• on 31/10/2008

01 – Sola Scriptura (I): Vetem Shkrimi

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.2 Tim 3:16-17

 

     Çfarë është Sola Scriptura? Deklarata Sola Scriptura thjesht do të thotë “Vetëm Shkrimi” dhe deklaron qe vetëm Fjala e Perëndisë siç na është zbuluar në Bibël është burimi I tërë informacionit të domosdoshëm për tiu afruar Perëndisë me besim dhe për një jetë të shenjtë si gjatë shërbesave të kishës ashtu edhe jashtë saj. Sola Scriptura gjithashtu deklaron qe vetëm Bibla është autoriteti përfundimtar dhe më I lartë për të tëra çështjet e besimit dhe jetës. Sola Scriptura po kështu deklaron që vetëm bibla është standardi pa gabime dhe i pagabueshëm në të tëra deklaratat e saj. Çdo institucion apo subjekt tjetër, përfshi këtu Koncilët e Kishës, opinionet e njerëzve apo madje edhe të papëve, bishopëve, kardinalëve apo mitropolitëve nuk janë dhe nuk mund të jenë autoriteti përfundimtar në çështjet e jetës dhe besimit pasi ato nuk janë as të pagabimta dhe as të pagabueshmë pavarësisht nga pretendimet e tyre. Historia ka provuar që të tëra këto entitete kanë dhe vazhdojnë të kundërshtojnë njëra-tjetrën. Vetëm Bibla, dukë qenë se është Fjalë e Perëndisë së gjallë, ka autoritetin final dhe pagabimshmërinë dhe pagabueshmërinë e duhur për të folur si deklarata më e lartë dhe përfundimtare për njeriun. Së fundi, me Sola Scriptura ne deklarojmë që Shkrimi është interpretuesi i vetvetes dhe në sensin më të lartë është vetë Perëndia Frymë e Shenjtë. Logjika dhe opinionet e njeriut nuk janë dhe nuk mund të jenë mbi ato të Perëndisë i cili flet për vetveten në Fjalën e Tij, Biblën.

Nuk do të mohoj asgjë deri sa të jem i bindur nga Shkrimi i Shenjtë dhe arsyeja e shëndoshë. Ndërgjegjja ime mbahet rob nga Fjala e Perëndisë dhe të shkosh kundra ndërgjegjes nuk është as e drejtë dhe as e mirë.

     Këto fjalë historike u deklaruan nga Martin Luteri në Dietin e Wormit. Worm është një qytet në Gjermani mbi lumin Rin, dhe Diet në Mesjetë ishte mbledhja e të tërë subjekteve të Perandorisë së Shenjtë Evropiane të Mesjetës, përpara Perandorit, ishte një lloj asambleje e përgjithshme e princave, kardinalëve e feudalëve përpara Perandorit. Ishte pranvera e vitit 1521. Martin Luteri ishte për gjykim përpara Perandorit të Perandorisë së Shenjtë Romane (pra Katolike) e cila kishte nën zotërim tërë Evropën me përjashtim te Francës dhe Britanisë. Martin Luteri kishte publikuar disa vite më parë 95 tezat e tij mbi derën e Kishës së Witenbergut si një ftesë për diskutim ndaj profesorëve të ndryshëm të teologjisë në Evropë. Por ajo që Luteri kishte filluar si diskutim dhe për qëllime akademike ishte shndërruar në një ortek, në një lëvizje masive intelektuale, akademike, studentore, ekonomike e madje edhe popullore. Luteri ndodhej përpara Perandorit për ta bërë atë të heshtë dhe mundësisht edhe lëvizjen masive që ai pa dashur kishte iniciuar. 95 tezat që ai pat ngjitur në derën e Kishës në Wittenberg nuk shtronin domosdoshmërish çështje të reja, e reja që Martin Luteri sillte ishte deklarata se Papët nuk janë të pagabueshëm, se Koncilët e Kishës e kardinalët nuk janë të pagabueshëm, se ata nuk janë mbi Shkrimin por nën shkrimin, dhe se Shkrimi dhe vetëm Shkrimi i Shenjtë ishte i pagabueshëm dhe mbi çdo papë. Shkrimi pat thënë Luteri është standardi dhe autoriteti më i lartë dhe përfundimtar për çdo gjë që ka të bëjë me besimin dhe jetën e njeriut. E përsëris pasi ky është thelbi i Sola Scriptura: Shkrimi i Shenjtë është standardi dhe autoriteti më i lartë dhe përfundimtar për çdo gjë që ka të bëjë me besimin dhe jetën e njeriut. Ky është kuptimi i Sola Scriptura – Shkrimi dhe vetëm Shkrimi i Shenjtë dhe asgjë tjetër nuk mund të jetë mbi të ose madje as baras me të. Kjo është deklarata që ktheu përmbys Evropën Perëndimore e Qendrore dhe që përcaktoi rrjedhën e historisë, kulturës, politikës, ekonomisë, arsimit e shkencës, besimit e jetës së përditshme për dhjetëra shtete e miliona njerëz. Deklarata më e rëndësishme që është bërë në historinë e Kishësh në këto 2000 vjetët e fundit, pas deklaratës së Krishtit “Ka përfunduar!’ është deklarata e Luterit “Sola Scriptura.”

