• on 08/04/2017

Ja, Mbreti Yt Vjen – Gjoni 12:12-19

“Vitin tjetër në Jerusalem!” Kjo ishte përshëndetja tradicionale e Judenjve të kohës së Krishtit, një përshëndetje që shprehte zellin dhe mallin që Judenjtë kishin për atdheun e tyre, dhe veçanërisht Jerusalemin. Jerusalemi ishte vendi ky Paska e vërtetë festohej në Tempullin e Shenjtë në Malin Zion nën drejtimin e priftërimit të Levitëve. Pashka përkujtonte shpengimin nga skllavëria dhe eksodin nga Egjipti nën Moisinë, kur të mbrojtur nga gjaku i qengjit të sakrificës, engjëlli vrasës i Perëndisë kaloi mbi ta dhe dënoi Egjiptianët.

Hyrja e Jezusit në Jerusalem, në vitin e tretë dhe të fundit të shërbesës së tij në tokë, është një prej ngjarjeve më dramatikë të jetës së tij. Jo më kot kjo hyrje regjistrohet në të katër Ungjijtë. E megjithatë, kjo është edhe një momentet më pak të kuptuara të Krishtit. Kjo ndoshta edhe sepse në këtë ngjarje kemi një sjellje krejt tjetër të tij. Deri në atë moment Krishti përgjithësisht i është shmangur konfrontimit publik me drejtuesit fetarë dhe politikë të vendit. Shumë mendojnë, gabimisht, se Jezusi u fut me kaq zhurmë e publicitet në Jerusalem si një thirrje apo ofertë e fundit që njerëzit ta pranonin si mbret. Në fakt, Krishti nuk erdhi në atë mënyrë për të marrë aprovimin e tyre për një fron sekular, por sepse ishte afruar koha kur ai duhej që të kryqëzohej, vdiste dhe ngjallej. Dhe më një hyrje të tillë ai realizonte tre gjëra, ai përmbushte shkrimet profetike, predikonte mesazhin e mbretërisë së vërtetë që ai do të realizonte, dhe së fundi i nxiste drejtuesit e Sanhedrinit që të implementonin planin e tyre për arrestimin dhe vrasjen e tij. Kishte ardhur koha që Krishti duhej të vdiste për mëkatet e botës. Kishte ardhur koha që qengji i vërtetë i sakrificës, Pashka jonë të therej, që shpagimi të ofrohej, e që rruga për tek Perëndia të hapej. Për këto arsye ai u fut me aq fanfarë në Jerusalem. Dhe për këtë arsye, ai brenda katër ditëve do të ishte i vdekur. Vetëm katër ditë e duron kjo botë një Krisht publik.

Pritja Madhështore me Palma

Historia ka njohur shumë pritje e hyrje madhështore të njerëzve të shquar: pushtues që ktheheshin në vendlindje fitimtarë, mbretër e mbretëresha që vinin për tu kurorëzuar apo martuar, yje të kinematografisë apo të sportit që priteshim me zhurmë nga publiku i tyre. Por asnjë pritje nuk është bërë me më shumë gëzim e triumf se sa ajo që iu bë Krishtit ditën që u fut në Jerusalem për të filluar festimin e pashkës së tij të fundit.

Turma që e priti atë ishte me të vërtetë e madhe. Sipas historianit Judeo-Romak Jozefit, një census i kohës së tij i bërë gjatë javës së pashkës numëroi rreth 2.7 milionë njerëz që kishin ardhur për të festuar në Jerusalem. Po kështu u numëruan mbi 256 mijë qengja e kafshë të tjera që silleshin për tu sakrifikuar ditën e pashkës, një qengj për të paktën dhjetë njerëz.

Turma ishte e madhe por gëzimi ishte akoma më i madh. Çdo njeri kishte emrin e Jezusit në gojë. Arsyeja e këtij gëzimi kishte të bënte me ngjalljen publike dhe spektakolare të Llazarit, katër ditë pasi ai kishte vdekur. Tek Gjoni 12:9-11 lexojmë se Jezusi pat ardhur në Betani, në shtëpinë e Llazarit, dhe “ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, të cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish.” Mrekullia në Betani ishte konteksti dhe shkaku i kësaj pritjeje të bujshme, dhe e mbështetjes së madhe që Jezusi kishte fituar në popull, i cili nuk po e lejonte më veten që të frikësohej nga autoritet e vendit, edhe pse siç lexojmë tek vargu 11:57 dhe 12:11, krerët e priftërinjve tashmë kishin lëshuar një urdhër arresti ndaj Krishtit.

