Shfaqja e kishës protestante tek shqiptarët

  • on 12/04/2014

Shfaqja e kishës protestante tek shqiptarët

Gjergj_Qiriazi_(Kyrias)_1868_—_1912Protestantizmi shqiptar fillon prej vitit 1818, kur edhe bëhen botimet e para në gjuhën shqipe nga Shoqata Biblike, me autor Dr. V. Meksin.

Shoqëria Biblike e Huaj dhe Britanike, Komiteti Protestant për Perandorinë Osmane, Aleksandër Thomsoni, misionarë amerikanë, si dhe shumë figura shqiptare janë faktorët të cilët mundësuan lindjen e kishës protestante te shqiptarët. A. Thomsoni është ai i cili më së shumti i deshi dhe i ndihmoi shqiptarët gjatë Rilindjes Kombëtare, ndërmjet viteve 1860-1896. Një lloj reformacioni, në Ballkan erdhi vetëm pas Luftës së Krimesë 1856, kur Turqia detyrohet të bëjë lëshime. Shqipëria ishte vendi i fundit në gjithë perandorinë Osmane, për nga idetë e reformacionit. Përherë të parë erdhën dy amerikanë ungjillorë në Manastir vetëm në vitin 1873. Këta u vendosën me shtëpi afër familjes Qiriazi. Deri sot botërisht dihet se dy shqiptarët e parë që u bën protestantë, më 1876, ishin Nikolla dhe Dhimitri nga Manastiri. Një vit më vonë i krishterë bëhet edhe Gjerasim Qiriazi. Ndërsa deri në vitin 1882 familja ungjillore shqiptare, rritet në 36 besimtarë. Kështu edhe u krijua kisha e parë protestante në Manastir, te shqiptarët gjatë kohës së re. Në këtë vit për herë të parë u mbajt adhurimi, predikimi dhe lutja në gjuhën shqipe, ndërsa një historian i huaj ka thënë se kjo sigurisht se kishte ndodhur ndoshta vetëm para 1000 vjetëve në tokat ilire.

Më 1890, kur edhe Gj. Qiriazi merr titullin “predikues”- ungjilltar i popullit shqiptar, nga Kolegji Amerikan i Samokovës, hapet kisha e dytë protestante te shqiptarët, në Korçë. Shërbesat e para janë zhvilluar në objektin e shkollës së parë shqipe. Dy vjet më vonë, u formua shoqëria e parë kombëtare brenda Shqipërisë, me emrin “Vëllazëria Ungjillore”. Programi dhe statuti i saj shtrihej në tetë pika. Pika e parë thoshte: “Vëllazëria Ungjillore ka për qëllim shpërndarjen e ungjillit në gjuhën shqipe, si dhe zhvillimin e letërsisë shqipe”. Në të njëjtin vit “Vëllazëria” vendosi që të botojë organin e saj “Letra e Vëllazërisë”. Kokë e këtyre punëve ungjillore ishte Gjerasim Qiriazi (1859-1894). Prandaj Gj. Qiriazi është Babai i kishës protestante shqiptare.

Lëvizja protestante te shqiptarët ka traditë 187 vjeçare, dhe sigurisht se nuk është “sektë” e këtyre ditëve. Asnjë lloj kishe, feje, religjioni apo besimi te shqiptarët nuk ishte lidhur për kombëtaren se sa kisha protestante. Gjithë komuniteti protestant në Shqipëri gjatë Rilindjes Kombëtare ishte ngritur në këmbë për të hapur shkolla shqipe, për të shkruar libra shqipe, për ta bërë shqipen gjuhë liturgjike, për ta ndihmuar atdheun, për të qenë shqiptarë. Mbi 100 dokumente gjenden sot në Britani të Madhe, Amerikë, Austri, Turqi, Shqipëri që i tregojnë këto fakte. Jo rastësisht Gj. Qiriazi zgjodhi jugun e Shqipërisë që të përhap protestantizmin, ndërsa jetoi në veri, dhe ishte i vetmi romantik shqiptar i cili edhe e vizitoi Kosovën (Prishtinën në vitin 1884) Priftërinjtë grekë dhe fanariotët e tyre në Shqipëri si dhe Patrikana greke me ngulm kërkonte nga Porta e Lartë që ta ndalonte këtë fe të re. Ata ankoheshin: prej se po predikon Qiriazi, feja jonë po shkatërrohet në Shqipëri.

Krerët protestantë: Vangjel Meksin, Grigor Gjirokastrin, Panajot Kapitarin, Naum Veqilharxhin, Koto Hoxhin, Nikollë Naçon, Gj. Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Petro Nini Laurasi, K. Kristoforidhi, Thanas Sina, Kristo Shuli, Sevasti Qiriazi etj.

Shumica e romantikëve shqiptarë e ndihmuan, e simpatizuan dhe e admiruan lëvizjen protestante shqiptare si: Elena Gjika, Asdreni, Konica, Noli, Naim Frashëri dhe shumë e shumë të tjerë. Naimi ishte ai i cili e ndihmoi lëvizjen protestante, dhe në takimet që kishte me Gjerasimin, ai insistoi që në librat e tyre të përdorin vetëm alfabetin latin.