01. Hyrje: Rëndësia e Librit të Ruthit

Libri i Ruthit është një prej librave më të vjetër të Dhiatës së Vjetër. Ngjarjet e saj ndodhën mbi tre mijë e treqind vite më parë. E megjithatë temat e saj janë temat, problemet, vështirësitë dhe nevojat e një familje tepër të ngjashme me çdo familje shqiptare sot. Varfëri, emigracion, vdekje, vetmi, hidhërim, depresion, por edhe shpresë në Shpenguesin e caktuar nga Perëndia. Libri i Ruthit nuk është një traktat i thellë teologjik me një logjikë të çeliktë si libri i Palit drejtuar Romakëve, e megjithatë është plot teologji. Libri nuk është një simfoni madhështore që shpalos veprën e Krishtit siç është Ungjilli i Gjonit, por është plot me Krishtin që po vinte në botë. Libri nuk përmban imazhe të jashtëzakonshme apokaliptike si Libri i Zbulesës, e megjithatë përshkruan detajet e punës së Perëndisë në ngjarjet shpalosëse të historisë së shpëtimit. Libri nuk është një instruktim didaktik i jetës në Mbretërinë e Perëndisë siç është Predikimi i Krishtit në Mal, e megjithatë përmban instruktime absolutisht thelbësore mbi jetën tonë në atë mbretëri.

Këto janë vetëm disa arsye të shpejta se përse lexuesi modern, mbi të gjitha të Krishterët e Dhiatës së Re, duhet që të vlerësojnë, lexojnë e studiojnë librin e Ruthit. Qëllimi ynë në këtë studim të parë është që të zbulojmë arsyet e shumta që ne kemi për ta studiuar dhe dashur këtë libër. Këtë do ta bëjmë duke studiuar qëllimet e shumta të librit, temat e shumta që gjenden në të, dhe mbi të gjitha se si na lidh ajo me Krishtin Jezus. Cilat janë pra disa arsye që ne kemi për ta studiuar këtë libër? Cilat janë temat dhe qëllimet kryesore të saj? Si gjendet Krishti në të? Le ti shikojmë ato të përmbledhura në nëntë kategori kryesore:

Fjala e Perëndisë

Libri i Ruthit është pjesë e Shkrimeve të cilat Zoti Jezus i deshi aq shumë. Ai tha, “dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë” (Gjoni 10:35). Ai tha, “Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë e asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka” (Mateu 5:18). Përse është kështu? Për tre arsye kryesore:

Së pari, sepse i tërë shkrimi është hyjnisht i frymëzuar nga Perëndia. Pali tha, “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mire” (2 Tim. 3:16-17). Pjetri tha, “Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pje. 1:21). Për këto arsye, libri dhe mesazhi i Ruthit është hyjnor, autoritar, dhe absolutisht i vërtetë e i nevojshëm për ne sot.

Së dyti, sepse libri i Ruthit, si edhe të gjitha librat e tjera të Dhiatës së Vjetër, u shkrua për ne sot, për të Krishterët e Dhiatës së Re, që jetojnë nën Besëlidhjes e Re në Krishtin Jezus. Kjo do të thotë, se Ruthi, si edhe çdo libër tjetër i Dhiatës së Vjetër është i aplikueshëm për ne sot. Pali shkroi, “Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët” (1 Kor. 10:11). Këto fjalë Pali ua shkroi Korintasve që nuk ishin Judenj por jo-Judenj siç edhe ne Shqiptarët. Pali ua shkroi besimtarëve të Kishës në Korint, shumë vite pas Krishtit, anëtarë të Besëlidhjes së Re në Krishtin Jezus. Në këtë kategori bëjmë pjesë dhe ne. Këto ngjarje ndodhën për ne, për përfitimin, instruktimin dhe bekimin tonë. Le të mos harrojmë se si populli i Perëndisë së Dhiatës së Re ashtu edhe ai i Dhiatës së Vjetër kanë të njëjtin Shpëtimtar, u shpëtuan nga i njëjti hir sovran i Perëndisë, përmes besimit në të njëjtin Perëndi Jehova. Pali shkroi, “të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti” (1 Kor. 10:3-4). Kjo do të thotë se historia e Dhiatës së Vjetër, se Libri i Ruthit është historia jonë sepse është historia e popullit të Perëndisë, e familjes tonë shpirtërore.

