• on 19/05/2008

Sola Scriptura (II) – Vetem Shkrimi

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë. 2 Tim 3:16-17

I. Rëndësia e Solave

Kush jemi ne? Cili është identiteti ynë jo vetëm personal si të Krishterë, por gjithashtu, cili është identiteti ynë institucional? Përse vijmë të adhurojmë në një kishë jo-katolike apo jo-ortodokse? A jemi ndryshe? Nëse po Përse dhe çfarë aspektesh ndryshojmë ne nga institucioni katolik e ortodoks? Cila është e kaluara jonë historike? Cili duhet të jetë besimi ynë sot? Dhe për çfarë ne duhet të synojmë në të ardhem? Kush jemi, nga vijmë dhe u shkojmë janë pyetjet të cilat që të gjitha e gjejnë përgjigjen në ato që quhen 5 Solat e Reformacionit. Siç e keni edhe të shkruar në faqen e parë të buletinit, 5 Solat e reformacionit janë: Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi; Solus Christus – Vetëm Krishti; Sola Gratia – Vetëm nga Hiri; Sola Fide – vetëm përmes besimit; dhe Soli Deo Gloria – e gjithë lavdia vetëm Perëndisë. Këto 5 Sola janë programi ideologjik apo doktrinar i Kishës. Ato përmbledhin çfarë ne besojmë, e madje ato janë edhe mjetet dhe për artikulimin e çdo gjëje tjetër që besohet dhe praktikohet në kishën protestante apo ungjillore. Ato janë 5 kollonat mbajtëse të sistemit protestant të besimit dhe jetës praktike të Krishterë. çdo gje rrjedh dhe bazohet mbi këto 5 sola.

Historikisht këto 5 Sola u zbuluan në Bibël, u artikuluan dhe u propaganduan gjatë periudhës rë Reformacionit Protestant të viteve 1400-1600. Të gjitha kishat ungjillore apo protestante e kanë origjinën në Reformacionin Evropian. Jan Hus, John Wicklief, Martin Luter, John Calvin, Ulrich Zwingli, janë disa nga emrat që të gjithë ne duhet ti dimë. Kjo është origjina jonë. Periudha e Mesjetës është quajtur ndryshe Periudha e errësirës Mesjetare. Kjo për shumë arsye të cilat do ti zbulojmë gradualisht javë pas jave, dhe po kështu do të zbulojmë javë pas jave që Reformacioni është quajtur ndryshe Drita e Ungjillit, pasi ajo zbuloi dhe mbrojti dhe përçoi mesazhin biblik që kishte humbur në vitet e gjata të errësirës mesjetare si dhe të korrupsionit moral dhe doktrinar që mbizotëronte në Kishën katolike të asaj kohe. Kjo është arsyeja përse ne jemi veçan sot si Kishë Ungjillore apo Protestante.

Elementët reformatorë në atë kohë patën si qëllim jo ndarjen por reformimin nga brenda. Por ndarja ndodhi. Kisha që doli nga zjarri pastrues i Reformacionit në Evropë u quajt Kisha e Reformuar, në gjermani Kisha Luteriane, në Angli Kisha Anglikane, në Skoci e Irlande Kisha Presbiteriane. Në mënyrë të thjeshtuar, të tëra këto kisha janë një, produkt i reformacionit, dhe çdo gjë tjetër që e quan vetën kishë protestante apo reformatore a ka burimin këtu.

Kjo kishë lokale sot në Durrës në fakt është gjithashtu si në emër ashtu edhe në doktrinë një Kishë e Reformuar. Ne kemi një histori, një origjinë, dhe si rrjedhim ne kemi edhe një të ardhme. Ne kemi një identitet, dhe kjo është arsyeja që ne po i studiojmë ato këto të diela. Vini mend këtyre solave pasi janë mënyra më e mirë, më e shkurtër dhe më e thjeshtë për tu shpjeguar njerëzve se kush jeni dhe çfarë besoni.

