• on 22/05/2016

Të Jetuarit-Krishti!

“Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Fil.1:21

Vargu që shtrihet përpara nesh për studim sot, është një prej deklaratave më madhështore, më sublime, dhe më thelbësore të bëra nga Apostulli i madh Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht. Në një farë sensi, kur vijmë tek ky varg, ne kemi ardhur në një tokë të shenjtë. Kjo është ndjenja që duhet të ketë ai që e predikon apo e lexon këtë varg. Madje është gati sakrilegj që të zbërthesh këtë deklaratë madhështore, nga frika se nëse nuk e bën siç duhet, atëherë ke bërë padrejtësi ndaj tërë Biblës, përvojës dymijë vjeçare të kishës dhe të të Krishterëve në çdo kohë e kontinent, përkufizimit se çfarë është i krishteri i vërtet dhe Krishterimi i vërtetë. Pasi e thënë shkurt, ky varg është pikërisht kjo gjë. Ky varg është përmbledhja e veprës shpëtuese të Krishtit në kryq, e veprës shenjtëruese e Frymës në shenjtërimin tonë, e planit të Atit për krijimin, zgjedhjen, thirrjes, shpëtimin, adoptimin, shenjtërimin dhe lavdërimin tonë.  Ky varg është gjithashtu edhe përmbledhja dhe burimi i tërë përjetimeve që i Krishteri jeton në këtë botë me Krishtin. Ky varg i jep përgjigje pyetjeve më personale dhe më të rëndësishme të ekzistencës së njeriut: Çfarë është jeta? Çdo të thotë të jetosh? Cila është arsyeja dhe burimi i jetës tënde? Çfarë është Krishterimi i vërtetë? Dhe mbi të gjitha: Çfarë është Krishti për mua?

Pali…ne dhe Krishti

Çfarë është Krishterimi i vërtetë? Krishterimi është një person, Zoti Jezus Krisht. Çdo gjë që ka të bëjë me Krishterimin e gjen qendrën e gravitetit tek Ai. “Personi dhe vepra e Krishtit janë shkëmbi i themelit mbi të cilin ngrihet i tërë religjioni i vërtetë i Krishterë. Hiqja Krishtin, Krishterimit, dhe ja ke gërryer të tëra organet e brendshme, duke e lënë Krishterimin një zgavërr të zbrazët, një asgjë. Krishti është qendra e Krishterimit, çdo gjë tjetër është thjesht periferike.” (John R. Stott, Basic Christianity, faqe 20).

Pali e dinte shumë mirë këtë të vërtetë sublime, dhe teksti në fjalë është një shprehje madhështore e saj. Ai shkroi, “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.” Ky varg, në fakt, duhet marrë së bashku me Galatasve 2:20, dhe që është komentuari i vetë Palit se çfarë kuptonte me këtë deklaratë drejtuar Filipianëve: “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” Vargu drejtuar Galatasve u shkrua nga fillimet e shërbesës së Palit. Vargu drejtuar Filipianëve u shkrua nga fundi i saj. Kështu, si dy kllapa, këto dy vargje, këto dy deklarata, përkufizojnë tërë jetën dhe shërbesën e Palit, dhe në fakt të çdo krishteri të vërtetë.

Besimi Ynë në Krishtin

“Sepse për mua të jetuarit është Krishti.” Kur themi se të jetuarit, se vetë Krishterimi është Krishti, ne kemi thënë së pari se ato janë besimi në Jezus Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Kur themi se “për mua të jetuarit është Krishti,” ne kemi thënë se u “kryqëzova bashkë me Krishtin, dhe nuk rroj më unë, por Krishti rron në mua, dhe ajo jetë që jetoj tani, e jetoj në besimin e Biriti të Perëndisë.” Me këtë deklarojmë se ne nuk mund të bëjmë asgjë nga vetja jonë për të shpëtuar vetveten, se meritojmë mallkimin, vdekjen dhe dënimin e përjetshëm nga Perëndia, dhe jo bekimin, miqësinë dhe parajsën e tij. Ky është pohimi gjithashtu se Krishti ka siguruar shpëtimin për ne duke vdekur për ne dhe në vendin tonë. Më tej, me këtë deklarojmë se i kemi besuar, jemi mbështetur e lëshuar plotësisht në duart e tij për shpëtim, se i nënshtrohemi dhe e pranojmë Jezus Krishtin si Shpëtimtarin e madje edhe si Zotin e Mbretin  e jetës tonë. Ky është mesazhi i Galatasve, dhe mesazhi qendror i Gal. 2:20.