Së treti, Libri i Ruthit është për ne sepse në të ne na predikohet Krishti. Duke iu referuar Dhiatës së Vjetër, Zoti Krisht tha, “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39). Rrugës për në Emaus, ditën e Ringjalljes, dishepujve të tij, “duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij” (Luka 24:27). Romakëve, Pali u shkroi se librat e Dhiatës së Vjetër si ky i Ruthit, “të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë” (Rom. 15:4), dhe kjo në Krishtin Jezus. Pali i kujtoi Timoteut se “se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus” (2 Tim. 2:14). Shkrimet e Dhiatës së Vjetër na janë dhënë nga Perëndia sepse në to ne gjejmë Krishtin.

Si rrjedhim, ndërsa ne do të studiojmë në detaj këtë libër, ne do ti bëjmë disa pyetje vetes: Çfarë më mëson pasazhi nën studim? Cilat aspekte të jetës time personale, familjare dhe komunitare qorton ajo? Çfarë efekti transformues, shërues e shenjtërues ka pasazhi në jetën time personale dhe të bashkësisë së besimit? Si më trajnon ky pasazh që ti shërbej më mirë Krishtit dhe Kishës së Tij? Për këtë qëllim, ne do ta studiojmë këtë libër duke nxjerrë prej saj Doktrinën, qortimin, ndreqjen dhe instruktimin.

Histori Dashurie

Libri i Ruthit është një histori e mrekullueshme dashurie. Një komentues sugjeron që libri i Ruthit mund të jetë “novela më e bukur e dashurisë e shkruar ndonjë herë”. Kjo për disa arsye:

Së pari, lexuesi menjëherë përballet me një histori dashurie të një besnikërie besëlidhjeje dhe marrëdhënieve familjare. Kjo është dashuria dhe besnikëria e Ruthit ndaj Naomit. Qëndrimi i Ruthit ndaj vjehrrës së saj mund të përmblidhen me këto fjalë: “Sepse Jehova është Perëndia im, dhe sepse Ai është besnik ndaj nesh, për shkak të besimit tim në Zotin, në besëlidhjes e Tij, në besnikërinë e Tij, edhe unë do të qëndroj me ty, besnike në marrëdhënien e besëlidhjes që bëra me familjen tënde kur u bëra pjesë e saj.” Ky ishte qëndrimi dhe besnikëria e besimi i Ruthit. Po të njëjtin qëndrim do të ketë më pas Boazi ndaj Ruthit dhe ndaj të afërmes së tij Naomit, ndërsa kujdeset për të dyja ato, e madje i shpëton e shpengon të dyja ato. Mesazhi biblik për ne sot është i qartë: Marrëdhëniet familjare mund të mbijetojnë për shkak të hirit të përgjithshëm të Perëndisë, por ato lulëzojnë nën hirin shpëtues, shpengues e shenjtërues të Perëndisë.

Së dyti, Libri i Ruthit është një histori e mrekullueshme dashurie sepse ajo na tregon se si është dashuria e vërtetë. Sot bota flet shumë për dashurinë, por kupton e shumë pak prej saj sepse as nuk di dhe as nuk është në gjendje që ta përkufizojë atë siç duhet. Libri i Ruthit e bën këtë gjë për ne. Ai na shfaq dashurinë e vërtetë ndërmjet nuses dhe vjehrrës, ndërmjet sekseve të ndryshme, ndërmjet dhëndrit dhe nuset, se si duhet të jenë marrëdhëniet ndërmjet beqarëve, e mbi të gjitha dashurinë ndërmjet Krishtit dhe Kishës së Tij. Në të gjitha këto, Ruthi na tregon se dashuria e vërtetë largon mosbesimin dhe kapet fort pas popullit të Perëndisë dhe Zotit Jehova.

