Ora e Birit Ka Ardhur – Gjoni 12:20-23

  • on 07/04/2017

Ora e Birit Ka Ardhur – Gjoni 12:20-23

Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë. Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: “Zot, duam të shohim Jezusin”. Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet.” – Gjoni 12:20-23

 

Duam të shohim Jezusin.” Kjo është dëshira, kërkesa e lutja më sublime dhe më e perëndishme që ndonjë njeri mund të ketë në jetë. Të shikosh Jezusin. Një njohësh Jezusin. Të jesh në prezencën e Jezusit. Kjo është edhe dëshira e lutja e vetme që merr gjithnjë një përgjigje pozitive nga Perëndia.

Kjo ishte kërkesa e disa grekëve që na rrëfehet në Ungjillin sipas Gjonit, në mes të një historia që do ta studiojmë sot. Kjo kërkesë është e rëndësishme për shkak të përgjigjes në duke lakonike, që Krishti i dha kësaj kërkese. Në fakt pyetja e grekëve dhe përgjigja e Krishtit shpjegojnë njëra-tjetrën dhe prandaj duhen studiuar bashkë. Përgjigja e Krishtit shpjegon rëndësinë e kërkesës së këtyre jo-judenjve. Po kështu, rëndësia e kësaj historie që na rrëfen Gjoni konsiston në mesazhin që ne mund ta shikojmë Jezusin vetëm kur ne kuptojmë siç duhet përgjigjen e tij ndaj Grekëve.

Shikimi i Krishtit

Cili është konteksti dhe renditja e kësaj ngjarje? Pak kohë pas hyrjes dramatike të Jezusit në Jerusalem, në Ditën e Palmave, në atë eveniment që njihet ndryshe si Hyrja Triumfale e Krishtit në Jerusalem, një grup qytetarësh Grek shkuan tek dishepujt dhe kërkuan që të takoheshin me këtë Rabin të famshëm dhe mrekulli-bërës nga Nazareti.

Në thuhet se në fillim këta Grekë shkuan tek Filipi. Gjoni nuk na e thotë se përse tek Filipi, por mendohet për shkak të emrit të tij. Filipi ishte një emër Grek, Filipos, që përkthehet “i dashuruar pas kuajve”. Emri i tij ishte i njëjtë edhe me atë të mbretit të Grekëve të vjetër, Filipit të Aleksandrisë, babait të Aleksandërit të Madh. Ndoshta për shkak të kësaj lidhje, këta Grekë iu afruan Filipit si personi më i mundshëm që do ti lejonte ata që të takoheshim me Jezusin. Nga ana tjetër, vetë Filipi me sa duket nuk ishte i sigurt nëse Jezusi do ti pranonte këta Grekë, sepse në fillim shkon ta konsultojë kërkesën me Andrean, i cili gjithashtu kishte një emër Grek. Ata të dy vinin nga Betsaida, një qytet i vogël pranë një rajoni me pakicë Greke që njihej si Sirofencia. Së bashku Filipi me Andrean shkuan tek Jezusi.

Por përse hezitoi Filipi që ti sillte Grekët tek Jezusi? Duhet të kuptojmë, se nga këndvështrimi i dishepujve, Jezusi kishte qenë pak i paqartë mbi qëndrim e tij ndaj jo-judenjëve. Kur Jezusi i dërgoi dishepujt për herë të parë në një mision predikimi, ai i instruktoi ata: “Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve, por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit” (Mateu 10:5-6). Po kështu, ata patën dëgjuar Jezusin to thotë gruas sirofenikase “Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve të qenve” (Mark 7:27). Gruas Samaritane i pat thënë “Shpëtimi është prej Judenjve” (Gjoni 4:22).

Por çfarë i konfuzonte dishepujt ishte, se pasi kishte thënë këto gjëra, Jezusi kishte shëruar vajzën e gruas sirofenikase, kishte folur me gruan nga Samaria dhe madje kishte predikuar në tërë qytetin e saj. Por Jezusi nuk kontradiktonte vetveten. Ai thjesht ecte me parimin që ungjilli në fillim i duhej predikuar fillimisht Judenjve dhe pastaj tërë botës. Në fakt ky ishte urdhri që ai do tu linte më vonë Apostujve para se të ngjitej lart, “Do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Vep. 1:8). Ky obligim i tij ishte si pasojë e përmbushjes së profecive të Dhiatës së Re.