Pyetja për ne sot, si edhe për çdo njeri në çdo kohë e vend është kjo: A i beson Krishtit për shpëtimin tënd? Apo i beson relikeve e ikonave siç bëjnë Katolikët e Ortodoksët? Apo i beson doktrinës biblike që ke përqafuar? Apo i beson faktit se je anëtar i një kishe të vërtetë? Apo i beson faktit se dikur ke bërë lutjen e shpëtimit, se je pagëzuar, se ke bërë ungjillëzim e madje mund të kesh shkuar 00ëpr disa muaj edhe në mision jashtë vendit? Asnjëra nga këto gjëra të Krishterimit nuk të shpëton. Pa Krishtin, ato janë të gjitha periferikë.

Unioni Ynë me Krishtin

“Sepse për mua të jetuarit është Krishti.” Me këtë duhet të kuptojmë së dyti, se ne jemi të lidhur me Krishtin. Teologët e quajnë këtë doktrinë dhe mbi të gjitha këtë realitet shpirtëror “unioni ynë shpirtëror me Krishtitn.” Disa e quajnë “unioni ynë mistik shpirtëror me Krishtin.” Ky bashkim i ynë me Krishtin është thelbësor dhe themeli mbi të gjitha ngrihen të tëra bekimet e tjera shpirtërore që Perëndia i jep të Krishterit për besimit. Ne duhet të jemi në Krishti përmes besimit dhe të kemi një marrëdhënie me të.

Kam dëgjuar nga një predikues i vjetër një ilustrim që shumë bukur përshkruan unionin tonë me Krishtin. Një djalë i vogël i quajtur Thoma, kishte bërë një varkë të vogël prej druri e me vela. Një ditë, ndërsa po luante me të në bregun e lumit që kalonte përmes qytetit, varka i iku prej dore dhe rryma e lumit ia mori larg. Pas disa kohëve, ndërsa po vinte nga shkolla, pa varkën e tij të ekspozuar në vitrinën e një dyqani. Futet brenda në dyqan dhe ia kërkon varkën e tij dyqanxhiut. “Është varka ime, është e imja!” Por dyqanxhiu i thotë, “Unë e kam blerë me para. Nëse e do, duhet ta blesh me para.” Kështu, Thomai i vogël, shkon në shtëpi dhe të nesërmen kthehet me para dhe blen varkën që ai vetë kishte krijuar. Dhe kur e mban në duar thotë tërë lumturi: “Tani je dy herë e imja. Në fillim të krijova, dhe tani të bleva.”

Kjo është pikërisht historia jonë me Perëndinë. Së pari, ai na krijoi ne. Çdo gjë që ne jemi e çdo gjë që ne kemi, vjen nga Perëndia. Jetën, aftësitë, talentet, çdo gjë na u dha që ne ta adhurojmë atë e ti shërbejmë atij me tërë jetën tonë, dhe në këtë marrëdhënie ne të jemi të plotësuar e të lumtur. Por mëkati hyri në këtë botë. Adami ra nga shërbimi e lavdia ku e pat krijuar e vendosur Perëndia, dhe në Adamin, edhe ne të gjithë ramë, mëkatuam, u rebeluam dhe gjithashtu edhe u mallkuam u dënuam. Por Biri u fur në këtë botë që të na blejë ne, të na japë lirinë. Por nuk na bleu me para, por me gjakun e tij. Dhe kur ne i besojmë atij, për shkak të hirit që Perëndia vepron në zemrat tona duke na mundësuar që të pendohemi dhe besojmë, ne lidhemi përmes Frymës së Shenjtë me Krishtin, në këtë lidhje mistike, frymërore, reale, jetëdhënëse dhe të pashkatërrueshme. Dhe kështu në mënyrë të ngjashme me Thomain, Jezusi ka shikon plot dashuri, na përqafon me anë të Frymës së Shenjtë, dhe na thotë: “Tani je dy herë i imi. Në fillim të krijova, dhe tani të bleva. Dy herë i imi.”

Dhe kështu, kur ne themi “sepse për mua të jetuarit është Krishti,” ne kemi deklaruar se i përkasim atij, se jemi të blerë prej tij, se jemi të lidhur e të bashkuar me njëri-tjetrin në mënyrë të pazgjidhshme, dhe se këtë e ka bërë vetë Krishti me anë të bindjes së tij, aktive dhe pasive. Me anët ë bindjes pasive, Krishti lejoi që të tradhtohej, të rrihej, të tallej, të kryqëzohej dhe të vdiste në kryq si shpagim për mëkatin tonë. Mëkati ynë është i urryer përpara Perëndisë, dhe nuk ka asnjë njeri që mund të ofrojë një sakrificë të kënaqshme për sytë e Perëndisë. Për këtë arsye kemi nevojë për një shpëtimtar hyjnor, sepse kemi nevojë për një shpëtimtar absolutisht të shenjtë. Dhe kështu, Krishti duke vuajtur e vdekur në kryq për ne e në vendin tonë, ai fshin mëkatin, fajin e mëkatit tonë, dhe kjo ne na bën të pastër dhe neutral përpara Perëndisë.

