• on 20/04/2014

Krishti u Ngjall! U Ngjall Vërtetë!

Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin. 2 Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli. 3 Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?”. 4 Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh. 5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura. 6 Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë. 7 Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë”. 8 Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë. (Marku 16:1-8)

Popull i Perëndisë, ngjallja e Krishtit është një ngjarje madhështore pa të cilën asnjë ngjarje tjetër nuk ka kuptim. Pa ngjalljen e Krishtit çdo jetë njeriu shpenzohet pa një shpresë të logjikshme, pa një gëzim të vërtetë, pa një arsye për të jetuar, një jetë që përfundon vetëm në vdekje. Por Krishti u ngjall nga të vdekurit, dhe kjo ndryshon gjithçka. Krishterimi qëndron mbi doktrinën e Ngjalljes, dhe pa të Kryqi i Krishtit nuk ka kuptim. Pa të, kryqi është një akt ekstravagant nga një Jude i shekullit të parë i cili u përpoq që të bënte diçka për të tjerët. Pa të, ai që beson është ende i pa-falur e i pa-shpaguar në mëkatet e veta. Pa të ne nuk mund të shpresojmë që të futemi në prezencën e Perëndisë së Shenjtë. Pa të nuk kemi shfajësim, paqe me Perëndinë, bazën për jetën e përtejshme, për ringjalljen tonë nga të vdekurit. Tre gjëra kryesore duhet të vëmë re nga rrëfimi i Markut 16:1-8 që sapo lexuam:

Mosbesimi i Njerëzve

Tre gra u nisën për tek varri i Krishtit jo për ta përshëndetur atë për ngjalljen, por sepse besonin se ishte ende i vdekur e se do të vazhdonte të qëndronte i tillë përgjithnjë, dhe se ato duhej që t’ia mbaronin ritet e varrosjes atë ditë. Ato shkuan tek varri nga devocioni ndaj tij, edhe pse nje devocion pa besim, nga dashuria që kishin për Krishtin, për ti shërbyer atij edhe një herë të fundit. Por sepse Ai ishte ngjallur, ato nuk do të pushonin kurrë së shërbyeri atij. Në fakt urdhri që ato morën nga engjëlli kishte natyrë misionare. Ato duhej që të shkonin tek dishepujt dhe të ungjillëzonin ata, tu jepnin atyre lajmin e mirë të Ngjalljes së Zotit. Marku na jep një detaj të bukur që tregon gjendjen e tyre mendore dhe emocionale. Ato janë nisur për tek varri dhe gjatë rrugës kujtohen: Kush do të na e rrokullisë gurin? Ato mund të kishin marrë Pjetrin me shokë, por ose ata janë të tërë të shpërndarë si delja pa bari, sepse nuk besojnë ende të ringjallja, ose trishtimi i grave është aq i madh sa nuk i kanë menduar aq gjatë të tëra detajet. Në një farë mënyre këtë gjendje duket se sugjeron Marku kur thotë tek vargu katër “por ngritën sytë dhe panë…se varri ishte i hapur.” Ato erdhën atje me sytë poshtë, pa shpresë, zemërvrara, e të hidhëruara. Ato nuk po prisnin ngjalljen, vetëm ditën e parë të javës, të nesërmen e shabatit të Judenjve, ditën e diele për të larë trupin e brutalizuar nga fshikullimet e ushtarëve, vrimat e gozhdëve ndër gjymtyrë, ijen e shpuar me heshtë, kokën e çjerrë nga një kurorë plot gjemba. Kështu, çfarë u ndodhi këtyre grave atë të diel të parë ishte një surprizë. Dimë nga ungjijtë e tjerë se Maria Magdalena nuk u fut në varr, por u nis menjëherë për tek dishepujt e tjerë, dhe rrugës asaj i doli përpara Zoti i Ngjallur. Dy gratë e tjera futen në varr dhe çfarë shikojnë? Një i ri, i veshur me të bardha, i ulur në të djathtë të varrit. Ky në vetvete është një fant interesant apologjetik që flet  për vërtetësinë e mesazhit të ungjijve. Të parat që morën lajmin e mirë dhe u ngarkuan me përcjelljen e saj ishin gra. Judaizmi nuk e pranonte dëshminë e grave në gjyq. Kështu, nëse Kisha e Hershme do të ishte përgjegjësja e shpikjes së mesazhit të ringjalljes, siç pretendojnë filozofët ateistë, atëherë Kisha do të kishte shpikur dëshmitarë më të besueshëm se sa tre gra të rëndua nga hidhërimi i vdekjes së Jezusit nga Nazareti. Po këtë bën edhe detaji tjetër, ato kishin harruar të planifikonin se kush do të rrokulliste gurin. Rrëfimi i Ngjalljes nuk është historia e njerëzve të përsosur që gjejnë Zotin e Ngjallur, por e disa grave të thjeshta, harraqe, e të natyrshme në hidhërimin e mosbesimin e tyre. Dhe kështu, fakti që mesazhin e parë e morën këto gratë, jo vetëm i ngre ato shumë më lart se ç’bënte  judaizmi apo bën sot emancipimi modernist, por provon origjinën e mesazhit, që nuk është Kisha, por Perëndia.

