• on 19/05/2016

Kriteret Kërkojnë Ekzaminim

“Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën e tyre po të jenë të patëmetë.” – 1 Timoteut 3:10

Domosdoshmëria e ekzaminimit dhe e testimit të kandidatëve për dhjak është fokusi dhe urdhri Apostolik i këtij vargu. Pesë kriteret e studiuara më sipër (1 Tim. 3:8-9), nuk kanë asnjë rëndësi pa urdhrin në vargun dhjetë. Nëse nuk ka një sistem që siguron se kandidatët për shërbesë i plotësojnë të tëra kriteret e kërkuara, atëherë kriteret janë thjesht fjalë boshe.

Vargu 10 është një fjali e plotë me dy cilësime. Së pari, dhjakët duhet të testohen e sprovohen përpara se sa ata të vajosen dhe instalohen si shërbëtorë zyrtarë në kishë. Cilësimi i dytë kërkon se cili dihet të jetë përfundimi i testimit.

Fjala Greke anegletos, përkthyer në shqip si “të patëmetë”gjendet edhe në listën e kritereve për pleqtë e kishës tek Titi 1:6-7. Pra Pali përdor të njëjtin fjalë për të përshkruar të njëjtin rezultat testimi, dhe rrjedhimisht edhe të njëjtin kusht për vajosje në shërbesë, për të dyja ofiqet zyrtare të kishës, pleqtë dhe dhjakët. Kjo konfirmohet edhe nga përdorimi i shprehjes “kai hutoi de” – “edhe këta”. “Edhe këta” heq një paralelizëm me peshkopët për të cilët flitet tek 1 Tim. 3:1-7. Pali thotë që “edhe këta,” dhjakët, duhet të ekzaminohen dhe testohen po në të njëjtën mënyrë si edhe ata, peshkopët.  Por edhe nëse nuk do të kishim këtë frazë lidhëse në origjinal, 1 Tim. 5:24-25 insiston se ekzaminimi dhe testimi i pleqve është i domosdoshëm. Dhe, sepse dhjaku dhe plaku janë dy ofiqet zyrtare në kishën e Krishtit, nëse për njërën kërkohet ekzaminim e testim, por kështu duhet të kërkohet edhe për tjetrën. Në fund të fundit, fakti që Perëndia vendos kritere për ofiq-mbajtësit në Kishën e tij, implikimi i domosdoshëm logjik është se ekzaminimi dhe testimi janë gjithashtu një domosdoshmëri.

Dhjakë të Patëmetë

Rezultati i testimi është që dhjaku, ashtu siç edhe plaku apo peshkopi duhet të jetë i patëmetë. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë gjë? Me këtë, Bibla nuk kërkon që kandidati të jetë i pamëkatë në mënyrë që të kualifikohet për detyrë. Të gjitha janë mëkatarë, të gjithë janë të rënë, me përjashtim të Krishtit. Ai është i vetmi person me natyrë njerëzore që është i pamëkatë. Bibla nuk kërkon që dhjaku e presbiteri/peshkopi të jenë të pamëkatë por të patëmetë. Ndryshimi është i rëndësishëm. Të jesh i patëmetë do të thotë të jesh i paqortueshëm. Pra, kandidati për dhjak nuk e ka bërë vetën e tij për qortim, për shkak të fjalëve apo veprimeve që ka bërë e thënë kur nuk duhej, apo për shkak se nuk ka thënë e bërë kur duhej të kishte vepruar.

Të jesh i paqortueshëm nuk do të thotë që dhjaku është aq i shkathët sa i shpëton gjithnjë akuzave që i bëhen apo që din që tu shmanget atyre në një mënyrë apo në një tjetër. Dhjaku nuk duhet të jetë dikush që di se si të fshehë mëkatin dhe gjurmët e ligësive të tij, por personi që me të vërtetë, askush nuk ka se për se ta akuzojë në mënyrë të drejtë. Fjalët dhe veprimet e tij përputhen mirë me urdhëresat e Perëndisë, dhe se është e dallueshme që ai jeton për ti sjellë kënaqësi e lavdi Perëndisë me jetën e tij.

