• on 28/03/2016

1. Idhujtaria e Adhurimit të Krishtit – Gjoni 12:12-19

Mesazhi i të Dielës së Palmave, 20 Mars 2016

“Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, 13 mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!”. 14 Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar: 15 “Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!”. 16 Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të. 17 Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të. 18 Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë. 19 Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij”.” (Ungjilli sipas Gjonit 12:12-19)

Sot është e Diela e Palmave, që jo vetëm shënon fillimin e “Javës së Shenjtë” apo të javës së Pashkës, por edhe përkujton hyrjen triumfale të Jezus Krishtit në Jerusalem. Me të drejtë kjo ka qenë tradita e kishës historike për dhjetëra shekuj me radhë. Me të drejtë ne mund dhe madje duhet që të shqiptojmë sot, vargun nga Psalmi 118:26, që ishte në gojën e Judenjve kur Jezusi hyri në Jerusalem, Hosana! I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. Ne duhet që ta festojmë sot Jezusin si Mbretin tonë, të Kishës së tij, e madje mbi tërë universin.

Historia e hyrjes së Jezusit në Jerusalem, një hyrje zyrtare si Mesia, si Krishti, si Mbreti i Popullit të Perëndisë, na tregohet tek Gjoni 12:12-19. Kapitujt që pasojnë nga Ungjilli i Gjonit, na dëftejnë pjesën tjetër të asaj javë të madhe të shpëtimit të njerëzimit. Por ndërsa do ti studionim në detaj, ngjarjet e asaj javë, diçka e çuditshme do të na tërhiqte vëmendjen. Ka diçka që nuk shkon në këtë histori, në mënyrën se si e mirëpritën dhe e adhuruan Judenjtë, Krishtin ndërsa hynte në Jerusalem.

Hyrja e Mesisë në Jerusalem

Nëse do të isha regjisor filmi, unë do ta filmoja hyrjen e Jezusit në Jerusalem, ndoshta me xhirim të ngadalësuar, duke u fokusuar së pari tek fytyrat krenare të dishepujve, veçanërisht tek bijtë e Zebedeut, Jakobi dhe Gjoni. Në një rast, këta i kishin kërkuar një favor personal Krishtit: “Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë…Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde” (Marku 10:35-37). Këta e dinin që Jezusi ishte Mesia. I kishin parë provat me sytë e tyre, Fryma e shenjtë ua kishte zbuluar, dhe vetë Jezusi ua kishte konfirmuar. Dhe nga mënyra se si Jerusalemi kishte dalë për ta pritur Mesinë që po i vinte, nderimin e lavdinë që ai po merrte, këta po mendonin se kishte ardhur edhe koha e tyre. Këta po hynin në lavdi me Mesinë e tyre. Ata mendonin, se shumë shpejt, Mesia do të shpallej zyrtarisht Mbreti i tërë Judesë, dhe se do të fillonte kryengritja, do të shporreshin Romakët e Greket nga Toka e Shenjtë, dhe këta do të mbretëronin me Krishtin. Këtë do të shprehte fytyra e tyre, ndërsa ata ecnin me siguri në këmbë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të gomarit mbi të cilin qëndronte Jezusi.

Nga ana tjetër, do të filmoja edhe fytyrën dyshuese e qëndrimin mbrojtës të Pjetrit. Kur Krishti u pat thënë se ai ishte Mesia, ai edhe i paralajmëroi dhe se do të shkonin në Jerusalem, e se atje do të ballafaqoheshin me sfida. Ai u tha se “Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet. Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.” (Marku 8:31-32) Pjetri nuk do të lejonte që ndokush ti prekte atij me dorë Mesinë, Jezusin, Mbretin me të cilin ai do të mbretëronte. Pjetri do ta mbronte Krishtin deri në fund. Në fakt, ai ishte i vetmi që e nxori shpatën nga brezi dhe luftoi që të mbronte Krishtin (Gjoni 18:10). Dhe ka shumë mundësi, që pikërisht për shkak të kësaj bisede me Krishtin, ai ishte i vetmi dishepull që mbante shpatë me vete. Dhe jam i sigurt, që për shkak të kësaj bisede, ai rrinte e ruante me kujdes Krishtin.

