• on 16/09/2014

Unë Besoj (II)…

(Artikulli ne PDF)

Besimi i vërtetë nuk është vetëm një njohuri e sigurt, me të cilën unë e mbaj si të vërtetë gjithçka që Perëndia na ka zbuluar neve në fjalën e Tij, por gjithashtu një siguri e patundur për të cilën Shpirti i Shenjtë punon në zemrën time me anë të Ungjillit, që jo vetëm tek të tjerët, por edhe tek unë gjithashtu, është dhënë lirisht nga Perëndia, thjesht nga hiri, vetëm për hatër të meritave të Krishtit, faljen e mëkateve, drejtësinë dhe shpëtimin e përjetshëm. Katekizmi i Heidelbergut

Bibla na urdhëron, “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh,” (Vep. 16:31). Në kapitullin e kaluar studiuam llojet e ndryshme të besimit që hasim në jetën e përditshme, si dhe përkufizimin se çfarë besimi i vërtetë është sipas Heb. 11:1. Në këtë kapitull do të avancojmë më tej në përkufizimin e besimit, dhe besimi për të cilin flasim këtu është ajo që quhet besimi shpëtues (1 Pje. 1:9).

Elementet e Besimit

Thamë që edhe pse Bibla nuk na jep një përkufizim teologjik të plotë të besimit, ajo insiston që besimi i vërtetë shpëtues ka tre elementë apo dimensione në përbërje të saj. Besimi shpëtues ka një dimension intelektual-notitia; një dimension emocional-assensus; dhe një dimension te vullnetit-fiducia. Besimi shpëtues pra është një aktivitet i tërë njeriut, jo vetëm i mendjes, jo vetëm i zemrës, jo vetëm i vullnetit, por i tërë njeriut. Krishti tha “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde,” Mateu 22:37). I tërë njeriu ra në mëkatin e parë me Adamin, dhe si rrjedhim edhe sot njeriu mëkaton me tërë qenien e tij. Efektet e mëkatit shtrihen në tërë aspektet e njeriut, pra atë që teologët e quajnë efekti noetik i mëkatit. Mëkati shkaktoi errësimin e mendjes, plakjen e vdekjen e trupit, deformimin e ndjenjave dhe skllavërimin e vullnetit, ndarjen shpirtërore të njeriut nga Perëndia. Krishti nuk erdhi që vetëm të na shpëtojë shpirtin, por edhe trupin. Krishti i tha Apostullit Gjon “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja,” (Zbu. 21:5; shiko edhe 2 Kor. 5:17). Kur ishte në tokë, Krishti u dha jo vetëm faljen e mëkateve të penduarve (Mateu. 9:2; Marku 2:5; Luka 7:48), por edhe shëroi trupat e tyre (Mateu 9:2, Marku 2:9; Luka 14:4). Apostujt flasin për njeriun e ri në Krisht (Kol 3:10; Efe. 4:24; ), “nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja,” (2 Kor. 5:17). Ata kuptojnë me këtë edhe mendjen, edhe ndjenjat, edhe vullnetin, pra njeriun në tërësi të tij. “Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, dhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shembullit të atij që e krijoi.” (Kol. 3:9-10). Prandaj edhe Perëndia kërkon prej nesh që ta besojmë e adhurojmë Atë me gjithçka jemi e me gjithçka kemi.

Besimi dhe Intelekti

Besimi shpëtues ka një dimension intelektual, pra që prek mendjen. Besimi është shumë më tepër se sa thjesht të dish apo të kuptosh disa fakte mbi Biblën, Perëndinë dhe Krishtin. Por ajo fillon diku, dhe kjo është mendja. Besimi gjithashtu beson në diçka, pra ka një përmbajtje. Teologët e njohin këtë aspekt të besimit me termin latin notitia. Besimi shpëtues nuk është një hap në errësirë apo një besim i verbër që bëhet pa ndonjë arsye. Ajo nuk është një ndjenjë e zhveshur nga një kontekst apo një përkushtim kokëshkretë ndaj një diçkaje pa përmbajtje. Besimi është njohje dhe njohuri. Ajo është doktrinale dhe përpunon një informacion, pra të vërtetat e Biblës.

