• on 07/11/2014

Kisha dhe Izraeli

Në fillim, Perëndia krijoi Adamin dhe Evën për të qenë një komunitet adhuruesish, për të qenë Kisha e Perëndisë. Ai do të ishte Perëndia i tyre dhe i fëmijëve të tyre, dhe ata do të ishin populli i Tij. Por rënia e tyre shkatërroi marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin si edhe me Perëndinë. Përçarja u bë edhe më e madhe me gjeneratën e dytë të njerëzve kur Kaini vrau vëllanë e tij. Trajektorja e filluar nga Adami dhe e thelluar nga Kaini u vulos e u ratifikua nga pasardhja e tij kur ata themeluan një komunitet për adhurimin…e vetes së tyre në Kullën e Babelit (Zan. 11). Njëkohësisht me këtë zhvillim, shikojmë edhe linjën e adhuruesve të vërtetë të Perëndisë që vjen nga Sethi tek Abrahami. Perëndia i premtoi Abrahamit se prej tij do të dilte një komb i madh dhe se përmes tij, Perëndia do të bekonte tërë kombet e botës (Zan. 12:1-3).

Perëndia i premtoi më vonë Jakobit, nipit të Abrahamit se nga dymbëdhjetë bijtë e tij, Ai do të sillte një “kuvend popujsh” (Zan. 28:12) që do të adhuronin Perëndinë, dhe që si Jakobi vetë, ashtu edhe pasardhja e tij do të njiheshin me një emër të ri, Izrael. Termi kuvend në hebraisht ishte qahal, që në Greqisht u përkthye ekklesia, “kisha.”  Momenti i parë i arritjes së këtij qëllimi, i një komuniteti që adhuronte Perëndinë e vërtetë, u arrit menjëherë pas Eksodit të Izraelitëve nga skllavëria e Egjiptit, nën drejtimin e Moisiut në Malin Sinai. Aty, Perëndia i deklaroi Izraelit se ata ishin për të një thesar i veçantë, një mbretëri priftërore, një komb i shenjtë (Eks. 19:5-6). Perëndia u premtoi se do të banonte në mes të tyre si Perëndia i tyre (Eks. 29:45). Por populli, pa kaluar shumë kohë nga bërja e kësaj besëlidhje me Perëndinë, e harruan atë dhe iu dhanë idhujtarisë. Ndërsa Moisiu ishte në mal, për të marrë instruktimet nga Perëndia, populli në këmbë të malit po farkëtonte statuja idhujsh të rremë. Ishte e qartë, që në fillim të jetës të këtij “kombi të shenjtë”, se ata nuk e kishin forcën e duhur për ti qëndruar besnikë thirrjes së tyre.

Profetët na shpalosin pjesën tjetër të historisë së Izraelit në Dhiatën e Vjetër: Pavarësisht besnikërisë së Perëndisë ndaj tyre, ata ishin fëmijë të korruptuar e të rebelimit (Isa. 1:2), dhe një bashkëshorte kurorëshkelëse (Osea 1-3). Kjo lloj trashëgimie ishte njësoj si e fiseve apo e mbretërisë së Veriut, ashtu dhe ajo e jugut. Kështu, Izraeli dhe Judah, dy “motrat binjake” nga e njëjta familje (Eze. 16:23) morën dënimin e shkatërrimit dhe të mërgimit (Eze. 4:4-6). Perëndia nuk mund të jetonte në mes të një populli të tillë jo të shenjtë. Ai e braktisi vendin e tij të shenjtë që pat zgjedhur në Jerusalem, duke e lënë popullin e Tij në mëshirë të pushtuesit Babilonas (Eze. 8-11).

Por shkatërrimi i Izraelit në mërgim nuk mund të ishte fundi i historisë. Zoti pat lidhur Emrin e tij me atë të Izraelit, dhe si rrjedhim kombi do të rikthehej e restaurohej përsëri në tokën e premtuar me qëllim që Emri i Tij të mos përdhosej nëpër kombe (Eze. 20:14). Premtimet që u bënë në Malin Sinai duhet të përmbusheshin (Jer. 33:20-21). Kështu Izraeli dhe Juda do të ribashkoheshin në një trup të vetëm (Jer. 31:1) dhe nën një mbret të vetëm(Eze. 37:16-22). Premtimi më i rëndësishëm ishte transformimi shpirtëror i Izraelit në një komb të ri. Zemra e vjetër që nuk reagonte ndaj premtimeve dhe besëlidhjes me Perëndinë do të zëvendësohej nga një zemër e re nën një besëlidhje të re (Jer. 31:31-33), përmes derdhjes mbi ta të Frymës së Perëndisë (Eze. 36:22-28). Izraeli i ri do të bëhej më së fundi shërbëtori i Perëndisë, një dritë për të kombet e tjera, duke sjellë shërim ndaj tyre kudo (Isa. 42:6, 10).  Por Izraeli i ri, sipas Isaisë 40-48 do të vazhdonte që të ishte një popull i dobët dhe që do të kërkonte vazhdimisht nxitje për të vazhduar në bindje dhe në besimin e dashurisë besnikë të Perëndisë. Për të përmbushur premtimet e Perëndisë, një Izrael tjetër, më i mirë duhej që të vinte në ekzistencë. Ky do të ishte një tjetër shërbëtor, që do të zinte vendin e Izraelit, do të bënte atë që Izraeli nuk e realizonte dot, do të përmbushte thirrjen për ti sjellë tërë kombeve dritën e Perëndisë (Isa. 49:6).