Për këtë arsye, afrimi i Krishtit drejt Jerusalemit pati një efekt shpërthyes:

“Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur:

-Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!”

(Gjoni 12:12-13).

Gjoni është i vetmi Ungjill që përmend degët e palmave, dhe këtë e bën për të theksuar mesazhin që fshihej pas kësaj simbolike. Degët e palmave nuk kishin asnjë lidhje me javën e pashkës, por me nacionalizmin e Judenjve. Dyqind vjet më parë, Simon Makkabeus pat drejtuar një kryengritje të suksesshme kundra pushuesve Greko-Sirianë, çliroi Jerusalemin, pastroi tempullin dhe filloi konsolidimin e Judenjve në një mbretëri. Atë e pritën në Jerusalem me degë palmash në duar. Madje edhe gati një gjeneratë pas vdekjes së Krishtit, në një rebelim kundra Romakëve, Judenjtë e përdornin palmën si në monedhat e tyre ashtu edhe në veshjet e tyre si simboli i nacionalizmit Judaik. Kështu, palma ishte për Judenjtë simboli i triumfit të çlirimtarit që vinte për ta. Me kalimin e kohës, Judenjtë e patën lidhur simbolin e palmës me Mesinë që duhej të vinte. Kështu, këta Judenj po deklaronin me veprimet dhe fjalët e tyre se Jezusi ishte i Vajosuri i Perëndisë, Mesia, Çlirimtari që duhej të vinte, Mbreti luftëtar që duhej ti çlironte nga Romakët dhe nga tradhtarët e kombit, siç e perceptonin ata parlamentin e tyre, Sanhedrinin.

Kjo provohet edhe nga thirrjet e tyre: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!” (Gjoni 12:13). “Hosana!” përkthehet “Shpëtona tani!” Kjo ishte thirrja e Judenjve drejtuar Krishtit. Dhe kuptohet që shpëtimi që kërkonin ata ishte ushtarak dhe politik. Thirrja e Judenjve vinte nga Psalmi 118:25-26 i cili është në fakt një pasazh Mesianik: “O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi. I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.” Psalmi 118 premtonte që Mesia, Shpenguesi i Madh do të çlironte popullin e Perëndisë. Si psalm ndoshta u kënduar për herë të parë për Mbretin David, por më pas do të simbolizonte shpresën e Izraelit për një mbret tjetër si Davidi, i cili do të përplasej me tërë Goliatët dhe armiqtë e popullit të Perëndisë dhe do të udhëhiqte Izraelin në triumf. Në kohën e Krishtit, Judenjtë e interpretonin këtë psalm që të fliste për një Mesinë si një hero në radhë të parë politik, ushtarak dhe më pas e më pak religjioz. Kështu, kaq shesh këndohesh ky psalm gjatë tërë festimeve të ndryshme, sa që ishte kthyer në një farë mënyre në Himn Kombëtar, apo në një far himni lufte për tërë qarqet nacionaliste Judaike.  Kjo pra ishte gjendja mendore dhe emocionale e turmave që priten Jezusin në Jerusalem.

Problemi ishte përdormi i religjionit për avancuar ambiciet politike dhe kombëtare duke e interpretuar mbretërinë e Perëndisë jo më në terma shpirtërore por në terma politike. Në këtë mënyrë ata patën krijuar një formë idhujtarie që profetët e Dhiatës së Vjetër e patën dënuar me qindra herë sepse martesa e politikës me religjionin prodhon gjithnjë një kombinim vdekjeprurës dhe përdhosësh të besimit dhe adhurimit të Perëndisë. Edhe sot, nëse Kisha do të promovonte nga podiumi ndonjë teori politike, kauze, parti apo person të veçantë, atëherë do të komprometonte fuqinë e ungjillit dhe do t’ia nënshtronte qëllimeve politike, duke krijuar kështu idhujtari. Një ungjill i holluar sa që të përkufizohet në terma politikë nuk ka fuqi për të ndryshuar zemrat e njerëzve.