Të njëjtën gjë kuptuan dhe e praktikuan më vonë edhe Apostujt. Pali u shkroi Romakëve se ungjilli “ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun” (Rom. 1:16). Përfitimet e veprës shpëtuese të Mesias që do të vinte u ishin premtuar fillimisht Judenjve, dhe përmes tyre edhe tërë botës. Prandaj dhe përmbushja e këtyre premtimeve në Mesinë që kishte ardhur në personin e Jezusit të Nazaretit duhej që të predikoheshin fillimisht tek Judenjtë dhe më pas tek kombet e tjera. Prioriteti i predikimit dhe ofrimit të bekimeve të Mesisë nuk ishte thjesht një prioritet historik apo gjeografik. Pra fillimisht do tu duhej Judenjve që ta dëgjonin ungjillin sepse…“ishin aty të parët.” Prioriteti i predikimit të ungjillit ndaj Judenjve ishte një prioritet biblik i besëlidhjes. Perëndia ua pat premtuar atyre, dhe përmes tyre tërë botës. Pali u shkroi Galatasve se  “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit…që bekimi i Abrahamit t’u vijë jo-hebrenjve me anë të Jezu Krishtit,” (Gal. 3:13-14).

Por këtë gjë dishepujt e kuptuan vetëm më vonë, pas ngjalljes së Krishtit dhe aq më tepër pas dhënies së Frymës. Prandaj dhe ata hezituan fillimisht që të çonin Grekët tek Jezusi. Dhe me siguri, që kur i përcollën Jezusit kërkesën e Grekëve ata prisnin një përgjigje të shkurtë, po ose jo nga Jezusi. Por Jezusi jep një përgjigje të tretë, që duket se thotë se ardhja e Grekëve tek Ai ishte shenja se pika kulmore e misionit të tij në tokë sapo kishte ardhur, sepse Jezusi tha: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! 25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.” (Gjoni 12:23-25). Në këtë në përgjigje, Krishti foli për orën e lavdisë së kryqit. Le ti shikojmë me radhë.

Ora e Krishtit

Kishte ardhur ora e Krishtit. Ky ishte një kontrast i madh me deklaratat e mëparshme të Krishtit, sepse ishte hera e parë që Krishti deklaronte se kishte ardhur ora e tij. Tek dasma në Kanë të Galilesë, kur Maria i kërkoi Krishtit që të bënte diçka për dasmorët, Krishti u përgjigj “Ora ime s’ka ardhur akoma!” (Gjoni 2:4). Edhe pse ai e ktheu ujin në verë atje, mesazhi i tij ishte se nuk kishte ende ardhur koha e kryqëzimit, dhe se nuk dëshironte që të tërhiqte vëmendjen tek vetja përmes një mrekullie publike. Po kështu, tek Gjoni 7:6-8, kur vëllezërit e tij i kërkuan që të shkonin në Jerusalem dhe të bënte mrekullia atje, përgjigja e tij ishte: “Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati. Bota nuk mund t’ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta. Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.” Po kështu, për dy raste të tjera, kur drejtuesit e Judenjve dëshiruan që ta arrestonin Jezusin, Gjoni shkroi, “Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s’kishte ardhur akoma” (7:30; 8:20). Për tre vite me radhë, kjo kishte qenë një prej temave të shërbesës së Jezusit. “Ora ime nuk ka ardhur ende.” Por tani gjithçka është ndryshe. “Ora ka ardhur.” Dhe e gjitha kjo, sepse një grup Grekësh, të cilëve nuk ua dimë emrat, kanë ardhur tek Krishti Jezus.

Si rrjedhim, pyetja që duhet bërë është: Ku qëndron rëndësia e ardhjes së këtyre Grekëve? Për Krishtin, ardhja e tyre ishte shenja se kishte ardhur koha që shpëtimi tu ofrohej edhe kombeve si edhe Judejve. Kishte ardhur momenti i deklarimit të ungjillit në të gjithë botën.

