Kërkova Gëzim! Gjeta Krishtin!

  • on 09/03/2015

Kërkova Gëzim! Gjeta Krishtin!

Blejz Paskal ishte një matematicien gjeni Francez që vdiq në vitin 1662. Pasi i ishte larguar Perëndisë deri në moshën 31 vjeçare, në 23 Nëntor 1654 në orën 22:30, Paskali takoi Perëndinë dhe u kthye në besim tek Krishti në mënyrë të thellë dhe të palëkundshme. Ai e shkroi përjetimin e tij në një copë pergamene dhe e qepi në xhaketën e tij ku u gjend pas vdekjes së tij tetë vjet më vonë. Ja se çfarë thuhej,

Viti i hirit 1654, e Hënë 23 Nëntor, festa e Shën Klemendit. Nga ora dhjetë e gjysmë e mbrëmjes deri gjysmë ore pas mesnate, ZJARR, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit, jo perëndia i filozofëve dhe studiuesve. Siguri, gëzim zemre, paqe. Perëndia i Jezu Krishtit, Perëndia i Jezu Krishtit. “Perëndia im dhe Perëndia juaj.” Gëzim, gëzim, gëzim, lot gëzimi… Jezu Krishti. Jezu Krishti. Mos u ndafsha kurrë prej Tij.”

Në vitin 1968 Paskali, C. S. Ljuis, Xhonatan Eduards, Dan Fuller dhe Bibla u bashkuan për ta ndryshuar jetën time përgjithmonë me këto fjalë, “Gëzim, gëzim, gëzim, lot gëzimi.” Kjo librushkë e vogël e titulluar Kërkimi i Gëzimit, të cilën e keni në buletinin tuaj të adhurimit lindi gjatë atyre ditëve. Nuk u shkrua për 15 vjet. Por ky ishte momenti kur lindi. Shihni brenda kapakut. Ja ku janë fjalët e vrullshme të Paskalit kundër frikës sime të lumturisë.

Të gjithë njerëzit kërkojnë lumturi. Nuk ka asnjë përjashtim. Çfarëdo mjetesh që të përdorin, që të gjithë këtë gjë synojnë. Shkaku pse disa shkojnë në luftë dhe të tjerë e mënjanojnë atë, është e njëjta dëshirë tek të dy por që plotësohet në mënyra të ndryshme. Ky është motivi i çdo veprimi tek çdo njeri, madje edhe i atyre që varin veten.”

Dyshoja që kjo ishte e vërtetë. Por gjithmonë kisha frikë që motivimi ishte mëkati. E mendoja dëshirën për të qenë i lumtur si një defekt moral. Mendoja që vetëmohimi do të thoshte të hiqje dorë prej gëzimit, dhe jo thjesht mohimi i gëzimeve më të vogla për gëzime më të mëdha. Por pastaj Perëndia komplotoi përmes këtyre dy shkrimtarëve për të më detyruar ta lexoja sërish Biblën. Ti jepja një mundësi që ajo të thoshte fjalën e saj të vërtetë. Ajo që zbulova në Bibël në lidhje me gëzimin më ndryshoi përgjithmonë. Qysh atëherë jam përpjekur ta kuptoj, ta jetoj dhe t’jua mësoj të tjerëve. Nuk është gjë e re. Ka qenë në Bibël për mijëra vjet.

Çfarë thotë Bibla rreth gëzimit?

Më lejoni t’ju jap një shije të asaj që Bibla thotë rreth gëzimit.

  • Synimi i Jezusit në gjithë sa mësoi ishte gëzimi i popullit të tij.

Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. Gjoni 15:11

  • Perëndia na mbush me gëzim kur i besojmë Krishtit.

Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit! Romakëve 15:13

  • Mbretëria e Perëndisë është gëzim.

Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. Romakëve 14:17

  • Gëzimi është fryti i Frymës së Perëndisë brenda nesh.

Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja… Galatasve 5:22

  • Gëzimi ishte synimi i gjithçkaje që apostujt bënë dhe shkruajtën.

Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur. 2 Korintasve 1:24

  • Të bëhesh i Krishterë do të thotë të gjesh gëzim i cili të bën të gatshëm të harrosh gjithçka tjetër.

Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë. Mateu 13:44

  • Gëzimi ushqehet dhe ruhet prej fjalës së Perëndisë në Bibël.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. Psalmi 19:8

  • Gëzimi do t’ia kalojë çdo trishtimi për ata që i besojnë Krishtit.

