Një Bir Unik

Një Bir Unik

Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje’”. 16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. 17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. 18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur. (Gjoni 1:15-18)

Kuptimi i Krishtlindjes është në fakt thelbi i Krishterimit historik. çfarë kombet festojnë kudo nëpër botë është deklarimi i faktit që Perëndia trupëzoi vetveten për t’iu afruar njeriut për shpëtimin e tij. Kjo njihet si Doktrina e Trupëzimit: Perëndia u bë njeri në Jezusin nga Nazareti. Ky është fakti dhe doktrina që e veçoi Krishterimin nga të gjitha fetë e tjera. E veçanta apo unikja e Krishterimit është se Perëndia ka marrë iniciativën dukë i veshur vetës mishin njerëzor për ta shpëtuar njerëzimin. Biri i Perëndisë u bë njeri që njerëzit të bëheshin bij të Perëndisë. Kjo është çfarë e bën Krishterimin unik. Një nga emrat e Krishtit është Emanuel që do të thotë “Perëndia në mesin tonë.” Dhe ky person ishte vetë Jezus Krishti, personi i Dytë i Trinisë i veshur me mish njeriu. Dhe për këtë arsye, ai është personi më unik në këtë botë. E përdor termin unik apo i veçantë pasi vetë Apostulli Gjon e përdor këtë term kur i referohet Krishtit. Gjoni e quan Krishtin “i vetëmlinduri Bir.” Fjala që ai përdor në Greqishten e vjetër në fakt do të thotë “i vetëm për nga lloji,” apo unik. Krishti ishte Biri unik i Perëndisë. Dhe ky është kuptimi i Krishtlindjes: Perëndia i vetëm i kësaj bote, një person unik, ofroi Birin, të vetmin person të dytë të trinisë së Shenjtë për tu trupëzuar, një mënyrë unike kjo për të shpëtuar njeriun, dhe si rrjedhim, çfarë na është dhuruar për Krishtlindje është një person unik, një Shpëtimtar unik.

Unik në Personin e Tij

Krishti është së pari unik në personin e Tij. Është e vështirë të gjesh një lider shpirtëror më mbresëlënës se sa Gjon Pagëzori. Një engjëll lajmëroi lindjen e tij duke thënë “Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit… dhe do të jetë i përplot me Frymën e Shenjtë që në barkun e s’ëmës” (Luka 1:15). Gjoni pati një mesazh dhe shërbesë frymëzuese për këdo që inspiron të bëhet një lider. Ai thirri Izraelin në pendim dhe bindje ndaj Perëndisë. Mbi të gjitha ai kishte guxim, karakter dhe integritet. Ai konfrontoi drejtuesit hipokritë dhe madje edhe vetë Mbretin Herod.

Por sipas vetë Gjon pagëzorit, ai nuk ishte shpëtimtari që ne duhej të dëshironim dhe ndiqnim. Vargu 15 thotë “Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje”” (Gjoni 1:15). Gjoni thotë që edhe pse ai lindi përpara Krishtit dhe e filloi shërbesën e tij përpara Krishtit, Krishti është një lider shpirtëror i një niveli më të lartë pasi ai është unik në personin e Tij. Me fjalët “sepse ishte përpara meje” Gjoni thekson pri-ekzistencën e përjetshme të Krishtit. Krishti është vetë Perëndia i përjetshëm dhe për këtë arsye Ai qëndron unik mbi çdo qenie tjetër njerëzore. Krishti është unik edhe në krahasim me liderët e feve të tjera. Krishti është i vetmi person që u ngrit nga të vdekurit dhe jeton përgjithmonë për të qenë Shpëtimtari ynë tek i cili ne mund të mbështetemi plotësisht.

Krishti është ai shpëtimtari për të gjithë ju që dëshironi një drejtues të vërtetë. Ne jetojmë në shekull gurush dhe vipash, dhe kjo edhe në aspektin shpirtëror. Ne ndjejmë nevojën për të pasur drejtues. Ne kemi nevojë për dikë që mund ti besohet, që mund të ndiqet, që mund ti bindemi dhe që mund të na drejtojë për në drejtimin e duhur. Tek Ungjilli i Mateut 9 lexojmë këto fjalë:

Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. E duke parë turmat, pati dhembshuri për to, sepse ishin të abuzuar, dhe të shpërndarë si delet pa bari.