Le të marrim përshkrimin që i bëhet Jobit si ilustrim: “Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes” (Jobi 1:1). Ky mund të jetë një përkufizim i mirë Biblik se çdo të thotë të jesh i patëmetë apo i paqortueshëm. Dhjaku duhet të gjendet par ekzaminimit, që të jetë një burrë i ndershëm e i drejtë, që ka frikë nga Perëndia dhe që i largohet së keqes. Populli i Perëndisë duhet që të jetë në gjendje që ti thotë këto fjalë për të tërë pleqtë e dhjakët e kishës. Dhjaku duhet të jetë i paqortueshëm. Pra, askush nuk duhet të ketë një shkak të drejtë e biblik për ta qortuar apo akuzuar dhjakun publikisht për shkak të mëkateve të tij, ose të gojës, ose të veprimeve, ose të doktrinës. Thamë, që çdo i krishterë mëkaton përmes mendimeve, fjalëve, dhe veprimeve çdo ditë të jetës së tij/saj, deri në ditën e Krishtit apo të vdekjes. Mëkatet që janë të zakonshme për të gjithë njerëzit nuk e shkualifikojnë një burrë për të shërbyer në mënyrë zyrtare në kishë.

Xhon Kalvin e shpjegon kështu ndryshimin, kur ai komenton për peshkopin që duhet të jetë i patëmetë tek 1 Tim. 3:2:

“Qëllimi është që, dhjaku nuk duhet që të jetë i dallueshëm për rënie që do ti dëmtonin apo ulnin atij autoritetin. Sigurisht që nuk mund të gjendet asnjë njeri në këtë botë që nuk ka asnjë lloj mëkati apo gabimi. Por është një gjë që ai persona ta ketë ndërgjegjen e rënduar nga mëkatet e zakonshme që nuk ia dëmtojnë reputacionin, për arsye se të gjithë njerëzit e kanë këtë gjë, dhe është një gjë krejtësisht tjetër, që ai njeri të ketë një famë të keqe ndër të gjithë për shkak të përlyerjeve të tija apo për shkak të ndonjë rënie skandaloze në mëkat. Kështu, që peshkopit të mos i mungojë autoriteti, Pali urdhëron që ata që janë zgjedhur duhet të njihen për një emër të mirë e të respektuar, dhe pa asnjë mëkat të jashtëzakonshëm. Po kështu, Pali jo vetëm që po e instrukton Timoteun se çfarë lloj burrash duhet të zgjedhë, por edhe po i kujton të tërë atyre që aspirojnë që të jenë drejtues, që ata duhet të ekzaminojnë me kujdes jetën e tyre.”

Dhjakë të Testuar

“Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën e tyre…” (1 Timoteut 3:10). Burrat që aspirojnë të jenë dhjakë, në fillim duhet të vihen në provë, të testohen, të ekzaminohen, më pas të vihen të kryejnë shërbesën e dhjakut. Pra, në fillim sprovimi pastaj shërbimi. Pa sprovim nuk ka shërbim. Ky është parimi dhe urdhri Biblik. “Edhe këta” heq vija paralele ndërmjet dhjakëve dhe peshkopëve. Pra, ashtu siç ata që dëshirojnë detyrën e peshkopit (vargjet 1-7), edhe ata që dëshirojnë detyrën e dhjakut, duhet të testohen përpara se sa të vendosen në detyrë nga kisha.

Termi dokimazo do të thotë të testosh, të ekzaminosh me kujdes, të vëzhgosh e shqyrtosh me imtësi. Burri që nuk i pëlqen që të tjetër të fusin hundët në punët e tij, nuk ka punë që të pretendojë të shërbejë si dhjak në kishë. Jeta e tij duhet të jetë një libër i hapur, aq më tepër që ai nuk ka asnjë mëkat skandaloz për të fshehur nga të tjerët.

Fokusi në këtë pasazh është pra, tek ekzaminimin e testimi dhe rezultati që del prej këtij testimi. Prova që ari është i pastër vjen përmes testimit dhe vlerësimit. Po kështu, Pali thotë se kisha lokale duhet ta testojë, ekzaminojë, vëzhgojë e shqyrtojë me imtësi atë burrë që është nominuar për dhjak.

