Kredoja e Kredove

  • on 29/08/2014

Kredoja e Kredove

(Kredoja e Kredove ne pdf)

Unë besoj

në Perëndinë

Atin e Gjithëpushtetshëm
krijuesin e qiellit dhe të tokës;

në Jezus Krishtin,

Birin e tij të vetëm,
i cili u mbars nga Fryma e Shenjtë,
u lind nga Virgjëresha Mari,
i cili vuajti nën Pontin Pilat,
u kryqëzua,
vdiq e u varros;
ai zbriti në ferr;
ditën e tretë ai u çua prej së vdekurish,
u ngjit në parajsë
dhe ulet në krahun e djathtë të Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm,
prej nga do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.

në Frymën e Shenjtë,

Kishën e shenjtë të përgjithshme,
bashkësinë e shenjtorëve,
faljen e mëkateve,
ngjalljen e trupit dhe
jetën e përjetshme.

AMEN

Ndër tërë kredot e shkruara nga Krishterimi në këto dymijë vjet, Kredoja e Apostujve është më e njohura. Pastori i famshëm Baptist F.B. Meyer shkroi një komentar mbi Kredon e Apostujve dhe e titulloi atë qëllimisht Kredoja e Kredove (The Creed of Creeds).[1]

Origjina Historike

Por çfarë të drejtë ka kjo kredo që të mbajë emrin e Apostujve në titullin e saj? Tradita e Katolike insiston se kjo kredo u shkrua nga vetë Apostujt, ditën e Rrëshajave kur Fryma ra mbi ta, dhe se secili prej Apostujve kontribuoi nga një frazë të kësaj kredoje. Kjo traditë vjen nga pena e Rufinusit të Aquileisë (340-410 Pas Krishtit), një prej etërve e shkrimtarëve të hershëm të Krishterimit, dhe teksti i plotë i saj gjendet në librin e tij Një Komentar mbi Kredon e Apostujve,[2] i shkruar rreth vitit 400. Për këtë arsye, Kisha Katolike e konsideron këtë kredo të Frymëzuar nga lart, e të barabartë me Biblën.

E vërteta është së rrëfimi i Rufinusit ka të tëra elementet letrare dhe historike të një legjende, dhe në fakt është larg të së vërtetës. Ndër Kishat në lindje të Adriatikut, kjo kredo nuk u pranua kurrë të kishte origjinën dhe autoritetin që Kisha në perëndim të Adriatikut i atribuonte asaj, dhe për këtë arsye, ndryshe nga Kredot e Nikeas dhe të Kalcedonit, nuk mund të thuhet se Kredoja e Apostujve është një kredo ekumenike. Delegatët e Kishave të Lindjes madje e sfiduan autorësinë e saj “apostolike” në Koncilin e Firences më 1438-1445. Në këtë pikë të Mesjetës, mosdashja e Kishës Ortodokse në njohjen e origjinës “apostolike” të Kredos kishte të bënte edhe me marrëdhëniet e këqija që kjo kishë kishte me Kishën Katolike pas skizmës së madhe të vitit 1054 A.D. Por mbi të gjitha ajo kishte të bënte me parimin se nëse një dokument do të ishte apostolik dhe i frymëzuar nga Perëndia ditën e Rrëshajave, ajo pa tjetër do të gjendej në atë formë në ndonjë nga faqet e Dhiatës së Re. Marcus Eugenicus, Metropolitani i Efesit dhe një prej delegatëve të lindjes në këtë Koncil, deklaroi se “Nëse do të ishte e tillë, Libri i Veprave të Apostujve do të bënte fjalë për të në përshkrimin që i bën koncilit të parë apostolik në Jerusalem.”[3] Ky është një argument i parë pse nuk kjo Kredo nuk mund të merret si e shkruar nga Apostujt.

Së dyti, nëse kjo kredo do të ishte në qarkullim që nga koha e Apostujve dhe e shkruar prej tyre, atëherë Etërit e Kishës së Hershme, që erdhën shumë dekada më vonë, do ti ishin apeluar kësaj kredoje në debatet e tyre me heretikët që dolën nga mesi tyre. Fakti që në asnjë rast nuk i apelohen zyrtarisht kësaj kredoje, provon se ajo ose nuk ishte ende në ekzistence, ose ishte në segmentet e para të evoluimit të saj.