Sot, ne do të vazhdojmë të studiojmë solën e parë: Sola Scriptura që do të thotë vetëm Shkrimi. Ne Besojmë që vetëm Shkrimi është zbulesa e shkruar e Perëndisë për Njeriun. Vetëm shkrimi është i dhënë me frymëzimin nga Perëndia. Vetëm Shkrimi ka autoritet mbi çështjet e besimit dhe të jetës së Krishterë. Vetëm Shkrimi është i pagabimtë dhe i pagabueshëm. Vetëm Shkrimi është rregulli i pagabueshëm i interpretimit të Shkrimit. Vetëm Shkrimi është gjyqtari suprem mbi të gjitha polemikat e fesë, opinionet e njerëzve. Vetëm Shkrimi është plotësisht i mjaftueshëm për shpëtim, shenjtëri dhe jetë të Krishterë. Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi. Sot unë do të fokusohem mbi një aspekt të Shkrimit që është frymëzimi i tij.

II. Fakti i Frymëzimit të Shkrimit

Çfarë duhet të kuptojmë me frymëzim të biblës? Për këtë na ndihmon 2 Tim 3:16-17 që thotë:

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia…” Në Greqisht manuskripti lexon “i gjithë shkrimi është theopneustos.” Theo – Perëndia, pneo – frymë. Vargu thotë që Perëndia fryu nga vetja për tek net të tëra Shkrimet që ne sot i kemi që grumbulluara në një volum të vetëm që e quajmë Bibël. Frymëzimi është akti hyjnor i Perëndisë në të cilin vetë Perëndia i dhuron njerëzimit një shkrim, një libër në të cilin shprehet dashuria e Tij për ne, zemërimi i Tij ndaj mëkatit tonë, rruga e shpëtimit që është vetëm Krishti – Solus Christus, gjë që është jo nga meritat tona por vetëm nga Hiri i pamerituar i Perëndisë – Sola Gratia, një hir që ne duhet ta marrim vetëm përmes besimit – Sola Fide, dhe e gjitha kjo vepër e Perëndisë vetëm dhe vetëm për një qëllim, për lavdinë e Tij – Soli Deo Gloria. Frymëzimi është akti hyjnor i dhënies së Biblës njerëzimit nga Perëndia. Bibla është fjala e Perëndisë. Është Perëndia ai që e jep atë, e nxjerr atë na vetja dhe jap dhuron njerëzimit. Ky proces njihet si frymëzimi i Shkrimit të Shenjtë. Vini re pra ndryshimin që ekziston nga ajo që bota artistike i thotë frymëzim. Artisti krijues merr një ndjesi apo një ide apo një fuqi për të krijuar diçka. Frymëzimi Biblik është Perëndia i cili nxjerr jashtë vetës përmes Frymës së Shenjtë një krijim, e fryn atë jashtë vetes së Tij drejt nesh përmes Frymës së Shenjtë. Si rrjedhim Bibla është Fjala e Perëndisë, e dhënë nga ai për shpëtimin tonë.

Por tani lind pyetja, si mund të sigurohemi që Bibla vjen nga Perëndia? Ku duhet të shkojmë për prova? Tek shkenca, tek historia, tek arkeologjia, apo duhet ti besojmë autoritetit të Kishës? Kisha katolike do pretendon se ne duhet ti besojmë dëshmisë së saj si institucion. Akademia sekulare thotë se ne duhet ti besojmë asaj, dhe kuptohet ajo pretendon se Bibla nuk është fjala e Perëndisë. Rrëfimi i Westminsterist i shkruar në 1646 sugjeron me të drejtë këtë gjë:

“Autoriteti i Shkrimit të Shenjtë, për të cilën arsye Shkrimi duhet besuar dhe i duhet bindur, nuk mbështetët në dëshminë e njeriut, apo atë të Kishës; por plotësisht në atë të Perëndisë (i cili vetë është e vërteta), autorit të tij; rrjedhimisht Shkrimi duhet pranuar, sepse ajo është Fjala e Perëndisë.“

