• on 15/04/2016

JO Kryeministrit në lidhje me mësimin e fesë në shkolla

Si pastor i një kishe ungjillore, por edhe një ndjekës i vëmendshëm i politikës shqiptare, këtë koment rreth nismës së Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në lidhje me futjen e lëndës së fesë në programin mësimor të shkollave publike do ta shqyrtoj në dy aspekte: së pari, në atë të këndvështrimit të komunitetit ungjillor dhe të besimit që ai përfaqëson, dhe së dyti, nga këndvështrimi i asaj se çfarë përfaqëson ky propozim në kuadrin e gjerë të politikës ditore të vendit.

Duke u nisur nga këndvështrimi i besimit tonë ungjillor, mendoj se kjo nismë e Kryeministrit nuk na çon në drejtimin e duhur, i cili është drejtimi i Ungjillit, themeli mbi të cilin ngrihet jeta jonë personale dhe komunitare e besimit.

Egziston një kontradiktë e madhe brenda propozimit të Kryeministrit, të cilën ndonjë segment i besimeve fetare shqiptare, si përshembull, kreu i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, nuk ka arritur ta dallojnë përkundër përvojës jetësore dhe përgatitjes së mjaftueshme teologjike. Kjo kontradiktë konsiston në disa plane.

Së pari, nuk është e vërtetë se ka munguar religjioni në sistemin publik arsimor shqiptar dhe në tekstet e saj. Sekularizmi dhe ateizmi janë në vetvete religjion. Deri tani, thjeshtë nuk është lejuar pluralizmi fetar. Sistemi shkollor shqiptar ngrihet mbi themelin e teorisë së evolucionit, si një përpjekje për të përshkruar origjinën e gjithësisë dhe të njerëzimit, natyrën e njeriut, thelbin e problemeve njerëzore, si dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre. Në thelb të çdo religjioni është adresimi i këtyre problematikave. Ateizmi e sekularizmi evolucionist ofron përgjigjet e saja që u serviren nxënësve në të gjitha tekstet shkollore. Kjo do të thotë, se edhe nëse futet lënda e feve të ndryshme nëpër shkolla, feja shtetërore do të jetë ajo dominuesja dhe zyrtarja, dhe të gjitha tekstet shkollore mbi mësimin e fesë që do të futen nëpër shkolla, do të jenë në përputhje me ideologjinë dhe jo në kundërshtim të fesë zyrtare.

Së dyti, gjasat janë që, për hir të së ashtuquajturës harmoni fetare, në tekstin e mësimeve në lidhje me fenë, në kapitullin që do t’i kushtohet Krishtërimit, të mos përfshihet një paraqitje e qartë dhe e saktë e Ungjillit. Në opinionin publik shqiptar, tashmë qarkullojnë kuptime të ndryshme të saj. Cilat janë faktet historike dhe kuptimi biblik i saj? Ungjilli është lajmi i mirë dhe i gëzueshëm, i cili flet për Jezu Krishtin, personin e dytë të Trinisë së Shenjtë, i cili zbret në tokë, merr trajtë njerëzore, duke qenë 100% njeri dhe 100% Perëndi, jeton një jetë pa mëkat, duke qenë i vetmi njeri që e përmbush 100% ligjin e Perëndisë, vdes në kryqin e Golgotës për mëkatet e të zgjedhurve të Tij, u ringjall të tretën ditë së vdekurish dhe do të vijë një ditë në lavdi për të gjykuar të gjallë e të vdekur.

Duke u kthyer tek argumenti sa më sipër, në rastin më të mirë, në tekstin shkollor të mësimit të fesë, Ungjilli dhe Krishtërimi ose do të paraqiten si një alternativë më shumë mes shumë të tjerave; ndoshta nga këndvështrimi i universializmit, pra që Perëndia i do të gjithë e nuk dënon njeri pavarësisht mëkatit të tyre, ose, në rastin më të zakonshëm, do të jepet i interpretuar nga këndvështrimi i filozofisë dialektike, apo ekonomike e politike marksiste, nga këndvështrimi pseudo-shkencor evolucionist, apo e shpjeguar nga pikëpamja e teorive gjithnjë në ndryshim të psikologjisë moderne.

Mirëpo, Ungjilli dhe Krishtërimi i vërtetë, në vetvete e bëjnë të qartë se nuk janë një alternativë mes shumë të tjerash, sepse mbartin një mesazh përjashtues, i cili gjendet i koncentruar në thënien e famshme të Jezusit: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” Pra, vetë Jezusi i zhvlerësoi alternativat e tjera duke i paraqitur në rastin më të mirë si rrugë pa krye e pa dalje.