Së treti, Etërit e Kishës së Hershme nuk do të kishin prodhuar kaq shumë kredo në 400 vitet e para të jetës së Kishës, nëse tashmë do të kishin një kredo që mbante vulën dhe autoritetin Apostolik, dhe tek e cila mund të apeloheshin për çdo debat teologjik.

Për këto arsye dhe shumë të tjera, edhe Reformatorët Protestantë me në krye John Calvin e Martin Luther, dhe si rrjedhim Kisha ungjillore kudo nëpër botë pas tyre, nuk e pranoi Kredon e Apostujve si të shkruar prej tyre, dhe as e frymëzuar prej Frymës së Shenjtë.[4]

Por përse duhet të marrin nën studim dhe përdorim këtë kredo?

Arsyeja që ne kemi për ta quajtur atë “Kredoja e Apostujve,” ka të bëjë me doktrinën dhe qëllimin që ajo përmbush. Ajo përmban doktrinën apostolike dhe pikat kryesore të predikimit apostolik. Për këtë arsye mund të themi se kjo kredo është si ajo e besimit dhe e predikimit të Apostujve. Si një përmbledhje e tyre, dhe për aq kohë sa i qëndron besnike mësimit apostolik, ne mund të themi se kjo është Kredoja e Apostujve. John Calvin shkroi:

Unë e quaj atë Kredoja e Apostujve pa u merakosur shumë për autorësinë e saj sepse edhe etërit e hershëm e konsideruan atë gjithnjë që të ishte një përmbledhje e mësimit të tyre (apostujve)…e kështu e gjykojmë atë të jetë e padebatueshme, dhe e vemja gjë që ka rëndësi për ne, është fakti që e tërë historia e besimit tonë përmblidhet në të, në një mënyrë të saktë dhe në renditjen e duhur, dhe se kjo kredo nuk përmban asgjë që nuk garantohet e mësohet nga vetë Shkrimi i Shenjtë.[5]

Për këtë arsye pra ajo mund të quhet kredoja e apostujve dhe konsiderot sot nga të gjithë një kredo ekumenike përreth së cilës të Krishterët të çdo lloj denominacioni mund të mbillen në unitet.

Në fakt kredoja është zgjerimi i Mateut 28:19: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.” Etërit e Kishës së Hershme besuan se Mateu 28:19 ishte kredoja që Jezusi i pat dhënë Kishës.

Është pikërisht besimi i Kishës mbi Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë që kjo kredo përkufizon, dhe ka shumë mundësi që kjo kredo u konstruktua kështu për të rrëfyer besimin e Kishës mbi këto doktrina madhështore e themeltare, të cilat kishin qenë që nga fillimet e saj thelbi i predikimit apostolik e misionar.[6]

Athanasi i Aleksandrisë (296-373 A.D) shkroi: “Përmbledhja e tërë besimit tonë gjendet në fjalët e pagëzimit të Krishterë, ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.’”[7] Po kështu Augustini shkroi, “Zoti ynë Jezus Krisht, pas ngjalljes së tij të lavdishme prej të vdekurit, dhe pak para ngjitjes tek Ati, i besoi si trashëgimi dishepujve të tij këto mistere të besimit duke u thënë, ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë’”[8]

Ati i famshëm i Kishës së Hershme, Ambrozi i Milanit është i pari që e përmend Kredon e Apostujve në një letër të tij në vitin 389 A.D.[9] Më pas, nxënësi i tij, Augustini i Hippos gjithashtu ndërton një metodë instruktimi për të krishterët mbi këtë kredo.[10] Por kemi evidenca historike që kjo kredo ishte rrëfimi i kishës edhe shumë kohë para këtyre etërve. Tertulliani (160-225 A.D) na ka lënë një formë të hershme të saj që në vitin 220, dhe madje edhe para tij, Ireneasi (130-202) kryepastori i Lionit dokumenton ekzistencën e kësaj kredoje tashmë në formim e sipër. Historiani Philip Schaff ka dokumentar evolucionin e kësaj kredoje nga shkrimet e Etërve të Kishës së Hershme,[11] ndërsa studiues të tjerë kanë argumentuar bindshëm se që nga vitet 180 A.D. kemi një kredo të shkruar dhe në përdorim, edhe pse jo në këtë formë siç e kemi sot.[12]