Është Perëndia Ai që dëshmon për krijesën e vet, dhe për këtë Shkrimi i Shenjtë duhet besuar. Por si dëshmon Perëndia për krijesën e Tij. Rrëfimi i Westminsterit vazhdon:

“…bindja dhe siguria jonë e plotë në të vërtetën e pagabueshme dhe autoritetin a saj hyjnor vjen nga vepra e përbrendshme e Frymës së Shenjtë që dëshmon për dhe me Fjalën e Perëndisë in zemrën tonë.“

Pra, është Perëndia ai që na dëshmon neve përmes Frymës së Shenjtë. Si na dëshmon Fryma e Shenjtë? Së pari Fryma e Shenjtë dëshmon në zemrat tona që ajo që po lexojmë është Fjala e Perëndisë. Kjo është pjesë e detyrave që ka Fryma e Shenjtë ndaj besimtarëve. Prandaj dhe ne duhet ta marrim fjalën e shkruar apo të predikuar me lutje, si para ashtu edhe pas saj. Por vini re që teologët e Reformacionit kishin një penetrim shumë të mprehtë në mënyrën se si vepron Fryma gjë që nuk e gjejmë sot në kishën ungjillore apo protestante. Fryma dëshmon për Fjalën përmes Fjalës. Fryma dëshmon për Fjalën, në zemrën e atij që e lexon atë përmes fjalës, përmes asaj që personi në fjalë po lexon. Kjo është e rëndësishme të theksohet, pasi rritja jonë shpirtërore nuk ndodh në vakum. Fryma nuk i dëshmon frymës tonë në vakum. Shenjtëria nuk ndodh në vakum. Ungjillëzimi nuk duhet të ndodhë në vakum, por vetëm dhe vetëm në prezencën apo në kontekstin e Fjalës. Kjo është arsyeja përse ne duhet të predikojmë Fjalën, ta shpërndajmë atë të shkruar, ta lexojmë e studiojmë atë [ër veten tonë nëse kemi dëshirë të rritemi dhe inkurajohemi në ecjen tonë si të krishterë. Krishti tha tek Gjoni 17: “At, shenjtëroi ata përmes së vërtetës. Fjala jote është e vërtetë.”

Pra është Perëndia ai që dëshmon për Fjalën përmes Frymës, por është edhe vetë Fjala ajo që dëshmon për veten e saj. Do t’u rreshtoj një sërë argumentesh nga Shkrimi, dhe do të citoj vetëm një varg për çdo argument, edhe pse me dhjetëra faqe mund të mbushen me citime për secilën nga këto argumente:

1. Dhiata e Vjetër dëshmon për vetveten. Profetët dhe penëtarët e Dhiatës së Vjetër dëshmojnë për influencën hyjnore që ra mbi ta, për frymën e shenjtë dhe se si Fryma i shtyn ata që të shkruanin. Nuk mund të numërohen rastet kur profetët e hapën deklarimin e tyre me frazën “Kështu thotë Perëndia,” apo “Kjo është fjala e Perëndisë,” apo “në vitin x fjala e Perëndisë erdhi mbi mua…” psh. Tek Jeremiah 13:12 lexojmë: “Prandaj ti do t’u thuash atyre këtë fjalë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit…” dhe vijon mesazhi. Në raste të tilla Perëndia i dikton mesazhin profetit i cili është i detyruar që ta shkruajë dhe proklamojë atë. Davidi shkroi tek 2 Sam 23:2 “Fryma e PErëndisë foli përmes meje dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.” Është interesante të vëresh gjithashtu se si kur lexoj me faqe të tëra nga profetet Isaia , Ezekiel dhe Jeremia, një “ngatërrim” përemrash vihet re nga mesi i proklamatës. Profeti deklaron qe ajo që do të shpallë është fjala e Perëndisë. Fillon të flasë, dhe pas disa vargjesh apo faqesh vëren që në fakt nuk është më profeti që po flet në vetën e tretë: psh Perëndia thotë që ju… – por flet në vetën e parë – Unë jam Perëndia i Izraelit, unë jam …! Personi i profetit darovitet në sfond dhe personi i Perëndisë është në plan të parë. Është ai që po flet, është ai që po deklaron.