Bibla insiston në theksimin e rëndësisë së njohjes së doktrinës së shëndoshë për jetën Kristiane. Pasazhe si Mateu 22:37 dhe Rom. 12:2 theksojnë rëndësinë e mendjes si instrument i besimit shpëtues dhe shenjtërimit. “Mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë,” (Rom. 12:2). Po këtë theks ne e gjejmë veçanërisht në ato pasazhe ku flitet për rëndësinë e doktrinës, për shembull: LiP 4:1; 6:7; 32:44-47; Psalmet 24:4-5 dhe 8-9; 119:12, 26, 33, 68; Jeremia 32:33; Mateu 28:18-20; Vep. 2:42; 1 Tim. 1:3-7, 3:2; 4:11-16; 5:17; 6:2-3; Titi 1:9; 2:1; Hebrenjve 5:11-14.

Pra besimi shpëtues nuk është vetëm njohje, ajo është edhe hedhje në krahët e Perëndisë për bekimin e shpëtimin tonë. Por kjo nuk është një hedhje e pamend, përkundrazi, mendja zbulon dhe kupton se Perëndia është i besueshëm, i mirë dhe e pranon atë që ia beson vetën Atij, pasi ka marrë, kuptuar dhe besuar premtimet e ungjillit. Besimi është logjik.

Doktrina duhet të jetë e rëndësishme për ndjekësit e Krishtit. Ne nuk mund të themi, “Unë nuk dua doktrinën, vetëm Jezusin,” sepse ne nuk mund të kemi Jezusin pa doktrinën. Nga historia e dimë se shumë persona janë quajtur Jezus, si në kohën e Krishtit ashtu edhe sot. Cilin prej tyre duhet të duam e të ndjekim? Informacioni Biblik i sistematizuar në mënyrë të rregullt, doktrina pra është ajo që na sqaron dhe ndihmon për të ndjekur atë që na shpëton vërtetë. Edhe Dëshmitarët e Jehovait apo Mormomët besojnë në një lloj Jezusi, por jo në atë që zbulojmë e kuptojmë nga faqet e Biblës. Besimi shpëtues, besimi i vërtetë Kristian duhet të përmbajë aspektin intelektual. Pa atë, nuk mund të dallojmë ndërmjet Krishterimit të vërtetë biblik dhe besimit jo-shpëtues, apo feve dhe sekteve të tjera. Kështu, doktrina, njohja dhe intelekti nuk janë thjesht të rëndësishme apo një opsion më shumë për jetën Kristiane, ato janë të pazëvendësueshme. Ne mund ti besojmë një doktrine pa Jezus në të, siç bëjnë fetë e tjera apo sektet, por nuk mund të besojmë tek Jezusi pa kuptuar mësimin biblik për të cilin insiston Bibla rreth tij. Besimi pa doktrinën, besimi që nuk kalon më së pari nga intelekti i njeriut nuk është besim shpëtues.

Kuptohet që njohja që duhet të ketë mendja e njeriut nuk mund të jetë absolutisht e plotë apo e përsosur. Por kjo njohje duhet të jetë e vërtetë. Kjo njohje duhet të jetë një njohje e sigurt. Pra njeriu duhet të jetë i sigurt në ato që mëson dhe kupton mbi mëkatin e tij, premtimet e ungjillit, faktet dhe kuptimin e mishërimit e lindjes së Krishtit përmes Marisë, të kryqëzimit të tij, të vdekjes, të ngjalljes, të ngritjes së tij në anë të djathtë të Atit, dhe duhet ti marrë ato me sigurinë që ato vijnë nga vetë Perëndia në Bibël dhe i aplikohen vetë personit. Pra, edhe pse jo e plotë, ajo duhet të jetë e mjaftueshme për ti dhënë besimtarit të vërtetat themelore të Ungjillit mbi të cilin ai mund të bazojë e ndërtoje besimin dhe jetën e tij.

