• on 13/05/2017

Katekizmi # 16

Katekizmi

Çfarë është mëkati?

Mëkati është mohimi apo injorimi i Perëndisë në botën që Ai krijoi, rebelimi kundër Tij duke jetuar pa e konsideruar Atë, të mos jesh apo bësh atë çfarë ligji i Tij kërkon – gjë që rezulton në vdekjen dhe shkatërrimin e gjithë krijimit.

Vargu Biblik – 1 Gjoni 3:4

“Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.”

Komentari

Qysh prej momentit që një krijesë bëhet e vetëdijshme për Perëndinë si Perëndi dhe vetveten si vete, përballet me mundësinë e tmerrshme të zgjedhjes së Perëndisë apo vetes për qendër. Ky mëkat kryhet çdo ditë si nga fëmijët e vegjël dhe fshatarët e paedukuar ashtu dhe nga personat e sofistikuar, kryhet si prej atyre që janë vetmitarë ashtu dhe prej atyre që jetojnë në shoqëri. Ky është dështimi në çdo jetë individuale, në çdo ditë të çdo jete individuale, ky është mëkati bazë pas çdo mëkati të veçantë. Në këtë moment ju dhe unë jemi ose duke e kryer, gati për ta kryer apo duke u penduar për këtë mëkat. Kur zgjohemi nga gjumi përpiqemi ta lëmë ditën e re tek këmbët e Perëndisë por para se të kemi larë fytyrën ajo bëhet dita jonë dhe pjesa e Perëndisë në të na duket si një detyrim të cilin duhet t’ia paguajmë nga xhepi “ynë”, një zbritje nga koha për të cilën ndihemi se duhet të jetë “jona.”

S. Ljuis (C. S. Lewis, 1898–1963). Profesor i letërsisë Angleze në Universitetin e Oksfordit dhe njëkohësisht drejtor i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Kembrixhit. Ljuis shkroi kritika letrare, letërsi për fëmijë, letërsi fantastiko shkencore, si dhe teologji. Veprat e tij më të njohura janë Thjesht Krishterim, Letrat e Hirziut dhe Kronikat e Narnias. Ljuis ishte anëtar i Kishës së Anglisë. Kthimi i tij në Krishterim u ndikua prej mikut dhe kolegut të tij në Oksford J. R. R. Tolkien.

Lutja

O Zot, mos më privo nga bekimet qiellore.

O Zot, më çliro prej mundimeve të përjetshme.

O Zot, nëse kam mëkatuar në mendime, fjalë apo vepra, të lutem më fal.

O Zot, më çliro nga ngushtësia e shpirtit dhe ngurtësia e zemrës.

O Zot, më çliro nga çdo tundim.

O Zot, ndriçoje zemrën time të errësuar prej dëshirave të liga.

O Zot, unë njeriu kam mëkatuar, Ti duke qenë Perëndi më fal në dashamirësinë tënde.

O Zot, zbrite hirin për të më ndihmuar që të kem mundësi të përlëvdoj emrin Tënd të shenjtë.

O Zot Jezu Krisht, më përfshi mua shërbëtorin tënd në librin e jetës.

O Zot Perëndia im, edhe pse nuk kam bërë asgjë të mirë në sytë e Tu, megjithatë bëj që përmes hirit tënd të filloj të bëj të mirën.

O Zot, spërkate zemrën time me vesën e hirit tënd.

O Zot i qiellit dhe tokës, më kujto mua shërbëtorin tënd mëkatar, zemërftohtë dhe të papastër kur të vish në mbretërinë tënde.

O Zot, më prano në pendim.

O Zot, mos më braktis.

O Zot, mos lejo të bie në tundim.

O Zot, më jep mendime për të mirën.

O Zot, më jep lotët, kujtimin e vdekjes dhe një ndjenjë paqeje.

O Zot, më jep mend që të rrëfej mëkatet e mia.

O Zot, më jep përulësi, dashuri dhe bindje.

O Zot, më jep durim, shpirtmadhësi dhe butësi.

O Zot, mbill në mua rrënjën e të gjitha bekimeve, frikën tënde në zemrën time.

O Zot, mundëso që të të dua Ty me gjithë zemrën dhe shpirtin tim, t’i bindem vullnetit tënd në gjithçka.

O Zot, më mbro nga njerëzit e ligj, nga djajtë, pasionet dhe gjithë gjërat e tjera të paligjshme.

O Zot, kush e njeh krijimin tënd dhe atë që ke vendosur për të; u përmbushtë vullneti Yt edhe në mua mëkatarin sepse Ti je i bekuar përjetë. Amen.

Gjon Gojarti (John Chrysostom, 347–407). Gjon Gojarti lindi në Antioki dhe ishte Kryepeshkopi i Kostandinopojës. Atij iu dha titulli “Gojarti” për shkak të predikimit të tij të zhdërvjelltë. Ai njihet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike si shenjtor dhe Doktor i Kishës. Gojarti njihet për Liturgjinë e tij Hyjnore të Shën Gjon Gojartit. Veprat e tij voluminoze të predikimit përfshijnë 67 predikime për Zanafillën, 90 për Ungjillin sipas Mateut dhe 88 për Ungjillin sipas Gjonit.

Video