Tradhtimi dhe Arrestimi i Krishtit

  • on 18/04/2014

Tradhtimi dhe Arrestimi i Krishtit

Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë. 44 Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt”. 45 Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!”; dhe e puthi përzemërsisht! 46 Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan. 47 Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. 48 Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub? 49 E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!”. 50 Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë. 51 Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën. 52 Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.” – Ungjilli i Markut 14:43-52

Më në fund pat ardhur momenti i parathënë nga profetët e i paralajmëruar nga Krishti. Ai i ka përgatitur dishepujt për këtë moment (aq sa mund të përgatiteshin ata), dhe pat përgatitur veten në lutje në Kopshtin e Gjetsemanesë. Tani një grup i armatosur burrash, të dërguar për ta arrestuar e shoqëruar tek godina e kryepriftit futet në skenë, ndërsa Jezusi u del përpara për ti takuar. Jezusi sapo u pat thënë tre dishepujve letargjik “Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!” (Marku 14:42). Në krye të këtij grupi ecën Juda Iskarioti, tradhtari. Kjo është një pamje absurde. Njerëz me shpata shtyhen përpara për të arrestuar Birin e Perëndisë. Të tjerët me pishtarë në duar (Gjoni 18:3) vinë për të arrestuar nën petkun e errësirës atë që është i vetmi burim i dritës së vërtetë.

Juda dhe Krishti

          Hera e fundit që pamë Judën ai ishte në dhomën e sipërme me Krishtin e dishepujt, ku Krishti e identifikoi atë si tradhtari. Tani Juda është në qendër të rrëfimit dhe duket sikur Marku po e vendos atë në kontrast me Krishtin. Krishti që ecën drejt Judës për tu tradhtuar dhe Juda që ecën drejt Krishtit për ta tradhtuar. Krishti i shenjtë, Juda një mëkatar. Krishti Perëndia i mishëruar për shpëtimin e njeriut, Juda njeriu që insiston në mallkimin e vet. Perëndia Krijuesi që arrestohet e dërgohet për gjykim nga njeriu krijesa. C.S. Leëis shkroi në librin e tij God in the Dock (Perëndia në bankën e të akuzuarit) se “Njerëzit e antikitetit i afroheshin Perëndisë (apo perëndive) siç i afrohet i akuzuari gjyqtarit. Por njeriu modern i ka shkëmbyer në mendjen e tij këto role. Ai është gjykuesi dhe Perëndia është ai që qëndron në bankën e të akuzuarve.” Dhe kjo është ekzaktësisht çfarë do të ndodhë nga ky moment e prapa me Krishtin. Mrekulli-bërësi duhet vrarë.

Interesante është përshkrimi që Marku i bën aktit të tradhtimit. Juda “si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!”; dhe e puthi përzemërsisht!” Është e vërtetë që në atë kohë dhe kulturë, puthje homazhi apo respekti shkëmbeheshin në Izrael, por puthja që Juda i jep Krishtit ishte ndryshe. Ai nuk e puth me modesti apo rezervim por me tepri madje në mënyrë pasionante (në Greqisht përdoret termi kataphilein). Një akt dashurie ekzekutohet për një mision urrejtjeje. Cilado qoftë arsyeja e tradhtimit të Jezusit me një puthje dhe jo me një akt tjetër si një shtrëngim dore apo përqafim (studiuesit kanë spekuluar shumë mbi këtë gjë), gjesti i puthjes dhe madje edhe adresimi me titullin nderues Rabbi kishin për qëllim talljen e Krishtit. Dhe kështu mënyra e tradhtimit bëhet momenti i parë i talljes dhe përqeshjes  që do ti bëhet Krishtit dhe që është një prej motiveve qendrore të rrëfimit të kryqëzimit tek kapitulli që pason. Në teologji ne kemi atë që njihet si doktrina e gjendjeve të Krishtit. Ai si Shpenguesi ynë i përmbushi dhe i përmbush përjetësisht ofiqet e Priftit, Profetit dhe Mbretit tonë si në gjendjen e përulësisë ashtu edhe atë të lavdisë. Tek Katekizmi i Uesminsterit, pyetja 27 që është “Ku konsistoi përulësia e Krishtit?” ka këtë përgjigje: “Përulësia e Krishti konsistoi në faktin që u lind, e kjo në një ambient të rëndomtë; nën pushtetin e ligjit; vuajti mjerimet e kësaj jete, zemëratën e Perëndisë, e mallkimin e vdekjes në kryq; në varrosjen dhe qëndrimin nën pushtetin e vdekjes për një farë kohe.” Gjithçka që Biri i Perëndisë përjetoi në tokë ishte një përulje për të, dhe gjithçka që realizoi për njerëzimin e bëri në këtë gjendjen e përuljes, dhe pjesë e kësaj përulje është edhe marrja e talljes nga krijesat e tij.