Përdorimi i Kredos

Siç u tha më lart, kredoja është zgjerimi i Mateut 28:19 dhe ka një strukturë të trefishtë, për të reflektuar kështu Trininë. Në format e hershme të saj, ajo kishte një strukture pyetësori dhe ishte rrëfimi publik i besimit që bëhej nga besimtari i ri përpara dhe gjatë momentit të pagëzimit.

Besimtarit të ri i bëhej tre herë pyetja; Çfarë beson? Dhe ndërsa ai deklaronte-“Unë besoj në Perëndinë Atin e Gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit dhe të tokës,” drejtuesi i kishës derdhte ujë mbi kokë duke thënë-“Unë të pagëzoj në Emër të Atit.”

Më pas pyetja bëhej përsëri, dhe përgjigja që vinte prej besimtarit ishte-“Unë besoj në Jezu Krishtin, Birin e tij të vetëm, i cili u mbars nga Fryma e Shenjtë, u lind nga Virgjëresha Mary, i cili vuajti nën Pontius Pilate, u kryqëzua, vdiq e u varros; ai  zbriti në ferr; ditën e tretë ai u çua prej së vdekurish, u ngjit në parajsë dhe ulet në krahun e djathtë të Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm, prej nga do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit,” drejtuesi i kishës derdhte përsëri ujë mbi kokën e tij duke i thënë-“Unë të pagëzoj në Emër të Birit.”

Herën e tretë besimtari rrëfente-“Unë besoj në Frymën e Shenjtë, Kishën e shenjtë të përgjithshme, bashkësinë e shenjtorëve, faljen e mëkateve, ngjalljen e trupit dhe jetën e përjetshme,” dhe përsëri drejtuesi i kishës derdhte ujë mbi kokën e tij duke i thënë-“Unë të pagëzoj në Emër të Frymës së Shenjtë, Amen.”

Kështu, që nga fillimet e saj, kredoja përdorej gjatë shërbesës së adhurimit. Ajo ishte një shprehje personale e besimit, por që bëhej publikisht nga një njeri që mund të mos e njihte Biblën dhe doktrinën Kristiane në tërësi dhe thellësi të saj, por kishte instruktimin e njohjen e mjaftueshme e shpëtuese për tu bërë trup i Krishtit. Besimtarët e rinj e mësonin këtë kredo dhe kuptimin e saj pas një kohe të konsiderueshme instruktimi, që do të thotë se që nga fillesat e saj, kredoja ishte jo vetëm një element i shërbesës publike të adhurimit të Perëndisë ditën e Diel, por ishte gjithashtu edhe plani mësimor për instruktimin e dishepullimin e besimtarëve të rinj, që është edhe qëllimi i këtij libri.

Që në fillesat e saj Kisha Ungjillore apo Protestante siç njihej në ato kohë, përqafoi si përdorimin e Kredos së Apostujve për qëllime liturgjike, pra ajo recitohej njëzëri nga bashkësia diku nga fillimi i shërbesës, por edhe për instruktim. Martin Luter shkroi një komentar të shkurtër mbi këtë kredo për instruktimin e fëmijëve të vegjël.[13] Institute of Christian Religion, vepra madhështore teologjike e Reformatorit John Calvin është e strukturuar përreth Kredos së Apostujve dhe është në fakt një shtjellim i saj.[14] Calvin e shkroi këtë vepër për ti provuar drejtuesve fetarë dhe politikë Evropianë, se besimi i ri protestant / ungjillor nuk ishte një besim i ri, por i vjetër sa edhe vetë Kisha, se i përmbahej mësimit biblik dhe se përqafonte doktrinat apostolike si ato që gjendeshin në Kredon e kredove. Ndërsa reformatori Holandez Herman Witsius shkroi një komentar voluminoz prej katër volumesh mbi Kredon e Apostujve.[15] Që nga kjo kohë, pastorë e teologë të çdo gjeneratë e denominacioni nuk kanë reshtur të shkruari tekste instruktimi mbi këtë kredo.