Por Perëndia nuk kërkon prej nesh që të jemi vetëm neutralë përpara tij por të shenjtë. Ne duhet të kemi një masë pozitive shenjtërie. Kështu, me anë të bindjes aktive, ai përmbushi plotësisht të tëra kërkesat që Perëndia urdhëron në Ligjin e tij. Ai përmbushi përsosmërish shenjtërinë që Perëndia kërkon prej nesh kur tha, “Jini të shenjtë sikurse unë jam i shenjtë.” Dhe këtë Krishti e bëri gjatë jetës së tij në tokë. Dhe kështu, për shkak të bindjes së dyfishtë të Krishtit, të bindjes pasive dhe aktive të tij, në jemi të shfajësuar plotësisht përpara Perëndisë, jemi të blerë prej Krishtit, dhe i përkasim atij plotësisht dhe përfundimisht, të lidhur, të njësuar, të bashkuar me atë përjetësisht.

Jeta Jonë në Krishtin

Kur themi “sepse për mua të jetuarit është Krishti,” ne kemi thënë edhe që ne jetojmë çdo ditë me Krishtin dhe për Krishtin. Ai është qëllimi i jetës tonë, dhe shoqëruesi, shoku e miku ynë në çdo moment e detaj të jetës. Dhe si çdo mik njerëzor, ne duam që të shpenzojmë kohë me të, ta njohim atë më mirë, t’ia bëjmë qejfin atij, ti kemi gjërat tona të përbashkëta me të, qofshin këto ëndrrat tona, pasionet tona, preferencat apo zgjedhjet tona. Në çdo gjë, ne duam që të kemi një përputhje të plotë me të. Një term që e përkufizon këtë gjë është termi “shenjtërimi.” Ky është procesi i shenjtërimit tonë. I krishteri i vërtetë ai që vërtetë është i shpëtuar e i rilindur, ka një dëshirë prezentë, edhe pse jo gjithnjë të fortë, por gjithnjë në rritje për të njohur Krishtin, personin e tij, natyrën e tij, karakterin e preferencat e tij. Ai që vërtetë është i rilindur, në mënyrë të pa-rezistueshme, dhe në fillim të jetës së re me Krishtin, e ka instiktive dhe gati të pakuptueshme, tendencën, dëshirën, aspiratën për ta njohur Krishtin më mirë.

Ja një mënyrë për të testuar veten nëse je me të vërtetë një fëmijë i Perëndisë, që e ke Frymën e shenjtë të Krishtit, dhe që po punon për shenjtërimin tënd: Çdo fëmijë i vërtetë i Perëndisë dëshiron që ta njohë Krishtin çdo ditë e më mirë, çdo ditë e në mënyrë edhe më intime apo më të ngushtë. Madje e gjen tërë kënaqësinë kryesore të jetës në marrëdhënien me Krishtin. A e ke ti këtë dëshirë e mall të përditshëm për Krishtin? A është qëllimi dhe padurimi i jetës tënde që të shkosh në shtëpi apo në vendin ku ti lutesh e lexon Biblën, për të lexuar Fjalën e tij, për të folur me të në lutje, për t’ia hapur zemrën atij, për të qarë e për të qeshur me të, çdo ditë e për çdo gjë? A provon një boshllëk në jetën tënde, kur në fund të ditës shikon që nuk ke pasur shumë apo aspak miqësi me Krishtin? A është gëzimi e mbushullia jote më e madhe kur në fund të ditës thua: “Sot pata momente të mrekullueshme me Krishtin, miqësi me të në lexim e lutje, dhe Ai ishte aq i ëmbël ndaj meje!” Kjo është të shuash se “se për mua të jetuarit është Krishti,” pa Krishtin është vdekje. Ai është jeta e vërteta, mungesa e tij është vdekja e vërtetë.

Pastori dhe Princi i Predikuesve, Çarls Spërxhën tha, “Nëse nuk je në Krisht, ti ke një arkivol mbi kurriz dhe së shpejti do të kesh baltë në gojë, nëse nuk pendohesh dhe beson Ungjillin.” Jeta është dënim i përjetshëm nëse je jashtë Krishtit, por bekim i përjetshëm nëse je in Krishtin, përmes Krishtit, dhe për Krishtin. Kjo është çfarë ndjente Pali, dhe për këtë arsye ai tha, “Sepse për mua të jetuarit është Krishti.

