• on 01/04/2017

Rëndësia e Shërbesës së Lutjes

            Çdo kishë biblike, me një jetë reale shpirtërore me Krishtin, ka në qendër të saj jo vetëm shërbesën e Fjalës, por edhe shërbesën e lutjes. Kjo në shumë kisha, është e organizuar përmes rubrikës së lutjes pastorale apo të lutjes së bashkësisë gjatë shërbesës të së dielës,  përmes lutjeve hapëse apo mbyllëse gjatë studimeve biblike apo aktiviteteve të ndryshme që organizon një kishë, por mbi të gjitha përmes shërbesës së lutjes që shumë kisha kanë diku në mes të javës. Ne jemi të thirrur që të lutemi. Ne jemi të thirrur që të lutemi për njëri-tjetrin. Por ne jemi të thirrur që të lutemi edhe me njëri-tjetrin, dhe kjo shkurtimisht është arsyetimin biblik i shërbesave të lutjes.  Një kishë pa lutje është një kishë pa jetë, pa dritë, pa fuqi.  Për këtë arsye apostulli Pal shkroi “Lutuni pa pushim.” (1 Sel. 5:17).

Sa e rëndësishme është lutja?

Rëndësia e lutjes mund të shikohet së pari në faktin që ka rreth 650 lutje që përmenden në Bibël. Në Dhiatën e Re gjejmë 25 herë Jezusin duke u lutur gjatë shërbesës së tij këtu në tokë. Nëse Jezusi e kishte të rëndësishme dhe të domosdoshme që ti lutej Atit, aq më shumë ne që jemi shumë herë më të dobët se Ai, kemi nevojë që të marrin hir e fuqi prej Atit përmes lutjes. Apostulli Pal përmend lutjen, raportime lutjesh, kërkesa lutjesh dhe inkurajime për tu lutur rreth 41 herë në letrat e tij dhe Veprat e Apostujve. Jezusi u dha dishepujve jo vetëm shembullin e tij të një jete lutëse (Marku 1:35), por edhe i dha atyre instruktime të hollësishme se si duhet të lutemi (Luka 11:1-4; Mateu 6:1-15; 7:7-12). Kisha e hershme ishte një kishë që lutej (Veprat 1:14; 2:42; 4:23-31; 13:1-3).

Së dyti, lutja është një mënyrë se si ne i shërbejmë Perëndisë dhe i bindemi atij (Luka 2:36-38). Ne lutemi sepse Perëndia na urdhëron që të lutemi (Filipianëve 4:6-7).

Së treti,ne lutemi sepse Perëndia ka vendosur që lutja të jetë mënyra përmes së cilës ne duhet të marrim bekimet e tij. Ne duhet të lutemi përpara se të marrim vendime të rëndësishme (Luka 6:12-13), që të thyejmë barrikadat dhe rezistencën demoniake në këtë botë (Mateu 17:14-21), për të grumbulluar punëtorë për të mbledhur të korrat shpirtërore (Luka 10:2), për të marrë fuqi për të kapërcyer tundimet (Mateu 26:41); si dhe për mjetet e inkurajimit shpirtëror për të tjerët (Efesianëve 6:18-19).

Cila është siguria e lutjes?

Perëndia na ka premtuar që asnjë prej lutjeve tona nuk do të shkojë kot, edhe pse shpesh herë Ai i përgjigjet atyre me mënyrën e tij dhe jo me specifikat tona (Mateu 6:6; Rom. 8:26-27). Ai na ka premtuar se kur ne lutemi në përputhje me vullnetin e tij, Ai do të na japë çfarë ne i kërkojmë (1 Gjonit 5:14-15). Ndonjëherë ai i vonon që të përgjigjet në përputhje me urtësinë e tij dhe për bekimin tonë. Në këto raste, ne duhet që të jemi të zellshëm dhe ngulmues në lutje (Mateu 7:7; Luka 18:1-8). Lutja nuk duhet parë si mënyra jonë për ta detyruar Perëndinë që të bëjë vullnetin tonë këtu në tokë, por si instrumenti që Perëndia përdor për të bërë vullnetin e tij qiellor këtu në tokë. Urtësia e Perëndia ia kalon pafundësisht urtësisë tonë.

Në ato raste kur nuk jemi të qartë apo të sigurt se cili është plani specifik i Perëndisë, lutja është mjeti për ta zbuluar atë. Nëse gruaja Siriane me vajzën e dejonizuar nuk do ti ishte lutur Krishtit, vajza e saj nuk do të qe shëruar (Marku 7:26-30). Nëse i verbëri jashtë Jerikosë nuk do ti kishte thirrur Krishtit, ai nuk do të kishte ngelur i verbër (Luka 18:35-43). Perëndia thotë se ne nuk kemi sepse nuk kërkojmë (Jakobi 4:2).