Për ne sot historia e Judës është moment meditimi e reflektimi. Juda ishte një Apostull i zgjedhur nga vetë Krishti, një dëshmitar i të tëra mrekullive të Tij, një dëgjues i predikimeve të Tij, pjesëmarrës i Darkës së Zotit, një bashkëpunëtor me të njëmbëdhjetët e tjerë, një rrëfyes i besimit, një ndjekës i Krishtit dhe i thirrjes së Tij. Madje ai ishte edhe shijuesi i dhuntisë qiellore dhe pjesëtar i Frymës së Shenjtë (Heb. 6:4), e megjithatë ai u bë biri i humbjes (Gjoni 17:12). Askush nuk e dyshonte atë, e gjashtë muaj para aktit të tradhtisë edhe ai vetë nuk e mendonte se do të vinte një ditë dhe do ta tradhtonte Krishtin, e megjithatë ai nuk ishte mik i Krishtit. Ai ishte i humbur dhe tani në ferr. Çfarë mësojmë nga Juda është se ne duhet ti vëmë vesh fjalëve të Pjetrit: “Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë,” (2 Pjetrit 1:10).

Një Lloj Tjetër Mbretërie

Por çfarë mësojmë tjetër nga Juda, Pjetri dhe Krishti është edhe karakteri shpirtëror i Mbretërisë së Perëndisë. Armiqtë e Zotit nuk e kuptonin karakterin e vërtetë të mbretërisë së tij. Kjo është arsyeja përse “një turmë e madhe me shpata e shkopinj” (v.43) shkoi për ta arrestuar. Të tëra mesazhet e Krishtit që mbretëria e Perëndisë kishte ardhur në personin e Krishtit ishin kuptuar sikur kjo Mbretëri të ishte fizike dhe jo shpirtërore, dhe mbretërimi i Krishtit mbi atë të ishte mbretërim fizik, politik dhe ushtarak si ai i mbretërve e gjenëralëve të kësaj bote. Si rrjellim, duke menduar se mbretërimi i Krishtit është mbretërim fizik e i kësaj bote, ata shkuan me mendimid se edhe do të gjenin një rrezistencë fizike si të kësaj bote. Por Mbretëria e Perëndisë është një realitet shpirtëror. Ajo është në thelb mbretërimi i Krishtit në zemrat e popullit të Tij përmes punës së Frymës së Shenjtë. Ky është përkufizimi biblik i Mbretërisë së Perëndisë. Dhe si rrjedhim, arrestimi dhe kryqëzimi i Krishtit jo vetëm që nuk i jep fund kësaj mbretërie, por e themelon atë në sakrificën e Krishtit që është vepra e Perëndisë. Si rrjedhim agresioni ndaj Krishtit ishte agresion ndaj Atit që e kishte dërguar. Kjo e bën të madh fajin e atyre që e tradhtuan, dënuan e kryqëzuan.

Nga ana tjetër, interpretimi i gabuar i tyre nuk i  çliron nga faji Judenjtë dhe krerët e tyre por i bën edhe më shumë fajtor për vrasjen e Krishtit. Injoranca nuk është shfajësim. Pse? Pas ngjalljes së Llazarit drejtuesit e Izraelit logjikuan “Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë,” dhe kështu Kajafa, kryeprifti për atë vit çohet dhe thotë “është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi,” (Gjo. 11:48-50). kjo është arsyeja pse ata erdhën për ta arrestuar madje edhe të shoqëruar nga ushtarë Romakë. Këta besojnë se Jezusi është i dërguari për të ndërtuar Mbretërinë e Perëndisë, dhe këtë e vërteton rezoluta për ta vrarë atë. Nëse Mbretëria e Perëndisë do të ishte fizike dhe si e kësaj bote, vrasja e Mbretit të saj për hir të mosprishjes me Romakët, ishte të ngrije dorë kundër veprës së Perëndisë dhe agresion ndaj vetë Perëndisë. Injoranca e tyre mbi natyrën e vërtetë të Mbretërisë dhe mbretërimit të Krishtit nuk i shfajëson por i rëndon më shumë.

