Mesazhi i Krishtlindjes! Një Festë dhe një Ftesë

  • on 25/12/2014

Mesazhi i Krishtlindjes! Një Festë dhe një Ftesë

Gëzuar Krishtlindjen! Ky është urimi i zakonshëm çdo vit në këtë sezon, për të gjithë ata që e quajnë veten të Krishterë, që i besojnë Fjalës së Perëndisë, që i besojnë Lajmit të Mirë-Ungjillit, që lajmëron trupëzimin e Perëndisë, hyrjen e Tij në këtë botë, në këtë telajon e kohës dhe të hapësirës, që Ai vetë e pat krijuar më parë, e hyrjes pra përmes Mishërimit të Personit të Dytë të Perëndisë Triune. Kjo përshëndetje nuk është fryt i mendjes njerëzore. Të Krishterët thjesht ndjekin modelin e dhënë më parë nga vetë engjëjt e Perëndisë, në atë natë të parë Krishtlindje, të cilët shpallën lajmin që Shpëtimtari i njerëzimit u lind. Një lajm të cilit ata e festuan me një doksologji adhurimi për Perëndinë Triune. Ata thanë:

Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron pëlqimi i Tij! Ungjilli Sipas Lukës 2:14

Kjo përshëndetje është shpallja e një ngjarje unike në historinë e njerëzimit. Në këtë ngjarje të vetme për nga lloji, gjejmë përgjigjen dhe përmbushjen e të gjitha aspiratave dhe shpresave, e pyetjeve dhe nevojave njerëzore. Njeriu mund të pajtohet me Perëndinë. Kjo ngjarje, kjo hyrje e Perëndisë në historinë e njeriut, është një dhuratë e hirit të Tij, që buron nga dashuria e pamerituar dhe e pameritueshme e Perëndisë për ne, e Perëndisë Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë-një Perëndi Triune e lavdisë. Personi i Dytë i Trinisë, hyri në telajon e kohës dhe hapësirës së kësaj bote që pat Krijuar, zbriti në mesin tonë, dhe morri mbi veten e tij një trup dhe shpirt të vërtetë njerëzor, për një qëllim të caktuar dhe madhështor: që të shpëtoj popullin e tij nga mëkatet, për lavdi të Perëndisë Atë, dhe në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Prandaj the Engjëlli e instruktoi Jozefin, dhe përmes tij edhe na urdhëron ne sot, që ta quajmë këtë person, këtë Perëndi të mishëruar, Jezus, që do të thotë Jehova (Zoti) Shpëton.

 Gëzuar Krishtlindjen! Perëndia ka hapur një rrugë aty ku nuk kishte rrugë për të shpëtuar mëkatarët, të tërë njerëzit që me të drejtë gjenden nën gjykimin e Tij të përjetshëm dhe të Shenjtë, dhe që janë të paaftë për të shpëtuar vetveten. Njerëzit përpiqen që të shpëtojnë vetveten duke rendur prej Perëndisë. Instinkti njerëzor dhe sistemi arsimor dhe social sekular ka për qëllim pikërisht këtë gjë, të na mësojë se si të rendim prej Perëndisë që të shpëtojmë nga dora e tij. Por Poeti Biblik thotë “E ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?” (Psalmi 139:7). Shumë të tjerë mundohen të paqtojnë Perëndinë përmes ritualeve e sakrificave të kafshëve apo të njerëzve, përmes mirësive të religjioneve, apo meritave personale-të gjitha këto të paafta dhe të papranueshme nga Perëndia. Shpëtimi mund të sigurohet vetëm në përputhje me termat e Perëndisë, me mënyrën apo rrugën që Ai ka zgjedhur që ne si njerëz ti afrohemi Atij. Rrugë që ai ka zgjedhur quhet Krishti Jezus. Ai deklaroi se “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Kësaj të vërtetë dhe këtij kushti, Perëndia i shton edhe një premtim Biblik: Të gjithë ata që do të shkojnë tek Perëndia, përmes besimit tek Krishti do të shpëtohen nga mëkatet, do të jenë të pajtuar me Perëndinë për gjithë përjetësinë. Pse?

Gëzuar Krishtlindjen! Sepse në Krisht, ne na është dhënë, nga hiri dhe dashuria e Perëndisë për ne, i vetmi i cilësuar e i aftë që mund të shpëtoj mëkatarë. Biri i Perëndisë, një titull për Personin e Dytë të Trinisë, dukë qenë plotësisht e përjetësisht Perëndi, e përuli veten e Tij për tu bërë Biri i Njeriut, plotësisht njeri. Në këtë person, i vetmi ndërmjetës ndërmjet nesh dhe Perëndisë, në këtë Perëndi-Njeri, vjen shpëtimi, vjen afrimi dhe pajtimi me Perëndinë. Perëndia erdhi tek ne sepse ne nuk mund të shkonim tek Perëndia. Perëndia bëri për ne atë që ne nuk mund të bënim për veten tonë. Ky është mesazhi i Krishtlindjes. Kjo është arsyeja e gëzimit të Krisht-lindjes.

Me fjalë të tjera, Krishti, Ai që gjithnjë ka qenë (Biri i Perëndisë), u bë çfarë nuk kishte qenë kurrë (Bir Njeriu) me qëllim që të shpëtojë mëkatarët për lavdinë e Perëndisë, dhe tani është (plotësisht njeri-plotësisht Perëndi) për tërë përjetësinë. Kjo do të thotë se të gjithë ata që i besojnë Atij dhe vetëm Atij për shpëtim e tyre, si Shpëtimtarin dhe Zotin e tyre, marrin paqtimin me perëndinë, bekimin dhe përkujdesjen e Tij personale për jetën e tyre, jetën e përjetshme që nga momenti i parë i besimit, dhe madje do të jenë në gjendje që një ditë ta shikojnë e shijojnë Atë nga përjetësia në përjetësi.