     Çdo denominacion i Krishterë apo edhe Kishë lokale ka dhe duhet të ketë një dokument teologjik formal të shkruar ku deklaron apo rrëfen atë që beson. Kisha jonë ka Rrëfenjën e Besimit të Westminster (1646) dhe Katekizmin e Shkurtër dhe atë të Zgjeruar. Kapitulli i parë i Rr. B. Westminster përmbledh çfarë ne besojmë se bibla dëshmon për veten e saj. Seksioni 10 i këtij kapitulli të parë thotë:

Gjyqtari suprem që shqyrton e vendos për të gjitha polemikat e besimit, dekretet e kishës, opinionet e shkrimtarëve të lashtë, doktrinat e njerëzve dhe frymërat e ndryshme, të vetmet vendime të të cilit e mbi të cilat mund të mbështetemi, është askush tjetër veç Fryma e shenjtë që na flet përmes Shkrimit të Shenjtë.

     Pra, gjyqtari suprem është vetë Perëndia dhe vetëm Perëndia, as papët, as pastorët, e as qeveria, por vetëm Perëndia që na flet përmes Shkrimit të Shenjtë, Biblës. Fakti që vetëm Perëndia është ai që flet, vendos dhe gjykon, e bën të domosdoshme që edhe Fjala e shkruar e Tij të jetë gjithashtu gjyqtari suprem për të tëra çështjet e besimit dhe jetës. Kjo është arsyeja që Apostulli Pal nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë dhe autoritetin apostolik të Krishtit deklaron:

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

     Historianët thonë që Reformacioni si lëvizje kishte dy kauza dhe shkaqe, shkaku dhe kauza formale dhe ajo materiale. Shkaku dhe kauza materiale ishte çështja e shpëtimit apo e shfajësimit, ndërsa kauza dhe shkaku formal ishte ajo e rolit të Shkrimit për besimtarët. Reformatorët, së bashku me Etërit e Kishës së bashku me Apostujt dhe me tërë dëshminë biblike besoi që shpëtimi apo shfajësimi ynë përpara Perëndisë është vetëm përmes besimit – Sola Fide. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për shpëtimin tonë, Krishti ka bërë gjithçka, ne duhet vetëm ta pranojmë me besim, dhe vetëm me besim pa i shtuar asgjë. Pra, çështja kryesore ishte ajo që përmenda në fillim: çfarë duhet të bëj që të shpëtohem? Përgjigja që Kisha Katolike pat dhënë gjatë Mesjetës dhe që vazhdon të jetë është (në mënyrë të përmbledhur) shiko tek Kisha. Përgjigja që Reformatorët zbuluan në Bibël ishte shiko tek Krishti me besim, vetëm tek Krishti, dhe vetëm me besim. Solus Christus dhe Sola Fide. Por që kjo betejë të zhvillohej, beteja e doktrinës së Shfajësimit vetëm me besim, që kjo betejë të fitohej, ajo duhesh mbajtur mbi fush-betejën e Shkrimit. Beteja duhej filluar, zhvilluar e mbaruar mbi Bibël. Dhe kjo domosdoshmëri bëri që motoja Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi, edhe pse ishte një kauzë në sfond, të kthehej në një kauzë dhe shkak kryesor për Reformimin e Kishës dhe të shoqërisë. Që nga ajo kohë termi Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi u bë thirrja e betejës për të tërë protestantët apo ungjillorët.

     Tani, kjo thirrje deklaron që vetëm Bibla ka autoritetin për të lidhur ndërgjegjen e besimtarëve. Protestantët i pranojnë shkallët e format e tjera të autoritetit si drejtuesit kishtarë apo civik, kredot, katekizmat e rrëfenjat e besimit. Por në ndryshim nga Katolikët e Ortodoksët i pranojnë këto si subjekte nën autoritetin e Perëndisë dhe të Biblës, si subjekte që forcën dhe autoritetin e tyre e kanë të derivuar nga Perëndia dhe Bibla. Asnjë nga këto autoritete nuk është absolute, asnjë nga këto autoritete nuk është sovrani, dhe çdo njëra prej tyre është e aftë për gabim. Asnjëra prej tyre nuk është në gjendje dhe as nuk e ka të drejtën për të lidhur ndërgjegjen njerëzore.