Nga ata tjetër do të filmoja edhe fytyrat e qindra e mijëra vetëve që e kishin parë më parë Krishtin, që qenë shëruar prej tij, që qenë ushqyer në mënyrë të mrekullueshme prej tij, dhe që tani e brohorisnin plot gëzim, atë që ishte ne gjendje që ti mbante gjithnjë me bukë, e që do t’ua shëronte të gjitha sëmundjet, e madje edhe do ti ngjallte nga të vdekurit, siç bëri me Llazarin, për aq kohë sa këta do ti rrini pranë e përqark, do ta linin që tu predikonte, e pse jo, edhe t’ua tërhiqte ndopak veshin. Me Jezusin këta nuk do të kishin më uri, nuk do të kishin më sëmundje, e pse jo, ndoshta edhe do të kishin të gjithë një jetë më të mirë. Me Jezusin, Perëndia me siguri që kishte rezervuar për ta një plan më të mirë për jetën e tyre. Jezusi i kishte bekuar ata me shumë gjëra të mira. Atij i pëlqente që të jepte. Dhe atyre u pëlqenin gjërat e mira, u pëlqente edhe që të merrnin. Dhe sa e mrekullueshme ishte që pikërisht ky Jezus po vinte më së fundi që të jetonte në qytetin e tyre. Dhe kështu ata po e brohorisnin atë, po e ftonin atë plot gëzim e shpresë në jetën e tyre, në zemrën e tyre. Ata po këndonin: “Eja Jezus në jetën time dhe më ndrysho.”

Nga ana tjetër do të filmoja edhe fytyrat plotësisht indiference, ironike dhe plot vetësiguri të ushtarëve Romakë. “Heh! Roma ishte e pathyeshme! Shtetit ishte i ndarë nga besimi, dhe këta morracakët mund të besonin ç’të donin. Romakët kishin pasurinë dhe pushtetin. Asgjë nuk do të ndryshonte edhe nëse ky i ashtuquajturi profet do të hynte në Jerusalem!”

Prapa kurrizit të tyre, do të filmoja edhe fytyrat djallëzore të anëtarëve të Sanhredinit, të parlamentit të Judenjve. Këta në njërën dorë mbanin një kuletë dhe në tjetrën një thikë, dhe bënin llogari: “Kush ishte më i forti nga këto dy palë?  Roma apo Mesia? Çfarë duhet ti japim njërit e çfarë duhet ti japim tjetrit? Me kë e kemi leverdinë që të bëhemi?

Dhe ndërsa të tëra këto pamje, kuadro filmike kalonin përpara syve të shikuesit, do të dëgjoheshin zërat plot gëzim të njerëzve që brohorisnin Krishtin që futej në mënyrë triumfante në Jerusalem, ndërsa muzika do të ishte frikësuese. Mendoj se një regjisor i mirë filmi do të sinjalizonte me tërë këto elementë si kishte diçka që nuk shkonte në tërë atë gëzim popullor e atë procesion triumfal të Jezusit mbi gomar.

Tema i Mospërputhjes: Idhujtaria

Bëhet fjalë për tema e mospërputhjes që gjejmë në të katër ungjijtë. Ndërsa tani populli e brohorit, të premten po i njëjti popull, po e njëjta turmë do ta shajë. Ndërsa tani kjo turmë “demokratike” e kurorëzon Krishtin si mbret, të premten e pashkës, po e njëjta turmë “demokratike” do të votojë Cezarin si mbret, duke thënë: Largoje! Largoje! Kryqëzoje!… Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit!(Gjoni 19:15). Si ka mundësi një ndryshim i tillë kaq dramatik? Përgjigja ka të bëjë me mëkatin dhe problemin më të madh, më thelbësor të njerëzimit: idhujtaria!

E tërë kjo turmë, madje edhe në momentin e nderimit dhe të adhurimit të Birit të Perëndisë, të vetë Perëndisë të trupëzuar, po bie në mëkatin e idhujtarisë. Po! Është ironike por e vërtetë. Është e mundur që biesh në idhujtari ndërsa lavdëron Perëndinë e vërtetë.