Së treti dhe mbi të gjitha, Libri i Ruthit na shpalos dashurinë shpëtuese të Krishtit për Kishën e Tij. Ky është një prej qëllimeve kryesore të librit, një prej temave kryesore të saj. Rrjedhimisht kjo është mënyra për ta lexuar këtë libër në mënyrë Kristologjike, pra për të gjetur Krishtin në të, dhe lidhjen tonë me këtë libër përmes Krishtit. Si ndodh kjo? Në këtë libër gjejmë Boazin, i cili me cilësinë dhe të drejtën e të farefisit-shpengues, kujdeset, por mbi të gjitha shpengon Naomin dhe Ruthin nga mjerimi ku kishin rënë. Kështu, në mënyrë tipologjike, Boazi është simbol i Krishtit që do të vinte, i cili si Vëllai i Madh, pra i afërmi-ynë-shpengues, do të shpëtonte popullin e Perëndisë duke e shpenguar atë nga mallkimi i mosbindjes e i rebelimit, dhe i pasojave të saj. Ashtu siç Boazi shpengoi Ruthin e Naomin, Krishti na shpengoi ne për veten e tij. Kështu dashuria e Boazit për Ruthit, dhe martesa e tyre është një metafore e Krishtit dhe Nuses së tij, Kishës, dhe e dashurisë sakrifikuese të Tij për të. Kështu, historia e dashurisë në Librin e Ruthit reflekton të gjitha temat kryesore të Biblës. Për të gjitha këto arsye, Libri i Ruthit është një histori madhështore dashurie, nga ato që bota nuk mund as të shkruajë e as të vlerësojë. Në këtë mënyrë ne shikojmë se cili është vendi i Ruthit në historinë biblike të shpëtimit që fillon me Zanafillën 3:15 dhe kulmon me Krishtin Jezus.

Gjenealogji Mbretërore

Një prej qëllimeve të librit të Ruthit është të na shpalosë gjenealogjinë e Mbretit David, dhe pas tij, edhe të Zotit Jezus. Kjo është lidhja tjetër e jona me Ruthin përmes Krishtit, dhe e vendit të saj në historinë e shpëtimit Zanafillë-Zbulesë që përmendëm më sipër. A mund të dalë një mbret i perëndishëm nga fisi i Judës? Përgjigja është po, dhe këtë përgjigje e jep libri i Ruthit. Ruthi ishte Moabite (1:4). Pra nuk ishte nga fisi i Judës. Ruthi ishte gjithashtu stërgjyshja e Davidit. A mund të jetë Davidi, një stërnip Moabit, mbreti i Judenjve dhe mbi të gjitha një mbret i perëndishëm? Përgjigja është po sepse ishte vetë Perëndia ai që, në providencën e tij sovranë, me mënyrat e tij misterioze, bëri që Ruthi të vinte ne Betlehem, të besonte në Perëndinë Jehova, të tregonte perëndishmëri shumë herë më të madhe se sa shpesh herë Naomi. Perëndia bëri që gjithashtu ajo të shpengohej nga Boazi, të bijësohej në bashkësinë e popullit të Perëndisë, të bëhej anëtare e besëlidhjes, kështu të merrte bekimin e Abrahamit duke u bërë pjesë e farës së tij, dhe kështu, me të drejta të plota ti përkiste Perëndisë dhe qëllimeve të tij për një linjë mbretërore Davidike. Por kjo është edhe lidhja tjetër e Ruthit me Krishtin dhe lidhja jonë tjetër me Ruthin përmes Krishtit. Mateu 1:2-6 na deklaron se  Krishti Jezus ishte Bir i Davidid, dhe kështu stërnip i Ruthit. Të birësuar në familjen e Birit të Perëndisë, me Jezusin si vëllanë tonë të madh, Naomi, Ruthi e Boazi bëhet realisht familja jonë e besëlidhjes, historia jonë e besimit, trashëgimia jonë historike e familjare.

Shpëtim për të Gjithë

Në këtë kontekst, një temë e mesazh tjetër madhështor del në pah: Së pari, Perëndia ka për qëllim që të shpëtojë nga çdo komb, nga çdo fis, nga çdo gjuhë, nga çdo gjini, nga çdo mëkat. Në gjenealogjinë e Jezusit ka katër gra: Tamara një Kananite dhe shkelëse kurore; Rahabi që ishte gjithashtu një Kananite dhe prostitutë; Ruthi që ishte një pagane Moabite; dhe Bath-Sheba një Hitite dhe kurorëshkelëse. Të gjitha këto u shpëtuan dhe u shpenguan nga Perëndia dhe u prunë në Mbretërinë e Perëndisë, dhe madje edhe u përdorën nga Perëndia për qëllimin e tij më të lartë: Atë të sigurimit të kontekstit të duhur për ardhjen e Mbretit Jezus Krisht. Në mënyrë sovrane, Perëndia shpëton mëkatarë nga çdo komb, i bën pjesë të popullit të tij, dhe madje të qëllimeve të tij për shpëtimin e gjithë botës. Perëndia gjithashtu shpëton gra, i shpengon e i çliron ato nga skllavëria e mëkateve të tyre, i vesh me dinjitet, i bën gra të perëndishme, dhe i vendos në gjenealogjinë nga e cila do të vijë Krishti. Krishti Jezus do të vinte që të shpëtonte mëkatarë të çdo gjinie, të çdo kombi, të çdo race, të çdo mëkati, e të çdo moshe. Shpëtimi i Perëndisë është për të gjithë. Dhe kjo është madhështore. Shpëtimi i Tamarës, i Rahabit, i Ruthit dhe i Bash-Shebës ishte kapari i atij shpëtimi të madh që Perëndia do të shtrinte mbi të gjithë botën duke filluar në mënyrë masive në Ditën e Rrëshajave. Sot, Perëndia po shpëton gjithashtu nga çdo spektër i shoqërisë, nga çdo spektër i mëkatit, nga çdo gjuhë e komb i botës.