Këtë interpretim na jem Gjoni përmes mënyrës se si ai na e rrëfen këtë histori, përmes kontrastit dhe ironisë. Kontrasti qëndron në faktin se Judenjtë e Farisenjtë, populli i zgjedhur i Perëndisë, do ta vriste Mesinë e premtuar dhe aq shumë të dëshiruar prej tyre. Nga ana tjetër, jo-judenjtë, të huaj në shtëpinë e Izraelit, pa Perëndinë, pa premtimet dhe Shkrimet nga Perëndia, që dëshironin që të mësonin tek këmbët e Krishtit. Ironia qëndronte në faktin, Farisenjtë që kishin mohuar Krishtin e nuk shkonin pas tij, ankoheshin “ja, bota shkon pas tij” (12:19), dhe me këtë I referoheshin mënyrës se si e pritën Jezusin të hynte në Jerusalem Ditën e Palmave. Ironia qëndron edhe në faktin, se ata folën me më shumë vërtetësi nga sa do ta kishin imagjinuar apo dëshiruar. Sepse duke filluar që nga ajo javë e shenjtë, e deri më sot pas 2000 vitesh, e tërë bota vazhdon që të shkojë pas Krishtit. Ora e Krishtit kishte ardhur.

Lavdia e Krishtit

Por kjo orë ishte ora e lavdisë së Krishtit. “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet.” Kjo u përmbush në dy mënyra.

Së pari, ishte vërtetë përlëvduese për Krishtin, që madje edhe Grekë kishin ardhur tek Krishti për të mësuar e përjetuar shpëtimin prej Perëndisë. Biri i Perëndisë është kundra-intuitiv në krahasim me botën.  Te gjithë njerëzit tentojnë që të bëhen pjesëtarë të klubit sa më të lartë, sa më madhështor dhe sa me ekskluziv të mundshëm. Dhe kur mendojmë se jemi bërë pjesë e këtij klubi ekskluziv, kur ne bëhemi anëtarë të brendshëm të rrethit të diçkaje që ne idealizojmë dhe që të tjerët gjithashtu dëshirojnë, ne ua mbyllin derën të tjerëve për të ruajtur ekskluzivitetin dhe …madhështinë tonë. Por jo Jezusi. Lavdia e madhështia e tij konsistonte në hapjen e dyerve të shpëtimit sa më shumë që të ishte e mundur, për të tërë njerëzimin, që çdo racë, çdo familje, çdo gjuhë të bëhej pjesë e familjes së tij. I njëjti Gjon që shkroi këtë ungjill, shkroi edhe Librin e Zbulesave që Krishti i dha atij. Në të ne gjejmë një himn të ri që këndojnë tërë ata që janë shpëtuar nga Krishti: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe na bëre mbretër dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe” (Zbu. 5:9-10). Kur mëkatarët vijnë tek Jezusi, kur ata kërkojnë të shikojnë për shpëtim Krishtin, ata shpëtohen, dhe ata bëhen përlëvdues të Krishtit, si të gjithë ne. Vërtetë, “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet.

Kryqi i Krishtit

Por së dyti, ora e përlëvdimit të Krishtit ka ardhur edhe përmes kryqit. Krishti tha, “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet.” Kur bëjmë pyetjen se kur ishte ajo orë që Krishti u përlëvdua në kuptimin e plotë të fjalës, përgjigja është: “Në orën e Kryqit.” Duke vdekur për ne Krishti u përlëvdua. Vargjet në vazhdim na e japin këtë gjë. Jezusi tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! 25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme” (Gjoni 12:24-25). Duke vdekur për ne Krishti u përlëvdua.

Jezusi mund ti shpëtonte Judenjtë, Grekët, Romakët e Ilirianët vetëm duke vdekur për ta në kryq. Vetëm duke vdekur Jezusi do të mund të tërhiqte kombet drejt vetes. Viri re imazhin e kokrrës së grurit që bie në tokë dhe vdes. Ai është Krishti. Krishti po thoshte se nëse Ai nuk vdiste, nuk do të kishte fryte, nuk do të kishte jetë të përjetshme për ne. Por nëse ai do të vdiste, mëkatarë të mjerë si ne do të shpëtoheshin.