Kjo është arsyeja përse Pjetri nxori shpatën dhe në përpjekje për të mbrojtur Krishtin i preu veshin shërbëtorit të kryepriftit. Ai po ofronte shpatën e tij për kauzën e Krishtit. Fatkeqësisht Kisha ka bërë të njëjtin gabim në çdo shekull dhe kontinent të ekzistencës së saj. Terma si Inkuizicion, Kryqëzatë, djegie në turrën e druve, luftë religjioze apo edhe Xhihad dëshmojnë se jo vetëm armiqtë e Krishtit nuk e kuptojnë natyrën e Mbretërisë së Perëndisë por edhe vetë Kisha e ka të vështirë për të mos e harruar. Krishti i tha Pilatit “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote,” (Gjo. 18:36), dhe ai nuk pret prej nesh që ta shtrijmë atë përmes violencës apo mjeteve të mishit. Pali tha “armët e luftës sonë nuk janë prej mishi,” (2 Kor. 10:4). Mbretëria e Perëndisë qëndron nga fuqia e Frymës së Perëndisë, e rritet prej saj në zemrat dhe ndërgjegjen e njerëzve. Ky është një revolucion i paqmë e i qetë por që jep një transformim të sigurt, radikal dhe të pandalshëm.

Që Të Përmbushen Shkrimet

Po kështu duhet vënë re interpretimi që i jep Krishti gjithçkaje që po i ndodh atij dhe rreth tij. Ai tha “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub? E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët. Por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet.” Të gjitha hapat që Krishti bëri nga Gjetsemaneja në Golgotë ishin të gjitha të përcaktuara me qindra vite para ardhjes së tij. Isaia 53, Psalmi 22 e pasazhe të tjera Mesianike si këto u përmbushën plotësisht në atë javë të shenjtë në personin dhe në çdo gjë që i ndodhi Krishtit. Zemërimi i armiqve të tij, tradhtia, braktisja, trajtimi si një kriminel, gjykimi nga një asambletë ligjsh-çdo gjë ishte parathënë në Dhiatën e Vjetër. Gjithçka që ndodhi ishte pjesë e planit të Perëndisë për të siguruar shpëtimtarin e nevojshëm dhe të duhur, qengjin e Perëndisë për mëkatet e botës. Kështu madje edhe kjo bandë e armatosur së bashku me tradhtarin ishin të gjithë si Nebukadnezzari apo Kiri, instrumente të pavetëdijshme të qëllimeve të Perëndisë.

Si rrjedhim, le të gjejnë prehje e siguri mendjet dhe zemrat tona në faktin se çdo gjë që na ndodh ne apo rreth nesh rregullohet e kontrollohet nga njohja dhe urtësia e një Perëndie të plotfuqishëm e të qëllimshëm në çdo gjë që bën ai. Ne mund të mos preferojmë e pëlqejmë situatat në të cilat e gjejmë veten. Të ligjtë dhe kjo botë mund të na shkaktojnë vuajtje e hidhërime. Por nuk duhet të harrojmë që mbi ne ka një dorë që lëviz makinën e gjerë të këtij universi dukë bërë që çdo gjë të funksionojë për bekimin e Kishës dhe lavdinë e Tij. Vërtetë “mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij” (Psa. 2:2), por mëngjesi i ditës së ngjalljes do të provojë se edhe në momentin më të zymtë, çdo gjë po shkon sipas planit të Perëndisë.

