• on 24/03/2017

PYETJA 11 E KATEKIZMIT TE RI

Katekizmi

Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e gjashtë, të shtatë dhe të tetë?

Së gjashti, të mos lëndojmë, urrejmë apo tregohemi armiqësorë me fqinjin tonë, por të jemi të duruar dhe paqësorë, duke treguar dashuri edhe ndaj armiqve tanë. Së shtati, të mos bëjmë imoralitet seksual dhe të jetojmë një jetë me pastërti dhe besnikëri, si në martesë ashtu dhe në beqari; të mënjanojmë çdo dëshirë, mendim, fjalë, shikim apo veprim të papastër dhe çdo gjë tjetër që mund ta na çojë drejt tyre. Së teti, të mos marrim pa leje atë që i përket dikujt tjetër dhe të mos i refuzojmë asnjë mirësi atyre që mund të kenë dobi prej saj.

Vargu Biblik – Romakeve 13:9

Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vrit, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo”, dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ”Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”

Komentar

Njeriu as që ka mundësi t’i zbatojë Dhjetë Urdhërimet. E megjithatë ai flet tepër lehtë për zbatimin e Predikimit në Mal apo për imitimin e Krishtit… Judenjtë ishin një popull të cilëve Perëndia tashmë ua kishte dhënë ligjin e tij përmes shërbëtorit të vet Moisiut dhe ata nuk mundën ta zbatonin. Ata nuk mundën t’i zbatonin Dhjetë Urdhërimet. Askush nuk i ka zbatuar ato ndonjëherë në mënyrë të përsosur. Nëse dikush nuk mund të zbatojë dot Dhjetë Urdhërimet, të paktën ashtu i kuptojnë ata, çfarë shprese do kenë për t’i zbatuar ato sipas mënyrës që u interpretuan prej Zotit Jezu Krishti? Ky ishte gjithë problemi i Farisenjve të cilët e urryen aq shumë Jezusin dhe më në fund e kryqëzuan. Ata mendonin që po i zbatonin Dhjetë Urdhërimet dhe ligjin moral. Zoti ynë i bindi për faktin që nuk po e bënin këtë gjë. Ata shpallën që nuk kishin kryer kurrë vrasje. Prisni pak, iu tha Zoti. A i keni thënë ndonjëherë vëllait tuaj, “Budalla”? Nëse e keni bërë atëherë jeni fajtorë për vrasje.

Vrasje nuk do të thotë vetëm akti fizik i vrasjes së dikujt, vrasje do të thotë të kesh hidhërim dhe urrejtje në zemrën tënde. Nëse e mbani mend, ai iu mësoi të njëjtën gjë në lidhje me kurorë-shkeljen. Ata pretendonin që ishin të pafaj. Por Zoti iu tha, prisni pak, ju po thoni që nuk keni kryer kurrë kurorë-shkelje? “Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.” (Mateu 5:28). Ky person është fajtor, ai ka lakmuar, ka dëshiruar… Një mendim dhe një imagjinatë janë po aq të dënueshme në sytë e Perëndisë sa edhe vetë veprimi i kurorë-shkeljes.

Martin Lloid Xhons (David Martyn Lloyd-Jones, 1899–1981). Doktor dhe pastor protestant nga Uellsi. Martin Lloid Xhons njihet më tepër për predikimet dhe mësimet e tij në Kishën Uestminster në Londër për tridhjetë vjet me radhë. Ai kalonte muaj dhe madje vite për të shpjeguar një kapitull të Biblës varg pas vargu. Botimi i tij më i famshëm është ndoshta seria e tij e komentarëve për letrën e Romakëve e cila përmban 14 volume.

Video

Lutje

O Perëndi dhe At i mëshirshëm që denjon të ndërtosh një tempull frymëror mes nesh, jo me dru apo me gurë, por me ndërtimin e Frymës së Shenjtë, atij që qëndron tek ata që besojnë, të përgjërohemi na jep mundësi që të mos mbetemi nën pushtetin e ndonjë tundimi për ta ndotur atë tempull me mëkatet tona, por përkundrazi t’i nënshtrohemi Perëndisë si fëmijë të dashur, dhe të mund të vazhdojmë të të përlëvdojmë Ty me një bindje të shenjtë gjersa të arrijmë të shohim fytyrë zbuluar lavdinë tënde, të cilën tani e shohim vetëm të reflektuar në fjalën Tënde, përmes Jezu Krishtit Zotit tonë. Amen.

Xhon Kalvin (John Calvin, 1509-1564). Teologu dhe pastori kryesor i Reformacionit Evropian. Kalvini lindi në Francë në një familje strikte Katolike. Ai punoi në Gjenevë pjesën më të madhe të jetës së tij dhe organizoi kishën e Reformuar. Kalvini shkroi Institutet e Fesë së Krishterë (nga edhe është shkëputur ky citim), Katekizmën e Gjenevës si dhe shumë komentarë mbi Shkrimet.

 Burimi: http://fjaletejetes.com/katekizem/