Besimi dhe Emocionet

Aspekti i dytë përbërës i besimit shpëtues është ai emocional. Teologët e njohin këtë aspekt me termin Latin assensus. Njohja e besimit shpëtues shoqërohet me bindjen e thellë të rëndësisë të objektit të besimit, pra të Perëndisë, Krishtit e Ungjillit për jetën e vetë personit. Ndryshe nga personi që ka vetëm një besim historik (shiko përkufizimin në kapitullin e kaluar), një besim i cili nuk reagon personalisht ndaj të vërtetave të Ungjillit sepse nuk i mbërthen zemrën, besimi shpëtues e aprovon dhe reagon ndaj Ungjillit me tërë fuqinë e zemrës së personit. Personi duhet të aprovoj apo miratoj, e mbi të gjitha të aplikojë të vërtetat Biblike në veten e tij. Besimi kalon përmes mendjes, por duhet të udhëtojë drejt zemrës. Kur sëmuremi, nuk është e mjaftueshme që të vizitohemi tek doktori, të marrim recetën e ilaçeve prej tij, dhe ti blejmë ato në farmaci. Ilaçi shërues duhet konsumuar. Balsami shërues duhet aplikuar mbi plagë. Balsami shpëtues i ungjillit duhet aplikuar mbi plagën vdekjeprurëse të mëkatit. Besimi shpëtues i aplikon vetvetes njohjen për të cilën folëm më lart. Ky besim jovetëm kupton por pranon e aprovon që Ungjilli adreson dhe përmbush nevojën tonë më të rëndësishme, dhe se Ungjilli nuk është vetëm përgjithësisht i nevojshëm për racën njerëzore në përgjithësi, por se mbi të gjitha është absolutisht i domosdoshëm për vetë personin.

Pra, vetëm njohja e kuptimi i disa të vërtetave të Biblës nuk është e mjaftueshme për shpëtimin tonë. Të njohësh disa gjëra rreth Perëndisë nuk është e mjaftueshme. “Edhe demonët besojnë dhe dridhen,” (Jakobi 2:19). Shumica e Shqiptarëve, nëse do të intervistoheshin do të deklaronin se besojnë në Perëndi. Edhe pse Kredoja thotë “Unë besoj në Perëndinë…,” kuptimi është “Unë i besoj Perëndisë.” Ne duhet të njohim vetë Perëndinë. Nuk është e mjaftueshme që të besojmë në Perëndinë, por ti besojmë Atij. Besimi shpëtues njeh në mënyrë intime vetë Perëndinë në kontekstin e marrëdhënies personale me të. Besimi shpëtues është pra gjithashtu edhe një marrëdhënie me Perëndinë.

Shpesh Bibla e përdor fjalën njohje jo në kuptimin intelektual por për të përshkruar një marrëdhënie intime dashurie ndërmjet dy personave. Tek Mateu 1:24-25 lexojmë se si “Jozefi…e mori pranë vetës gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.” Pra Jozefi nuk konsumoi martesën apo nuk ishte fizikisht intim me Marien derisa lindi Jezusi. Po kështu, tek Predikimi në Mal (Mateu 7:22-23), Jezusi paralajmëron se shumë vetë do ti thërrasin atij për ndihmë në ditën e gjykimit, “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?” Por përgjigja e tij do të jetë “Unë s’ju kam njohur kurrë.” Njohja për të cilën flet Krishti nuk është e fakteve të jetës apo veprës së këtyre personave. Ai u thotë “largohuni nga unë…ju që keni bërë paudhësi.” Pra ai i njeh ata dhe jetët e tyre. Por Ai deklaron se nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie personale me ta.

Shumë pasazhe të tjera e lidhin njohjen me dashurinë. Zan. 18:19; Eks. 2:25, 33:13, 17; Psalmet 1:6; 144:3; Isa. 43:10; Jer. 1:5; Amos 3:2; Hosea 13:5; Gjo. 6:69, 10:14-15, 27, 16:3; 1 Kor. 8:3; Gal. 4:9; Fil. 3:8-10; 2 Tim. 2:19. Jezusi e përkufizon jetën e përjetshme si njohje tek Gjo. 17:3 ku thotë se njohja e Perëndisë është marrëdhënia më intime që mund të ketë njeriu. “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”

Zemra e atij që ka besimin shpëtues e gjen kënaqësinë në gjërat e Perëndisë, plot gëzim përqafon sundimin sovran të Perëndisë. Personi që nuk e ka këtë besim shpëtues nga ana tjetër, karakterizohet nga armiqësia me Perëndinë dhe mos bërja e kënaqësive të Tij. Dukë cituar Isainë 29:13, Jezusi u tha Judenjve të kohës së Tij, “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.” Personat me besimin shpëtues i afrohet Perëndisë jo vetëm përmes mendjes por edhe zemrës. Me mendje dhe me zemër ata e dëshirojnë, kërkojnë dhe kur e gjejnë shtyhen për në mbretërinë e Perëndisë (Luka 16:16). Besimi është pra më shumë se njohje e afirmim i të vërtetës. Besimi e do dhe dëshiron të vërtetën. Besimi gjen kënaqësinë tek vetë Krishti. Besimi i vërtetë shpëtues dëshiron dhe e gjen kënaqësinë në lavdërimin e Krishtit dhe kapjes pas tij me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe fuqinë e njeriut. .

