• on 16/04/2017

Paqja e Krishtit

Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”. 20 Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan. Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. – Gjoni 20:19-21

Shalom! Kjo ishte përshëndetja e Krishtit të Ngjallur për dishepujt e tij. Sigurisht që kjo përshëndetje nuk ishte diçka e re për Judenjtë. Por kjo nuk ishte gjithashtu, as edhe një përshëndetje e rëndomtë apo e parëndësishme si “Mirëdita!”, që mund t’ia thuash si atyre që i do ashtu dhe atyre që i urren. Përshëndetja “Shalom!”“Paqja qoftë me ju!” ishte një përshëndetje e veçantë, dhe që jepej vetëm nëse personi vërtetë e dëshironte këtë bekim për ata që përshëndeste. “Shalom!” ishte një përshëndetje serioze. Madje në një farë mënyrë ishte një lutje për personin që e merrte këtë përshëndetje. Ishte një lutje për bekim, sepse paqja është një bekim, një dhuratë e pamerituar nga Perëndia.

Në Dhiatën e Re, paqja që vjen nga Perëndia është gjithnjë e lidhur me Krishtin, dhe me atë që Krishti kreu e përmbushi përmes tërë jetës së tij, por mbi të gjitha me anë të vdekjes dhe të ngjalljes së tij prej vdekjes. Kështu, tek Romakët 5:1, Pali shkroi, “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.” Sigurisht, që në këtë mënyrë e përdori edhe Jezusi përshëndetjen “Shalom!”“Paqja qoftë me ju!” Krishti e pat kryer veprën e shpëtimit në kryq. Tani ai ishte i ngjallur prej së vdekurish. Dhe tani, si pasojë e këtyre dy fitoreve, paqja ishte bërë e mundur për njeriun në këtë botë. Ai kishte siguruar paqe, ai po shpërndante paqe për të gjithë ata që i besonin atij. Ai vazhdon edhe sot që të bekojë me paqe të tërë ata që e hedhin veten e tyre, trup dhe shpirt në krahët e Krishtit.

Por për çfarë lloj paqe bëhet fjalë në këtë përshëndetje? Çfarë paqe uroi, luti, e la si trashëgimi Krishti i Ngjallur për ne? Së pari, ai na la si trashëgimi dhe realitet, paqe me Perëndinë për ne. Së dyti, ai na la paqen e Perëndisë në ne. Dhe së treti na dërgon me paqen e Perëndisë për të tjerët në të gjithë botën.

Paqe me Perëndinë për ne

Kur Krishti tha “Paqja qoftë me ju!”, ai së pari foli për paqe me Perëndinë. Populli i Perëndisë, Kisha e tij, të gjithë ata që i besojnë Perëndisë përmes Krishtit, dhe vetëm ata, kanë paqe me Perëndinë.

Çdo njeri në këtë botë, nëse është jashtë Krishtit, nuk është në një marrëdhënie paqeje me Perëndinë, por në një marrëdhënie armiqësie me të. Romakëve 5:10a thotë se përpara se të shpëtoheshim, ne ishim në armiqësi me Perëndinë, madje ndoshta një përkthim më literal është të thuash se ne ishim “urryes të Perëndisë.” Ky është statusi i çdo njeriu në këtë botë jashtë Krishtit, “urryes të Perëndisë.” Pali thotë të njëjtën gjë tek Kolosianëve 1:21, “Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija.” Jashtë Krishtit, të pa-shpëtuar nga Krishti, të pa-sunduar nga Zoti, të lënë në dëshirat dhe mendimet e zemrave tona dhe të natyrës tonë mëkatare njerëzore, ne e urrejmë Perëndinë me mendimet tona, e urrejmë atë me dëshirat tona e ndjenjat tona, dhe e urrejmë atë edhe me veprat tona. Njeriu e urren Perëndinë, rebelohet dhe mëkaton kundra tij përmes mendimeve, fjalëve dhe veprime që bën. Armiqësia e rebelimi ynë me Perëndinë është total, përfshinë të tëra aspektet e qenies tonë.

Por jo vetëm që ne jemi në armiqësi me Perëndinë, por edhe Perëndia është në armiqësi me ne. Si pasojë e rebelimit tonë, dhe sepse Perëndia është i shenjtë, ai nuk mund ta lërë të pandëshkuar mëkatarin. Dhe si rrjedhim, edhe ai është në armiqësi me ne.  “Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Rom. 1:18). Hebrenjve 10:31 thotë se, “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.” Perëndia duhet të pajtohet me njeriun, dhe njeriu duhet që të pajtohet me Perëndinë.

