• on 22/04/2017

Katekizmi i Ri #14

Katekizmi

A na krijoi Perëndia të paaftë për ta zbatuar ligjin e tij?

Jo, por për shkak të mosbindjes së prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, i gjithë krijimi është i rënë në mëkat; ne të gjithë kemi lindur në mëkat dhe faj, kemi një natyrë të prishur dhe nuk jemi në gjendje ta zbatojmë ligjin e Perëndisë.

Vargu Biblik – Romakëve 5:12

“Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.”

Komentim

Unë besoj që në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën bashkë me gjithë banorët e tyre të panumërt. Në fund, me fuqinë e tij të gjithëpushtetshme dhe aftësinë e tij të pafundme ai krijoi atë që ishte më fisniku mes veprave të tij jashtëzakonisht të shumëllojshme, Ai krijoi njeriun dhe e bëri zot të kësaj bote. Ai i krijoi mashkull dhe femër, sipas shëmbëlltyrës së tij dhe në ngjasim me veten: të drejtë, të pafajshëm dhe të shenjtë; në gjendje që t’i shërbenin dhe ta përlëvdonin Krijuesin e tyre bujar. Unë besoj që njeriu nuk vazhdoi gjatë në këto situata të shenjta dhe të lumtura, por duke qenë se u la në lirinë e vullnetit të tij ai e shkeli ligjin që Krijuesi dhe Sovrani i tij kishte dhënë. Si rrjedhojë ai ra në një gjendje faji, shthurjeje dhe rrënimi. Për shkak se ai nuk ishte vetëm kreu natyror por edhe ai federal dhe përfaqësues i pasardhësve të tij që nuk kishin lindur ende kur ai mëkatoi të gjithë pasardhësit e tij mëkatuan dhe u rrëzuan bashkë me të. Faji i mëkatit të tij të parë dhe një natyrë e prishur iu tejçuan të gjithë atyre që erdhën prej tij.

Prandaj të gjithë njerëzit prej natyre janë bij të zemërimit, armiqësorë ndaj gjithçkaje të mirë frymërore dhe të prirur drejt ligësisë; të vdekur në mëkate dhe nën mallkimin e drejtë të ligjit. Nga kjo gjendje mjerimi të thellë nuk ka asnjë çlirim veçse përmes Jezu Krishtit, Adamit të dytë.

Abraham Buth (Abraham Booth, 1734–1806). Pastor Baptist Anglez. Ai shërbeu si pastor i Prescot Street Church in Whitechapel, Londër për 35 vjet si dhe themeloi atë që sot njihet si Regents Park College për trajnimin e pastorëve në Oksford. Abraham Buth njihet më tepër për veprën e tij Mbretërimi i Hirit (The Reign of Grace.)

Instruktim

Lutje

Ati ynë, kur lexojmë përshkrimin tënd për natyrën njerëzore jemi të sigurt që është i vërtetë sepse Ti e ke parë njeriun qysh prej rënies së tij. Zemra jote është trishtuar për të. Për ne është e mahnitshme që Ti madje t’i kthesh sytë nga njeriu. Objekti më i urryer në krijim duhet të jetë njeriu, për shkak se ai e vrau Birin tënd dhe për shkak se i ka shumuar rebelimet kundër ligjit tënd të drejtë dhe të shenjtë. E megjithatë nuk ka asgjë tjetër që të jep më tepër kënaqësi sesa njeriu, pasi vetë Jezusi ishte njeri dhe shkëlqimi i lavdisë së tij e mbulon gjithë turpin tonë. Pastërtia dhe përsosmëria e bindjes së tij shkëlqejnë si dielli në mes të errësirës së dendur. Për hir të Tij Ti je plotësisht i kënaqur dhe madje banon me ne. Dhe tani o Zot, për ato pak ditë që na mbeten këtu poshtë qoftë gjithmonë klithma jonë “Shikoni Qengjin!” Oh, të lutemi mësoji zemrat tona të jenë gjithmonë të vetëdijshme për dashurinë Tënde, bëj gjithashtu që buzët tona të shprehin sa më mirë që të kenë mundësi përmes ndihmës tënde hyjnore historinë e pashoqe të Kryqit. Zot na i fal mëkatet; Zot na shenjtëro; Zot na drejto në vështirësi; Zot plotëso nevojat tona. Zoti na mësoftë; Zoti na përsostë; Zoti na ngushëlloftë; Zoti na përgatittë për shfaqjen e Birit të Tij nga qielli!

Çarls Hadën Spërxhën (Charles Haddon Spurgeon, 1834–1892). Predikues Baptist Anglez. Spërxhën u bë pastori i Kishës Nju Park Strit (që më vonë u njoh si Tabernakulli Metropolitan) kur ishte 20 vjeç. Ai u predikonte rregullisht më shumë se 10,000 vetëve pa pasur sistemet moderne të zërit. Spërxhën ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe veprat e tij të shtypura janë tepër voluminoze. Gjatë jetës së tij ai predikoi 3,600 predikime dhe botoi 49 volume komentarësh, thëniesh, himnesh dhe leximesh devocionale.

Burimi: http://fjaletejetes.com/katekizem/