Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut?

  • on 06/05/2008

Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut?

Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut?

Përgjigja: Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.

Katekizmi i Shkurter i Westminsterit

     Me frazën synimi përfundimtar kuptojmë qëllimin fillestar, kryesor, më të lartë dhe më të rëndësishëm për të cilin u krijua njeriu, të cilin ai duhet ta ketë parësore gjatë gjithë jetës dhe aktivitetit të tij. Synimi përfundimtar është arsyeja e ekzistencës së njeriut, arsyeja për të cilin ai u krijua nga Perëndia Krijuesi, përmbushja apo mospërmbushja e së cilës ndan jetët e jetuara nga jetët e çuara dëm. Synimi i Perëndisë në krijimin e njeriut, në administrimin, shpëtimin, shenjtërimin dhe ruajtjen e tij deri në fund është lavdia e po vetë Perëndisë (Fjal.Urta 16:4; 1 Kor. 6:19-20). Synimi përfundimtar nuk përjashton pasjen e synimeve sekondare apo pasardhëse (puna, familja, argëtimi, etj), përkundrazi njeriu duhet ti përdorë ato si mjete në vetvete për të përmbushur synimin përfundimtar (Ps. 73:25-26; 1 Kor. 10:31; 1 Sel. 4:11-12; 1 Tim. 5:8). Synimi përfundimtar konsiston në dy pjesë të ndërthurura në mënyrë të pandashme, në detyrën përfundimtare dhe në kënaqësinë përfundimtare.

     Së pari, vini re që synimi përfundimtar i njeriut ndaj Perëndisë është ta lavdërojë Atë. Lavdia e Perëndisë kategorizohet në lavdinë esenciale dhe në lavdinë deklaruese. Lavdia esenciale e Perëndisë është çfarë Ai është në mënyrë absolute në vetvete dhe nga vetvetja e Tij. “Unë jam Ai që jam,” (Dalja 3;14) tha Perëndia. Është ajo lavdi që Ai e ka nga vetvetja dhe që refuzon qe ta ndajë me dikë tjetër. Kjo lavdi është e përjetshme, e pafund, e pandryshueshme dhe si rrjedhim as nuk mund të rritet dhe as të zvogëlohet (Job.35:7; Ps. 16:2). Lavdia deklaruese është shpallja që Perëndia i bën lavdisë së Tij në dhe përmes krijesave të Tij. Krijesa jo-frymore e lavdëron Perëndisë në mënyrë pasive duke ofruar arsye të dukshme për adhurimin e Tij (Ps. 19:1; Isa. 44:23; 2 Sel. 1:10; Ps. 145:10), ndërsa ne njerëzit si krijesa racionale të Perëndisë duhet ta lavdërojmë atë në mënyrë aktive.

     Disa nga mënyrat se si duhet ta lavdërojmë Atë në mënyrë aktive janë: Ne duhet ta lavdërojmë Perëndinë duke i besuar Atij dhe duke u mbështetur në të me të tërë qenien tonë (Ps. 63:4; Ps 103:1-2; Ps. 96:7; Luka 10:27), – duke ia nënshtruar dhe përdoruar të tëra qëllimet dytësorë adhurimit të Perëndisë dhe duke i përdorur ato si mjete për të plotësuar synimin përfundimtar (1 Kor. 10:31), – duke qenë të gatshëm për tu ndarë nga gjithçka që është më e shtrenjtë për ne nëse nuk i shërben lavdërimit të Perëndisë, – duke vënë në përdorim tërë fuqinë dhe aftësinë tonë për të cilin qëllim na janë dhënë nga Perëndia (1 Kor. 6:20; Mateu 5:16), – duke iu bindur urdhëresave të Tij (Gjo. 15:8), – dhe duke vënë në dukje të tëra cilësitë e Tij të përsosura gjatë devocionit personal dhe familjar, gjatë adhurimit publik në lutje apo këngë, gjatë ungjillizimit apo dëshmimit përpara një bote vështruese.

     Duhet të vëmë re që njeriu nuk është gjithmonë në gjendje të përmbushë synimin e tij përfundimtar. Njeriu i parë në gjendjen e pafajësisë (përpara se sa Adami dhe Eva të mëkatonin) mund ta përmbushte këtë synim përmes një bindjeje të përsosur, personale, të vazhdueshme ndaj ligjit të Perëndisë (Zanafilla 1:27, 2:19). Pas rënies, i tërë njerëzimi nuk është më në gjendje që ta përmbushë synimin përfundimtar (Rom. 3:23) dhe Perëndia nuk mori një bindje të përsosur nga asnjë deri me ardhjen e Krishtit i cili është Adami i Dytë (Isa 42:21; 49:3). Krishti i dha lavdinë Atit duke përfunduar veprën që i ishte dhënë për të bërë (Gjon. 17:4). Njeriu e lavdëron Perëndinë në mënyrë të pranueshme nga Perëndia vetëm pasi ai i ka besuar Krishtit pasi pa besim është e pamundur të kënaqësh Perëndinë dhe çfarë nuk vjen nga besimi është mëkat (Heb. 11:6; Rom. 14:23, Gjon. 3:33; Hosea 14:8). Perëndia lavdërohet në jetët e besimtarëve kur ne japim frute besimi (Gjo. 15:8; Gal. 5:6; Flp. 4;13; 1 Kor. 3:21-23; 1 Tim. 4:4-5) dhe adhurimi (Kol. 3:17; Fili. 3:3).