Gjëja më e rëndësishme që duhet të vëmë re në këtë histori janë motivet dhe pretendimet e turmës ndaj Jezusit. Ata kërkonin një shpëtimtar politik, ekonomik dhe ushtarak. Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia u pat premtuar se do tu dërgonte të vajosurin-Mesinë. Shumë profeci të tjera të Dhiatës së Vjetër lidhem me këtë profeci, si për shembull premtimi i Perëndisë se ky Mesi do të vinte nga dera mbretërore e Davidit (2 Sam. 7:13; Jer. 23:5-6; Psa. 110). Dhe si rrjedhim, shpresa Judaike ishte që pasardhësi i Davidit do të vinte e ti çlironte nga pushtimi Romak.

Vini re ndryshimin: Ndërsa Perëndia u pat premtuar se do të siguronte vazhdueshmërinë e dinastisë së Davidit, populli e pat interpretuar këtë sikur të kishte të bënte më situatën politikë të kohës së tyre. Dhe të njëjtin gabim bëjnë edhe sot e kësaj dite, si judenjtë Mesianikë në Izrael, ashtu edhe shumë ungjillorë. Tendenca është gjithnjë e për këdo, që ta interpretojmë Biblën dhe premtimet e Perëndisë në të, nga këndvështrimi i ngushtë personal, në përputhje me përjetimet tona personale, me interesat tona të ngushta personal. Kjo është një lloj idhujtarie.

Kështu, në kohën e Krishtit ekzistonte një grupim politik, Zelotët, dhe që madje kishin edhe tendenca të dhunshme apo ushtarake. Të paktën një prej dishepujve të Krishtit i përkisnin këtij grupimi revolucionar. Dhe Jezusi nuk ishte as i pari dhe as personi i fundit mbi të cilin Judenjtë do ti varnin shpresat se do ti shpëtonte nga Romakët.

Kur lexon Ungjijtë, e madje edhe kapitullin e parë të Veprave të Apostujve, (ngjarjet pra pas Ngjalljes së Krishtit), do të gjesh që dishepujt e pyesin vazhdimisht Krishtin: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” (Vep. 1:6). Këta, edhe pas Ngjalljes po presin sinjalin për revolucion, dhe ende nuk e kanë kuptuar se Mbretëria e Krishtit do të ishte një mbretëri shpirtërore, jo e kësaj bote, dhe jo si e kësaj botë. Por ata nuk mund ta interpretonin apo kuptonin kështu Biblën për shkak të idhujtarisë që kontrollonte mendjet dhe zemrat e tyre, që u deformonte mënyrën e leximit të Biblës, dhe që u deformonte madje edhe ndjenjat e qëndrimet ndaj Krishtit dhe planeve të tij për ta.

Kjo është çfarë po ndodhte atë të Diel të Palmave. Krishti po hynte në atë mënyrë, duke kalëruar përmes portave të qytetit, si një përmbushje specifike e një prej profecive Mesianike, dhe populli e priti atë me një varg nga Psalmi 118:26, Hosana! I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.” Shumë mendojnë se Hosana është term adhurimi si për shembull Haleluja, Lavdi Zotit, apo diçka tjetër si kjo. Në fakt ajo është një kërkesë, një peticion për ndihmë, për revolucion. Hosana vjen nga Psalmi 118:25-26. Pra populli recitonte e thërriste vargun 25 dhe 26 të Psalmit 118. Hosana përkthehe kështu: “Hosa”=Shpëtona apo Ndihmona, dhe “-na”= të lutemi apo ju përgjërohemi. Ishte mënyra Hebraike për të thënë, “Ndihmë, ndihmë! Më Shpëto.”

Për popullin që i thirri Krishtit, ndërsa i hynte në Jerusalem, kjo nuk ishte një thirrje për shpëtim nga mëkatet, por një banderolë politike e tipit: “Duam punë! Duam Shkollim! Duam pavarësi! Duam Vetëvendosje! Mjaft Korrupsionit! Poshtë Fashizmi! Poshtë Komunizmi! Duam zgjedhje të lira! Jo varfërisë! Dhe kuptohet lehtë, që në këtë kontekst, emocionet, qëndrimet dhe vendimet e njerëzve mund të ndryshojnë shumë shpejt dhe shumë lehtë, nëse personi tek i cili ata i kanë varur tërë shpresat e tyre, u ofron versionin shpirtëror dhe jo material të kërkesave të tyre. U ofron shpëtim nga sundimi i mëkatit dhe jo i romakëve, u ofron bukën shpirtërore dhe jo atë fizike, u ofron shërimin e shpirtrave dhe jo të trupave, u ofron trashëgimi në vendet qiellore dhe jo tokësore.