Këtë Krishtlindje ky popull gjendet me më pak shpresë për të ardhmen se sa vjet; gjendem më i abuzuar, më i hallakatur e më i varfër. Krishti ka dhembshuri për këtë popull. Por Krishti ka gjithashtu edhe zgjidhjen unike për ne. Rrënja e çdo problemi social, civil apo kombëtar është në fakt shpirtëror. Pa u adresuar më parë problemi shpirtëror nuk do të zgjidhen problemet e tjera. Predikimi dhe besimi i ungjillit dhe i personit Unik të Krishtit është zgjidhja e vetme që mund të adresojë nevojat e këtij vendi. Të gjitha bekimet apo përfitimet e tjera shoqërore apo sociale burojnë nga marrëdhënia që një komb apo një person ka me Krishtin. Krishti është unik jo vetëm në personin e tij, por Krishti është unik edhe në resurset e tij.

Unik në Resurset e Tij

Vargu 16 thotë: “Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir përmbi hir.” Krishti ka plotësinë e të gjitha bekimeve shpirtërore dhe fizike për të cilat ne kemi aq shumë nevojë. Asnjë nevojë e jona nuk është më e madhe se sa mundësia e Krishtit për ti adresuar ato. Kur vera mbaroi në Kanë, Krishti ktheu ujin në verë. Krishti rigjeneroi shpirtin e prostitutës së rënduar nga barra e mëkatit dhe e turpit. Atë që kishte qenë i çalë për 38 vjet Krishti e shëroi. Kur turmat e ndiqnin të uritura, Krishti i ushqeu. Atij që ishte i lindur i verbër, Krishti i dha shikimin. Kur Llazari dergjej i ftohtë në varrin e tij prej tre ditësh, Krishti i dha jetën. Të gjitha këto mrekulli të rreshtuara në ungjillin sipas Gjonit janë shembuj të plotësisë së natyrës së Tij hyjnore. Krishti mund të na bekojë në të gjitha nevojat tona nga plotësia e tij e pafund, nga hyjnia e Tij e plotfuqishme, dhe nga burimi i pashtershëm i dashurisë së Tij për ne. është për këtë arsye që Gjoni thotë “Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir përmbi hir.” Hir përmbi hir nënkupton që jo vetëm Krishti na jep hir nga hiri i tij hyjnor, jo vetëm që Krishti na ka shpëtuar përmes hirit dhe na jep përsëri hir pas shpëtimit tonë, por mbi të gjitha që Krishti dërgon dallgë të vazhdueshme hiri mbi ne me qëllim që ne kurrë të mos gjendemi zbuluar, ashtu siç edhe fundi i detit nuk gjendet kurrë i zbuluar e pa ujë. Krishti është një burim unik e i pashtershëm hiri e bekimesh ndaj nesh.

Hiri i Krishtit gjendet në shumë forma të ndryshme. Situata të ndryshme kërkojnë forma të ndryshme hiri. Ne kemi nevojë për një hir kur kemi dhe një hir tjetër kur nuk kemi. Ne kemi nevojë për një hir në rini dhe një tjetër në pleqëri. Ne kemi nevojë për një hir kur jemi nën persekucion dhe një tjetër nën paqe. Kemi nevojë për një hir në gëzime dhe për një hir tjetër në hidhërime.” Boshllëku i shpirtrave tonë mund të mbushet vetëm nga plotësia e hirit të tij. Paraja, fama, pushteti e njeriu nuk do ta mbushin dot kurrë atë vakuumin e pafund që është në shpirtin e gjithkujt. Krishti tha “”Kushdo që pi nga uji i kësaj bote do të ketë përsëri etje, 14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:13-1).

Kuptimi dhe besimi i këtij fakti, që Krishti është unik në resurset e Tij, shkakton dy efekte në jetët tona. Se pari, na mundëson që të gjejmë prehje, ngushëllim dhe siguri në çdo situatë. Është për këtë arsye që Apostulli Pal shkroi kështu nga burgu “Unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. 12Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. 13 Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” përmes hirit të tij (Filipinëve 4:11-13).

Në këtë kontekst, një rrezik që i kanoset besimtarëve zakonisht është një lloj vendpushimi shpirtëror. Shumë prej nesh pasi kanë marrë një masë të caktuar hiri, ulen në një si plate shpirtërore dhe bëjnë pushim në vend që të synojmë për më shumë nga hiri që gjendet kaq pafundësisht në Krisht. Nëse ju keni paqe, Krishti mund tju japë edhe më shumë. Nëse ju kini njohuri shpirtërore, falje, pendim, vet-disiplinim, bindje e besnikëri, gëzim e progres, Krishti ka më shumë nga këto për ju.