     Arsyet përse synimi ynë përfundimtar është të lavdërojmë Perëndinë janë këto: – Perëndia është Ai që na ka krijuar, dhe këtë për lavdinë e Tij (Isa 43:21; Ps. 100:3; Fjal. Urt 16:4), për të qenë Zoti ynë (Ps. 12:4, Job 34:33), për të jetuar për të (Rom. 14:7), për të mos jetuar sipas mishit (Rom. 8:12) apo botës ((Gjon. 17:16). – Perëndia na pat krijuar të aftë për ta lavdëruar atë (Ps. 103:1-5; Isa 43:21). – Perëndia siguron për bijtë e Tij (Ps. 66:8-9, Ps. 95:6-7) – Mirënjohja për shpëtimin që na është dhuruar në Krisht është një arsye e mjaftueshme në vetvete për të pasur si synimin tonë përfundimtar lavdinë e Shpëtimtarit tonë (Ps. 50:3 1 Kor. 6:19-20). – Perëndia na ka dhënë Fjalën dhe Frymën për të na drejtuar dhe shenjtëruar në këtë jetë (Ps. 147:19-20; Rom 8:26; Jakobi 2:1). – Shpresa jonë është vetëm në të (Ps. 39:7; Ps. 62:5; Ps. 87:7).

     Së dyti, vini re që synimi përfundimtar i njeriut është ta lavdërojë Perëndinë dukë e gjetur kënaqësinë në të. “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Ps. 73:25). Isa 16:8 thotë “Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.” Të gjesh kënaqësi në Perëndinë do të thotë prehesh në Perëndinë si burimi i vetëm i të gjithë mirësisë (Ps. 36:9), lumturisë (Ps. 144:15) dhe përfitimeve në këtë botë (Ps. 16:5-6). Ne gjejmë kënaqësi në Perëndinë kur ne lidhemi dhe mbështetemi tek Ai për çdo gjë duke i besuar Atij (Joz. 23:8). Ne e lavdërojmë Perëndinë duke gjetur kënaqësi në të, kur ne shijojmë mirësinë e Perëndisë (Ps. 34:8), kur kënaqemi në prezencën plot hir e mëshirë të Tij, si dhe kur gjejmë siguri, përmbushje dhe plotësim në veprat e dashurisë së Perëndisë ndaj nesh (Rom 5:5). Nuk është lumturia jonë synimi ynë kur ne dëshirojmë të gjejmë kënaqësi, përmbushje dhe plotësim në Perëndinë por e kundërta. Lumturia jonë vjen si pasojë e të gjeturit kënaqësi në Perëndinë (Ps. 144:15, 1 Pjet. 4:14. Mate. 5:8). “Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur” (Fjal. Urta 16:20).

     Besimtarët gjejnë kënaqësi në Perëndinë si në këtë botë ashtu edhe në atë që vjen (Zan. 5:24; 1 Gjon. 1:3; 1 Kor. 1:9), por me disa ndryshime. Në esencë është e njëjtë dhe ndryshon gradualisht për sa i përket mënyrës dhe masës së kënaqësisë që gjejmë në Perëndinë. Në këtë botë mënyra e gjetjes së kënaqësisë në Perëndinë është mediate, pra e ndërmjetësuar përmes mjeteve të hirit që Perëndia ka vendosur të përdorë. Mjetet e jashtme të hirit janë leximi dhe predikimi i Fjalës, meditimi, sakramentet, lutja, adhurimi privat, familjar dhe publik i Perëndisë, agjërimi, miqësia e shenjtorëve, Kisha dhe jeta në të, urdhëresat e Krishtit, etj). Në botën që vjen ne do të gjejmë kënaqësi në Perëndinë në mënyrë imediate, Fjala, sakramentet dhe mjetet e tjera të hirit nuk do të ekzistojnë. “Tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem” (1 Kor. 13:12). Këtu kënaqësia në Perëndinë është ende në fillim, atje ajo do të jetë e përfunduar. Këtu ajo do të jetë e pjesshme, atje ajo do të jetë e plotë (Ps. 16:11; Ps. 126:5-6; 1 Gjon. 3:2; 1 Kor:13:12). Kjo kënaqësi e tanishme, e pjesshme dhe e ndërmjetësuar është gjithashtu garancia dhe kapari që Perëndia na ka dhënë për kënaqësinë dhe lumturinë e plotë që ne do të gjejmë në Atë në jetën e përjetshme (Efes. 1:13-14; Ps. 84:11). Në këtë botë, kënaqësia në Perëndinë konsiston në unitetit (lidhjen) frymore që ne kemi me Perëndinë në Krisht përmes besimit në të. Nga kjo rrjedh marrëdhënia me Perëndinë në këtë botë.