Në një aspekt më të ngushtë të jetëve tona, ne si besimtarë bëjmë të njëjtën gjë kur tentojmë të përdorim Krishtin dhe fuqinë e tij hyjnore për qëllimet tona të ngushta personale apo familjare. Ne shpesh herë e duam Jezusin për shkak të atyre gjerave që na jep ai, për mënyrën dhe masës se si na bekon ai, për shërimet që na jep apo për bukën e përditshme, etj. Për shumë të Krishterë, Krishti është një patericë më shumë për të ecur nëpër këtë jetë të bekuar. Dëshira për tu bekuar bëhet shpesh herë, qëllimi ynë kryesor, dhe Jezusi bëhet për ne thjesht shërbëtori dhe mjeti i qëllimit tonë.

Përulësia e Mbretit të Paqes

Por Jezusi i kuptonte shumë mirë të gjitha këto dhe bën një veprim simbolik për t’u komunikuar turmave qëllimin e tij të vërtetë, mesazhin dhe thelbin e shërbesës së tij si Mesia i Perëndisë. Ai kalëron një gomar. Duhet vënë re se Jezusi e filloi hyrjen e tij në këmbë. Ungjijtë e tjerë bëjnë të qartë se Jezusi tashmë e dinte se çfarë do të ndodhtë, dhe pat siguruar që më parë, në një tjetër mrekulli, siç lexojmë tek Mateu 21:2-5, një gomaricë dhe një kerric të pa-shaluar më parë. Kur Jezusi del në horizontin e turmave, ai është në këmbë duke ecur. Në atë moment, pasi e kanë parë, ai hipën mbi gomar në një akt të qartë simbolik. Teksa ai i afrohet Jerusalemit, Luka na tregon se ai ndaloi, “pa qytetin dhe vajtoi mbi të duke thënë: Oh sikur ti , pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë të nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e ty,” (Luka 19:42). Më pas i profetizoi shkatërrimin e Jerusalemit që u përmbush në vitin 70, (Luka 19:43-44). Këto fjalë provojnë se Jezus i pa me pikëllim degët e palmave që e prisnin apo të paktën atë lloj shpëtimi e çlirimi që ato simbolizonin në mendjen e popullit të tij.

Dhe kështu, për të deklaruar natyrën e vërtetë të mbretërimit të tij, dhe llojin e shpëtimit që ai sillte ai, në mënyrë provokuese dhe demonstrative hip mbi gomar. Simbolika është e shumëfishtë. Së pari, kuptohet që mbretërit që vijnë për luftë e për të pushtuar vinë me kuaj të fuqishëm lufte e jo më një kafshë të pafuqishme, të ngadaltë e të përulur siç është gomari. Mbi gomar vjen vetëm një mbret që vjen për paqe. Me këtë akt, Jezusi refuzonte idetë militante të Zelotëve se si duhej të ishte Mesia. Jerusalemi po i ofronte atij kurorën, dhe Jezusi ia refuzon. Kjo shpjegon se pse pikërisht kjo turmë kaq e ngazëllyer për ardhjen e Jezusit, katër ditë më vonë do të thërriste me të madhe “Largoje! Largoje! Kryqëzoje! Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit!” (Gjoni 19:15-16). Jezusi u refuzoi ofertën e tyre për një mbretëri luftarake në Ditën e Palmave, ata i refuzuan mbretërinë e tij të paqes, në atë Premte të Mirë.