Besimi dhe Vullneti

Besimi shpëtues ka një dimension të tretë të saj, atë që shtrihet mbi vullnetin e njeriut. Ky është elementi kurorëzues i besimit. Historikisht, Krishterimi ka besuar se besimi shpëtues është jo vetëm njohje intelektuale e Krishtit dhe një afrim zemrash me të, por gjithashtu edhe një veprim i vullnetit të njeriut që e hedh veten në krahët e Krishtit. Akti i fundit i besimit është vetë-dorëzimi i plotë i njeriut tek Krishti, i bashkimit me të, dhe i dhënies së tërë vetes Krishtit. Pa këtë hap të fundit nuk ka besim shpëtues. Njohja intelektuale e Perëndisë dhe Ungjillit e ngre njeriun nga niveli i mëkatarit në atë të demonit (Jak. 2:19-20). Njohja plus ndjenjat e vendosin njeriun në kategorinë e tokës me gurishte dhe me ferra. Krishti tha:

Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; 21 por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë. 22 Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme. Mateu 13:20-23

Besimi i vërtetë shpëtues, në momentin e sprovave të jetës, qofshin ato sëmundje, varfëri, persekutim a të tjera, e hedh veten e tij trup edhe shpirt në krahët e Krishtit. Me ana të vullnetit, që e njeh besnikërinë e Perëndisë e premtimet e ungjillit, dhe që e ka lidhur zemrën me Krishtin, personi kapet fort pas Krishtit dhe vetëm atij, dhe ky akt i fundit i besimit është çfarë e shpëton atë.

Të Krishterët janë thirrur që të mbështeten vetëm në Krishtin dhe në asgjë tjetër, as në vetveten, as në aftësitë, zgjuarsinë a njohjet, as në qeverinë, madje as në Kishën (Psalmi 71:5-6; Fja. 3:5-6; Isa. 10:20). Besimi shpëtues, përmes vullnetin ia beson veten, gjithçka që ka dhe që është vetëm Krishtit. Thirrja që Perëndia i lëshon të Krishterit është që ti ngrejë sytë drejt Tij (Isa. 45:22; Gjo. 6:40; Heb. 12:1-2), si themeli i vetëm mbi të cilin ata mund të shpëtohen dhe t’ia besojnë veten Atij (Mat. 11:28; 2 Tim. 1:12) si ndjekësit e Tij (Mat. 28:18-20, Luka 9:57-62).

Fokusi i Besimit

Edhe pse në përgjithësi mund të themi se besimi shpëtues ka si objekt tërë Fjalën e Perëndisë, dhe veçanërisht mesazhin e Ungjillit me premtimet e tij, me saktësisht themi se Krishti është objekti i vërtetë i besimit shpëtues. Ne nuk duhet thjesht që të besojmë në përgjithësi. Besimi ka një objekt për tek i cili drejtohet dhe kapet pas tij. Ky objekt është Krishti dhe vetëm Ai. Kjo na përshkruhet në mënyra të ndryshme në Bibël. Gjoni 3:16 e përshkruan thjesht besimin tek Krishti. 2 Tim. 3:15 flet për Shkrimet si mjeti i cili “mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.” Rom. 3:25 specifikon gjakun e Krishtit si objekti i besimit tonë, ndërsa Rom. 10:9 thekson se është ngjallja e Krishtit objekti i besimit tonë. Pra, objekti i besimit shpëtues është Personi i Krishtit dhe Vepra e Tij shpëtuese në Kryq dhe në Ngjallje. Fuqia shpëtuese e besimit nuk qëndron në aktin e të besuarit, por në Shpëtimtarin. Nëse shpëtimi do të vinte nga akti i të besuarit, atëherë do të ishim ne shpëtimtarët e vetes tonë. Por nuk është besimi ynë ai që vdiq në kryq për mëkatet tona e u ringjall për shfajësimin tonë, por Krishti (Rom. 4:25). Nuk është thjesht besimi ynë ai që na shpëton, por besimi në Krishtin. Apo e thënë madje edhe më saktë, nuk është as besimi ynë në Krishtin ai që na shpëton, por Krishti ai që na shpëton përmes besimit me anë të cilit ne kapemi pas tij. Besimi është instrumenti i shpëtimit, krahët me anë të cilit ne kapemi pas Krishtit për të na shpëtuar. Besimi pra është akti i largimit të shpresës dhe sigurisë nga vetvetja, dhe i vrapimit drejt dhe kapjes pas Krishtit dhe veprës së Tij shpëtuese.