A duhet të lutemi së bashku?

            Sigurisht që po. Ky është vullneti i Perëndisë për jetën tonë, dhe ata të krishterë që e refuzojnë këtë gjë, jo vetëm i rebelohen Perëndisë në këtë pikë, por edhe tërheqin pakënaqësinë e tij mbi veten e tyre, trishtojnë Frymën e Shenjtë, përçajnë bashkësinë, nuk inkurajojnë të tjerët me lutjet e tyre, nuk kanë marrëdhënie horizontale me trupin e Krishtit, rrëfejnë sektarizmin, arrogancën dhe egoizmin e tyre sepse nuk e duan praktikisht dhe në mënyrën më intime trupin e Krishtit dhe të tjerët, dhe e gjitha kjo vjen sepse marrëdhënia e tyre vertikale me perëndinë vuan nga të njëjtat probleme, vetësiguri, arrogancë, individualism, egoizëm dhe madje edhe injorancë të vullnetit të Perëndisë dhe rrezikut që i kanoset nëse vazhdojnë në këtë rrugë. Ishte ky pikërisht mëkati dhe qëndrimi i të krishterëve në Korint. Prandaj Pali tha se ata që nuk dallojnë trupin e Zotit, dhe këtu ai i referohet trupit lokal të Zotit, bashkësisë lokale, ai person tërheq dënimin e Perëndisë mbi vete. Për këtë thotë Pali, ju jeni të dobët e të sëmurë, dhe sëmundja e dobësia që ai i referohet këtë është ajo shpirtërore.

            Kisha e Apostolike, që në fillim të jetës së saj ishte një kishë që lutej në bashkësi. Kisha e Apostolike u lind në lutje. Gjëja e parë që kisha e parë bëri pasi panë Krishti të ngjitej lart ishte që të shkonte në një takim lutje të përbashkët (Veprat 1:13-14); zgjodhën Matian përmes lutjes si apostulli që do të zëvendësonte Judën (Vep. 1:24-25). Fryma e Shenjtë Zbriti mbi ta ditën e Rrëshajave kur “ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend,” (Vep. 2:1). Në një mendje të vetme, është një frazë biblike që Luka përdor për t’iu referuar shërbesës së përbashkët të adhurimit dhe lutjes. Këtë bënte kisha Apostolke edhe pas rritjes së saj numerike siç lexomë tek Veprat 2:42 dhe 46. Ngulmi ishte në lutje, fjalë e sakramente, por ishte ngulmin i përbashkët, në një shërbesë të përbashkët. Po kështu, ishte gjatë shërbesës së përbashkët të agjërimit dhe lutjes që Fryma foli për veçimin e Barabës dhe Palit për veprën e ungjillizmit dhe kishë-mbjelljes në të gjithë Evropën.

            Të gjitha instruktimet për lutje që gjenden në letrat e Dhiatës së Re janë instruktime për lutje të përbashkët si bashkësi sepse ato letra u janë dërguar bashkësive (me përjashtim të letrave drejtua Filemonit, Timoteut dhe Titit, por që edhe këto kanë në thelb jetën në bashkësi).

            Ne duhet të lutemi së bashku gjithashtu edhe për shkak të nëntë përfitimeve që marrim kur lutemi në grup.

(1) Lutjet bëhen më të fuqishme. Krishti tha, “në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im që është në qiej” (Mateu 18:19). Fuqia e lutjes rritet kur ne bashkohemi me motra e vëllezër në Krisht, duke bashkuar zemrat e duke i kërkuar bashkërisht bekime Atit Qiellor.

(2) Gëzimi i lutjes rritet kur ndajmë me të tjerët gëzimin e lutjes. Kur ne lutemi me të tjerët në i shtojmë gëzimit tonë gëzimin e të tjerëve, dhe i shtojmë gëzimit të tyre gëzimin tonë. “Bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj” është fraza që përdor Pali tek 2 Kor. 1:24.

(3) Lutja e përbashkët rrit lavdinë e Perëndisë. 2 Kor. 1:11 flet se si të luturit së bashku përfshin të tjerët në veprat e shpëtimit e shenjtërimit dhe kështu i sjell një lavdi më të madhe Perëndisë kur ai i përgjigjet lutjeve.

(4) Shërbesë dhe mision shumëfish më i frytshëm. Perëndia dëshiron që ne të lutemi së bashku për ato gjëra që kanë të bëjnë me Dërgesën e Madhe (Mateu 28:19-20). Pali e modeloi këtë kur u kërkonte kishave që të luteshin për misionin (Rom. 15:30-32; 2 Kor. 1:11; Efe. 6:18-20; Kol. 4:3-4; 2 Sel. 3:1). Ai e dinte se fryti do të ishte shumë më i madh nëse të tjerët do të bashkoheshin me të në lutje.