Së dyti, nuk je kurrë tepër larg shpëtimit. Mesazhi tjetër i Ruthit, po në këtë kontekst, është edhe se nuk je kurrë tepër larg shpëtimit. Naomi u largua nga komuniteti i besëlidhjes por Perëndia e bëri që të kthehej tek gjiri i saj. Ruthi, një pagane, që nuk kishte qenë kurrë pjesë e besëlidhjes u bë gjithashtu pjesë e saj. Ashtu siç edhe në rastin e Djalit Plëngprishës, askush nuk është tepër larg hirit të Perëndisë sa të mos shpëtohet dot prej tij. Moabi ishte simboli i dënimeve të Perëndisë. Naomi u largua plot dhe la pas tokën e Perëndisë, premtimet e besëlidhjes së Perëndisë, shërbesën e adhurimit të Perëndisë, popullin e Perëndisë, dhe shkuan në Moab duke besuar se Moabi është zgjidhja. Por Moabi nuk ishte zgjidhja e jetës. Moabi doli që ishte vdekja, hidhërimi, dhe humbja. Por edhe në Moab nuk je tepër larg dorës së Perëndisë. Naomi la pas tokën e mosbindjes dhe të paganizmit, dhe u kthye në tokën e premtimeve, të besëlidhjes, të shpengimit, e të bekimeve. Askush nuk është tepër larg dorës shpëtuese të Perëndisë.

Providencë Sovrane

Tema e mesazhi tjetër qendror i këtij libri është edhe ai i providencës sovrane të Perëndisë. Qëllimi i librit të Ruthit është që të sjellë katastrofat dhe pikëllimet e jetës nën ndikimin dhe interpretimin e providencës sovrane të Perëndisë dhe të na tregoje së të gjitha qëllimet e Perëndisë janë të mira. Naomi nuk gënjeu kur tha, “i Plotfuqishmi më ka mbushur me hidhërim. Unë u nisa në bollëk dhe Zoti më ktheu në shtëpi të zhveshur nga çdo gjë…i Plotfuqishmi më ka bërë fatkeqe?” (1:20-21). Por pyetja që i përgjigjet libri është: A është hidhësia e providencës së Perëndisë fjala e fundit e tij në historitë tona? Libri i Ruthit na mëson se si të deshifrojmë providencën e Tij në jetët tona. Ndërsa ne shikojmë deshifrimin e providencës së tij në historitë biblike të shenjtorëve të tij që jetuan para nesh, ne fillojmë të vëmë re parime e modele të ngjashme me ato të jetës tonë, dhe kështu ne mësojmë që të vëmë re dhe deshifrojmë dorën e tij në jetët tona. Por mësimi kryesor që nxjerrim nga historia e Ruthit është se providenca e Perëndisë është në funksion të një plani tepër të gjatë e të detajuar të Perëndisë. Edhe pse Naomi, Ruthi dhe Boazi ishin personazhet kryesore të historisë që po u ndodhte, ata nuk kishin se si ta kuptonin qëllimin e Perëndisë. Dimë që ata kuptuan diçka prej këtij plani në fund të jetëve të tyre. Por planin e pa më të qartë Davidi dy gjenerata ë vonë. Por akoma më e qartë është për sytë tanë sot, se çfarë po realizonte providenca sovrane e Perëndisë. Si të Krishterë të Dhiatës së Re, ne kuptojmë shumë më shumë se sa Ruthi e Davidi se çfarë Perëndia po realizonte përmes providencës së tij në jetët e Naomit, Davidit dhe Boazit. Dhe mesazhi për ne sot është, që jo vetëm nuk duhet të nxitohemi në reagimin tonë me hidhërim ndaj providencës së Tij, por edhe duhet të reagojmë me besim, sepse përmes Ruthit, Ati qiellor na thotë: Ashtu siç veprova në jetët e tyre, po veproj edhe në jetën tënde. Ti vetëm beso dhe bindu edhe kur nuk kupton. Unë e di ekzaktësisht se çfarë po bëj me ty!”