Frytet e Besimit

Populli ynë ka një shprehje të urtë: “Trimi i mirë me shokë shumë.” Kjo vlen edhe për besimin shpëtues. Tek Rom. 1:5, Pali flet për “bindjen që vjen përmes besimit,” dhe që është fryti i parë i saj. Ai madje falënderon Perëndinë për besimin e besimtarëve që ishin në bashkësinë në Romë në atë kohë, pasi për besimin e tyre flitej në tërë botën (Rom. 1:8), dhe se lajmi për bindjen e tyre kishte arritur kudo (Rom. 16:19). Pra, besimi shpëtues prodhon fytin e bindjes biblike. Besimi sjell dëshirën për t’iu bindur vullnetshëm Perëndisë që na ka thirrur në këtë besim. Madje edhe inkurajimi i Jakobit është që ne të mos jemi thjesht dëgjues së Fjalës por mbi të gjitha bërës të saj (Jak. 1:22; 2:14-20). Ai madje edhe citon reagimin e Abrahamit ndaj urdhrit të Perëndisë për të sakrifikuar Isakun si modeli i besimit të vërtetë (2:21-23; Zan. 22). Përmes veprave, Abrahami provoi vërtetësinë e besimit të tij. Jezusi tha tek “Nëse më doni mua, zbatoni urdhërimet e mia,” (Gjoni 14:15). Ky është vullneti i Perëndisë për jetën tonë. Apostulli Pal, pasi na instrukton mbi burimin dhe instrumentin e shpëtimit tonë kur shkroi-“jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë e jo nga vepra, që të mos mburret askush,”-shton edhe se çfarë duhet të bëjmë me ketë besim e shpëtim të dhuruar nga Perëndia-“ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to,” (Efe. 2:8-10). Të krijuar pra, për vepra të mira të përcaktuara që më parë nga Perëndia që ne ti bëjmë ato.

Kështu besimi dhe veprat e mira (Neh. 13:14), nuk janë përjashtuese të njëra-tjetrës. Edhe pse ne nuk vijmë në besim përmes veprave të mira, besimi i vërtetë shpëtues i prodhon natyrshëm këto vepra të mira, që në fakt janë vepër e Perëndisë e fryte të Frymës që vepron brenda besimtarit. “Besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete,” (Jak. 2:17). Besimi kërkon që në mënyre aktive ta demonstrojë prezencën e vet përmes veprave. Marrëdhënia ndërmjet besimit dhe veprave të mira mund të ilustrohet me marrëdhënien e lokomotivës me vagonët e trenit. Besimi është në krye, ajo që tërheq e mundëson, veprat janë ato që vijnë pas e shoqërojnë. Reformatorët Protestantë, në debatet e tyre më teologët e Kishës Katolike insistuan, dhe ky është edhe besimi ynë sot, se “jemi të shpëtuar vetëm me anë të besimit, por një besim që nuk ngelet kurrë vetëm, e madje që dëshiron shoqërinë e shumë shokëve.”

Besimi nuk është vepër, por e shpreh vetveten në vepra. Ajo nuk është një akt që meriton në vetvete shpëtimin e njeriut që beson. Besimi nuk ofron asgjë, nuk realizon asgjë, nuk sjell asgjë. Ajo vetëm merr atë që Perëndia lirshëm e falas na ofron nga hiri i Tij. Por kjo nuk do të thotë që besimi është krejtësisht pasiv. Krishterimi Biblik ka besuar gjithmonë që besimi në vetvete është aktiv. Besimi njeh, dashuron, merr dhe prehet në Krishtin. Edhe pse këto janë akte të njeriut, ato nuk janë vepra merituese, sepse besimi vetë është dhuratë e pameritueshme që vjen nga Perëndia. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush,” (Efe. 2:8-9). Po këtë lexojmë edhe tek Filipianëve 1:29, “juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të.” Pra besimi nuk meriton shpëtimin tonë. Si rrjedhim, jemi të shpëtuar vetëm nga Krishti vetëm përmes instrumentit të besimit.