(5) Kisha që lutet së bashku qëndron së bashku. Të luturit së bashku është mënyra më e mirë për të kultivuar unitetin dhe dashurinë në kishë sepse kisha është aktiviteti më intim që dy njerëz mund të bëjnë së bashku. Në fakt kjo shpjegon se përse ne nuk preferojmë që të lutemi së bashku. Sepse shkon kundra egoizmit dhe individualizmit që na karakterizon. Përmendëm Vep 1:14 dhe 1:24-25. Lutja së bashku është efekti i unitetit që ne kemi të përbashkët në Krishtin, por në të njëjtën kohë edhe shkaku e katalizatori për një unitet më të thellë dhe më të pasur në të.

(6) Përgjigje që nuk merren ndryshe. Lexo Jakobin 5:14-16. Aty nënkuptohet se ka lutje që nuk marrin përgjigje nga Perëndia vetëm nëse ato bëhen së bashku me të tjerët, veçanërisht me pleqësinë apo pastorë të kishës. Perëndia pret që ti përgjigjet disa lutjeve vetëm pasi të tjerët i janë bashkuar atyre.

(7) Mëson dhe rritesh në lutje. Ky është një përfitim tjetër i të luturit së bashku. Mënyra më e mirë për të mësuar se si të lutesh është që të lutesh me të tjerët, veçanërisht kur dëgjon se si lutjet e të tjerëve janë të mbushura me Shkrimet dhe kontrollohen prej Fjalës së Perëndisë.

(8) Njohim më mirë njëri-tjetrin. Njohja më intime që mund ti bësh tjetrit është në lutje. Dhe ndoshta kjo është ndroja jonë kundrejt lutjes së përbashkët. Të tjerët do të shikojnë se sa të dobët jemi, sa pak e njohim biblën, sa pak e njohim mendjen e Krishtit për sa i përket pikave të lutjes dhe mënyrave të tij, se sa e thatë është jeta jonë private shpirtërore, etj. Kjo ndodh sepse në prezencën e Perëndisë është më e vështirë të shtiresh, sepse jemi të ndërgjegjshëm përpara Tij. Por ndërsa të tjerët na njohin ne, edhe ne i njohim ata në mënyrë më intime, dhe i duam ata edhe më shumë.

(9) Njohim Jezusin më mirë. Mbi të gjitha, në lutje ne bashkohemi, kemi intimitet, e njohim më mirë vetë Krishtin Jezus, kur ne bashkohemi në dashuri e intimitet me ata që e duan Krishtin si edhe ne. Çdo pjesë e trupit të Krishtit është një faqe apo në një kënd tjetër i vetë Krishtit. Përjetimet dhe personalitet e gjithsecilit prej nesh reflektojnë një pjesë e karakterit dhe lavdisë së Jezusit. Duke u lutur me të tjerët, ne shikojmë e përjetojmë ato aspekte e faqe të tjera të personit të Krishtit. Dhe kur kujtojmë se, arsyeja kryesore e lutjes nuk është që të marrim gjëra prej Perëndisë, por njohja e tij dhe marrja e tij, ndoshta vetëm ky përfitim duhet të jetë i mjaftueshëm për të të frymëzuar ty që të bëhesh një pjesëtar besnik i lutjes në grup dhe veçanërisht i shërbesës së lutjes në mes të javës.

Përse nuk lutemi sa dhe si duhet?

Kur ne nuk lutemi ne demonstrojmë mungesën e besimit tonë tek Perëndia dhe Fjala e Tij. Ne lutemi sepse i besojmë Perëndisë dhe Fjalës së Tij, dhe se ai i qëndron besnik premtimeve që na ka dhënë dhe instrumenteve që ai ka vendosur që ne të përdorim për bekimin tonë dhe të tërë botës shumë më shumë nga çfarë ne mund të imagjinojmë (Efe. 3:20). Lutja është mjeti kryesor nëse duam të shikojmë Perëndinë të veprojë në jetët tona. Le të na gjeje Perëndia shpesh në lutje, të tërë së bashku, përpara fronit të tij në qiell duke u lutur, sepse atje ne kemi një kryeprift i cili identifikohet me të tëra dobësitë tona (Hebrenjve 3:15-16). Ne kemi premtimin e tij se lutjet plot zell të popullit të tij realizojnë shumë gjëra në këtë botë (Jakobi 5:16-18). Perëndia e lavdëroftë emrin e tij në jetët tona ndërsa ne i besojmë atij praktikisht, dhe aq shumë sa të shkojmë shpesh tek ai në lutje.