     Një keqkuptim i zakonshëm është që Reformacioni besonte se Bibla është e pagabueshme, ndërsa katoliket besojnë që Papa dhe Tradita janë ta pagabushmërit. Ky është shtrembërim. Çështja qëndron tek fjala vetëmSola. Kisha Katolike dhe Ortodokse beson që ka dy burime të pagabueshme drejtimi: Bibla dhe tradita apo Kisha. Për këtë arsye, ata nuk lejonin askush që të lexonte apo interpretonte Biblën vetën nëse ai ishte i shuguruar apo dorëzuar murg apo prift. Por kjo ishte tamam ajo që Martin Luteri dhe reformatoret e tjerë deklaruan dhe që çoi në përjashtimin e tyre nga Kisha dhe formimin e Kishës së Reformuar. Djalli – shkruan diku Luteri – fshihet prapa detajeve. Dhe detaji në këtë çështje është tek fjala Solavetëm. Sola Scriptura, vetëm Shkrimi është gjyqtari suprem që shqyrton e vendos për të gjitha polemikat e besimit, dekretet e kishës, opinionet e shkrimtarëve të lashtë, doktrinat e njerëzve dhe frymërat e ndryshme, të vetmet vendime të të cilit e mbi të cilat mund të mbështetemi.

     Sola Scriptura është kështu pra thirrja e e betejës e reformacionit, e Kishës protestante e ungjillore, ka qenë gjithmonë e duhet të jetë gjithmonë. Por si duket situata sot? Deklarata e Kembrixhit, dokumenti që ju kam shpërndarë sot, është një dokument shumë i rëndësishëm pasi është një riafrimin dhe shpallje e besimit e shkruar më 1996 nga Aleanca e Ungjillorëve Rrëfenjës, një grup protestantësh apo ungjillorësh nga Kisha Luteriane dhe të Reformuara e Presbiterianë si kjo e jona, të cilët ishin të shqetësuar për gjendjen e Kishës ungjillore kudo nëpër botë. Ajo thotë në parathënien e saj:

Sot, drita e Reformacionit është zbehur jashtë mase. Si pasojë, fjala “ungjillore” është bërë aq gjithëpërfshirëse sa e ka humbur kuptimin. Ne rrezikojmë që të humbim unitetin dhe identitetin që është arritur për shekuj të tërë.

Dhe më poshtë në kapitullin e parë:

Vetëm Shkrimi është standardi i pagabueshëm i jetës së kishës, por sot kisha ungjillore e ka ndarë Shkrimin nga funksioni i tij autoritar. Praktikisht, shpesh kisha udhëhiqet prej kulturës. Teknikat terapeutike, strategjitë e marketingut dhe ritmi i botës së argëtimit kanë më shumë autoritet mbi dëshirat e kishës, funksionimin dhe çfarë ofron sesa Fjala e Perëndisë. Pastorët kanë neglizhuar mbikëqyrjen e tyre të ligjshme mbi adhurimin, duke përfshirë edhe përmbajtjen doktrinore të himneve. Me braktisjen në praktikë të autoritetit biblik, me venitjen e të vërtetave të tij nga vetëdija e krishterë dhe humbjen e spikatjes së doktrinave biblike, integriteti, autoriteti moral dhe drejtimi i kishës sa vjen e zbrazet.

Në vend që të adoptojmë besimin e krishterë për të kënaqur nevojat e konsumatorëve, ne duhet të shpallim ligjin, si i vetmi standard i drejtësisë së vërtetë dhe ungjillin, si njoftimi i vetëm i të vërtetës shpëtuese. E vërteta biblike është e domosdoshme për njohjen, edukimin dhe disiplinën e kishës.

Shkrimi duhet të na shpjerë përtej nevojave tona të perceptuara, tek nevojat tona të mirëfillta dhe të çlirojë nga të shikuarit e vetes përmes pamjeve, klisheve, premtimeve e përparësive të kulturës masive. Vetëm në dritën e të vërtetës së Perëndisë e kuptojmë vetveten si duhet dhe shohim çfarë siguron Perëndia për nevojat tona. Prandaj, Bibla duhet të mësohet e predikohet e mësohet në kishë. Predikimet duhet të jenë shtjellime të Biblës e mësimeve të saj e jo shprehje të mendimeve të predikuesit ose ideve të epokës. Ne duhet të synojmë vetëm për atë që ka dhënë Perëndia.

Vepra e Frymës së Shenjtë në përvojën personale nuk mund të shkëputet nga Shkrimi. Fryma nuk flet në mënyra të pavarura nga Shkrimi. Pa Shkrimin ne nuk do ta kishim njohur kurrë hirin e Perëndisë në Krishtin. Prova e të vërtetës është Fjala biblike e jo përjetimet shpirtërore.

Ne pohojmë se Shkrimi i pagabueshëm është i vetmi burim i zbulesës së shkruar hyjnore dhe vetëm ai mund ta lidhë ndërgjegjen. Vetëm Bibla mëson gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë nga mëkati dhe është standardi me anë të të cilit duhet të vlerësohet e tërë sjellja e krishterë.

Krishti, kur iu lut Atit Perëndi tha: At, shenjtëroi ata përmes të vërtetës. Vetëm Fjala juaj është e vërtetë. Vetëm Fjala jote shenjtëron, Vetëm Fjala, Sola Scriptura. Perëndia i shenjtërisë dhe i Fjalës, na dhëntë vendosmërinë për të marrë fjalën, për ta studiuar atë, për ti ju nënshtruar asaj, për të gjetur shpëtim në të, për tu shenjtëruar përmes saj dhe për të bashkuar përmes saj dhe vetëm përmes saj. Amen.