Parimet e Ekzaminimit

Por Pali nuk na thotë se si duhet të jetë ky proces. Asnjë pasazh tjetër në Dhiatën e Re nuk na jep një strategji të saktë e të detajuar mirë se çfarë duhet të bëjmë. Por ajo që jemi në gjendje të zbulojmë janë disa parime kryesore.

Duhet të kuptojë se heshtja e Dhiatës së Re mbi procedurën e ekzaminimit është i rëndësishëm dhe instruktues. Kisha e Jezus Krishtit është një trup njerëzish të shpëtuar dhe të banuar nga Fryma e Shenjtë. Kisha e Jezus Krishtit është gjithashtu një kishë universale, në të cilën ka nga të gjitha ngjyrat, kontinentet, kombet e situatat. Një prej arsyeve që nuk na është dhënë një proces i detajuar ekzaminimi, është që kishat e ndryshme, të konteksteve të ndryshme, e që jetojnë në periudha të ndryshme kohore, të kenë lirinë dhe fleksibilitetin që të adoptojnë e aplikojnë të vërtetat e mrekullueshme të Perëndisë në përputhje me kontekstin ku ndodhet dhe shërben. Bashkësia lokale e Krishterë duhet të jetë në botë, por jo nga bota, një bashkësi që është radikalisht ndryshe nga bota, por megjithatë që kuptoj dhe i aplikohet situatës në të cilën gjendet. Një shembull është 1 Kor. 9:19-23. Perëndia e ka dizenjuar kishën lokale që të jetë e adaptueshme në çdo kulturë, funksion dhe situatë jete, dhe veçanërisht ndaj persekutimit.

Gjithashtu, mungesa e një procesi të detajuar ekzaminimi është edhe një shprehje praktike e lirisë së mrekullueshme që në cilën Krishti na ka thirrur.

Por sigurisht, që nga ana tjetër, parimet biblike nuk duhen harruar apo anashkaluar nën pretekstin e adaptimit apo të përshtatjes ndaj kontekstit ku jetojmë. 1 Kor. 9:19-23 nuk është një justifikim dhe as një parim për të qenë relativist apo pragmatist, dhe as për të lejuar botën dhe parimet e saj për të na instruktuar apo dominuar mënyrën e bërjes së gjërave në kishë. Braktisja e parimeve biblike që na janë zbuluar nga Perëndia do të sjellë gjithnjë vdekjen e kishës lokale dhe njollosjen e emrit të Krishtit, humbjen e ndryshimit ndemjet Kishës dhe Botës, dhe si përfundim edhe pakënaqësinë  Atit. Disa nga parimet rregullatorë që vëmë re në Bibël, për sa i përket procesit të ekzaminimit, përzgjedhjes dhe shugurimit e instalimit të dhjakëve në detyrë janë si më poshtë:

Presbiterët/peshkopët duhet të jenë ata që drejtojnë procesin.

Tek Veprat 6 lexojmë se ishin Apostujt ata që nisën procesin e përzgjedhjes së dhjakëve në bashkësi. Lexojmë, “Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ‘Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. 3 Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë’,” (Vep. 6:2-3).  Pra, ishin ata që drejtonin përmes shërbimit të fjalës dhe lutjes, Apostujt, ata që morën iniciativën për zgjedhjen dhe caktimin e dhjakëve të rinj. Sot, me kalimin e kohës apostolike, parimi ngelet i njëjtë. Ata që shërbejnë përmes shërbimit të fjalës dhe lutjes, që janë presbiterët/peshkopët, ata duhet që të drejtojnë, iniciojnë dhe mbikëqyrin për ta çuar deri në fund procesin në fjalë. Çfarë vënë re në këtë pasazh është se:

  1. ishin Apostujt ata që mblodhën kishën në një takim “biznesi”;
  2. ishin apostujt ata që caktuar numrin ekzakt të dhjakëve që nevojiteshin;
  3. ishin apostujt ata që instruktuan kishën se çfarë të bënin, të zgjidhnin nga mesi i tyre;
  4. ishin apostujt ata që caktuan që të zgjedhurit duhej të ishin burra;
  5. ishin apostujt ata që madje përcaktuar se çfarë kriteresh këta dhjakë duhej të kishin;
  6. ishin Apostujt ata që pas zgjedhjes së të shtatëve nga bashkësia e Jerusalemit, do ti caktonin këta dhjakë në shërbesë.