Struktura e Kredos

Së pari, kjo kredo është Trinitariane. Siç u tha më lart, kredoja ka një strukturë të trefishtë, pasi na instrukton mbi personin dhe veprën e gjithsecilit prej tre personave të Trinisë. Ajo fillon me Atin, atributet dhe veprën e tij, vazhdon me personin dhe veprën e Birit, dhe përfundon me personin dhe veprën e Frymës që aplikon veprën e Kryqit në jetën e Kishës dhe të besimtarit deri në përjetësi.

Së dyti, kjo kredo është historike. Bukuria e kësaj kredoje qëndron edhe në faktin se ajo tregon një histori, historinë e shpëtimit tonë në renditje kronologjike. Perëndia është në fillim, Ai krijon; më pas Ai dërgoi Birin, të ngjizur e lindur në mënyrë të mrekullueshme prej një virgjëreshe, i cili lindi, vuan, vdes e ngrihet, e që sot mbretëron si Perëndi fitimtar duke drejtuar historinë për drejt konsumimin përfundimtar që përfundon me ringjalljen e madhe dhe gjykimin e tërë botës. Dhe më pas, i dërguar, Fryma agon mbi Kishën, bashkësinë e shenjtorëve për ti dhënë jetë asaj, faljen e mëkateve, e madje edhe ngjalljen e trupit për në jetën e përjetshme. Bibla na tregon këtë histori shpëtimi, dhe po kështu bën edhe kredoja jonë, sepse edhe vetë jetët tona janë historia e aplikimit të shpëtimit në ne.

Së treti kjo kredo është faktuale. Ajo nuk është një liste ligjesh, teorish a spekulimesh. Ajo është një listë faktesh që kanë ndodhur në kohë dhe në hapësirë. Njeriut modern mund të mos i pëlqejnë shumë gjëra, dhe mund të ketë shumë opinione të ndryshme mbi Biblen, Krishterimin edhe Perëndinë. Çdo njeri mund të ketë opinionet e tij, por jo faktet e tij. Faktet janë ato që janë. Njeriu mund të injorojmë Perëndinë dhe të insistojë që ai nuk ekziston, por kjo nuk e ndryshon faktin që Ai është Ati i gjithëpushtetshëm, Krijues i qiellit e i Tokës.

Së katërti, kredoja gjithashtu mban edhe balancën e duhur për sa i përket prioriteteve. Historia e shpëtimit tonë buron sipas Kredos nga Perëndia drejt nesh dhe jo anasjelltas. Historia nuk fillon me ne por kur Perëndia e fillon atë (Jobi 38:4). Sa ndryshe është ky rrëfim nga dëshmia që buron nga fjalët dhe jeta e shumë besimtarëve që e vënë veten e tyre në qendër të ekzistencës së Perëndisë dhe të shpëtimit të siguruar prej Krishtit. Aq më tepër që nëse ne e njohim Perëndinë, kjo nuk është sepse ne ishim shpirtërorë apo të zgjuar. “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Kor. 2:14). Kjo është sepse Biri është ai që na e ka bërë të njohur Atin (Gjo. 14:9). Krishti tha “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur,” (Gjo. 1:18). Ati është ai që na deshi ne i pari (1 Gjo. 4:19), dhe që na u vet-zbulua (Heb. 1:1-2), duke na zbuluar kështu mëshirshëm zemrën e tij ndaj nesh përmes historisë së shpëtimit në Bibël.