I Braktisur Nga Të Gjithë

Pjesë e planit dhe një prej shkrimeve që u përmbushën në atë natë ishte edhe Zak. 13:7 “Godite bariun dhe delet do të shpërndahen.” Këtë shkrim citoi Krishti kur dishepujt insistonin dhe përbetoheshin se do të qëndronin deri në fund me të. Tre vargjet e fundit të këtij pasazhi përshkruajnë përmbushjen e trishtueshme të kësaj profecie. “Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë. 51 Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën. 52 Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.” Në këtë ne mësojmë se sa shumë mund të bie edhe besimi i dishepullit të vërtetë. Disa momente më parë ata po flinin në vend që të luteshin. Tani ata vrapojnë në vend që të qëndrojnë. Insistimi i tyre i mëparshëm se do të vdisnin përkrah mësuesit të tyre ishte harruar. Fjalët i kishte marrë era. Frika nga rreziku imediat që ata mendonin se po u kanosej atyre fshiu çdo premtim a dëshirë të mirë që ata mund të kishin pasur më parë. Ndoshta ata, si Pjetri, i qëndruan për një moment pranë Krishtit me shpresën se ai do të bënte përsëri një nga ato mrekullitë e tij të shumta dhe do të shpëtonte vetveten dhe ata. Por Krishti refuzoi që ta bënte këtë dhe guximi i tyre u shua. Është e qartë se pa dorën e Perëndisë në jetën tonë ne nuk guxojmë të qëndrojmë.

Marku nuk na e jep emrin e personit që përdori shpatën dhe të djaloshit që u la çarçafin në dorë arrestuesve dhe për turp të tij ia mbathi lakuriq në mes të natës. Gjoni thotë se personi i parë ishte Pjetri (Gjo. 18:10). Nga tradita historike mësojmë se djaloshi ishte vetë…Marku. Por Marku qëllimisht nuk na i jep këto emra. Jo nga turpi, por për të na mësuar diçka. Ai i ka lënë emrat e këtyre personave bosh me qëllim që ne të shkruajmë emrin tonë aty. Këta jemi ne. Nga njëra anë mburracakë e plot besim në veten tonë, e nga ana tjetër të dobët, të frikësuar, të pakurajshëm nën testim. Le të veshim përulësinë si e vetmja stoli e logjikshme për njeriun dhe nderuese për Krishtin. Le të mos mburremi në asgjë veçse në kryqin e Krishtin. “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë” (1 Kor. 10:12). Po kështu le të mësojmë që të jemi të hirshëm e të butë në gjykimin tonë ndaj të Krishterëve të tjerë. Le të mos presim tepër prej tyre dhe as të mos i ulim aq poshtë ata sikur nuk kanë hir fare kur i shohim të rënë. Le të mos harrojmë që edhe apostujt e Zotit e braktisën atë në momentin e nevojës, dhe se u ngritëm përsëri përmes pendimit dhe u bënë nga Krishti shtyllat e Kishës. Le të kujtojmë hirin me të cilin Krishti i ripranoi dhe instrumentin e pendimit me anë të cilit ata u rikthyen tek Krishti. Pendim dhe hir. Pendim kur biem vetë dhe hir kur bien të tjerët.

Në mbyllje, le të gjejmë ngushëllim në aftësinë e Zotit tonë për tu simpatizuar me popullin e tij këtu në tokë. Një nga sprovat më të hidhura është ajo e zhgënjimit apo e tradhtimit nga një person që e do. Familjarët mund të në zhgënjejnë, miqtë në kishë apo jashtë saj, pastori apo edhe vetë kisha mund të bëhet zhgënjyese për dikë një ditë. Në këto raste mbani mend që në Krishtin ne kemi Mikun e mëkatarëve (Mateu 11:19) që nuk të zhgënjen kurrë. “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar,” (Heb. 4:15). Krishti e di se çdo të thotë të jesh i vetmuar e i braktisur në ditën më të errët të jetës tënde dhe do të jetë Ai që gjithnjë do të ofrojë ngushëllim, inkurajim, forcë e miqësi nëse ti e hedh veten tënde në krahët e tij.

Në këtë moment duhet të kujtojmë se ai u braktis jo vetëm nga ndjekësit e tij, por edhe nga vetë Ati Perëndia. Në kryq ai thirri “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur” (Mark 15:34). Por braktisja filloi në Kopshtin e Gjetsemanesë dhe kjo jo pa kuptim. Në një kopsht të ngjashëm mëkati hyri në skenë dhe morri fitoren e parë, në Gjetsemani Krishti filloi të çbëjë fitoren e Satanit, mëkatit, vdekjes, varrit e ferrit. Në një kopsht Adami i parë u dorëzua përpara tundimeve, në këtë kopsht Krishti, Adami i dytë fitoi mbi to. Në atë kopsht të parë Adami e hodhi botën nga jeta në vdekje, ndërsa në këtë kopsht Krishti u hodh drejt vdekjes që ti sigurojë jetën e përjetshme të gjithë atyre që e hedhin veten në krahët e Tij.