Por kjo paqe kushton, dhe kjo paqe duhet bërë në përputhje me rregullat e Perëndisë. Kjo sepse, së pari, Perëndia është sovrani dhe ne jemi thjesht më pak se një kokërr rëre në dorën e tij. Dhe së dyti, sepse jemi ne ata që kemi mëkatuar ndaj Perëndisë. Paqja duhet bërë në përputhje me termat, me vullnetin, me mënyrën e Perëndisë. Paqja me Perëndinë mund të vendoset jo duke insistuar në skemën tonë të shpëtimit, por duke iu nënshtruar skemës së Perëndisë për shpëtimin tonë.

Dhe Perëndia vendosi që mëkati ynë duhet paguar me vdekjen tonë. Por, sepse Perëndia aq shumë e do njeriun, Ai gjithashtu vendosi që mëkati ynë ti kalohet Krishtit, Birit të Perëndisë, Personit të Dytë të Hyjit, i cili, i veshur me natyrën tonë njerëzore, vdes në kryq për ne, për të paguar borxhin tonë ndaj Perëndisë, për të larë mëkatin tonë me gjakun e tij. Sepse vetëm kështu mund të rivendoset paqja ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Dhe si rrjedhim e veprës së Krishtit në kryq, aty ky më parë kishe urrejtje ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, paqja është bërë e mundur. Por më tepër se kaq. Paqja është vendosur. Ne sot kemi paqe me Perëndinë. Vargjet që lexuam më sipër vazhdojnë kështu: “Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.” (Rom. 5:10 Po kështu pasazhi tjetër:“Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija, 22 tani ju paqtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë juve përpara vetes së tij shenjtorë, faqebardhë dhe të pafajshëm,” Kol. 1:21).

Shumë njerëz mendojnë se mund ti vendosin kushte Perëndisë. Religjionet e tjera si Islami, fetë pagane, apo edhe shtrembërimet e Krishterimit i thonë Perëndisë, “Nëse unë bëj këtë apo atë për ty, atëherë ti do të bësh paqe me mua.” Ne njerëzit mendojmë se Perëndia mund të blihet siç blihet njeriu. Ne i ofrojmë zyrtarëve e pushtetarëve tanë para e përfitime vetëm e vetëm për të marrë diçka prej tyre. Ne mendojmë se Perëndia funksionon si njeriu, sepse harrojmë që Perëndia nuk ka nevoja si njeriu, dhe as nuk është mëkatar si njeriu. Perëndia nuk është për shitje, dhe po kështu as paqja e tij. Ne nuk mund ti themi atij “Nëse unë bëj këtë apo atë për ty, atëherë ti do të bësh paqe me mua.” Apo akoma dhe më keq, njerëzimi i thonë Perëndisë, “nëse ti bën këtë apo atë për mua, atëherë unë do të të shërbej ty, dhe kështu do të jemi në rregull me njëri-tjetrin.” Njeriu i vendos kushte Perëndisë. Njeriu që iu rebelua Perëndisë, nuk mund ti vërë kushte atij. Njeriu që është krijesa nuk mund ti vërë kushte Krijuesit. Shpëtimi është sipas planit të Perëndisë, sipas rregullave të tij. Nëse ti do që të kesh paqe me Perëndinë, ti duhet që të pranosh paqen e Tij sipas kushteve të tij. Dhe kushti është ky: Ti duhet ti besosh dhe nënshtrohesh atij përmes besimit në Jezus Krishtin. Kështu, tek Romakët 5:1, Apostull Pali shkroi, “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.” “Kemi paqe me Perëndinë.” Kjo është deklarata e Ungjillit. Kjo është çfarë Jezusi bëri për ne. Prandaj dhe ai ka të drejtën dhe fuqinë për të thënë në ditën e Ngjalljes së tij prej të vdekurit, madje për të na thënë edhe sot, “Paqja qoftë me ju.”

Paqja e Perëndisë në ne

Së dyti, Krishti na dhuron edhe paqen e Perëndisë në ne. Aq sa e mrekullueshme dhe madhështore, e bekuese është që ne të kemi paqe me Perëndinë, po aq madhështore dhe bekuese është që të kemi brenda nesh paqen e Perëndisë. Nëse ke bërë paqe me Perëndinë, eventualisht do të kesh brenda mendjes dhe zemrës tënde edhe paqen e Perëndisë. Bibla flet për këtë paqe të brendshme në ne kur thotë “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo imagjinate, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Fil. 4:6-7).