Ndërsa turma po adhuronte Krishtin, ajo po idhujtarizonte Krishtin. Ndërsa turma po adhuronte e po i përgjërohej Perëndisë, apo po binte në mëkatin e idhujtarisë. Pra, është e mundur, dhe një rrezik i vërtetë, që ne të mëkatojmë ndërsa i lutemi Perëndisë së vërtetë. Është e mundur që ne të mëkatojmë kundra Perëndisë ndërsa e adhurojmë atë…për shkak të motiveve të zemrave tona, të idhujtarisë në zemrën tonë.

E di që ne të Krishterët e imagjinojmë idhujtarinë si diçka që bëjnë fiset pagane, si statuja që adhuronin Grekët e Romakët, që adhuronin Keltët e Ilirët, si pemë e kafshë që adhurojnë panteistët, etj. Ne harrojmë se idhujtaria ishte çfarë Judenjtë bënë, menjëherë pasi Perëndia i nxori ata nga Egjipti, kur ndërtuar vicin e artë. Judenjtë e kohës së Moisiut dëshironi të adhuronin Perëndinë e vërtetë Jehovën, dhe ndërtuar një imazh të tyren mbi të.

Idhujtari e Njeriut Modern: Ribërja e Perëndisë

Kjo është çfarë njeriu modern bën edhe sot e kësaj dite. Kjo është çfarë të gjithë ne që lexojmë Biblën, e që e duam Krishtin, rrezikojmë të bëjmë gjithashtu. Krijimi i qëllimshëm i një ideje të gabuar të Perëndisë, të atributeve të tij, të metodave të tij, dhe të qëllimeve të tij. Ne si ungjillorë, rrezikojmë që të gabojmë apo të biem në idhujtari pikërisht në këto katër kategoritë e fundit. E mendojmë Perëndinë vetëm si dashuri dhe harrojmë që ai është edhe i shenjtë dhe nuk e le pa ndëshkuar mëkatin. E mendojmë Perëndinë sovran, por jo mbi vullnetin tonë. E mendojmë Perëndinë se i zgjidh gjërat siç i zgjidhim ne. Harrojmë se Perëndia punon përmes vuajtjes dhe përuljes, dhe se vetëm pas kryqit vjen lavdia. Harrojmë se Perëndia është më i interesuar me zemrën dhe mendjen tonë se sa me barkun tonë, dhe se plani i mirë i shpëtimit nuk është punë e shtëpi e sukses por shpëtim e shenjtërim.

Këto gjëra, ne ungjillorët i keqkuptojmë, dhe si rrjedhim edhe i keq-predikojmë. Kur ne ungjillorët themi, kur “ungjillëzojmë”, se “Perëndia të do ty dhe ka një plan të mrekullueshëm për jetën tënde,” ai personi që e dëgjon këtë deklaratë përgjithësisht të vërtetë, e merr atë jashtë kontekstit shpirtëror dhe interpreton atë siç e interpretuan Krishtin, Judenjtë e madje edhe vetë dishepujt e tij më të ngushtë. Dhe kështu, shumë njerëz që vijnë në Kishë, dhe bëjnë “Lutjen e shpëtimit,” në fakt janë të pashpëtuar, nuk janë të rigjeneruar apo të rilindur në zemër, dhe kur shikojnë që Krishti nuk ua plotëson atyre ato që ata imagjinuan se i dëgjuan si premtim prej ungjilltarëve, i kthejnë kurrizin Krishtit, thonë që besimi në Krishtin nuk funksion, se besimi është një gënjeshtër, dhe me mënyrën e tyre votojnë që të kenë si mbretër në zemrat e tyre, Cezarët e kësaj bote.