Së pesti, kjo kredo është Kristo-Centrik. Ajo ka në qendër të saj jetën dhe veprën e Krishtit. Nga 109 fjalë, 73 prej tyre kanë të bëjnë me Krishtin. Në mënyrën e saj, Kredoja mburret me dhe prezanton ungjillin. Cili është qëllimi i ungjillit? Të flasë për lumturinë tënde? Të flasë për shpëtimin nga flakët e ferrit? Të flasë për profecitë e gjuhët e panjohura apo pagëzimin me Frymën e Shenjtë? Të flasë për fundin e botës? Të flasë për pendimin, besimin, rilindjen, apo dishepullimin? Jo! Ungjilli flet vetëm për Krishtin. Apostulli Pal tha:

Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si në dështimit. (1 Kor. 15:1-8)

Ky Kristocentrizëm i Kredos na tregon dy gjëra për Kishën e Hershme: Së pari, Kisha e hershme predikonte doktrinë dhe kishte në qendër të saj Krishtin, Së dyti, heretikët e asaj kohe e kishin sulmuar Ungjillin pikërisht në pikën e saj më qendrore, tek Doktrina e Jetës dhe Veprës së Krishtit.

Së fundi, kjo kredo ka një frymë pozitive dhe ndërtuese. Ndryshe nga disa kredo të tjera bashkëkohore, si ajo që njihet si Kredoja e Athanasit, që është e mbushur me kërcënime e mallkime kundra heretikëve, Kredoja e Apostujve ka një ton pozitiv, rrëfyes e ndërtues. Pa ju trembur deklarimit të së vërtetës, konstruktuesit e Kredos rrëfyen atë që besonin dhe e bënë këtë gjë me mjaft hir e përulësi.

Kufizimet e Kredos

Kredoja e Apostujve nuk është e përsosur. Sigurisht që asnjë kredo, katekizëm apo rrëfim besimi nuk mund të jetë. Vetëm Fjala e Perëndisë, sepse është e frymëzuar nga vetë Perëndia mund të jetë pa gabime. Kredot, si produkte njerëzore mund të gabojnë, dhe duhet të ngelen standarde teologjike të nënrenditura dhe të varura nga Bibla, dhe kredot duhet të pranohen si autoritete doktrinare vetëm për aq larg sa në mënyrë besnike përfaqësojnë dhe përmbledhin doktrinën biblike. Në këtë drejtim, par aq sa thotë, Kredoja e Apostujve është plotësisht e saktë. Kufizimet e Kredos kanë të bëjmë me ato që nuk thotë.

Kredoja nuk përmend doktrina themelore si ajo e Shfajësimit vetëm përmes besimit në Krishtin; e Frymëzimit të Biblës; e Sovranitetit të Perëndisë në shpëtimin e mëkatarëve; e Sakramentit të Pagëzimit dhe të Darkës së Zotit. Aq më pak Kredoja nuk përmend doktrina të dyta edhe pse po aq të rëndësishme si ajo e mënyrës së administrimit të Kishës apo e martesës. Si rrjedhim, shumë persona dhe Kisha që ne nuk do ti konsideronim që të Krishterët biblikë apo si Kisha të vërteta mund ti aderohen kësaj Kredoje. Dëshmitarët e Jehovait dhe Mormonët mund të thonë, ‘Unë besoj në Perëndinë Atin e Gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit dhe të tokës.’ Kisha Katolike e Romës mund ta recitojë me ndërgjegje të pastër këtë kredo, edhe pse kjo Kishë mohon se shpëtimi është vetëm nga Hiri, vetëm përmes instrumentit të besimit që vihet vetëm në Krishtin. Madje edhe teologët liberalë mund të nënshkruajnë në fund të kredos sepse ajo nuk flet për doktrinën e frymëzimit të Biblës dhe për çështjet e seksualitetit njerëzor. Kjo është arsyeja, që kredoja duhet marrë dhe përdorur për aq sa na shërben, dhe shumë madje, por gjithmonë duhet suplementuar më rrëfime më të plota të besimit si Kredoja e Nikeas, Kredoja e Kalcedonit, dhe Rrëfimi i Uestminsterit. Në vetvete, Kredoja e Apostujve nuk është e tërë e vërteta Biblike, por për aq larg sa shkon, ajo është plotësisht e vërtetë, dhe për këtë arsye ajo ka qenë shumë e vlefshme dhe shume e dashur për Kishën e Krishtit në çdo vend e epokë ta saj.