Imagjinoni për një moment, se sa e rëndësishme ishte kjo paqe e brendshme për dishepujt atë ditë që Krishti u ngjall prej varrit. Duke filluar nga e Enjtja në darke, e deri atë mëngjes herët, ata kishin përjetuar ngjarjet më traumatike të jetës së tyre. Për tre vite me radhë, ata kishin ndjekur Krishtin fshat më fshat dhe qytet më qytet, me shpresën se shumë shpejt ata do ta shikonin Krishtin si mbretin e Palestinës, dhe ata vetë do të ishin në krahët e tij në sallën mbretërore. Ata e kishin parë Krishtin që të bënte mrekullia. E kishin dashur Krishtin me gjithë zemër. Kishin mësuar tek këmbët e tij. Ata e dinin urrejtjen e drejtuesve të Judenjve ndaj Jezusit, por edhe pse Jezusi u a pat thënë e përsëritur se Krishtin do ta kapnin dhe do ta vrisnin në Jerusalem, por se ai do të ngjallej përsëri të tretën ditë, ata nuk i kishin kuptuar dhe besuar fjalët e Krishtit. Ata ishin të papërgatitur për atë që do të ndodhtë atë javë të shenjtë në Jerusalem. Papritmas, Jezusin e kishin arrestuar, dhe brenda pak orëve e kishin dënuar dhe kryqëzuar me një shpejtësi që rrufeshme. E ndërsa ata nuk e kishin marrë ende veten nga kjo gjë, lajmi u vjen nga gratë, e më pas edhe nga Pjetri se varri ishte bosh. Disa orë më vonë, dy prej tyre u thanë pjesës tjetër, se ndërsa ishin rrugës për në Emaus, Jezusi i ngjallur u ishte shfaqur, u kishte shpjeguar kuptimin e tërë këtyre ngjarjeve, e madje kishte ngrënë me ta. E tërë kjo ishte plotësisht traumatizuese dhe konfuzuese. Ata nuk dinin se çfarë të mendonin. Nuk dinin se çfarë të ndjenin. Nuk dinin se çfarë të bënin. Të trembur ata po i debatonin këto gjëra, kur Krishti i ngjallur iu shfaq atyre me fjalët me të ëmbla, më ngushëlluese, më të nevojshme në ato momente, “Shalom…Paqja qoftë me ju!” Në një moment ata ishin të vetëm, të frikësuar, të pafuqishëm, mosbesues, pa shpresë, pa paqe…pa Krishtin. Por një moment më vonë, Krishti ishte në mesin e tyre, ata kishin paqe, kishin shpresë, ishin besim, kishin Krishtin e ngjallur.

A e njihni ju personalisht, a e keni provuar thellë në qenien tuaj këtë paqe me Perëndinë, këtë paqe të Perëndisë për shkak të Krishtit? E gjithë bota sot flet për paqe. E gjithë bota sot kërkon paqe. Politikanët premtojnë paqe dhe paqe nuk japin dot. Filozofitë e fetë të premtojnë paqe nëse ndjek instruktimet e tyre, dhe paqe nuk prodhojnë dot në ty. Bombat, na thuhet se do të prodhojnë paqe, por vetëm paqe nuk arrijnë të prodhojnë. Lëvizjet sociale, këngët e arti, idealizmi e optimizmi, arsimimi nga njëra anë e spektrit dhe droga nga tjetër e saj, edhe këto nuk të japin dot atë paqe të brendshme, e aq më pak atë paqe me njeri-tjetrin, e aq më pak paqe të ndërgjegjes, e aq edhe më pak, atë paqe me Perëndinë…sepse Krishti nuk është në to. Vetëm Krishti flet fjalën e paqes. Vetëm Krishti e prodhon atë paqe të pashkatërrueshme jo vetëm me Perëndinë por edhe thellë brenda nesh. Vetëm Krishti siguron dhe dhuron paqen e vërtetë.

Përse nuk ka paqe në këtë botë? Sepse njeriu është në armiqësi me Perëndinë dhe me ligjet e tij. Përse nuk ka paqe në këtë botë? Sepse njeriu si individ nuk ka paqe me veten e tij, nuk ka paqe të ndërgjegjes, nuk ka paqe thellë në qenien e tij. Prandaj dhe as nuk mund të ketë paqe me njerëzit e tjerë. E gjitha kjo, sepse njeriu nuk ka paqe me Perëndinë. Ky është problemi më i thellë njerëzor dhe që shpjegon gjithçka që ndodh sot në botë. Perëndia na krijoi që të duam Perëndinë me tërë fuqinë e qenies tonë, dhe njëri-tjetrin si vetvetja. Të dyja këto shkojnë gjithnjë bashkë. Kur ne prishemi me Perëndinë, ne do të prishemi edhe me njeriun. Kur ne divorcohemi prej Perëndisë, ne do të divorcohemi edhe prej njeriut. Kur ne jemi në armiqësi me Perëndinë përmes mendimeve, fjalëve dhe veprave tona, ne detyrimisht do të përfundojmë të jemi edhe në armiqësi me krijesat e Perëndisë, përmes mendimeve, fjalëve dhe veprimeve tona. Po kështu edhe e anasjellta është e vërtetë. Nëse ti sot nuk ke paqe të brendshme, ti nuk je në paqe me Perëndinë. Nëse nuk je në paqe me dikë, atëherë ti ose nuk e ke marrë ende për herë të parë në jetën tënde paqen e Krishtit dhe je ende në armiqësi me Perëndinë, ose nuk kuptuar paqen e Krishtit, ose po i bën rezistencë e po i rebelohesh Perëndisë, duke menduar gabimisht se mund të jesh në armiqësi me njeriun ndërsa je mik me Perëndinë. Nuk mund të kesh njërën pa tjetrën. Nëse të mungon njëra, kjo është prova se të mungon edhe tjetra.