Dashuria e Miqësia Jonë për Krishtin

Por vini re së katërti, se kur Pali shkroi, “sepse për mua të jetuarit është Krishti,” ai po fliste edhe për dashurinë që ne kemi për Krishtin. Shpesh herë, ne shqiptarët dëgjojmë apo u themi fëmijëve të vegjël duke ua ndukur faqet e duke i mbuluar me të puthura, “Ah sa i mirë që je, do të të ngordh fare!” Pak e dhunshme, por është mënyra jonë e të shprehurit të një dashurie të vrullshme. Të njëjtën gjë përjetonte edhe Pali për Krishtin. Prandaj i shkroi Efesianëve, se lutej për ta,ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë (Efe. 3:19). Ai u shkroi Korintasve, Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon,që ai dhe të Krishterët e tjerë të mos jetojnë më për veten e tyre por për atë që vdiq e u ngjall për ta (2 Kor. 5:14). Dashuria për Krishtin është lokomotiva që tërheq pas trenin e jetës time, thotë Pali, më bën që të bëj gjithçka për të. Martin Luteri shkroi: “Pali mbante Krishtin në penën e tij sepse Fryma e shenjtë mbante Krishtin në zemrën e tij.” Romanët kishin një shprehje: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë.” Pali kishte një shprehje tjetër: Sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar (1 Kor. 2:2). Për Palin, të tëra rrugët të çojnë vetëm tek Krishti. Të tëra zgjidhjet gjenden vetëm atje. Të tëra shërimet shpirtërore e emocionale shërohen vetëm atje. Të tëra dëshpërimet e trishtimit largohen vetëm në praninë e tij. Të tëra premtimet e Perëndisë janë Po! dhe Amen vetëm në Krisht (2 Kor. 1:20). E kështu u shkroi Kolosianëve se Krishti është gjithçka dhe në të gjithë” (Kol. 3:11).

E di që sot, shumica prej nesh nuk mund të deklarojmë pa gënjyer se e duan Krishtin siç Pali e dashuronte Krishtin. Në fakt, asnjë i Krishterë nuk mund të thotë se dashuria e tij për Krishtin është atje ku duhet të jetë. As edhe vetë Pali nuk mund ta deklaronte një gjë të tillë. Për ndërsa Krishti na pyet ne këtë mëngjes, “A më do ti mua,” ashtu siç pyeti tre herë Simon Pjetrin, “Simon nga Jona, a më do ti mua,” edhe pse ne mund të mos themi me sinqeritet se kemi arritur në atë pikë që të themi se “për mua të jetuarit është Krishti,” ne të paktën mund të themi me Pjetrin: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua” (Gjoni 21:17). Dhe me Puritanin Thomas Brooks, le të themi: “Krishti është i mrekullueshëm! Krishti është shumë i mrekullueshëm! Krishti është më i mrekullueshmi. Krishti është për ta kurora e kurorave, qielli i qiejve, lavdia e lavdive. Krishti është diamanti më vezullonjës në unazën e lavdisë së Perëndisë” (The Unsearchable Riches of Chris).

Ngjashmëria Jonë me Krishtin

Së pesti, kur ne themi “sepse për mua të jetuarit është Krishti,” ne kemi deklaruar se jemi të ngjashëm me Krishtin, dhe se dëshirojmë që ti ngjasojmë atij çdo ditë e më shumë. Sepse ne jemi në atë union mistik frymëror me Krishtin, sepse e duam Krishtin, sepse qëllimi i jetës tonë është Krishti, ne dashur pa dashur, fillojmë që ti ngjasojmë Atij. Çiftet e dashuruara, çiftet e vjetra që ende e duan njëri-tjetrin, janë në gjendje që ti mbarojnë fjalitë njëri-tjetrit, të kuptojnë njëri-tjetrin para se ta thonë fjalën, madje në disa raste, duket sikur edhe i ngjasojnë nga paraqitja njëri-tjetrit. Nëse për ne, të jetuarit është Krishti, kjo ngjashmëri është e pashmangshme për shkak të Frymës që punon në ne dhe të dashurisë tonë për Krishtin. Kjo ngjashmëri është gjithashtu edhe thirrja e qëllimi i jetës tonë. Tek Rom. 8:29, Pali na thotë se, ata që Perëndia Ati na ka paracaktuar që të shpëtohen, “edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij.” Puna shpëtuese e Perëndisë nuk mbaron me shpëtimin tonë. Nuk është ky qëllimi i tij final. Nuk është ky stacioni i fundit i trenit të hirit dhe të shpëtimit. Vepra madhështore e Perëndisë në ne fillon me shpëtimin tonë, por vazhdon tërë jetën deri sa ne të përfundojmë dhe të jemi të ngjashëm me imazhin e Krishtit. Sa bekim e plani madhështor e i mrekullueshëm është kjo gjë.