Jetë njerëzish të zakonshëm

Në kontekstin e të jetuarit të providencës sovrane të Perëndisë, së pari, libri i Ruthit flet për jetë të zakonshme njerëzish të zakonshëm. Dhe kjo është tepër e rëndësishme për ne sot. Libri flet për njerëz ordiner, plotësisht të zakonshëm. Flet për një familje prej katër personash, si shumica e familjeve shqiptare sot. Një familje e varfër, plotësisht e zakonshme që shkon në emigrim në një vend të huaj. Një familje, që si shumë familje ungjillore sot, emigrojnë nga Shqipëria duke menduar vetëm për të mirat materiale, për qytetin ku mund të gjejnë punë, dhe pa menduar apo planifikuar se ku do të shkojnë në kishë, se ku do ta zhvillojnë jetën e besimit, nëse qyteti që kanë zgjedhur të jetojnë ka apo jo një kishë të mirë ungjillore ku Fjala e Zotit predikohet besnikërisht, dhe ku qëllimi i bashkësisë është lavdia e Perëndisë. Kjo është çfarë Naomi dhe Elimeleku bënë. Bijtë e tyre u martuan me gra pagane, dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Molla bie nën mollë. Sepse prindërit e tyre nuk e vlerësuan si të pazëvendësueshme komunitetin e besëlidhjes së besimit, edhe bijtë e tyre nuk e konsideruan si tepër të rëndë martesën e tyre me gra pagane. Si rrjedhim, ata ranë nën disiplinimin e Perëndisë. Çfarë ngelet është një vejushe në moshë e pa bij për tu kujdesur për të, dhe një vejushe e re por e huaj që vendosin të kthehen në Jude. Një jetë e zakonshme mosbindjeje, emigracioni, varfërie, vuajtjesh, vdekjesh, hidhërimi e depresioni.

Por libri i Ruthit është edhe jeta e njerëzve të zakonshëm plot besim tek Jehova. Ruthi e Boazi jetuan në kontekstin e një mungese veprash të jashtëzakonshme nga ana e Perëndisë. Në librin e Ruthit nuk lexon për asnjë mrekulli, vegime apo fjalë profetike, vepra madhështore shpengimi. Ato jetuan në një kohë kur Perëndia nuk bënte mrekulli spektakolare si në rastin e Detit të Kuq, nuk kishte profetë që të shpallnin me forcë Fjalën e Perëndisë, nuk kishte vizione e gjuhë të panjohura. Nuk lexon për asgjë të jashtëzakonshme ne librin e Ruthit. Por ajo që lexon është se Perëndia por punon në mënyra të zakonshme dhe të padukshme në jetët e njerëzve të zakonshmën, për ti shpëtuar, shpenguar, shenjtëruar e madje përdorur ata për qëllime shumë më të mëdha nga sa ata mendonin. Në këtë libër shikojmë punët e providencës së zakonshme të Perëndisë në jetët e zakonshme të njerëzve si ne sot.

Modele Besnikërie

Çfarë u tha më lart, e bën librin e Ruthit tepër të mrekullueshëm dhe instruktues për ne, sepse në të ne shikojmë modele të zakonshme besnikërie. Naomi, Ruthi e Boazi jetuan “në kohën kur qeverisnin gjyqtarët” (1:1). Si ishte ajo kohë? “Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.” (Gjy. 21:25). Ndërsa në atë kohë nuk kishte një mbret të mirë në Izrael, situata jonë sot është disa herë më e mjeruar. Por edhe në atë kohë kaosi moral si e jona, ne lexojmë për Ruthin dhe Boazin që ecin në besnikëri e bindje ndaj Perëndisë. Ne të gjithë kemi nevojë për modele të tilla besnikërie. Të gjithë kemi nevojë të shikojmë njerëz që ecin në dritë madje edhe në ditët më të errëta të kombit. Në Ruthin dhe Boazin ne kemi modele të perëndishmërisë femërore dhe mashkullore.