Por vini re se dyti edhe se hyrja e tij mbi një gomar në Jerusalem, në mënyrë të qëllimshme plotësonte një profeci të rëndësishme të Dhiatës së Vjetër. Vetëm kjo në vetvete është një arsye e fortë dhe e plotë për hipjen e tij në gomar. Tek vargu 14-15 lexojmë se Jezusi hipi mbi kërriçin siç qe shkruar “Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!” Ky është një citim dhe përmbushje e profecisë Mesianike tek Zakaria 9:9 që thotë: “Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.” Kur shkrimtarët e Dhiatës së Re citojnë një varg nga Dhiata e Vjetër, zakonisht ata i referohen të tërë pasazhit në të cilin gjendet vargu, duke dëshiruar që ne ta kuptojmë atë në kontekstin e plotë të saj. Kështu vargu 10 thotë “Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jeruzalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.” Kjo profeci e përshkruan Mesinë si mbretin që vjen nga Perëndia, një mbret i drejtë, i përulur, që sjell shpëtim dhe paqe. Vini re se si tek vargu 9, Zakaria e simbolizon përuljen e Mesisë me hipjen e tij mbi gomar. Dhe kështu përmes drejtësisë dhe përulësisë së tij ai sjell shpëtimin. Kalërimi i gomarit është mesazhi i shpëtimit, dhe mesazhi është pikërisht ky: ky mbret i drejtë sjell shpëtim dhe paqe në përulësinë e tij. Ai “sjell shpëtimin, i përulur.” Fitorja do të jetë përmes përulësisë. Në fillim vuajtjet dhe pastaj lavdia. Kjo është rruga e paqes dhe e shpëtimit. Këtë Jezusi ua shpjegoi dishepujve ne momentin e rrëfimit të Pjetrit siç e lexojmë tek Marku 8:31, dhe më pas ua shpjegoi përsëri dy dishepujve rrugës për në Emaus, ekzaktësisht pas shtatë ditëve, në ditën e Ngjalljes nga të vdekurve kur u tha: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?” (Luka 24:25-26). Parimi dhe mesazhi i kryqit është paqja dhe shpëtimi vijnë përmes përuljes së Mesisë dhe një Mesie të drejtë e të përulur jo vetëm në veprimet e tij por edhe në thelb të karakterit të tij.

Për sa i përket atributit të drejtësisë për të cilën profetizoi Zakaria, Mesia do të ishte i drejtë si në mbretërim ashtu edhe në karakter. Isaia 42:1 thotë për të: “Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t’ju sjellë drejtësinë kombeve.” Ai që do të sjellë dejtësinë e Perëndisë është që i sjell kënaqësi Perëndisë për shkak se është i drejtë në të gjitha rrugët e tij. Jezusi përmbushi këtë drejtësi të përsosur si kualifikimi personal për ti shërbyer Perëndisë si një mbret i drejtë.

Për sa i përket atributit të përuljes e paqes, Mbreti i dërguar nga Perëndia për të sjellë shpëtimin “është i përulur dhe i hipur mbi një gomar.” Gomari në fakt ishte kafsha mbretërore në ditët e para të mbretërisë në Izrael. Davidi kalëroi mbi një gomar, Solomoni, i quajtur mbreti i paqes, kalëroi mbi një gomar në ceremoninë e kurorëzimit të tij si mbret. Kalërimi mbi një gomar ishte shenja mbretërimi hyjnor, që vjen nga Perëndia, dhe që karakterizohet nga paqja, butësia dhe përulja.

Kjo është hyrja e këtij mbreti Mesianik, i cili nuk vjen me forcën dhe arrogancën e botës, por me fuqinë e Frymës dhe dobësinë e Kryqit për të sjellë shpëtimin.

Kjo ka aplikime të shumta edhe për misionin dhe metodologjinë e kishës edhe sot. Ky Krisht i paqes dhe i përulësisë kërkon nga Kisha e tij të njëjtën gjë edhe sot, të shërbejmë të vërtetën e tij me të njëjtën dashuri e përulësi. Si të Krishterë ne ballafaqohemi çdo ditë me një shoqëri gjithnjë e më shumë armiqësore ndaj nesh. Shkallëzimi i egër i Xhihadit, agresioni i pandalshëm i sekularizmit shtetëror dhe mediatik, në fakt i tërë kulturës tonë perëndimore, mënyrat e mbrapshta të sjelljes së të afërmve, kolegëve apo komshinjve tanë janë një tundim shumë i madh për të reaguar me egërsi. Por thirrja jonë dhe shembulli i Krishtit na kërkon që të shërbejmë me anë të lutjes e fjalës plot dashuri, paqe e përulësi.