     Arsyeja përse ne duhet të dëshirojmë dhe kërkojmë kënaqësinë në Perëndinë është pasi Perëndia është mirësia absolute (Mateu 19:17; Ps. 144:15); kënaqësia në Perëndinë është burimi dhe përmbushja e lumturisë (Ps. 4:6-7); gjithçka e mirë vjen nga Ai (Bes. Rip. 26:11; Ps. 36:9); gjiçka e mirë përjetohet vetëm në të (Ps. 16:5); në favoret e Tij është jeta (Ps. 30:5); mirësia e tij vlen më tepër se jeta (Ps. 63:3); marrëdhënia me Perëndinë është kënaqësia më e lartë (Ps. 73:28); në praninë e Tij në përjetësi ka shumë gëzim dhe kënaqësi (Ps. 16:11). Në jetën e përjetshme besimtari do të ketë miqësi jo vetëm me Perëndinë në Krisht por edhe me engjëjt dhe me të tërë Kishën e Tij që ndodhet në qiell.

     Së treti, vini re lavdërimi i Perëndisë dhe të gjeturit kënaqësi në të janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme. Lavdërimi dhe kënaqësia në Perëndinë janë të lidhura si i njëjti qëllim nga vetë Perëndia me qëllim që njëra të mos fitohet pa tjetrën. Asnjë njeri të mos pretendojë lumturinë në prezencën e Perëndisë në qiell nëse nuk jeton për lavdinë e Perëndisë në tokë. Jeta këtu është përgatitja për përjetimin e një jetë të përsosur në prezencën e Perëndisë në qiell. Ata që kanë shkelur mbi lavdinë e Perëndisë në tokë nuk do të kurorëzohen me kurora lavdie, nderi dhe pavdekësie përpara tij në qiell (Psalmi 84; 2 Sel. 1:10). Lumturia në Perëndinë është e kushtëzuar nga lavdërimi i Perëndisë, si tani ashtu edhe në jetën që vjen. Lavdërimi i Perëndisë është mjeti se si lumturia fitohet. Shenjtëria në tokë i paraprin lumturisë si në tokë ashtu edhe në qiell dhe ata që nuk kanë dëshirë të lavdërojnë atë në këtë botë nuk do të kenë privilegjin e kënaqësisë dhe prezencës së Perëndisë në botën që vjen.

Aplikime

1. Kemi një shkak për të vajtuar që Perëndia dhe lavdia e Tij nuk janë objekt i meditimit tonë. 2. Është e domosdoshme ekzaminimi i vetvetes për të parë nëse lavdia e Perëndisë është synimi ynë suprem, nëse ne dëshirojmë të përmbushim urdhërimet e Perëndisë dhe nëse ne abstenojmë nga gjithçka që revolton Perëndinë. 3. Të jemi të bindur që nga vetja jonë ne nuk do të jemi kurrë në gjendje që të jetojmë për lavdinë e Perëndisë, si rrjedhim ne detyrimisht duhet të kërkojmë në lutje dhe agjërime ndihmesën e Frymës së Shenjtë për të na mundësuar në lavdërimin e Perëndisë me të gjithë trupin dhe frymën tonë, të cilat i përkasin Atij. 4. Fryma (shpirti) e njeriut është e pavdekshme, dhe si rrjedhim ne duhet të bëjmë investime frymore në të. 5. Mos harroni trashëgiminë frymore që e pret popullin e Perëndisë përtej kësaj jetë. 6. Vini re domosdoshmërinë e shenjtërisë në Krisht. 7. Të mos dëshpërohemi nga vështirësitë e shumta të kësaj jetë pasi është veç udhëtimi për në jetën e përjetshme, ato nuk do të zgjasin përjetësisht (Rom. 8:18). 8. Le të jetë synimi ynë që për sa kohë që ne do të jemi në këtë botë, në fuqinë e Frymës së Shenjtë ne të lavdërojmë Perëndinë në çdo gjë në mënyrë që të gjejmë kënaqësi dhe lumturi në të tani dhe përgjithmonë. Amen.

Pastor Albert Jani Kona