Si mund të kthehet Dita e Zotit në kënaqësi?

  • on 29/01/2018

Si mund të kthehet Dita e Zotit në kënaqësi?

Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua, 14 do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur. – Isaia 58:13–14

Dita e Zotit nuk ka të bëjë me kënaqësinë tonë, nuk është për të bërë gjërat ashtu siç duam ne që t’i bëjmë, nuk është as për të folur fjalët që duam të flasim; përkundrazi, është një ditë për të kënaqur Zotin, për bërë gjerat që kënaqin Zotin, dhe për të gjetur kënaqësi në gjerat që kënaqin Zotin. Le të kthehemi nga shkelja e Ditës së Zotit. Ne e duam ditën e Zotit, sepse është e tij. Çdo orë e tij është e dashur për ne – më e ëmbël se mjalti, më e çmuar se ari. Është dita kur Ai u ngjall për drejtësimin tonë. Kjo na kujton dashurinë e Tij, punën e Tij të përfunduar dhe pushimin e Tij. Kështu, mund të themi me siguri se ai njeri që nuk e do Zotin Jezu Krisht, nuk e do as Ditën e Tij, dhe ai që shkel Ditën e Zotit, nuk e do as të Zotin e Ditës.

Si të gjejmë kënaqësi në ditën e Zotit?

Hapi i parë është të shohim Ditën e Zotit sikur Shkrimi na e tregon atë të jetë, dhe ta quajmë atë në zemrat tona një kënaqësi të vërtetë. Nëse në zemrat tona nuk i përmbahemi Ditës së Zotit si dita më e rëndësishme e javës, si dhe mbi të gjitha si dita e Tij, atëherë kurrë nuk do të kënaqemi vërtet në të.

Së dyti dhe praktikisht, ne duhet të përgatitemi paraprakisht fizikisht për shijimin e saj. Nëse dita më e rëndësishme e javës është Dita e Zotit, atëherë në mënyrë ideale, ju do të jeni gjithmonë duke pritur të dielën e ardhshme. Çdo njeri e pret me gëzim dhe përgatitje një festë të shënuar, ndoshta një ditëlindje, festimin e Natës së Vitit të Ri, ditën kur do të shkojnë për vizitë tek një i afërm jashtë Shqipërisë, etj. Të gjithë ne i presim me gëzim këto raste dhe përgatitemi fizikisht për to. Ky duhet të jetë qëndrimi ynë praktik ndaj Ditës së Zotit. Ashtu siç përgatitemi paraprakisht për një pushim të këndshëm, le të përgatitemi në ato gjashtë ditë, për ditën e Zotit. Ashtu Izraeli u urdhërua në shkretëtirë që të bënte pikërisht këtë gjë (Eks. 16: 2-30), kështu edhe ne duhet të përgatitemi paraprakisht, në mënyrë që ne të mos mbajmë barra të panevojshme në ditën e Tij. Kështu, çdo përgatitje duhet të mbarojë deri të shtunën në darke. Pazarin që zakonisht e bëjmë të dielën, larje e hekurosje, riparime apo lyerje të shtëpisë, Përpiquni të bëni sa më shumë përgatitje një ditë më parë. Bëni të shtunën ditën e pastrimit dhe të përgatitjes së vetes dhe të shtëpisë. Këto nuk janë kërkesa ligjore, por sugjerime të mira.

Me fjalë të tjera, parimi këtu është të bëjmë të gjitha ato gjëra fizike që janë të panevojshme në Ditën e Zotit në gjashtë ditët para të dielës. Komentatori puritan Mateo Henri thotë, “Dita e Sabatit është një ditë tregu, një ditë korrjeje për shpirtin; kjo është një mundësi e rëndësishme, – është koha e duhur për të bërë ato gjëra shpirtërore që nuk bëhen fare gjatë javës, ose jo kaq mirë sa të Ditën e Zotit: tani, në qoftë se kjo ditë do të shpërdorej për të mbaruar punën e ditëve tgë tjera, shpirtrat tanë do të ngelen të varfër dhe të lënë pas dore”. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përgatisim fizikisht për Ditën e Zotit.

Së treti, dhe mbi të gjitha, ne duhet të përgatitemi frymësisht. Riçard Steele, duke folur shpërqendrimin që shumë njerëz kanë gjatë shërbesës së adhurimit, thotë se një nga arsyet që ndjehemi të shpërqendruar gjatë adhurimit është sepse nuk jemi të përgatitur siç duhet për të. Ai citon nga Jobi 11:13-15, “Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua, 14 në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua, 15 atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë.” Pra, ne duhet të përgatisim zemrat tona për të Dielën dhe për adhurimin e Perëndisë. Para se të vijë e Diela, Dita e Zotit, shkoni te Zoti në lutje. Rrëmoni në zemrën tuaj për të gjetur mëkatet e javës dhe pendohuni, kthehuni tek Perëndia. Kështu, kur të jeni gati të adhuroni Zotin, do të jeni të patundur dhe pa frikë, dhe të pashqetësuar. Lutuni për pastorin dhe drejtuesit e kishës që Zoti do t’i përdorë ata për lavdinë e Tij dhe për bekimin tuaj. Lexoni Biblën gjatë javës dhe meditoni mbi ato që lexoni. Bëje këtë gjë veçanërisht të Shtunën në darke. Siç thotë Tomas Uatson, “Përgatitja e mbrëmjes do të jetë si akordimi i një instrumenti, ai përshtatet zemrën më mirë për detyrat e Sabatit që vjen të nesërmen”.