Mesazhi i Engjëllit

Kjo për më tepër provohet, së dyti, edhe nga prezenca e një personi që qëndron i ulur në të djathtë të varrit dhe që shkakton tmerr tek këto gra. Kush është ky i ri i veshur me të bardha, dhe cili është qëllimi i tij? Së pari, reagimi i grave dhe ungjijtë e tjerë na tregojnë se ai ishte një engjëll i Perëndisë. Dimë nga Bibla se engjëjt nuk kanë gjini, por kur ata marrin forma njerëzore, ata marrin forma dhe emra meshkujsh. Një engjëll, siç dëshmon edhe termi në origjinal, është një mesazher i Perëndisë, një shërbëtor i tij i caktuar për ti ndihmuar njerëzit e Perëndisë, dhe madje edhe vetë Krishtin. Dimë se një shërbesë e tyre e veçantë është sjellja e inkurajimit dhe mbrojtjes veçanërisht kundrejt të vegjëlve dhe atyre në shtratin e vdekjes.  Engjëjt janë gjithmonë prezent në momentet kyçe të historisë së shpëtimit, si në Kopshtin e Edenit, si me patriarkët kur u dha ligji i besëlidhjes në Sinai, në lindjen e Krishtit, në tundimit e Krishtit në shkretëtirë, në Gjetsemani. Ata janë gjithashtu edhe përmbaruesit e Perëndisë. Tek 2 Mbret. 19 mësojmë se si një engjëll i vetëm shkatërroi 185.000 Asirianë brenda një nate. Dhe kështu është e kuptueshme pse gratë janë të frikësuara përtej çdo imagjinate. Perëndia po komunikon përmes prezencës së këtij engjëlli se ky është një moment kyç në historinë e shpëtimit. Ky është një moment që për nga rëndësia është i njëjtë me lindjen e Krishtit, me vdekjen e Tij, me ngritjen në të djathtë të Atit, dhe me Ardhjen e Dytë të Krishtit i cili do të jetë i shoqëruar nga një ushtri qiellore. Prezenca e tij provon identitetin e vërtetë të Jezusit, provon deklaratat e tij mbi identitetin dhe misionin e Tij; provon që ishte që nga pre-ekzistenca me Perëndinë dhe Perëndi, anëtar i Trinisë, Zoti i Lavdisë, i përfshirë në një betejë shpirtërore të përmasave të mbinatyrshme.

Një qëllim i engjëllit ishte rrokullisja e gurit. Por jo që Krishti i ngjallur të dilte jashtë, por që njerëzit mosbesues të futeshin brenda. Ky është qëllimi i engjëjve, të ç’bëjnë mosbesimin dhe ndihmojnë besimin tonë. Gratë kishin ardhur aty për të kërkuar një të vdekur, por engjëlli i përgjigjet “Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë,” (v.6). Ai nuk është këtu! Ai është ngjallur. Dhe me të drejtë Kisha Ortodokse përdor në liturgjinë e saj këtë të Diel përshëndetjen e Pashkës. Krishti i Ngjall. U Ngjall me të Vërtetë! Ky ishte qëllimi dhe mesazhi i engjëllit. Sa kundra është ky mesazh nga ai i mosbesuesve modernë që thonë se gratë shkuan në varrin e gabuar. Nëse kjo është e vërtetë, çfarë po bënte engjëlli atje? Nëse ato ishin në varrin e gabuar, dishepujt, Nikodemi dhe Josefi nga Arimatea, Sinedri i Judenjve dhe Romaket do ta kishin vënë në dukje menjëherë këtë gjë. Po kaq e pamundur është versioni i një farë Hugh Schonfield i cili sugjeron se mos ndoshta Jezusi nuk kishte vdekur në kryq, dhe se iu përtërinë fuqitë në freskinë e varrit. Kjo teori ka disa probleme: Romakët dinin se si të vrisnin dhe se si të siguroheshin se dikush kishte vdekur vërtetë. Prandaj edhe e shpuan në ije, prandaj edhe ungjijtë insistojnë se nga brinja e tij rrodhi ujë e gjak. Çfarë ka ndodhur këtu është një akt i mbinatyrshëm i të Plotfuqishmit Perëndi. Perëndia ka përdorur fuqinë e tij, ka ngjallur Birin e Tij sipas besëlidhjes që kishte më të në Paktin e Paqes. Ky është një akt që shkatërron dhe çmend paragjykimet post-iluministe dhe thotë trupat mund të ngjallen përsëri nga fuqia sovrane e një Perëndie të  plotfuqishëm. Ky është një akt i mbinatyrshëm, mesazhi i Ngjalljes së Krishtit ka karakter të mbinatyrshëm, dhe ka si origjinë Perëndinë.