Thomas Boston, një teolog presbiterian i shekullit të 18-të shkroi: “Unë kam bërë një zotim të shenjtë, që kudo të shkoj, me këdo të flas, dhe çfarëdo të bëj, unë do të synoj që të lë pas meje aromën e Krishtit” (2 Kor. 2:15). Aroma e Krishtit. Vëlla e motër në Krisht, komplimenti më i madh që një njeri mund të marrë në këtë botë, është që dikush ti thotë: “Unë vërtet shikoj Krishtin tek ty. Aroma e Krishtit buron prej poreve të qenies tënde.” Kështu ishte për Palin. Kështu mund dhe duhet të jetë për ne. Prandaj Pali thotë fryti i Frymës dhe frytet e frymës tek Gal. 5:22-23, kur liston “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.” Këto nuk janë opsione prej nga të cilat mund të zgjedhim një apo më shumë. Këto të turra bashkë bëjnë një fryt të vetëm. Kur ke njërën i ke të gjitha, edhe pse mund të jenë të dobëta apo të parritura. Por ky fryt i frymës, në fat është profili moral i Krishtit. Në të sigurisht ato janë të përsosura, dhe ky është qëllimi dhe paracaktimi i Atit, që ne ti kemi ato si edhe Krishti, me bollëk e përsosmëri.

Por çdo të thotë të jemi më shumë si Krishti? Si mund të aplikohet praktikisht thirrja për të qenë aroma e tij në tokë? Ka të paktën njëmijë mënyra të ndryshme. Por dy mënyra kryesore do të përmend sot:

Së pari, duhet të kemi e zhvillojmë një zemër shërbëtori. Ky është një prej qëllimeve të letrës drejtuar Filipianëve, dhe mesazhi kryesor i kapitullit të dytë të letrës kur Pali shkruan:Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, 6 i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, 7 por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, (2:5-7). Krishti kishte një zemër shërbëtori. Ai deklaroi se nuk kishte ardhur në tokë për t’i shërbejnë por për të shërbyer (Marku 10:45). Kur ulesh nëpër kafenetë në Shqipëri, në fakt kudo nëpër botë, dëgjon të njëjtin refren: “Unë…mua…dhe e imja.” Por momentin kur ne jetojmë në Krishtin, ne jetojmë për Krishtin, dhe ne jetojmë si Krishti. Ne jetojmë me refrenin “Krishti, Kisha, ne!” Ne fillojmë që të mendojmë tërë kohës për Krishtin e për Kishën, se si e si ti shërbejmë atij, se si e si ti shërbejmë të tjerëve.

Së dyti, le të jemi si Krishti dhe të zhvillojmë një zemër plot dashuri. Pa dashuri, çdo vepër e jona është si këmbimi i një cimbali bosh. Këtë e dimë të gjithë. Që dashuria në kishë është një dhuratë e Perëndisë, kjo është e qartë nga letra e Palit drejtuar Selanikasve, “Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush, (2 Sel. 3:12). Por dashuria nuk është diçka që urohet dhe bëhet realitet. Ajo duhet kërkuar në lutje. Prandaj edhe Pali lutej për Filipianët, Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë(1:9). Dashuria fillon të mbushëllojë e teprojë edhe kur fillojmë e bëjmë veprat e dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Dashuria nuk është vetëm ndjenjë por mbi të gjitha një veprim. Perëndia është dashuri. Krishti, Perëndia-njeri është dashuri. Kur ai ishte në tokë i preku të gjithë, mëkatarë apo jo, prostituta, leprozë, fëmijë e të rritur, të pasur e të uritur. Dhe sa më shumë ne bëhem si Krishti, sa më shumë i ngjasojmë atij, sa më shumë kuptojmë se çfarë ai bëri në kryq për ne, se sa pak e meritojmë dashurinë e kryqin e tij, aq më shumë dashuria e tij do të na shtrëngojë (2 Kor. 2:14), aq më shumë do të shtyhemi e do të mësojmë që ti duam të tjerët, ti pranojmë aty ku janë pa i gjykuar, e do të shkojmë tek ata për ti ungjillëzuar si akti më i lartë i dashurisë për një të humbur.