Ne duhet të meditojmë mbi kontrastin që ekziston ndërmjet Krishtit dhe drejtuesve e politikanëve të kësaj bote. Ndërsa këta sundojnë për lavdinë dhe përfitimet e tyre, Krishti sundon për shpëtimin dhe bekimin tonë. Liderët e kësaj bote sundojnë nga lart dhe me arrogancë, ndërsa ky mbret zbriti në mesin tonë, me qëllim që të mbart mbi veten e tij pisllëkun e mëkatit tonë dhe ti vuajë ato në kryq për ne.

Por vini re edhe instrumentet që ai përdor për të qenë ambasadorët e tij në këtë botë: Ai nuk zgjodhi fisnikët e kokat e kësaj bote, por peshkatarët e njerëzit e zakonshëm. Ndërsa ai ishte fizikisht në këtë botë, ai nuk u shkonte nga prapa të fuqishmëve të kësaj bote, por kërkonte gjente e bekonte mëkatarët dhe të përbuzurit.

 

Perceptimet e Mbrapshta të Popullit

Gjoni e mbyll rrëfimin e tij të hyrjes triumfante të Krishtit në Jerusalem duke theksuar tre perspektiva apo tre perceptime të ndryshme që tre grupe njerëzish patën kundrejt veprimeve të Krishtit.

Së pari, dishepujt, të cilët e patën ndjekur Krishti për kaq kohë dhe që patën marrë direkt prej gojës së tij sa e sa herë interpretimin e veprimeve që ai bënte, dhe që tashmë qenë paralajmëruar për natyrën e mbretërisë së Perëndisë dhe se përse Jezusi vinte në Jerusalem atë javë, këta dishepuj nuk kuptuan asgjë. Tek Gjoni 12:16 thuhet se “Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të.” Injoranca e dishepujve është e çuditshme. Tek Mateu 20:18-19 lexojmë se si në hyrje të Jerusalemit, Krishti u thotë dishepujve: “Ja, ne ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje. Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”

Kjo tregon se Jezusi nuk ishte një viktimë pasive e ngjarjeve që do të pasonin. Ai ishte Zoti i tyre, dhe gjithçka që do të pasonte do të ndodhte ishte përmbushja e planit sovran të Perëndisë. E megjithatë, dishepujt nuk i kuptonin këto gjëra.

Të Krishterët sot, shpesh herë reagojnë në të njëjtën mënyrë. Ne nuk kuptojmë përuljen e Mbretit dhe as aplikimin e këtij parimi në jetën tonë, e aq më pak nuk gëzojmë në përuljen e Krishtit dhe në përuljen tonë, por e marrim ne mërmëritje dhe ankime.  Shumë të Krishterë nuk kuptojnë thellësisht as mesazhin dhe aplikimet e përditshme të kryqit në jetën praktikë. Ne nuk kuptojmë mirë parimin e kryqit që përmendëm më sipër, shpëtimi dhe paqja me Perëndinë vijnë përmes përuljes. Dhe aq më pak nuk kuptojmë që, ashtu siç dishepujt kishin qenë pjesëmarrës në hyrjen e përulur të Krishtit në Jerusalem, “dhe i kishin bërë këto gjëra për të” (vargu 16), edhe ne nuk kuptojmë se jemi pjesë apo zgjatim i mbretërimit të përulur të Krishtit, të veprës së tij shpëtuese në botë. Duhet të kuptojmë se mbretëria shpëtuese e Perëndisë shtrihet dhe shërbehet përmes ngjarjeve të jetëve tona. Madje, një prej gëzimeve të qiellit kur të jemi me Perëndinë, do të jetë që zbulimi i ndikimit e i efekteve të jetëve tona në shtrirjen e mbretërisë së Perëndisë. Gjerat e rëndësishme të kësaj bote do të kenë pak rëndësi në atë që vjen, ndërsa shërbimi dhe adhurimi i Krishterë, sado i pavënë re, por besnik për lavdi të Perëndisë do të shikohet në rëndësinë dhe perspektivën e lavdishme të përjetësisë. Si rrjedhim, le ti dedikohemi shërbimit të Perëndisë në të gjitha detajet e vogla e të zakonshme të jetës, qofshin ato në punë, a në rritjen e fëmijëve apo në shërbesat e kishës lokale. Në çdo gjë, Krishti na thërret të bëjmë një jetë të qëllimshme bindjeje të përulur dashurie sakrifikuese, dhe dëshmie ungjillëzuese.