Ata që mbjellin me lot, do të korrin me këngë gëzimi. Psalmi 126:5

Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi. Psalmi 30:5b

  • Vetë Perëndia është gëzimi ynë.

Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime. Psalmi 43:4

Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi. Psalmi 16:11

  • Gëzimi në Perëndinë ia tejkalon çdo gëzimi tokësor.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë. Psalmi 4:7

  • Nëse gëzimi juaj është në Perëndinë, atëherë askush s’mund t’jua marrë këtë gëzim.

Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj. Gjoni 16:22

  • Perëndia u bën thirrje të gjitha kombeve dhe popujve të marrin pjesë në gëzimin që Ai u ofron të gjithë atyre që besojnë. Pa racizëm. Pa etnocentrizëm.

Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë. Psalmi 67:4

Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës. Psalmi 66:1

  • I gjithë mesazhi i Krishterë nga fillimi në fund është një lajm i mirë për një gëzim të madh.

Por engjëlli u tha atyre: ”Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin…” Luka 2:10

Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken. Isaia 51:11

  • Kur ta takojmë Krishtin në ardhjen e tij të dytë do të hyjmë në gëzimin e tij të pashkatërrueshëm.

Dhe zoti i tij i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”. Mateu 25:23

Ndoshta vëzhgimi më tronditës për mua në vitin 1968 ishte ai vëzhgim i thjeshtë dhe i dukshëm që ky gëzim në Perëndinë është diçka që na është urdhëruar. Këtë e shihni në faqen e dytë të librushkës:

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Psalmi 37:4

Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë. Psalmi 33:1

Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë. Psalmi 32:11

Ky është një urdhërim për shkak se ajo që rrezikohet nuk është thjesht gëzimi ynë por lavdia e Perëndisë, nderi dhe reputacioni i Perëndisë. Nëse nuk gëzohemi në Perëndinë – nëse Perëndia nuk është thesari ynë, ëndja jonë dhe kënaqësia jonë atëherë Ai çnderohet. Lavdia e Tij nëpërkëmbet. Reputacioni i tij njolloset. Prandaj, Perëndia urdhëron të gëzohemi si për të mirën tonë ashtu dhe për lavdinë e tij.

Ky zbulim më ndihmoi të kuptoja mesazhin qendror të Krishterimit, ungjillin – lajmin e mirë – të Jezu Krishtit. Dhe për këtë gjë bën fjalë kjo librushkë e vogël e titulluar Kërkimi i Gëzimit. Ky është qëllimi i saj, të na japë një përmbledhje të Ungjillit të Krishterë, si ai i shpëton mëkatarët dhe iu jep gëzim të përjetshëm.

Është e rrezikshme të përpiqesh ta përmbledhësh oqeanin në një pikë shiu – të përpiqesh ta vendosësh drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë në një librushkë. Por mendoj që nuk është vetëm e rrezikshme, është diçka e dashur dhe e nevojshme. Këtë gjë bëri Perëndia dikur! Ai e vendosi veten e tij të pafundme në një qenie të vetme njerëzore, në Jezu Krishtin (Kolosianëve 2:9). Kjo ishte shumë herë më e mahnitshme sesa vendosja e oqeanit në një pikë shiu. Kjo ishte dashuri! Për shkak se ai ishte njeri dhe Perëndi, mund të vdiste për mëkatet tona. Por shumë njerëz nuk e dalluan Perëndinë tek ai. Edhe unë ndërmarr rrezikun që shumë njerëz të mos e shohin ungjillin në këtë librushkë. Rreziku im është i madh për shkak se nuk jam Perëndi dhe nuk jam i pagabueshëm. Por unë ju dua dhe dëshiroj të shihni çfarë ka bërë Perëndia për t’iu shpëtuar ju.

Prandaj le ta shohim së bashku këtë librushkë. Nëse nuk je ende besimtar në Jezusin, thjesht përpiqu të jesh i hapur për atë që Perëndia mund të dojë të të tregojë për veten e tij dhe për ty, kërkoji Atij të të konfirmojë atë që është e vërtetë dhe të të mbrojë nga ajo që nuk është e tillë. Nëse je besimtar, rifreskoju për atë mbi të cilën ke ndërtuar jetën tënde, dhe bëhu gati ta ndash lajmin më të madh në botë përmes kësaj librushke të vogël nëse Perëndia të udhëheq ta përdorësh. U nderoftë Krishti i ringjallur këtë mëngjes Pashke!

Konsiderojini së bashku dy të vërtetat e para biblike.

E vërteta biblike #1: Perëndia na krijoi për lavdinë e tij.

Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time.” (Isaia 43:6-7)

E vërteta biblike #2: Çdo njeri duhet të jetojë për lavdinë e Perëndisë.

“Prandaj nëse hani, nëse pini apo nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha këto t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” (1 Korintasve 10:31)

Këto të dyja janë pothuaj të njëjta, apo jo? Ku qëndron ndryshimi? Pse ka rëndësi të kemi dy faqe në vend që t’i bashkojmë në një? Ndryshimi është që E vërteta #1 flet për planin e Perëndisë dhe E vërteta #2 flet për detyrën tonë. Duke i mbajtur të veçuara dhe në këtë rend po themi diçka shumë kritike për realitetin. Nëse nuk e dëgjojmë këtë gjë ka të ngjarë të mos e shohim ungjillin si lajmin e çmuar që ai është. Vdekja e tmerrshme e Krishtit ka të ngjarë të na duket si një reagim i tepruar. Pika kritike është që Perëndia është origjina e gjithçkaje, standardi për të gjitha, dhe synimi i çdo gjëje. Universi ka në qendër Perëndinë.

Vajza ime shtatë vjeçare Talitha dhe unë shkuam dje në takimin tonë të së dielës për një drekë në restorant. Ndërsa morëm kthesën pamë një furgon blu përpara nesh dhe i thashë Talithës, “Nuk më pëlqen ajo stampë.” Ajo nuk mund ta shihte nga vendi ku ishte ulur prandaj ia lexova unë: “Gjithçka ka të bëjë me Mua.” Me “M” të madhe. Kjo është arsyeja pse ungjilli i Jezusit është shumë i vështirë që kuptohet prej shumë njerëzve. Ai është mbështetur mbi një vizion krejt tjetër për realitetin. Nuk ka të bëjë gjithçka me ne. Gjithçka ka të bëjë me Perëndinë.

Perëndia na formoi që të jetonim për lavdinë e Tij. Këtë e shohim gjithandej në Bibël. Si rrjedhim, thirrja dhe detyra e jetës tonë është të jetojmë për lavdinë e Tij. Vendoseni veten në provë: A do të thotë dashuria e Perëndisë për ju që Ai iu vendos ju në qendër apo do të thotë që Ai iu jep gëzim të përjetshëm, duke paguar vetë një kosto shumë të lartë, dhe kështu e vendos veten e Tij në qendër? Për këtë gjë u krijuat. Ky do të ishte gëzimi juaj dhe lavdia e Tij.

Pastaj konsideroni dy të Vërtetat e tjera biblike së bashku.

E vërteta biblike #3: Të gjithë ne kemi dështuar për ta lavdëruar Perëndinë si duhet.

“Të gjithë kanë mëkatuar dhe janë privuar nga lavdia e Perëndisë.” (Romakëve 3:23)

E vërteta biblike #4: Të gjithë ne gjendemi nën dënimin e drejtë të Perëndisë.

“Paga e mëkatit është vdekja…” (Romakëve 6:23

Edhe këto të dyja mund të kombinohen në një faqe të vetme ashtu si dy të parat. Mund të themi që “për shkak se të gjithë ne jemi mëkatarë meritojmë dënimin e Perëndisë – ne meritojmë ndëshkim.” Por nëse e themi kështu do të humbisnim diçka tepër të rëndësishme. Ajo që do të humbiste është theksi i së Vërtetës #3 që mëkati nuk është kryesisht mënyra si i kemi trajtuar njerëzit por mënyra si e kemi trajtuar Perëndinë.

Stampa e ngjitur tek ai furgoni blu do të ishte e gabuar edhe nëse do të kishte kuptimin, “Mëkati im ka të bëjë vetëm me Mua.” Perëndia është qendra e planit të tij në krijim. Perëndia është qendra e detyrës tonë si krijesa. Perëndia është qendra e asaj se çfarë do të thotë të jemi mëkatarë: ashtu si thotë dhe Romakëve 3:23, nuk e arrijmë lavdinë e Perëndisë, kjo do të thotë që preferojmë dhe gëzohemi me një madhështi tjetër nga ajo e Perëndisë. Më së pari dhe më së shumti mëkati ka të bëjë me mënyrën sesi e trajtojmë Perëndinë dhe jo njerëzit e tjerë.