Në rast se do të zgjidhnim t’i jepnim mbështetjen tonë një teksti të tillë, mësimet e të cilit nuk janë gjë tjetër veçse një emërues i përbashkët në funksion të realizimit të një objektivi që mban era Paganizëm shumëngjyrësh, do të ndihmonim që e vërteta të tjetërsohej, dhe do t’i vinim dritës një vel. Ky tekst mësimesh rreth fesë do të kthehej në dëshminë e dhimbshme të tradhtisë ndaj së vërtetës, dhe nuk besoj se drejtues të një grupimi të krishterë, si p.sh: VUSH, do të gjendeshin në një pozitë të favorshme teksa mësimet e besimit tonë kthehen në blasfemi për hir të kompromisit, e cila njihet ndryshe si tolerancë e harmoni fetare. Për të mos folur për faktin që pajtimi me paraqitjen e Krishtërimit si një alternativë mes shumë të tjerash do të kthehej në një provokim për Perëndinë e gjallë.

Së treti, do të lindë edhe problemi i stafit mësimdhënës. Kush do ta japë këtë lëndë? Do të përfundojë që ndjekësi i një feje të japë mësim një fe tjetër. A është e drejtë ti kërkosh dikujt një gjë të tillë? Sa e mundur është prezantimi i paanshëm dhe plot vërtetësi i fesë që nuk beson? Shqiptarët nuk njihen për paanësi, dhe në fakt jo vetëm shqiptarët. Çdo qenie njerëzore është i njëanshëm për fenë e vet dhe paragjykues për fenë e tjetrit. Kushdo që thotë ndryshe, ose është më shumë i sinqertë se sa duhet ose është gënjeshtar. A ka kuptim, që lëndën e fesë ta japë mësuesi i sociologjisë, që nga historia dimë se është “kleriku” zyrtar i shtetit sekular? A ka kuptim që një Teodor të japë për mësim Islamin? Sa është probabiliteti, që mësues Mehmeti apo zysh Havaja të japë siç duhet të vërtetat e Krishtërimit? Rezultati i paevitueshëm është përçudnimi, blasfemimi, dhe përdhosja e fesë së tjetrit.

Së katërti, dhe si rrjedhim, një nismë e tillë, jo vetëm që nuk do ta fuqizojë të ashtuquajturën harmoni fetare, por ka për ta minuar atë deri në palcë. Kjo sepse, nëpër shkolla do të lindin grupime mbi bazën e përkatësisë fetare të vetë nxënësve, si dhe do të nxiten konflikte ndërmjet nxënësve duke pasur si burim replikat apo sharjet e ndërsjella mes tyre për shkak të prejardhjes apo traditave fetare të gjithsecilit prej tyre. Nëse zgjohet gjiganti i fesë, mund të ndodhë që ai nuk do të rrijë urtë, por mund t’i kthehet si një bumerang qeverisë duke i shkaktuar një apo më shumë xhunga asaj.

Historia ka treguar që sa herë shteti flirton me religjonin, ai kërkon diçka prej saj. Është shumë e qartë që Kryeministri kërkon ti përdorë besimet fetare për zgjedhjet e ardhshme apo ka hapur këtë debat si diversion për të ndryshuar vëmendjen e opinionit publik ndaj ekonomisë në vend. Këto janë manovrat e tij politike tek të cilat religjoni nuk ndërhyn, ndaj edhe ai nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e besimit.

Në mbyllje, pikërisht duke pasur parasysh kontekstin politik të kësaj nisme, mendoj se ajo duhet refuzuar, sepse nuk është as e drejtë dhe as e perëndishme që komuniteti i krishterë të bëhet pjesë e programit politik të Kryeministrit dhe të partisë së tij, aq më tepër kur kështu i jepet një mbështetje e tërthortë dhe e pamenduar mirë një politikë qeveritare, e cila promovohet për qëllime elektorale. Nuk është çështja se religjoni po bëhet pjesë e programit të PS dhe jo të PD apo të LSI. Komunitetet fetare duhet ti qëndrojnë larg çdo programi politik dhe nuk duhet të bien në shtrat me asnjë lloj qeverie. Nga historia dimë, se kurdoherë Kisha ka rënë në shtrat me Shtetin, është zgjuar të nesërmen lavirja e saj, dhe shtatzënë me frytet bastarde të kompromisit vet-shkatërrues. Kur i shtojmë kësaj edhe pasojat që një veprim i tillë do të kishte mbi besimin ungjillor, të cilat i përshkruam në detaje në pjesën e parë të artikullit, e kuptojmë edhe më qartë se sa e gabuar do të ishte mbështetja e të krishterëve ndaj kësaj nisme, e cila megjithëse na paraqitet si një gjë shumë e dëlirë dhe fisnike, përmban në vetvete farat e provokimit të zemërimit të Perëndisë për ne vetë individualisht dhe për komunitetin tonë në tërësi.