Gëzuar Krishtlindjen! Pse? Sepse Ai i cili u dërgua që të na shpëtojë, edhe e ka bërë këtë gjë. Krishti i cili lindi që të vdiste për ne, e ka fituar shpëtimin tonë me vdekjen e Tij në Kryqin e Kalvarit. Vdekja e Tij nuk ishte vdekja e një martiri të mirë në një kryq dosido, por vetë-ofrimi i Perëndisë-Njeri në Kryqin e Golgotës. Në mënyrë të qëllimshme dhe të pandalshme, ky person, udhëtoi gjatë tërë jetës së Tij për drejt Kryqit, me qëllim që goditja shtrydhëse e Perëndisë At të mos binte mbi ne por mbi të. Ky shpengim i lavdishëm nga mëkatet nuk na u dha sepse e dëshiruam, apo e merituam, apo e menduam ne si zgjidhje, por për shkak të dashurisë së madhe të tij ndaj nesh. Bibla thotë, se Krishti i deshi të tijtë…deri në fund, (Gjoni 13:1).  Ungjijtë janë jo vetëm biografitë që na shpalosin këtë udhëtim të Tij drejt Kryqit për shpengimin tonë, por edhe mënyrën se si Ai u fut në botën tonë për ne. Mesazhi i mrekullueshëm i lindjes së Krishtit nuk ka kuptim pa mesazhin e mrekullueshëm të vdekjes dhe ngjalljes së Tij. Pra, Grazhdi i Betlehemit shpjegohet me Kryqin e Golgotës. Dhe po kështu, Kryqi i Golgotës është i pakuptimtë pa Grazhdin e Betlehemit. Emri i Krishtit është “Emanuel. Perëndia me ne.” Si rrjedhim…

Gëzuar Krishtlindjen! Historia e lindjes së Perëndisë përmes Marisë, dhe deklarimi nga lart i mesazhit dhe i kuptimit të kësaj lindje, gjithashtu përfshin edhe përgjigjen apo reagimin që vjen nga poshtë drejt Qiellit. Reagimi i parë është ai i lavdërimit. ky është urdhri dhe ftesa për festim i Engjëjve kur thanë “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta.

Ne jemi përgjithësisht një komb mosmirënjohës, një komb që e ka të vështirë që të thotë faleminderit edhe për gjërat më mondane të jetës. Por mbi të gjitha ne jemi një komb që nuk falënderojmë dhe adhurojmë Perëndinë. Madje edhe shumica e atyre që e quajnë veten të Krishterë nuk besojnë, nuk luten, nuk e adhurojnë Perëndinë, as në mënyrë të rregullt çdo javë duke marrë pjesë në shërbesat e Adhurimit, dhe as përmes tërë jetës së tyre. Ne jemi një komb që kur meditojmë nuk meditojmë mbi Perëndinë, që kur kërkojmë nuk kërkojmë prej Perëndisë, që kur japim nuk i japim Perëndisë, që kur lavdërojmë nuk lavdërojmë Perëndinë por njeriun. Kjo sepse harrojmë apo nuk dimë, apo më keq, refuzojmë që të pranojmë se Perëndia na ka krijuar për veten e Tij, për kënaqësitë e Tij, për të pasur një marrëdhënie të vërtetë, personale e të përditshme me të.

Së dyti, urimi dhe ftesa e Engjëjve është edhe ajo e paqes: “paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron pëlqimi i tij!” Paqja e Perëndisë qenka selektive, sipas engjëjve. Nuk është për të gjithë. Paqja e Tij është vetëm për ata mbi të cilët qëndron pëlqimi i Tij. Kush janë këta njerëz? Bibla thotë se “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij” (Heb. 11:6), dhe se ai njeri që “beson në atë që shfajëson mëkatarët-pra Krishtin- besimi i tij i numërohet për drejtësi” nga Perëndia (Rom. 4:5). Madje Bibla na siguron se “po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Rom. 10:9), pra do të ketë paqe ndemjet Perëndisë dhe atij njeriu që i beson Atij përmes besimit në Krishtin. Kjo është ftesa e engjëjve për të gjithë ne që sot urojmë njërit-tjetrin Gëzuar Krishtlindjen!

 Gëzuar Krishtlindjen! Shpëtimtari u lind. Në këtë kemi mesazhin e një shprese të sigurt. Jo kotësinë e një idhujtarie absurde, e ritualeve përtëritëse, e arrogancës dhe vetëbesimit njerëzor. në këtë përshëndetje kemi një shpresë të lavdishme. Perëndia zbriti në tokë, u lind në një grazhd, plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, për tu kryqëzuar për ne e për tu ngjallur e Mbretëruar përjetësisht, dhe madje do të kthehet si Zoti dhe Shpëtimtari i të gjithë atyre që e hedhin veten e tyre, trup edhe shpirt në krahët e Krishtit përmes pendimit e besimit. Gëzohu o i Krishterë. Zoti ka ardhur. Ai na ka çlirua nga mëkati dhe frika. Gëzohu botë! Kjo është arsyeja që ne që besojmë e përshëndesim njëri-tjetrin me një përshëndetje që është njëkohësisht edhe një festim edhe një ftesë. Gëzuar Krishtlindjen!