Vini re, që ndryshe nga sa predikojnë disa, nuk është shembulli i Krishtit që na shpëton. Nuk ishte shembulli i tij që pagoi borxhin tonë ndaj Perëndisë. Ishte vetë Krishti. Nuk ishte shembulli i tij që vdiq në kryq por Krishti ai që vdiq për ne. Dhe as nuk po thotë se nëse ne ndjekim shembullin e tij, duke jetuar siç ai jetoi, ne do të gjejmë lumturinë e shumë kërkuar, apo do të meritojmë shpëtimin përmes jetës tonë plot merita e sakrifica. Askush nuk ka fituar shpëtimin duke ndjekur shembullin e Krishtit. Sigurisht që ne duhet të ndjekim Krishtin, por pasi jemi shpëtuar, sepse përpara asaj pike nuk jemi të aftë për ta bërë këtë gjë.

Por nuk është vetëm shembulli i tij që nuk na shpëton. Ne nuk na shpëton as mësimi i tij. Kjo është çfarë Islami e Budizmi, paganizmi e sekularizmi predikon. Ndiq mësimet e themeluesit të religjionit dhe do të shpëtohesh. Jezusi kurrë nuk tha se ai po na tregonte rrugën për tek Ati, me qëllim që ne ta ndjekim atë rrugë dhe të shpëtohemi. Jezusi nuk tha, “Po ju tregoj rrugën për tek Ati.” Ai tha, “Unë jam rruga për tek Ati.” Kaloni përmes meje, përmes gjakut tim, pagëzohuni në të përmes besimit në mua, dhe do të shpëtoni, e engjëlli i vdekjes do të kalojë mbi ju dhe nuk do t’ju prekë. Unë jam Pashka e vërtetë. Vishuni me gjakun tim, dhe do të shpëtoheni ju dhe fëmijët tuaj, sepse premtimi i besëlidhjes së hirit është për ju të gjithë, që besoni në Birin e Perëndisë, në Qengjin e Perëndisë, në premtimet e Besëlidhjes së Perëndisë.

 

Kjo është lavdia e Krishtit: Ai vdiq për ne. Kjo ishte ora e Krishtit: Ora e Kryqit. Kjo është të njohësh Krishtin. Kjo është të shikosh Krishtin. Kjo është të gjesh Krishtin.

A do ta lavdërosh e përlëvdosh Krishtin? Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke i besuar atij si Shpëtimtarit tënd, duke vrapuar tek ai, e duke u hedhur tek krahët e tij përmes pendimit e besimit.

A do ta përlëvdosh Krishtin? Sill të tjerët tek Krishti. A po i hapim dyert e shpëtimit sa më shumë që të jetë e mundur, për tërë qytetin tonë, apo nga dëshira e ekskluzivitetit, e duam Krishtin vetëm për veten tonë, për tu ndjerë të veçantë? A mos po bëjmë gabimin e Filipit e Andreas dhe hezitojmë në prezantimin e botës me Krishtin? A mos ndoshta urrejtja që kemi për komshinjtë, për kolegët në punë, indiferenca për ata që njohim, dhe madje edhe për të afërmit tanë, na Judaizon në atë kuptim që nuk duam që “kombet” e tjera të vijnë tek Jezusi? Nëse po, ne po jetojmë në rebelim të plotë me dëshirën e Krishtit dhe në kundërshtim të plotë me shembullin e tij. Ora e Krishtit ka ardhur. Kryqi dhe Ngjallja ka ndodhur. Fryma është dhënë, dhe bashkë me të edhe urdhri për të ungjillëzuar tërë botën. Dhe ti ose po plotëson thirrjen e Krishtit ose po i reziston Atij. Le të mos harrojmë se motoja jonë si kishë lokale është “Të njohim Krishtin dhe ta bëjmë atë të njohur.”

Po kështu, të njohësh Krishtin do të thotë të duash Krishtin. Të shikosh Krishtin vërtetë, do të thotë ta shikosh atë si Biri i Perëndisë, si Shpëtimtari i kryqëzuar, dhe kjo është ta njohësh atë. Dhe ta njohësh atë do të thotë ta duash atë me tërë fuqinë e qenies tënde. E ta duash atë do të thotë ta përlëvdosh e adhurosh atë, e madje edhe të bësh të gjitha ato që ai ka urdhëruar. Perëndia bëftë që këto të jenë të vërteta për ne të gjithë, për qytetin tonë, e madje edhe për kombin tonë: Shumë ardhshin në këtë njohje shpëtuese tek Krishti, ta përlëvdojnë Krishtin, dhe të jetojnë në përputhje me Fjalën e tij dhe në fuqinë e Frymës së tij. AMEN.

 

E Diela e Palmave, Durrës, 2017