Gjashtë pikat e mësipërme, që shërbejnë edhe si parime rregullatorë se si duhet të kryhet procesi, u iniciuan të tëra nga ata që i shërbenin bashkësisë përmes shërbesës së Fjalës dhe lutjes.

Po kështu, sipas 1 Tim. 3:1 dhe Titit 1:5, kisha lokale duhet të zgjedhë e të ketë mbikëqyrës. Mbikëqyrësit, peshkopi, nga përkufizimi i detyrës, ka për qëllim mbikëqyrjen dhe drejtimin e kishës. Sipas 1 Tim. 5:17, presbiterët janë ata që duhet të drejtojnë çështjet e kishës, “Pleqtë që e drejtojnë” është shprehja që përdor Pali. Janë pleqtë ata që drejtojnë. Kaq e rëndësishme është drejtimi I procesit të përzgjedhjes dhe ekzaminimit të burrave për dhjakë, sa që presbiterët/peshkopët duhet të jenë të përfshirë mirë dhe plotësisht në këtë proces.

Jeta ka treguar që nëse barinjtë e kishës nuk marrin iniciativën për të drejtuar dhe shtyrë përpara ndryshimet që ata kanë për qëllim, asgjë pozitive nuk do të ndodhë në jetën e kishës lokale.

Bashkësia duhet që të jetë e përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces.

Gjashtë parimeve të mësipërme nga Vep. 6:2-3 u shtohet edhe një parim i shtatë:

  1. (vii) Bashkësia duhet të jetë e përfshirë aktivisht në proces.

Pavarësisht nga gjashtë parimet e para rregullatorë, një gjë është e qartë nga Dhiata e Re: presbiterët/peshkopë nuk duhet të sillen si diktatorë, burokratë apo si një oligarki sunduese. Pjetri shkroi se pleqtë nuk duhet të sundojnë me një dorë të hekurt: “U bëj thirrje pleqve që janë midis jush…ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me dëshirë…jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar” (1 Pjet. 5:1-3). Ndryshe nga këshilla, që një misionar i huaj kishë-mbjellës, i një organizatë të respektuar botërisht që shërben në Shqipëri, i dha një pastori të ri Shqiptar që e la si zëvendësues prapa, Shqiptarët nuk kanë nevojë për diktatorë. Diktatorët e korruptuar na kanë bërë ky popull që jemi. Kisha në Shqipëri ka nevojë për drejtues sipas Biblës dhe zemrës së Perëndisë. Këta janë ata drejtues dhe kisha lokale që Perëndia bekon.

Si rrjedhim, një pleqësi e mirë, dëgjon me kujdes këshillimin dhe urtësinë e besimtarëve të të gjithë kishës. Një pleqësi e mirë përfshin në mënyrë aktive tërë kishën në përzgjedhjen, trajnimin dhe testimin e dhjakëve të rinj.

Në fakt, konteksti i 1 Tim. 2:10 ka instruktimin që Pali i dërgon tërë kishës në Efes në përgjithësi (1 Tim. 2:1-3;16). Çdo njeri në kishë duhet ti dijë kriteret e karakterit të dhjakut biblik. Po kështu, e tërë kisha është e detyruar që ti shikojë këto parime biblike të aplikuara siç duhet. Si rrjedhim, parimi tjetër që del nga ky kontekst është ky:

  1. (viii) Pleqësia duhet të instruktojë tërë kishën mbi cilësitë, detyrat dhe procesin e përzgjedhjes së dhjakëve të rinj.