Ky shërbëtor, Ky Izrael i ri, mori trajtë njeriu në Personin e Jezus Krishtit. Që nga momenti i lindjes së Tij, Ai bëri rolin e historisë së Izraelit, duke shkuar në Egjipt me qëllim “që të mund të përmbushej profecia e që të përmbushet ç’ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ‘E thirra birin tim nga Egjipti’. (Mat. 2:15 dhe Osesë 11:1).” Ashtu si/ Izraeli kaloi përmes Detit të Kuq, Ai kaloi përmes ujërave të Pagëzimit (Mat. 3), u dërgua në shkretëtirë që të ballafaqohej me të tëra vështirësitë e Izraelit të vjetër, dhe të fitonte aty ku Izraeli pat dështuar (Mat. 4). Që në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi lexoi me zë të lartë në Isainë 61:1-2, dhe deklaroi se ky Shkrim përmbushej në personin dhe veprën e Tij (Luka 4:18-10). Ai vetë ishte Shërbëtori i premtuar mbi të cilin do të qëndronte Fryma e Perëndisë. Si Izraeli I ri dhe I vërtetë, Ai përmbushi plotësisht dhe përsosmërish të tëra kërkesat e Ligjit. Besëlidhja e Re që ai do të themelonte më vonë do të  ngrihej mbi gjakun e Tij (Luka 22:20).  Jezusi përmbushi planin fillestar të Perëndisë për shenjtërinë njerëzore, duke qenë mishërimi i Izraelit të ri që patën parathënë profetët.

Sepse Krishti është Izraeli I ri, kushdo që I bashkohet Krishtit, përmes besimit, bëhet pjesë e trupit të Krishtit, pra përfshihet në kombin e Izraelit të Perëndisë (Gal. 6:16). Ai është hardhia e vërtetë, që është imazhi klasik i Dhiatës së Vjetër për Izraelin, dhe ne jemi degët e Tij (Gjo. 15). Sepse Krishti është guri i qoshes së themelit të shtëpisë së Perëndisë, ata që i bashkohen Atij, bëhen gjithashtu gurë të gjallë në atë shtëpi (1 Pje. 2:4-5). Prandaj edhe Dhiata e Re përdor për ta të njëjtën terminologji si edhe për Izraelin e Dhiatës së Vjetër. Në Krisht, ne jemi një “racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb I shenjtë” (1 Pje. 2:9-10).

Si rrjedhim, pasardhësit e vërtetë të Abrahamit nuk janë ata sipas mishit, por ata që kanë të njëjtin pendim dhe besim si të Abrahamit (Luka 3:8).  Ky popull i ri i Perëndisë përmban në të si Hebrenj sipas mishit, ashtu edhe Johebrenj (Gal. 3:28).  Të dyja këto grupe Perëndia i ka shartuar së bashku në një trung të ri Ulliri (Rom. 11:17-24). Kjo nuk do të thotë se Perëndia i ka harruar premtimet e bëra ndaj popullin e vjetër, atyre që fizikisht vijnë prej Abrahamit (Rom. 11:1). Por jo kushto që fizikisht vjen prej Abrahamit është pjesë e Izraelit të vërtetë dhe të Ri shpirtëror (Rom. 9:6). Restaurimi i Izraelit, I premtuar nga profetët, përmbushet ndërsa ungjilli predikohet, ashtu siç u predikua në fillim në Jerusalem, pastaj në Jude (Mbretëria e Jugut), në Samari (mbretëria e Veriut) dhe deri në skajet më të largëta të tokës, duke sjellë kështu më së fundi dritën e Perëndisë  tek Johebrenjtë (Vep. 1:8).

Tek libri i Zbulesës lexojmë se Gjoni shikon një grup prej 144,000 shpirtrash, i përbërë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit (Zbu. 7:4-8). Por kur pa përsëri, ky grup ishte bërë i panumërueshëm dhe përfshinte njerëz nga çdo fis dhe komb I botës (Zbu. 7:9-12). Nusja e Zotit, imazhi që përdoret për Izraelin në Dhiatën e Vjetër, është Kisha e Dhiatës së Re që një ditë, a pa përdhosur nga mëkati i saj, do ti paraqitet Zotit e zbukuruar në mënyrë të mrekullueshme (Zbu. 21:2).    Në atë ditë, qëllimi fillestar I Perëndisë dhe plani I Tij për Izraelin, të bashkuara në një, do të jetë një popull I shenjtë që I përket vetëm Atij dhe që adhuron vetëm Atë. Kjo do të përmbushet në ditën e martesës dhe në festën e madhe të bashkimit të Krishtit me Kishën e Tij.