Së dyti, kemi turmat që e brohorisnin Krishtin për shkak të mrekullisë së tij të madhe të ngjalljes së Llazarit prej së vdekurish. Turmat panë tek Krishti një fuqi të madhe mrekulli-bërëse, dhe shpresonin që ta shfrytëzonin këtë burim energjie për qëllimet e tyre. Në vend që të vinin re hyjninë e Krishtit, dhe ta adhuronin atë si Perëndinë e mishëruar në njeri, në vend që ti shërbenin atij me gëzim, lavde e bindje të plotë, ata duan të shfrytëzojnë Krishtin si të ishte ndonjë minierë.

Ky është problemi i vazhdueshëm i botës: ajo dëshiron të marrë bekimet e Krishtit por pa pranuar më parë qëllimin e vërtetë të hirit të tij shpëtues. Çfarë është Krishti për ty, o lexues? A është Ai për ty një forcë e përdorshme për të arritur suksesin dhe sigurinë sipas kuptimit të kësaj bote? Apo dëgjoni thirrjen e tij për të ardhur tek ai në përulje, dukë rrëfyer mëkatet, duke gjetur falje tek gjaku i tij, dhe duke i shërbyer atij plot besim e përulësi?

Kurora që Krishti veshi atë javë të shenjtë në Jerusalem ishte një kurorë gjembash dhe jo ari. Froni mbi të cilin u ngjit ai ishte Kryqi i tmerrshëm i Golgotës. Prandaj dhe Jezusi u thotë të gjithë atyre që e brohorasin apo kërkojnë bekimin e tij sot: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. 24 Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.”  (Luka 9:23-24).

Së treti, Gjoni flet edhe për Farisenjtë dhe qëndrimin e tyre ndaj Krishtit. Ata thanë midis tyre:: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij,” (Gjoni 12:19). Një prej qëllimeve të mënyrës së si Krishti hyri në Jerusalem ishte edhe që ti shtynte ata që dëshironin vdekjen e tij që të hidheshin në veprim. Të demoralizuar nga popullariteti në dukje i Krishtit, drejtuesit religjiozë të Izraelit do të ishin të gatshëm për të pranuar ofertën tradhtuese të Judës. Jezusi është në kontroll dhe në drejtim të situatës.

Por edhe komenti i tyre është shumë interesant. Ata u ankuan ndaj njëri-tjetrit “Ja, e tërë bota shkon pas tij!” (vargu 19). Njëzetë e një shekujt e fundit kanë provuar të vërtetën ironike të këtyre fjalëve. Jezusi nuk kishte ardhur që të shpëtonte politikisht dhe ushtarakisht një komb të vogël të strukur diku në një cep të botës, por për të shpëtuar nga mëkatet dhe për të ndërtuar për veten e tij një popull të madh e të panumërt, nga çdo komb, racë, gjuhë e fis kudo nëpër botë. Fakti që ne jemi të mbledhur sot këtu për të adhuruar Perëndinë në emër të Krishtit, këtë mëngjes, këtë të Diele të Palmave, është prova e suksesit të tij. Sepse siç edhe profetizoi Zakaria, “Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut”(Zak. 9:10).

Por puna e Jezusit nuk ka mbaruar. kur ai të kthehet në lavdinë e mbretërisë së tij, të gjithë ata që e refuzojnë sot do të dënohen, mëkati do të hiqet, dhe Jezusi do të shikojë një botë të re, të shpëtuar prej tij. Libri i Zbulesës thotë jo vetëm se ai do të kthehet përsëri, por se edhe do të kalërojë përsëri. Por këtë herë, jo mbi një gomar të përulësie, por mbi një kalë të lufte. Dhe pasi ai të ketë pushtuar dhe gjykuar të gjithë e gjithçka, atëherë do të ketë paqe përgjithnjë.

E Diela e Palmave, 29 Mars, 2015