Së pari, Ruthi është modeli i femrës së Perëndishme. Në një epokë feminizmi gati shovinist, konfuzioni seksual, braktisje të marrëdhënieve tradicionale familjare, Ruthi është për në modeli i feminitetit biblik. Karakteri i saj, besimi, bindja, guximi, etika e punës, besnikëria e saj ndaj Naomit, janë kaq të pazakonta për botën moderne sa e bëjnë këtë libër një bekim për femrën moderne sot. Lavdërimi që komuniteti i bëri Ruthit tek Naomi ishte, “nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij” (4:15). Emri Ruth përkthehet “shoqe besnike”. Dhe tek Ruthi ju do të gjeni modelin e feminitetit të vërtetë, që nuk do ta gjeni dot as në televizor e as në botë.

Së dyti, Boazi është modeli i mashkullit të Perëndishëm. Ky libër nuk është vetëm për femrat por edhe për meshkujt. Në një epokë që nuk e di se cili është përkufizimi i mashkullit të vërtetë, që ngatërron egërsinë e dhunën, mashtrimin e ligësinë, përtacinë e kafeneve dhe fitimin e ligë e të shpejtë për burrëri, ne kemi nevojë për Boazin si modelin e burrit të vërtetë të perëndishëm. Kjo sepse Boazi ngihet mbi meshkujt e sotëm si njeriu që bënte gjënë e duhur në marrëdhëniet e tij të biznesit me punëmarrësit e tij, në kulturën e shoqërinë që e rrethonte, në ndihmesën e të varfërve, dhe mbi të gjitha në marrëdhëniet e tij me femrën. Boazi është modeli i burrit të perëndishëm.

Shërbesa e Mëshirës

Një prej qëllimeve të librit të Ruthit është që të na tregojë shqetësimin e Perëndisë për të varfrit, për jetimët, për vejushat dhe për të vuajturit e kësaj bote. Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia pat përcaktuar një sërë mënyrash të ndryshme se si duhej përmbushur shërbesa e mëshirës. Shumë prej tyre tingëllojnë të çuditshme sot. Por në thelb të gjitha ato kanë të njëjtat parime që përcakton edhe Pali në Dhiatën e Re. Komuniteti i besimit kujdeset për të vetët (Gal. 6:10), familjarët të kujdesen për të afërmit e tyre (1 Tim. 5:4), kisha të kujdeset për vejushat në moshë (1 Tim 5:3), dhe e vetmja zgjidhje për të dalë nga varfëria është puna dhe jo përtacia, ndihma sociale, apo lëmosha (2 Sel. 3:10). Kështu, në përputhje me ligjin e Moisiut tek Levetiku 19, shikojmë Boazin që krijon mundësi punësimi për Ruthin, dhe Ruthi që punon për të mbajtur vetën dhe Naomin (Ruthi 2). Ne do të shikojmë se sa shumë herë më i mëshirshëm është plani i Perëndisë që i varfëri duhet të punoje, dhe sa shkatërrues është filozofia statiste e sistemit socialist sot që thotë se shteti duhet që të kujdeset për të varfrit që rrinë kot.

Ungjilli i Krishtit

Së fundi dhe mbi të gjitha, libri i Ruthit predikon Krishtin. Kjo sepse libri i Ruthit flet për nevojën tonë për hirin e Perëndisë në jetën tonë, për nevojën tonë për një Shpengues, nga fisi i Judës, nga familja e Davidit, që Perëndia e përgatiti, e solli dhe e bëri jo vetëm Shpëtimtarin tonë, por edhe vëllanë tonë më të madh, i afërmi-shpengues për të gjithë ne që e gjejmë veten sot në Krishtin Jezus. Libri është një prej momenteve të marshimit të historisë drejt ardhjes së Krishtit, dhe të përmbushjeve të qëllimit shpëtues të Perëndisë në personin dhe në veprën e Birit të tij. Në fakt, libri i Ruthit nuk mund të kuptohet apo të predikohet siç duhet jashtë faktit të ardhjes së Zotit Jezus Krisht. Kështu, studimi i këtij libri do të na ndihmojë që të njohim Krishtin më mirë, dhe madje edhe të tërë Biblën më mirë.