Nëse dikush nga bashkësia sjell akuza ndaj burrave të nominuar nga bashkësia, pleqësia duhet ti marrë në shqyrtim këto akuza për të parë nëse ato janë biblike, në përputhje me çfarë thamë me sipër në pjesën e parë të këtij kapitulli. Nëse akuzat janë pa bazë ato duhet injoruar. Por asnjë kandidat për dhjak nuk i duhet mohuar mundësia për të shërbyer si i tillë në kishë, thjesht sepse një apo më shumë persona në kishë janë kundra kandidatit thjesht për arsye apo preferencë personale. Akuzuesit duhet të japin arsye biblike për refuzimin e kandidaturës. Vlerësimi i kandidatëve të rinj nuk është konkurs popullariteti, por një testim karakteri dhe dhuntish në përputhje me Shkrimin e Shenjtë. Nga ana tjetër, nëse një person i vetëm ka akuza të provuara dhe me bazë biblike mbi kriteret e kandidatit, ky i fundit duhet nxjerrë nga kandidimi, pavarësisht se shumica e bashkësisë e dëshiron që ta ketë dhjak. I vetmi standard në Kishën e Krishtit për bërjen e gjërave është Fjala e Krishtit dhe jo preferencat e shumicës. Kisha nuk është demokraci, por monarki. Krishti është Mbreti i saj, dhe gjërat do të bëhen siç do dhe thotë Ai.

  1. (ix) Koha është miku i procesit.

Një gjë është e sigurt. Nëse kandidati për dhjak ka qenë anëtar i asaj bashkësie lokalë për një kohë të konsiderueshme, atëherë karakteri dhe aftësitë e tij mund të njihen mirë nga të gjithë. Në të rast, vitet e jetës së përbashkët në komunitet si pjesë e saj, e kanë testuar dhe provuar kriteret e tij për shërbesë.

Por një burrë që nuk ka qenë për shumë kohë anëtar i asaj bashkësisë, por i një bashkësie tjetër, dhe është larguar asaj për arsye jo të mëkatshme, dhe ka lënë pas një emër të mirë për veten e tij, gjithashtu mund të kualifikohet për shërbesë, dhe ato vite apo referenca që merr prej kishës së mëparshme, mund ti quhen për sprovë e testim. Precedentin për këtë praktike e kemi nga faqet e Dhiatës së Re. Shpesh herë, Apostulli Pal do të dëshmonte për karakterin dhe dhuntitë e provuara të një personi që ai e dërgonte të shërbente në një bashkësi tjetër që nuk e njihte personin që dërgonte Pali. Letra drejtuar Kolosianëve 4:7-8 na jep një shembull: “Tikiku, vëllai i dashur, dhe shërbenjës besnik, dhe shoku im i shërbimit në Zotin, do t’jua tregojë gjithçka lidhur me mua; 8 unë e dërgova te ju pikërisht për këtë arsye, që të njoh situatën tuaj dhe të ngushëllojë zemrat tuaja, bashkë me Onesimin, vëlla besnik dhe i dashur, që është nga tuajt; ata do t’ju tregojnë juve të gjitha gjërat e këtushme.” Po kështu, tek Veprat 9, lexojmë se si Barnaba dëshmoi për besimin e vërtetë dhe shërbimin shembullor të Palit përpara tërë Apostujve që ishin në Jerusalem, me qëllim që këta ta pranonin Pali si një dishepull i vërtetë i Jezus Krishtit (Vep. 9:20-30).

Duhet të ketë trajnim dhe ekzaminim të qëllimshëm të kandidatëve.

Procesi i testimit dhe ekzaminimit të kandidatëve mund të ndryshojë nga bashkësia në bashkësi, apo nga konteksti në kontekst. Por gjithnjë, testimi duhet të jetë i kombinuar me instruktimin. Kandidatët duhet ta kenë të qartë se çfarë do të kërkohet prej tyre si dhjakë, cila do të jenë detyrimet e tyre, cilat do të jenë të drejtat dhe privilegjet e tyre. Dhjakët duhet të jenë të instruktuar në doktrinën e Krishterë, që është edhe një prej pesë kritereve për të qenë dhjak. Dhjakët duhet të jenë të instruktuar edhe mbi mënyrat, rregulloret e brendshme, dhe vendimet e mëparshme që pleqësia apo dhjakët e mëparshëm kanë marrë për mbarëvajtjen e punës. Dhjakët duhet të instruktohen mbi marrëdhënien e tyre me pleqësinë, me kishën në të cilën do të shërbejnë, si dhe me kishat e tjera rajonale. Kjo periudhë trajnimi mund (dhe duhet) të zgjatet disa muaj, pse jo edhe një vit të tërë, deri sa dhjakët e rinj të jenë vërtetë gati për të shërbyer siç duhet. Pra, parimi tjetër është:

  1. (x) Duhet të ketë trajnim dhe ekzaminim të qëllimshëm të kandidatëve.