Dikush mund të thotë, “Ne nuk e kontrollojmë dot se si i interpretojnë fjalët tona të tjerët.” Po! Kjo është e vërtetë. Por ne mund të kontrollojmë mënyrën se si shprehemi. Le të mos përdorim retorikë që mund të keqkuptohet lehtë, dhe të qëndrojmë brenda metodës biblike të ungjillëzimit që thotë se problemi i njerëzimit është mëkatit, se Perëndia është i shenjtë, dhe se zgjidhja është Krishti që vdiq në kryq për mëkatet tina.

Por një nga problemet me Kishën ungjillore sot nuk është se thjesht përdor një gjuhë të pakujdesshme, por sepse në mënyrë aktive po promovon doktrina jo biblike. Sot në botën ungjillore promovohet një doktrinë tmerrësisht anti-biblike që njihet me termin “ungjilli i prosperitetit.” Sipas këtij mësimi, Perëndia do ti dhurojë pasuri, siguri, lumturi dhe shëndet të gjithë atyre që i besojnë atij, që i shërbejnë atij siç duhet! Këtë unë e quaj “Fenomeni i të Dielës së Palmave!” Një premtim i pavërtetë ndaj atyre që vuajnë nga sëmundjet, varfëria e padrejtësia sociale. Ungjilli i “prosperitetit” rimodelon apo ri-derdh personin e Perëndisë në një model apo formë tjetër. Këtë bënë Izraelitet ndërsa Moisiu ishte në Malin me Perëndinë e vërtetë.  Në Ditën e Palmave, Judenjtë e kohës së Krishtit thërritën “Hosana, o Biri i Davidit! Na shpëto të përgjërohemi o Bir i Davidit”,  jo ndaj Mesisë së Perëndisë por një karikature të tij, madje ndërsa ai kalonte mu përpara syve të tyre rrugëve të Jerusalemit.

Thirrja jonë për ne sot është që të mos bëjmë të njëjtën gjë. Të mos i lutemi në një karikature të Krishtit por vetë Krishtit, Birit të Perëndisë, ashtu siç Ai është në të vërtetë. Ta ndjekim Atë duke e parë jo nga duart, por nga vrimat e duarve dhe të këmbëve. Ti shërbejmë jo në përputhje me parametrat tona por në përputhje me kushtet e tij. E kuptoj që kjo më thjesht thuhet se sa bëhet, por ky është vullneti i Perëndisë për jetën tonë.

Hosana e Vërtetë

Por a duhet që ta festojmë të Dielën e Palmave sot? Sigurisht. Ne festojmë gjithçka që Krishti tha dhe bëri. Fjalët që përdorën Judenjtë e asaj kohe, janë fjalët e Perëndisë, të dhëna nga Fryma e Shenjtë për ne sot. Ato janë fjalët, lutjet, deklaratat e besimit që Fryma ia ka dhënë kishës për ti përdorur, për ti besuar, për ti rrëfyer ndaj Mesisë së vërtetë, ndaj Birit ashtu siç ai ka qenë, është dhe do të mbesë përgjithnjë.

Sot ne i këndojmë Krishtit, e kremtojmë atë që vjen në emrin e Zotit-Jezusin, Zotin tonë. Dhe në mënyrën e duhur ne sot lutemi, “Hosana!”-“Na shpëto o Zot!” Dhe ia themi Jezusit, Shpëtimtarit.

Sfida e të Dielës së Palmave nuk është vetëm që ti besojmë Krishtit për shpëtimin dhe bekimin tonë,  por që ti besojmë atij e ta ndjekim atë në përputhje me kushtet e tij, me mënyrat e tij, me qëllimet e tij. Le të mos lejojmë që për shkak të idhujtarisë tonë, zemrat tona të mohojnë Krishtin, të zgjedhin Cezarin dhe mënyrat e tij, të zhgënjehemi prej karikaturës së tij, viçit tonë te artë në mendjet tona.

E Diela e Palmave është një thirrje kundra idhujtarisë. Ajo është gjithashtu edhe një ftesë për ta parë, për të shkuar dhe për të adhuruar Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, që u dërgua në këtë botë që të sjellë jetë në ata që janë shpirtërisht të vdekur, përmes fuqisë plot dashuri të Perëndisë i cili ishte, është dhe do të jetë i njëjtë mbi këtë botë pa fund. AMEN.