye gramatikore të tekstit në origjinal, por edhe pasi Ai nuk është i vetmi frymë. Bibla thotë se engjëjt janë “frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin” (Heb. 1:14). Nëse themi se Perëndia është frymë, atëherë nuk do të dallonim ndërmjet Perëndisë dhe qënieve të tjera që janë gjithashtu frymëra si engjëjt, dhe do të binim kështu në gabimin e panteistëve, pra në idhujtari. Panteizmi është besimi se çdo frymë është një manifestim apo pjesë e vetë Perëndisë. Perëndia dhe krijesat e tij frymërore janë një. Por kur ne themi se Perëndia është një frymë, ne e deklarojmë Atë të ndryshëm nga qeniet e tjera. Krijuesi është i dallueshëm, i ndryshëm e i veçantë nga krijesa e Tij.

Kur themi se Perëndia është një frymë, ne mohojmë se Perëndia përbëhet nga ndonjë substancë materiale. Perëndia nuk ka një trup njerëzor. Perëndia është i padukshëm. “Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur” (Gjo. 1:18; shiko edhe 1 Gjo. 4:12). Prandaj dhe është mëkat kundër urdhëresës së dytë bërja e ndonjë paraqitje vizuale të Perëndisë përmes imazheve apo statujave (Eks. 20:4). Prandaj dhe profeti Isaia, që në fakt pat parë lavdinë e Perëndisë, bën pyetjen retorike “Kujt dëshironi t`i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t`i vinit përballë?” (Isa. 40:18). Me kë doni që ta ngjasoni në idhujtarinë tuaj, është pyetja që Perëndia i dërgon popullit të Tij idhujtar. Kur Krishti tha se “Perëndia është një frymë,” ai na instruktoi se si është Ati-hyjnor, i pakufizuar e i pa kushtëzuar nga realiteti fizik. Ky ishte predikimi Apostolik i Palit në Areopag: “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Vep. 17:24-25). Njerëzit përcaktohet nga hapësira dhe koha, sepse jetojmë brenda kësaj kornize fizike dhe kohore. Ne na përkufizon vendndodhja jonë. Ne gjendemi gjithnjë vetëm në një vend të caktuar në një kohë të caktuar. Ndryshe nga ne, Perëndia është kudo në çdo kohë. Sepse njeriu është trup dhe frymë, fryma jonë është gjithnjë aty ku është edhe trupi, për aq kohë sa jemi gjallë. Perëndia nga ana tjetër nuk mund të lokalizohet në këtë mënyrë. Kur themi se ai është frymë, ne kemi thënë edhe se Ai është jo vetëm i padukshëm e i paprekshëm, por edhe se pse ai mbush tërë gjithësinë, Ai nuk mund të përmbahet prej saj. Përkundrazi, tërë gjithësia përmbahet në të dhe varet prej tij.

Por nëse Perëndia është një frymë, përse bibla shpesh herë flet për të sikur të kishte gjymtyrë? Kështu për shembull lexojmë për “Krahun e Zotit” (Jozueu 4:24), “sytë e Zotit” (1 Mbre. 15:5), etj. Po kështu lexojmë madje që Moisiu dhe drejtuesit e Izraelit me të “panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë. Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit” (Eks. 24:10). Këto quhen antropomorfizma apo personifikim. Bibla shpesh herë shpreh në terma njerëzore veprime apo aspekte të Perëndisë që nuk ka se si të përshkruhen ndryshe dhe të kuptohen nga njeriu. Gjithashtu në Bibël ne gjejmë edhe ato që njihen si epifani. Manifestime të engjëjve në forma njerëzore, ashtu siç bëri edhe vetë Krishti gjatë periudhës së Dhiatës së Vjetër. Ishte Krishti ai me të cilin Jakobi bëri mundje tek Zan. 12:24. Ishte Krishti ai që iu shfaq shpatëzhveshur, në një epifani, Jozuesut, si Kreu i Ushtrisë së Zotit (Joz. 4:13-14). Ishte Krishti personi i katërt që qëndronte brenda në furrnaltë me Danielin dhe miqtë e tij (Dan. 3:25). Të gjitha këto sigurisht që ishin prelude të manifestimit të tij të ardhshëm, në një mishërim të vërtetë si Jezusi nga Nazareti, biri i Maries, Mesia, Biri i Perëndisë i mishërizuar. Prandaj Gjoni shkroi “Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur” (Gjo. 1:18), dhe Krishti tha askush “s`e ka parë ndonjëherë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme” (Gjo. 6:46-47). Ne mund ta njohim Perëndinë vetëm përmes Krishtit. Vetëm ai është “rruga, e vërteta, dhe jeta,” (Gjo. 14:6).  Për shkak të kësaj deklarate Filipi tha “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.” Krishti iu përgjigj: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjo. 14:9). Çdo përpjekje për të njohur Perëndinë jashtë Krishtit është spekulim dhe përfundon gjithmonë dhe vetëm në idhujtari.

Perëndia është Personal

Fakti që Perëndia është një frymë do të thotë që Perëndia është personal. Fryma është një qenie morale, intelektuale dhe me vullnetin për të marrë vendime. Kur ne i atribuojmë një personalitet Perëndisë, ne deklarojmë se ai është një qenie i aftë për mendim, ndjenjë dhe vetëvendosje. Mund të duket e pakuptimtë për lexuesin e Krishterë insistimi në këtë pikë, por është e domosdoshme. Sot, shumë filozofë e teologë preferojnë që ta përshkruajnë Perëndinë si një “forcë” e pandërgjegjshme krijuese e gjithësisë, apo thjesht si një qenie jo-personale, pa dimensionin mendor, emocional dhe volitional. Por Bibla na e përshkruan Perëndinë të ketë tërë aspektet e spektrin e të qenit personal. Perëndia është një qenie racionale, morale, emocionale. Bibla na e përshkruan atë me personalitet, me të cilin bashkëbisedohet, që inicion i pari marrëdhënie apo besëlidhje me njeriun, që reagon ndaj zgjedhjeve morale të njeriut, që bëhet pjesë e përjetimeve të racës njerëzore, që i mbështet e mbart ata gjatë vështirësive të tyre, dhe që ua mbush zemrën me hir, gëzim e fitore. Aq më tepër, që zbulesa me a lartë e Perëndisë është ajo përmes mishërizimit të Personit të Dytë të Trinisë si Jezusi i Nazaretit. Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjo. 14:9).

Perëndia është i Përsosur

Perëndia është një frymë e pastër e përsosmërive të pafundme. Përsosmëritë për të cilat flasim janë ato cilësi apo karakteristika të Perëndisë që janë jo vetëm të pafundme e të përjetshme por edhe plotësisht të përsosura. Në këngën e tij, Moisiu me rastin e kalimit të Detit të Kuq tha “Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eks. 15:11). Perëndia është i pafundmë. Solomoni tha në dedikimin e Tempullit “Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!” (1 Mbr. 8:27). “Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve. Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera. Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejt. Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij,” (Psa. 96:3-6). “A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?”, thotë Zoti. “A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?”, thotë Zoti” (Jer. 23:24).

[1] Katekizmi i Zgjeruar i Uestminsterit, 105.

[2] Aristotle, Metafizika, XII, 1072a.