Efekti i dytë që shkakton hiri i Krishtit në jetët tona është që ne fillojmë që të kemi hir për të tjerët. Në mënyrë të pa evitueshme, nëse hiri po derdhet në ne, hiri do të derdhet edhe nga ne. Kur marrim hir, gjithmonë edhe japim hir. Krishti e mbush gotën tonë me hirin e tij me qëllim që ajo të derdhet edhe për të tjerët rreth nesh. Martin Luter shkroi “Ky burim është i pashtershëm. Nuk thahet kurrë, një burim i përjetshëm. Sa më shumë të tërheqim prej saj, aq më shumë do të japë.”

Unik në Dhuratat e tij

Krishti nuk është unik vetëm në personin e tij dhe në resurset e tij. Krishti është së treti Unik edhe në Dhuratat e Tij. Vargu 17 thotë “Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit” (Gjoni 1:17). Nëse gjon Pagëzoi ishte i rendësishëm, Moisiu ishte akoma edhe më shumë. Perëndia e përdori Moisiun për të shpëtuar Israelin nga skllavëria Egjiptianase, për ta udhëhequr Israeln për në tokën e Premtuar dhe për ti dhënë atij 10 Lidhet e Perëndisë. Por Krishti është akoma edhe më unik në dhuratat e Tij shpëtuese për popullin e Tij. Moisiu dha Ligjin, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

Le të mos e nënvlerësojmë Ligjin e Perëndisë port ë kuptojmë rolin e saj në referencë më Hirin e Perëndisë. Ligji na u dha nga vetë Perëndia për të kuptuar dhe dalluar ndërmjet të mirës dhe të keqes. Pali thotë tek Rom 7:7 “Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: “Mos lakmo!” Detyra e Ligjit është të na vërë në dukje dhe të na bindë për mëkatin tonë. Kaq! Detyra e ligjit është të na bëjë shpallë nevojën tonë për hirin dhe faljen nga Perëndia. Dhe kjo është dobësia e Ligjit. Shën Augustini shkroi “Ligji të kërcënon por nuk të ndihmon, të urdhëron por nuk të shëron, të shpalos por nuk të heq mëkatin dhe dënimin e tij.” Pali thotë tek Gal 3:24 “Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.” Ligji është i mirë pasi është udhërrëfyesi unë për tek Krishti, por hiri vjen vetëm përmes Jezus Krishtit. Pastori dhe teologu Baptist Artur Pink, rendit disa aspekte se si hiri është më i mirë se sa ligji. Ai thotë: “Ligji zbulon çfarë është në njeriun – mëkat, hiri zbulon çfarë është në Perëndinë – dashuri. Ligji kërkon drejtësi nga njerëzit, hiri sjell drejtësinë e Perëndisë tek njerëzit. Ligji e dënon të gjallin me vdekje, hiri e sjell të vdekurin në jetë. Ligji flet për çfarë njeriu duhet të bëjë për Perëndinë, hir flet se çfarë Perëndia bëri për njeriun.”

Krishti, thotë vargu sjell gjithashtu edhe të vërtetën. Moisiu besnikërisht deklaroi të vërtetën e Perëndisë. Fjala e Perëndisë është e vërtetë në të tera gjeneratat, por këtu vargu kupton me fjalën “e vërteta” është që është reale në krahasim me atë që është simbolike. Moisiu i dha manës Judenjve në shkretëtirë, Krishti është buka e vërtetë e jetës që vjen nga qielli (Gjoni 6:35). Moisiu dha qengjin e sakrificës si simbol të faljes së mëkateve, ndërsa Krishti ishte qengji i vërtetë i Perëndisë i cili heq mëkatet e të gjithë atyre që besojnë në të” (Gjoni 1:29). Krishti është unik në dhuratat e tij, në resourset e tij, në personin e tij, por së fndi, Krishti është Unik edhe në Zbulesën e tij për ne.