Nuk do ta kuptojmë kurrë tmerrin e ferrit apo kryqin e përgjakur të Krishtit nëse nuk e ndjejmë peshën e mëkatit si poshtërim i Perëndisë. Mëkati nuk është thjesht abuzimi i njerëzve nga njerëz të tjerë. Mëkati ka të bëjë kryesisht me abuzimin e Perëndisë. Njeriu që mohon Perëndinë. Njeriu që injoron Perëndinë. Njeriu që preferon gjëra të tjera më tepër se Perëndinë. Kështu njeriu e nëpërkëmb Perëndinë. Kjo është nëpërkëmbja përfundimtare në univers. Këtë gjë duhet ta ndjejmë që ndëshkimi i tmerrshëm i së Vërtetës #4 të mos na duket i padrejtë.

Ne të gjithë e kemi trajtuar Perëndinë me përbuzje, dhe për këtë arsye zemërimi i Tij po vjen mbi ne. Ky është problemi ynë më i madh. Ky është problem më i madh se ekonomia. Problem më i madh se marrëdhëniet ndërkombëtare me Irakun dhe Korenë e Veriut. Më i madh se vështirësitë e martesës apo dhimbjet e kancerit. Kjo është ajo që Ungjilli i Krishterë ka për qëllim ta trajtojë më së pari. Si mund të shpëtohemi prej gjykimit të drejtë të Perëndisë? Ungjilli ka dhe shumë efekte të tjera të mrekullueshme! Por kjo është kritike dhe të tjerat janë bazuar mbi këtë.

Tani flasim për ungjillin. Le t’i konsiderojmë së bashku dy të Vërtetat e fundit biblike.

E vërteta biblike #5: Perëndia dërgoi birin e tij të vetëm Jezusin për të siguruar jetë dhe gëzim të përjetshëm.

“Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët,…” (1 Timoteu 1:15)

E vërteta biblike #6: Përfitimet e blera përmes vdekjes së Krishtit u përkasin atyre që pendohen dhe i besojnë atij

“Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja” (Veprat 3:19).

”Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat 16:31).

Sërish, edhe këto të dyja mund t’i kombinojmë. Mund të themi: Cila është zgjidhja për mëkatin, fajin dhe dënimin? Përgjigja, “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh.” Por kjo do të ishte në thelb një përgjigje e paplotë! Nëse jeni duke u mbytur, zgjidhja nuk është që thjesht të kërkoni ndihmë; zgjidhja janë rojet e bregdetit dhe litari i shpëtimit (dhe nëse është e nevojshme) edhe frymëmarrja artificiale. Thirrja për ndihmë thjesht ju lidh me veprën shpëtuese. Nëse po kaloni një infarkt lajmërimi i urgjencës nuk është zgjidhja juaj kryesore. Zgjidhja janë ambulanca, ndihma e parë, infermieret, kirurgët dhe mjekimi. Lajmërimi i urgjencës është thjesht lidhja me veprën shpëtuese.

Kështu është edhe me pendimin për mëkatin tuaj dhe besimin tek Jezusi (E vërteta #6). Kjo është lidhja juaj me veprën shpëtuese të Perëndisë në Krishtin. Para 2000 vjetësh Krishti bëri diçka për të na shpëtuar ne. Ai erdhi, jetoi një jetë të përsosur si Biri i Perëndisë. Ai vdiq si zëvendës në vend të të gjithë atyre që do t’i besojnë atij. 1 Pjetri 3:18, “sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.” Besimi ynë nuk është baza e shpëtimit tonë. Besimi na lidh me bazën e shpëtimit. Baza e shpëtimit tonë është Krishti.

Vdekja e tij dhe ndëshkimi i tij në vendin tonë; drejtësia e tij e përsosur në vend të mëkatit dhe pa-përsosmërive tona. Ringjallja e tij e vërteton dhe siguron shpëtimin dhe gëzimin tonë përjetë e mot. Bibla thotë, “por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja… Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.” (1 Korintasve 15:17, 20). Për shkak se ai vdiq për ne dhe u ringjall sërish, të gjithë ata që i besojnë atij kanë jetë të përjetshme dhe një gëzim gjithnjë e në rritje.

Besoji atij me jetën tënde. Besoji atij me martesën apo beqarinë tënde. Besoji atij me punën dhe situatën tënde financiare. Besoji atij me shëndetin tënd. Dhe poshtë të gjitha këtyre besoji atij me mëkatin, fajin dhe frikën tënde. Ai tashmë ka vepruar për të të shpëtuar. Është kryer. Ai ka vdekur dhe është ringjallur. Shpëtimi i tij mund të bëhet juaji përmes besimit në të. Dhe kur të ndodhë kjo gjë atëherë do të plotësohet qëllimi për të cilin u krijuat: lavdia e Perëndisë që reflektohet në gëzimin tuaj përjetë.

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God. By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org