2. Një argument i dytë për frymëzimin e biblës, së pari të Dhiatës së vjetër vjen edhe nga Dhiata e re. Penëtarët e Dhiatës së Re e pranojnë pa hezitim shkrimet e Dhiatës së vjetër si Fjala e Perëndisë. Këtë ata e bëjnë kur e citojnë atë. Psh: tek Veprat e Apostujve 4:25, Apostulli Pjetër thotë për Psalmin 2 të shkruar nga Davidi, Psalm që ne e këndojmë në këtë kishë:

“dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: “Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?”

Apostulli, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë dëshmon që Psalmi 2 është shkruar vërtet nga Davidi, por kjo si penëtar, pasi në vërtetë Psalmi 2 është Fjala e vetë Perëndisë. Apostulli Pal, i kujton Timoteut, një pastori të ri në moshë, por të rritur me shkrimet e Dhiatës së Vjetër se “16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.

3. Vetë Zoti Krisht, personi i dytë i Trinisë së Shenjtë dëshmoi që Bibla ishte fjala e tij dhe me autoritet të plotë mbi çdo gjë kur e citoi atë. Psh; tek Mat 4:4 ai i përgjigjet Djallit me këto fjalë: “Është shkruar: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”

Në këtë rast, Krishti tha që Besëlidhja e Ripërtërirë është Fjala e Perëndisë. Tek Mateu 11:10 Krishti thotë: “Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate; ai do ta bëjë gati rrugën tënde para teje”. Në këtë rast ai flet për Gjon Pagëzorin dhe citon Malakian 3:1 dhe e konsideron atë si Fjala e Perëndisë. Është e rëndësishme të dimë që Dhiata e Re citon çdo njërën prej librave të Dhiatës së vjetër si Fjala e Shkruar e Perëndisë.

4. Dhiata e Re është gjithashtu fjala e Perëndisë. Si e dimë këtë? Ungjijtë nuk janë gje tjetër veçse fjalët e Krishtit dhe veprat e Tij. Ato janë deklaratat e Krishtit dhe mrekullitë që Ai bëri për të provuar forcën dhe autoritetin e deklaratave të tij.

5. Gjithashtu, përpara se sat ë ngrihej lart në qiell, Krishti u premtoi Apostujve prezencën e frymës së Shenjtë me qëllim që ata ë mund të shkruanin Dhiatën e re. tek gjoni 14 lexojmë:

24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar. 25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju; 26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

Fjalët e Krishtit ishin fjala e Perëndisë. Regjistrimi dhe kujtimi i tyre është detyre e Frymës së Shenjtë i dërguar nga ati. Apostujt shkruan të frymëzuar nga Perëndia, nën shtysën e tij, nën përkudejsjen e tij, nën drejtimin e Tij, dhe nën kontrollin e tij për të siguruar që kjo që ne kemi në dorë sot është vërtetësish dhe plotësisht Fjala e Perëndisë, vullneti i Tij për ne.

6. Apostujt e morë përmbushjen e këtij premtimi, dhe për shkak të saj, p.sh, Apostulli Pal mund të deklaronte tek 1 Kor. 2:13 “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.”

7. Apostujt i trajtuan shkrimet e njëri-tjetrit gjithashtu si Fjala e Perëndisë. Tek 2 Pjet 3:16 Apostulli Pjetër thotë:

“sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; 16 Ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë edhe me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre.”

Këtu Apostulli Pjetër dëshmon për veprën e perëndisë në frymëzimit e fjalës në Apostullin Pal – Palit ju dha një dituri nga Perëndia thotë Pjetri. Por jo vetëm kaq, Pjetri barazon letrat e Palit me shkrimet e tjera të Dhiatës së Vjetër. Dhe vini re gjithashtu që Apostulli Pjetër deklaron që të tëra letrat e Palit janë Fjala e Perëndisë pasi ai thotë që të tëra letrat e Palit e kanë këtë veti.