Dhe kështu është për të ardhur keq që shumë pak të Krishterë e njohin dhe janë në gjendje që ta riprodhojnë nga memoria këtë kredo. Historikisht, memorizimi i kësaj kredoje ka qenë i detyrueshëm si për fëmijët që vinin në Kishë ashtu edhe për ata që besonin e pagëzoheshin pas asaj moshe. Kjo Kredo dikur recitohej njëzëri nga të Krishterët çdo të diel gjatë shërbesës së adhurimit. Humbja e këtyre praktikave është humbje për Kishën. Në një kohë kur kudo nëpër botë, të Krishterët duhet të qëndrojnë të bashkuar përreth trungut të besimit Kristian, tendenca e Kishës është defragmentarizimi doktrinal, insistimi i pa mend që doktrina është përçarëse, dhe refuzimi për të pranuar se uniteti të cilin kërkon Apostulli Pal kur thotë “ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes”(Efe. 4:3) sigurohet vetëm kur kemi unitet përreth doktrinave Apostolike të “besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë” (Efe. 4:13). Ne duhet të zbulojmë e vlerësojmë urtësinë e të vjetërve në konstruktimin e Kredos së Apostujve. Ndërsa fryma e kohës moderne është arrogante, nihiliste dhe zhvlerësuese për urtësinë e të vjetërve, Perëndia thotë “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Jeremia 6:16).

 

 

 

 

[1] F. B. Meyer, The Creed of Creeds: A Series of Short Expositions of the Apostles’ Creed (New York: Revell, 1906).

[2] Kelly, J. N. D., Rufinus, Rufinus: A Commentary on the Apostles’ Creed (Westminster, Maryland: The Newman Press, 1955).

[3] J N D Kelly, Early Christian Creeds (Hoboken: Taylor and Francis, 2014), 4.

[4] Kisha Katolike e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj kredos. Ne Katekizmin e Kishës Katolike, botim i vitit 1994 thuhet: “Kredoja e Apostujve quhet kështu sepse me të drejtë është një përmbledhje besnike e besimit apostolik.” (Catholic Church, Catechism of the Catholic Church (Vatican City : Chicago, IL: Libreria Editrice Vaticana ; [distributed by] Loyola University Press, 1994), faqe 53, par. 194).

[5] Jean Calvin and Ford Lewis Battles, Calvin: Institutes of the Christian Religion (Louisville, Ky.: Westminster John Knox Press, 2001), II.xvi.18.

[6] William Barclay, The Apostles’ Creed (Louisville, Ky.: Westminster John Knox Press, 1998), 3.

[7] Herman,  Fraser, Donald,, Witsius, Sacred Dissertations: On What Is Commonly Called the Apostles’ Creed (Escondido, CA; Phillipsburg, NJ: The den Dulk Christian Foundation ; Dist. by Presbyterian and Reformed Pub. Co., 1993), 12.

[8] Ibid., 12.

[9] Ambrose, The Letters of S. Ambrose, Bishop of Milan (Oxford: J. Parker, 1881), 284.

[10] Augustine, The Augustine Catechism: The Enchiridion on Faith, Hope, and Charity (Hyde Park, N.Y.: New City Press, 2008), 35.

[11] Philip., Schaff, David S., Schaff, The Creeds of Christendom: with a History and Critical Notes (Grand Rapids, Mich.: Baker Book House, 1983), 52-56.

[12] F. L. Cross and Elizabeth A. Livingstone, eds., The Oxford Dictionary of the Christian Church, 3rd ed. rev. (Oxford ; New York: Oxford University Press, 2005), 90. Henry Scowcroft Bettenson ,, Documents of the Christian Church (London; New York: Oxford University Press, 1963), 23. Joseph H. Lynch, The Medieval Church : A Brief History (London; New York: Longman, 1992), 7.

[13] Martin, Luther, Lee Wolf, Bertram, Reformation Writings of Martin Luther (Cambridge: James Clarke, 2002).

[14] Jean Calvin and Ford Lewis Battles, Calvin: Institutes of the Christian Religion (Louisville, Ky.: Westminster John Knox Press, 2001).

[15] Herman, , Fraser, Donald,, Witsius, Sacred Dissertations: On What Is Commonly Called the Apostles’ Creed (Escondido, CA; Phillipsburg, NJ: The den Dulk Christian Foundation ; Dist. by Presbyterian and Reformed Pub. Co., 1993).