Mbretëria e Perëndisë

Kjo shpjegon rrjedhimisht, së treti, suksesin e Mbretërisë së Perëndisë, mbijetesën e mesazhit të Ngjalljes, dhe me të edhe të Kishës. Engjëlli u tha të mos kishin frikë, ndërsa gratë qëndrojnë të tmerruara para tij. Engjëlli i urdhëroi që të shkonin tek dishepujt, tu jepnin lajmin e mirë, dhe tu thonin atyre se Krishti po i priste në Galile, siç u pati thënë. Çfarë bëjnë gratë? Nuk i thanë asgjë, askujt nga frika. Po të ishte për këto gra, po të ishte për Pjetrin, për Thoma dyshuesin dhe dishepujt e tjerë, mesazhi i Ngjalljes nuk do të ishte dëgjuar kurrë. Marku përdor të njëjtin term për gratë, që përdori për dishepujt kur u larguan me vrap nga Krishti në Gjetsemani. Nëse Krishterimi dhe mesazhi i Pashkës do të vinte nga njeriu, nuk do të kishte mbijetuar.  Rabi Gamalieli, që nderohet ende sot nga judenjtë, foli me vërtetësi e urtësi kur tha: “Unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve (Apostujve e burgosur për predikimin e ungjillit) dhe t’i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet, por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!” (Vep. 5:38-39). Ky është realiteti dhe shpjegimi i Krishterimit. Kisha nuk filloi nga vullneti, dëshira e fuqia njerëzore, por nga vullneti dhe fuqia e  të Plotfuqishmit Perëndi. Prandaj Kisha do të jetë gjithmonë. Ne mund të mos jemi gjithmonë, kjo kishë lokale, trupat tanë, por Kisha mbarëbotërore do të jetë gjithmonë. Marku nuk do që ne të fokusohemi në besimin e grave dhe apostujve që nuk e kishim, ashtu siç edhe ne nuk duhet të fokusohemi në besimin tonë që nuk e kemi nga vetja, por është dhuratë nga hiri i Perëndisë (Efes. 2:8-9). Marku do që ne të fokusohemi vetëm në fuqinë e Perëndisë që na manifestohet në atë varr bosh. Ngjallja e Krishtit provoi vërtetësinë e deklaratave të Krishtit mbi identitetin e tij, mbi qëllimin e tij, dhe mbi përfitimet e kryqit.  Pjetri në predikimin e tij të parë tha se Krishti u vërtetua përmes veprave të fuqishme nga Perëndia (Vep. 2:22) dhe këtu përfshihet mbi të gjitha Ngjallja e Tij nga Perëndia. Ngjallja e tij na provon faljen tonë të mëkateve vetëm përmes besimit vetëm në Jezus Krishtin; na siguron për ngjalljen tonë nga të vdekurit. Kjo është siguria jonë, jo se e tha Kisha në Bibël, jo se e besuan disa gra e apostuj, por se e tha dhe e vërtetoi Perëndia përmes veprave të Tij.

Por nuk është e mjaftueshme të besojmë se Ai është ngritur nga të vdekurit. Urdhri i Engjëllit përsëritet nga Krishti pasi edhe në fakt vinte prej tij, në Urdhërimin e madh që është “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj,” (Mateu 28:19). Fuqia dhe lavdia e Ngjalljes shënon pikën e kthesës në historinë e njerëzimit. Jezusi sot lavdërohet e ngrihet lart në të tëra skajet e botës. Kisha universale sot dhe çdo të Diel feston Zotin e Ngjallur. Portat e Ferrit nuk do të qëndrojnë kundra Kishës sepse Krishti i Ngjall. Ai u ngjall vërtetë! Në vdekje apo vuajtje, në situata vështirësish ekonomike apo fizike, premtimet e Perëndinë janë Po dhe Amen në Krishtin e ringjallur. Ngjallja e tij është shpresa e sigurt për ne, që edhe ne një ditë do të to të ngrihemi me Atë, se vdekja e humbi hidhësinë dhe është sot vetëm porta për tek përjetësia e Perëndia. Përmes Ngjalljes, Krishti që mundi vdekjen na jep jetë. Krishti u Ngjall! Ai u Ngjall Vërtetë!