Lista e kategorive të argumenteve që mund të sillen dhe moria e shkrimeve që mbështesin çdo argument zgjatet përtej mundësisë time për ti rreshtuar ato, dhe si rrjedhim unë do të ndaloj këtu përsa i përket kësaj pike. Bibla është Fjala e Perëndisë. Autoriteti i kësaj dëshmie bazohet mbi vetë perëndinë që e ka dhënë atë, mbi Frymën e shenjtë, si dhe mbi dëshminë që vetë Bibla jep për vetveten. Bibla është Fjala e Perëndisë, e dhënë nga Ai përmes frymëzimit.

Vini re që Apostulli thotë që jo disa nga fjalët e Biblës janë të frymëzuara, jo që një frymëzimi i Perëndisë shtrihet mbi një pjesë të mirë të biblës, apo mbi shumicën dërrmuese të Biblës, por mbi të tërë Biblën. “16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.” Kjo është ajo që teologët e quajnë frymëzimi verbal apo frymëzimi plenar i Shkrimit të Shenjtë. çdo ide është e frymëzuar dhe vjen nga Perëndia, çdo koncept. çdo argument gjithashtu vjen nga Perëndia. Logjika e renditjes së argumenteve që për shembull Apostulli Pal jep tek Letra e Romakëve gjithashtu vjen nga Perëndia. Çdo fjalë e zgjedhur në një fjali të dhënë apo në një frazë të marrë për studim është e zgjedhur nga vetë Perëndia dhe e përdorur nga ai qëllimisht në atë formë që gjendet në bibël. Perëndia ynë është një Perëndi i koherencës, i logjikës, pasi është ai që e pa krijuar logjikën, ai është Perëndia i të vërtetave, dhe çdo gjë e vërtetë i përket atij, vjen nga Ai dhe kthehet tek Ai.

Aplikime:

Vëllezër dhe motra ne Krisht, dy aplikime kam për ju sot:

Meditoni mbi qëllimin që perëndia ju dha Shkrimet e Shenjta. Vërtetë krijesa rreth e rrotull nesh dëshmon për ekzistencën e Perëndisë dhe obligimin tonë ndaj Tij, por kjo nuk është e mjaftueshme për shpëtimin tonë, nuk është e mjaftueshme që ne të fitojmë atë informacion të nevojshëm që të shpëtohemi. Malet e oqeanet dëshmojnë për Perëndinë por nuk na drejtojnë për tek kryqi i Krishtit. Njeriu ka nevojë për fjalën ekzakte të Perëndisë. Lavdëroni Perëndinë për mirësinë e tij që i kapërceu kohërat e padijes dhe na shpalli Krishtin përmes shkrimeve. Gjithashtu meditoni mbi faktin që arsyeja që Perëndia jo vetëm që na dha Krishtin, por gjithashtu na dha edhe fjalën e shkruar, me qëllim që të ruajë të vërtetën, me qëllim që të përhapë të vërtetën, dhe më tej, me qëllim themelimin sa më të sigurt të kishash në Krisht, dhe për më tej, për ngushëllimin sa më të mirë të Kishës në kohët e dyshimeve dhe trazirave, dhe për ruajtjen e Kishës nga korrupsioni i mishit, nga ligësia e Satanit dhe nga manovrat e Botës. Për të tëra këto arsye perëndia e la Fjalën e tij të shkruar, dhe për këtë gjë jini mirënjohës. Kjo është dhurata e Perëndisë për ju, është letra e tij e dashurisë për ju.

Por së dyti, vini re gjithashtu që sa u tha më lart, e bën shkrimin e shenjtë absolutisht të domosdoshëm për ju. Ju është dhënë që ta përdorni, ta lexoni, studioni, memorizoni, ta fshihni në zemrat tuaja dhe prej saj të jepni frytet e pendimit, besimit, bindjes dhe shenjtërisë. Amen