Por trajnimi nuk duhet të përfshije vetëm studimin, por edhe praktikën. Ata duhet të përfshihen në ndihmën e dhjakëve të vjetër apo pleqësisë, vizitat në shtëpi të sëmurëve apo të të varfërve së bashku me pastorin e kishës apo pleqtë e saj, etj. Në këtë mënyrë, pleqësia dhe bashkësia do të jenë në gjendje për ti ekzaminuar e testuar siç duhet ata burra që janë nominuar për të shërbyer si dhjakë në kishë. Nëse kandidatët e provojnë veten që kanë vërteta thirrje për atë shërbesë, që kanë dhunti e zemër, që kanë njohuri e urtësi, që dinë të bashkëpunojnë me të tjerët dhe nën pleqësinë, atëherë kisha dhe pleqësia duhet që ti veçojë ata përmes shugurimit dhe instalimit në detyre, si dhjakët e kishës.

I tërë procesi duhet mbajtur fort në lutje.

Jeta e kishës varet nga zgjedhja e vendimet që ajo bën. Pleqësia dhe bashkësia ka nevojë për urtësi për të parë se kë ka thirrur Perëndia, se mbi cilin burrë të bashkësisë ai ka vendosur dorën e tij. Gjëja e fundit që kishat e reja në Shqipëri kanë nevojë, është që të bëjnë zgjedhje të gabuara e që nuk janë në përputhje me planin dhe thirrjen e Perëndisë. Aq më tepër, që çdo gjë që bëhet pa lutje agjërime nuk ka shumë shans që të bekohet nga Perëndia.  Bashkësia duhet të lutet për një gjykim të paanshëm, për ndriçim dhe urtësi frymërore. Ajo duhet të dëshirojë vullnetin dhe kënaqësinë e Perëndisë dhe jo të sajën. Dhjakonata është puna e Perëndisë, e thirrur për të bërë punën e Perëndisë, dhe puna e Perëndisë ka nevojë që të mbahet fort në lutje dhe për një kohë të gjatë përpara se sa ajo të jetë gati dhe të bekohet.

Dhjakë të Zyrtarizuar

Parimi i fundit i procesit të zgjedhjes, testimit dhe instalimit të dhjakëve të rinj është pikërisht shugurimi dhe instalimi i tyre në detyrë nga pleqtë/peshkopët e kishës.

  1. (xi) Presbiterët/peshkopët duhet të shugurojnë e instalojnë zyrtarisht në detyrë kandidatët e zgjedhur nga bashkësia dhe të testuar e instruktuar nga të gjithë ata.

Tek Veprat 6:6 lexojmë: “I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.” Pra, pasi Apostujt dhanë numrin e saktë të dhjakëve që kërkoheshin, pasi morën iniciativën, pasi instruktuan kishën mbi kriteret që këta burra duhej të kishin, kisha zgjodhi. Por më pas, bashkësia i nxori këta të zgjedhur përpara Apostujve që ata ti shuguronin dhe instalonin zyrtarisht në shërbesë. Apostujt më pas, u lutën për të Shtatët duke vendosur duart e tyre mbi ta. Ky është procesi i shugurimit e i instalimit zyrtar në detyrë. Lutja me vënien e duarve mbi ata që do të shërbejnë është “ceremonia” (nëse mund të përdorim këtë term) publike dhe zyrtare e veçimit të personave për shërbesë (siç e shikojmë edhe tek Vep. 13:3 dhe 1 Tim. 4:14; 5:22). Kisha dhe puna e Perëndisë nuk është një shoqatë sekrete. Çdo gjë duhet bërë publikisht, aq më tepër veçimi e caktimi i atyre që do ti shërbejnë publikisht Krishtit dhe Kishës së tij.