Cilat janë disa nga veprat e mira që vijnë si bindje përmes besimit? Disa që mund të renditim shkurtimisht pa marrë kohën për ti provuar ato me vargje nga Bibla janë pendimi, lutja, leximi dhe studimi i Fjalës, dashuria për tërë të Krishterët, adhurimi i Perëndisë e të tjera si këto janë disa vepra të mira që duhet të shoqërojnë besimin shpëtues. Një besim pa pendim është një kontradiktë, siç është edhe besimi pa një jetë lutjeje. Besimi shpëtues është si pendues ashtu edhe lutës, dhe po kështu ka dashuri për Biblën dhe popullin e Perëndisë. Kjo është arsyeja, që ndërsa në gjysmën e parë të letrave drejtuar Galatasve, Efesianëve e Kolosianëve Pali shpalos Krishtin dhe Veprën e Tij-pra objektin e besimit tonë- në pjesën e dytë të secilës prej këtyre letrave ai shpalos se si besimi në këtë Krisht, duhet të jetohet në jetën e përditshme dhe në kontekstin e Bashkësisë, familjes dhe punësimeve jashtë tyre. Besimi pa vepra është me të vërtetë i vdekur.

Origjina e Besimit

Besimi shpëtues është “një siguri e patundur për të cilën Shpirti i Shenjtë punon në zemrën time me anë të Ungjillit.” Besimi prodhohet nga Fryma e Shenjtë në zemrën e besimtarit. Kjo është dëshmia Biblike. Që një person të besojë në mënyrë shpëtuese, dy janë elementet që duhet të jenë prezent për të ndodhur mrekullia e shpëtimit, Fjala dhe Fryma. Leximi apo predikimi i Fjales së Perëndisë është elementi i parë i domosdoshëm që të ndodhë vepra e shpëtimit të një personi. Prandaj insiston Pali se “besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë,” (Rom. 10:17). Elementi i dytë esencial është kapaciteti i njeriut për të marrë këtë zbulesë dhe për ta besuar atë në mënyrë shpëtuese. Por ky kapacitet nuk gjendet në njeriun sepse ai është i rënë në mëkat dhe efektet e mëkatit shtrihen në tërë qënien e tij, si në mendjen, ndjenjat dhe vullnetin e tij. Prandaj Krishti tha, “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë…Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç`ka lindur nga mishi është mish; por ç`ka lindur nga Fryma është frymë,” (Gjo. 3:3, 5-6). Kjo është kështu sepse “njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t`i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht,” (1 Kor. 2:14). Për këtë arsye Bibla insiston që ne duhet të na “jepet jetë” (Efe. 2:1, 5) nga fuqia e Frymës së Shenjtë (Efe. 2:5). Kur Fryma prodhon besim në zemrën e dikujt, Bibla e njeh atë si akti i rilindjes, dhe atëherë personi bëhet i aftë për të marrë, kuptuar, pranuar e besuar të vërtetën e zbulesës hyjnore. “Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij,” (Fil. 2:13).

Çfarë ndodh në zemrën e njeriut që rilind, Krishti e ilustroi me shërimet që ai bëri kur ishte në tokë. Ai bëri që i verbëri të shikojë, shurdhi të dëgjojë, i çali të rendë, i vdekuri të vijë në jetë dhe të lëvizë. Kështu ndodh edhe me atë që Fryma e rilind, ai mund të shikojë, kuptoje e besojë të vërtetat e Perëndisë dhe premtimet e Ungjillit, dhe i bindur prej tyre, të lëvizë drejt Krishtit-akti i vullnetit-për të gjetur strehë e prehje tek Ai. Kështu informacioni vjen nga jashtë dhe kalon përmes mendjes, ndërsa Fryma prodhon besim në zemrën e atij që e dëgjon atë. Fryma e Shenjtë është ai që e ndryshon njeriun nga brenda në mënyrë që ai të ketë lirinë e mendjes, ndjenjave dhe vullnetit për ti besuar Krishtit në mënyrë shpëtuese. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,” (Efe. 2:8).