Unik në Zbulesën e Tij

Krishti është unik si shpëtimtar pasi ai është i vetmi person që mund të na zbulojë Perëndinë. Vargu 18 thotë: “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur atë.” Në Dhiatën e Vjetër njerëz të Perëndishëm patën dëshirë të shikonin Perëndinë por ai qëndronte i fshehur “në një re të dendur” siç tha Solomoni tek (1 Mbret 8:12). Profeti Elija mundi të dëgjonte vetëm një zë. Abrahami foli me engjëj. Moisiu qëndroi i shtangur përpara shkurres që digjej dhe nuk konsumohej por asnjëri nuk arriti ta shikonte Perëndinë. Kur Moisiu insistoi të shikonte lavdinë e Perëndisë, përgjigja që mori ishte: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”. Lavdia e Perëndisë është shkatërruese për njeriun. Por lajmi i mirë i Krishtlindjes si edhe kuptimi i saj është ky: Perëndia më së fundi na ka zbuluar vetveten e tij duke e mbuluar atë në trupëzim. Ati Perëndi dërgoi personin e Dytë të trinisë që tu zbulojë Perëndinë njerëzve, dhe për të mos e shfarosur njerëzimin me lavdinë e shenjtërisë së Tij, Biri i Perëndisë e mbuloi lavdinë e tij duke marrë mbi vete natyrën njerëzore. Perëndia na zbulohet duke mbuluar vetveten në trupëzimin dhe lindjen e Krishtit Jezus. Dhe është për këtë arsye që Jezus Krishti është unik në zbulesën e tij, në zbulesën që ai na ofron mbi Perëndinë. Krishti erdhi që të sigurojë zbulesën e Perëndisë në një mënyrë të tillë që ne të jemi në gjendje ta marrim atë. Kjo është arsyeja që Krishti është me i lartë se Gjon Pagëzori, se Moisiu, se Buda apo se Muhamedi. Krishti ishte Perëndia i trupëzuar, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i të njëjtës esencë me Atin dhe Frymën e Shenjtë, personi i dytë i Trinisë, Perëndia i tmerrshëm, i përjetshëm, i pafund, i shenjtë.

Kjo do të thotë që Krishti është i vetmi Shpëtimtar për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin Perëndinë dhe të njihen prej tij. Fjala na e ka bërë të njohur, në Greqishten Biblike është eksegesato, që studiuesit e përdorin si term për të simbolizuar procesin e interpretimit të Biblës. Dhe kjo është çfarë Krishti bën për ne. Ai na shpall, jep, interpreton Perëndinë, Ai na e zbulon neve atë. Nëse doni të dini se si është Perëndia dhe se cili është vullneti i Tij për ju dhe për këtë botë studioni Krishtin dhe Fjalën e tij. Kjo është arsyeja përse Apostulli joni e quan Krishtin Fjala. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:1-3). Kjo është se si Krishti është Unik në Zbulesën e Tij për ne.

Krishti është Unik si Shpëtimtar. Ai është unik si lider shpirtëror për të gjithë ata që dëshirojnë një të tillë pasi ai ka dhe tek ai përmblidhet e tërë njohja e vërtetë për tek Perëndia. Krishti është Shpëtimtari Unik për të tërë ata që janë bosh dhe dëshirojnë që të mbushen, shpirtrat tanë janë krijuar nga arkitekti hyjnor në një mënyrë të tillë që ato të gjejnë përmbushje në këtë jetë vetën nëse mbushemi me Perëndinë. Krishti është Shpëtimtari për të tërë ata që dëshirojnë të jenë të lirë, pasi liria gjendet në përmbushjen e qëllimit për të cilin ne njerëzit jemi krijuar – të njohim Perëndinë dhe të shijojmë lavdinë dhe prezencën e Tij. Për të gjitha këto, Krishti është i vetmi Shpëtimtar. Krishti tha “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta.” Që do të thotë, e vetmja rrugë e vërtetë për tek jeta e përjetshme me Perëndinë.

Kjo është arsyeja e lindjes së Krishtit. Ky është kuptimi i Krishtlindjes. Por a është Krishti Shpëtimtari yt? Nëse beson dhe lëshon veten në krahët e Tij, Krishti do të jetë Shpëtimtari yt gjithashtu. Ai vetë tha, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36). Nëse ju i keni besuar Krishtit, a jeni ju duke tërhequr hir nga burimi i pashtershëm i Tij? Nga plotësia e Tij çdo besimtar merr hir përmbi hir. Le të jetë motoja jonë fjalët e Apostullit Pjetër kur tha, “Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen” (2 Pjet. 3:18).