Krishti, Ndërtuesi i Mbretërisë!

  • on 30/01/2018

Krishti, Ndërtuesi i Mbretërisë!

 

Krishti po ndërton kishën e tij. Ai po përmbush qëllimet e tij të shenjta. Të gjitha autoritetet në qiell dhe në tokë janë të tijat (Mt 28:18). Prandaj, mbretëria e tij po përparon sipas kushteve të tij, nëpërmjet mjeteve të caktuara prej tij dhe në kohën e tij hyjnore. Ky është një lajm i mirë për Kishën e Reformuar Durrës, dhe për çdo kishë tjetër që i beson e mbështetët në Atë. Krishterimi është nën presion në të gjithë botën. Opinioni publik, shteti, Islami, e sekularizmi janë kundra Krishterimit biblik. Perversioni festohet hapur. E vërteta e Perëndisë përbuzet hapur. Ateizmi e supersticioni pagan sundon ngado.  E megjithatë, kjo nuk e ndryshon lajmin e mirë që Zoti ynë i kryqëzuar, i ngritur dhe i lartësuar po ndërton mbretërinë e tij në mbarë botën dhe të gjitha legjionet e ferrit janë krejtësisht të pafuqishëm ta ndalojnë atë (Mateu 16:18). Edhe më parë, historia e ka parë Kishën të testuar dhe fitimtare, sepse kisha e vërtetë lulëzon në vështirësi dhe përndjekje. Drita shkëlqen më të ndritshme kur gjërat bëhen më të errëta.

Psalmi 2 na tregon se krerët e dheut komplotojnë kundër Jehovës dhe kundër Krishtit të tij. A nuk e shohim qartë sot këtë? Por ai që ulet në qiej qesh (2:2-3). Zoti e vendosi Birin e tij, mbretin e tij, mbi malin e shenjtë të Sionit. I gjithë autoriteti është i tiji. Krishti do t’i përmbushë qëllimet e tij shpenguese nëpërmjet Fjalës dhe Frymës së tij të Sovran. Mund të jemi të sigurt se Jezusi do të shpengojë të zgjedhurit e tij dhe do të shpëtojë të gjithë ata që gjejnë strehë tek ai (Psalmi 2:6-7; 12; Efes. 1:4-14; 2:8-9). Është me këtë besim të thellë dhe të qëndrueshëm që ne bëjmë dishepuj në Durrës dhe më gjerë.

Libri i Veprave të Apostujve është një raportim historik i reagimit besnik të apostujve ndaj mandatit misionar të Zotit tonë për të shkuar dhe bërë dishepuj nga të gjitha kombet,  dëshmitarë të tij deri në skajet e tokës (Mateu 28:18; Veprat 1:8). Apostujt ishin besnikë sepse ata me guxim shpallën gjithë këshillën e Perëndisë (Veprat 20:27) dhe mbollën kisha biblike. Në këto kisha, Fjala dhe sakramentet ishin veglat kryesore të dishepullimit (Veprat 2:42). Ato ishin instrumentet kryesore të ushqyerjes shpirtërore (1 Pjetrit 2:2), që udhëhiqnin njerëzit e Perëndisë për të qëndruar në Krishtin dhe të vërtetën e tij të shenjtëruese. Për më tepër, predikues të kualifikuar dhe pleq të perëndishëm u zgjodhën me kujdes dhe me lutje për të siguruar mbikëqyrje, përkujdesje, mbrojtje dhe instruktime frymore për kopenë (Veprat 14:23, Titi 1:5).

Prandaj, apostujt përmbushnin Porosinë e Madhe duke përdorur metodat dhe mjetet e Krishtit nëpërmjet shërbesës së kishës (Efesianëve 4:1-16). Kisha lokale është fabrika e Perëndisë për të prodhuar dishepuj. Perëndia nuk na ka dhenë alternativa të tjera. Krishterimi individual e personal i shkëputur nga pjesa tjetër e kishës dhe të instrumenteve të Perëndisë nuk është fare krishterim. Kisha lokale është konteksti i caktuar nga Perëndia, ku besimtarët rriten nën predikimin dhe doktrinat e shëndosha të Shkrimeve, marrin mbikëqyrje frymërore dhe japin llogari nga udhëheqja e kishës, dhe kështu ndërtojnë njëri-tjetrin përmes ushtrimit të dhuntive frymërore. Pikërisht për këtë arsye, mbjellja dhe forcimi i kishave biblike duhet të jetë detyra parësore e kishës, ndërsa kërkojmë të përmbushim Porosinë e Madhe.

Anëtarë të Kishës së Reformuar Durrës, le t’i kushtohemi me më zell shërbesave të kishës dhe inkurajimit të ndërsjellë të vëllezërve dhe motrave tona në Krishtin. Për më tepër, le të lutemi. Lutja është dëshmi e mbështetjes sonë të plotë ndaj Perëndisë dhe e besimit tonë se ai dëgjon dhe përgjigjet kur ne e kërkojmë. Merrni kohë këtë pasdite dhe këtë javë për t’u lutur për sa vijon:

Kërkesa për Lutje

  • Lutuni që anëtarët e Kishës të rriten frymërisht nën shpalljen e ungjillit nëpërmjet fjalës dhe sakramentit çdo Ditë të Zotit.
  • Lutuni që ne të jemi dëshmitarë besnikë në Durrës dhe në botë.
  • Lutuni për konvertime apo kthime të vërteta në Krisht.
  • Lutuni për një përkushtim në rritje në shtëpitë tona, martesat dhe në Kishë.
  • Lutuni për të papunët, të varfrit dhe të sëmurët në mesin tonë.
  • Lutuni për ofiqmbajtësit e ardhshëm, pleq e dhjakë, që të jenë të thirrur dhe të të kualifikuar për shërbesë.
  • Lutuni për pastorin: për shenjtëri personale, mençuri, përulësia, pastërtia, menaxhimi të kohës, mbrojtje nga bota, mishi dhe djalli.
  • Lutuni për një ndërtesë afatgjata e përfundimtare.
  • Lutuni për dy nënat që presin fëmijë dhe foshnjat e tyre, Marsi dhe Lusi, si dhe që të kemi shtatzëni edhe ndër ato gra që i dëshirojnë ato.
  • Lutuni për organizimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të shërbesës së fëmijëve dhe të rinjtë që rritet.
  • Lutuni gjithashtu për shërbesat tona për burrat dhe gratë.
  • Lutuni që Perëndia të bëjë shumë më tepër se nga sa lutemi apo mendojmë, sipas fuqisë që vepron brenda nesh (Efesianëve 3:20).
  • Lutuni për reformim dhe ringjallje në Durrës!