 Çfarë duhet të bëjmë me pjesën tjetër të ditës së Zotit

Kur vjen e Diela, ne duhet ta shpenzojmë të tërë atë ditë në aktet publike të adhurimit dhe të mëshirës. Duhet të shkojmë të adhurojmë së bashku me bashkësinë tonë lokale (Heb 10: 24-25), dhe dëgjojmë Jezu Krishtin të na flasë në zemrat dhe mendjet tona. Por le të mos harrojmë që e tërë e Diela është e Zotit, dhe jo vetëm dy orë në mëngjes. Për ju që keni menduar apo vepruan në këtë mënyrë të gabuar më parë, më lejoni t’ju jap disa sugjerime të dobishme. Çfarë duhet të bëjmë pas shërbesës së adhurimit? Është e lehtë të mbash ditën e Zotit derisa të mbarojë koha e adhurimit në mëngjes. Por si mund të kthehet në një kënaqësi të perëndishme edhe pjesa tjetër e ditës së Zotit? Ka shumë gjëra që ne që të bëjmë për të nderuar Zotin, për të kërkuar kënaqësinë e Tij dhe jo tonat, e për të shenjtëruar të tërë ditën e Zotit.

Së pari, kultivoni shpirtin tuaj në prezencën e Perëndisë. Kaloni ca kohë shtesë në lutje, në leximin e Shkrimeve të Shenjta, në meditim dhe në leximin e një larmie të shëndoshë të literaturës së Reformuar. Ruaje e përdore si thesar të shtrenjtë këtë kohë vetëm për vetëm me Perëndinë.

Së dyti, adhurojeni Perëndinë në mbrëmje. Shembulli biblik është që ne të kemi dy shërbesa adhurimi të dielën, në mëngjes dhe në mbrëmje. Këto dy shërbesa të marra së bashku sigurojnë që e tërë Dita e Zotit fillon e mbaron me adhurim, është e mbushur me ushqim shpirtëror, me kënaqësitë e Perëndisë dhe bekimin e tij. Nëse kisha juaj nuk ka shërbim të dytë, adhuroni Perëndinë në shtëpinë tuaj duke lexuar predikime ose duke dëgjuar predikimet në internet të pastorëve të respektuar. Nëse nuk di se çfarë të zgjedhësh, kërkoji pastorit disa sugjerime. Udhëhiqni familjen tuaj në lutje dhe këndoni disa himne apo këngë adhurimi në mënyrë që koha juaj të ndihet sa më shumë që të jetë e mundur, si një shërbesë adhurimi.

Së treti, bëj atë që duhet të bëjmë çdo ditë të javës dhe ky është adhurimi familjar (L.Rip 6: 6-7). Nëse je beqar apo familjarët e tuaj janë jo-besimtarë, takohuni me besimtarë të tjerë në kishë për një kohë të përbashkët inkurajimi e diskutimi mbi mesazhin e mëngjesit apo të temave të tjera biblike. Për familjarët, jini mikpritës dhe ftoni ata që janë vetëm. Dita e Zotit është dita e përsosur për ta bërë këtë gjë. Qëllimi është gjithnjë për të pasur një kohë inkurajuese në biseda biblike dhe ndërtuese. Lutuni dhe lexoni Shkrimet së bashku. Këndoni himne dhe psalme së bashku. Familjet me fëmijë të ndihmojnë ata në memorizimin e Katekizmës së Fëmijëve apo të Katekizmës së Shkurtër. Këto sugjerime janë vetëm disa prej shumë gjërave që mund dhe duhet të bëjmë.

Së katërti, ju gjithashtu mund të shfrytëzoni mundësinë për të shkuar dhe për të vizituar ata që nuk janë në gjendje të vijnë në shërbesën e adhurimit për të adhuruar për shkak të shëndetit ose moshës. Mateu Henri thotë, “Leximi i Biblës me ta, përsëritja, leximi i katekizmit, këndimi i psalmeve, lutja, lavdërimi, diskutimi ndërtues; të gjitha këto janë disiplina të cilat, nëse bëhen me një zemër të perëndishme dhe të devotshme ndaj Perëndisë, do të prodhojnë një shumëllojshmëri kaq të këndshme veprash të mira, për të mbushur ato orë të ditës së Zotit që nuk janë shpenzuar në adhurimin publik ose në veprat e domosdoshmërisë dhe mëshirës, saqë do të kthehen në një bekim kaq të madh, aq sa nuk do të ankohemi se Dita e Zotit është një barrë por se kaloi shumë shpejt”.