Krishti vdiq që ne të kemi paqe me Perëndinë. Krishti vdiq që ne të kemi paqe me njëri-tjetrin. Krishti vdiq që ne të kemi paqe në veten tonë. Kjo është trashëgimia e tij, kjo është lutja dhe bekimi i tij. Krishti vdiq dhe u ngjall me qëllim, që të gjithë ata që i besojnë atij, të kenë paqe me Perëndinë.  Krishti “ju pajtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes” së tij në kryq. Dhe sot, të gjithë ata që janë në këtë paqe me Perëndinë përmes besimit në Krishtin, mund të përjetojnë atë paqe të thellë në zemrat e tyre, atë paqe të vërtetë me të tjerët.

Paqja e Perëndisë prej nesh

Por pasi Krishti i dha paqen Kishës së tij, ai së treti, i dha Kishës edhe një detyrë: si ai maratonomaku, të vrapojë me lajmin e paqes në të tërë botën. Krishti na siguroi paqen me Perëndinë për ne, na dhuron paqen e Perëndisë në ne, dhe së treti na dërgon si misionarët e tij për të predikuar paqen e Perëndisë në tërë botën. Tek Gjoni 20:21 lexojmë, “Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ‘Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju’.” Nëse sot ti je në paqe me Perëndinë, nëse provon thellë në qenien tënde paqen e Perëndisë, ti duhet të dish se je i thirrur që ta shtrish e predikosh këtë bekim e përfitim të kryqit të Krishtit në të tërë botën. Kjo paqe nuk është vetëm për ty, por edhe për të tjerët. Ofrimi i kësaj paqeje të Perëndisë të tjerëve nuk është një opsion, por një obligim, nuk është një sugjerim por urdhërim, nuk është që ta mbash por ta shpërndash. Në fakt Apostull Pali e quan ungjillëzimin dhe misionin, predikimin e ungjillit si shërbesa e pajtimit.

“Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit, 19 sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit. 20 Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë! 21 Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” – 2 Korintasve 5:18-21

Vini re se çfarë thekson Pali në këtë pasazh, vini re frazat apo konceptet paralele në të: Vargu 18: Së pari, “Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit” dhe së dyti, “na dha shërbimin i pajtimit.” Vargu 19: Së pari “sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin”, ai së dyti edhe “vuri ndër ne fjalën e pajtimit.” Si rrjedhim, vargu 20, “Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin,” pra ambasadorë të tij, përçues të mesazhit të tij. Cili ishte mesazhi apostolik? “Pajtohuni me Perëndinë” Përse! Pali kthehet përsëri tek kryqi. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” Bota dëshiron paqe pa Krishtin, paqe por pa bërë më parë paqe me Perëndinë. Bota flet për paqe, por nuk ka se ku ta varë atë paqe, nuk ka se ku ta bazoje dhe se mbi cilin themel ta ngre atë. Por paqja e vërtetë, paqja që penetron gjithçka, paqja që ia tejkalon çdo lloj imagjinate e zgjuarsie njerëzore është ajo që fillon me paqen me Perëndinë, që varet tek krahët e kryqit, që ndërtohet mbi themelin e Krishtit, që shenjtërohet me gjakun e tij. Dhe këtë paqe, këtë bekim, këtë ofrim të Perëndisë ne duhet t’ua japim të tjerëve. Krishti urdhëroi, “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”

Krishti na siguroi paqe me Perëndinë për ne. Krishti na jep paqen e Perëndinë në ne. Krishti kërkon paqen e Perëndisë prej nesh, që të dalë e të shkojë në botën jashtë. Fryma e Shenjtë e prodhoftë bollshëm këtë paqe të siguruar prej Krishtit në thellësitë e zemrave dhe mendjeve tona, e vendostë atë në zemrat e atyre që nuk kanë bërë ende paqe me Perëndinë përmes Krishtit, dhe na fuqizoftë dhe dhëntë guxim e kurajë që ta përçojmë e tregojmë atë në tërë qytetin tonë, për shpëtimin e të humburve, por mbi të gjitha për lavdi të Perëndisë Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, AMEN.

 

Kisha Ungjillore e Reformuar Durrës,

E Diela e Ngjalljes, 2017