Gjak dhe Ujë – Gjoni 19:31-37

  • on 03/04/2015

Gjak dhe Ujë – Gjoni 19:31-37

Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t’u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej. 32 Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të; 33 por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë. 35 Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni. 36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: “Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër”. 37 Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: “Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar”. – Gjoni 19:31-37

Interesante dhe e vërtetë është një shprehje e pastorit të famshëm Baptist Anglez, Princit të Predikuesve, Çarls Spurgeon, i cili shkroi se, “Zakonisht skrupujt religjiozë parazitojnë në një ndërgjegje të vdekur.” Në ngjarjet që na renditen në këtë pasazh, gjejmë në funksionim pikërisht këtë parim. Drejtuesit religjiozë të Izraelit që nuk kishin skrupuj për sa i përket vrasjes së Mesisë, kanë skrupuj për sa i përket trupit të tij që varet në kryq. Ata që në mënyrë të kundra ligjshme kanë arrestuar me tradhti, që e kanë akuzuar pa siguruar dy dëshmitarë, dhe që madje as nuk kanë marrë dëshminë e vetë të akuzuarit, ata që po vrasin një të pafajshëm, janë po ata që kanë skrupuj për sa ai përket thyerjes së sabatit. Tek Ungjijtë lexojmë se ata refuzuan që të hynin në pretoriumin Romak që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin pashkën (Gjoni 18:29), nuk kanë frikë nga papastërtia e derdhjes së gjakut të pashkës së vërtetë, Jezus Krishtit, vetë Birit të Perëndisë dhe Mesisë së tyre. Ky është konteksti historik dhe arsyeja e tejshpimit me heshtë në brinjë të Jezusit, prej nga e cila rrodhi gjak dhe ujë.

Derdhja e Gjakut dhe e Ujit

Zakoni i Romakëve, si edhe i Kartagjenasve apo i Persëve përpara tyre, ishte që ti linin të varur në kryq trupat pa jetë të të dënuarve të tyre, deri sa të kalbeshin atje apo ti kishin ngrënë shpendët grabitqarë. Por në Palestinë gjërat funksionon pak ndryshe. Shumë aspekte të jetës së kombit qeveriseshin jo prej Ligjit Romak por prej Ligjin të Moisiut. Si për shembull, viktimat e kryqëzuara lejoheshin që të varroseshin. Ligji i Moisiut shkruante, “Në rast se dikush ka kryer një krim që meriton vdekjen dhe ka pësuar vdekjen, dhe ti e ke varur në një dru, 23 kufoma e tij nuk do të rrijë tërë natën mbi pemën, por do ta varrosësh po atë ditë; sepse ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia, dhe ti nuk do ta ndotësh tokën që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi” (Ligji i Ripërtërirë 21:22-23). Ligji kërkonte gjithashtu që ekzekutimet të mos bëheshin në ditën e festave fetare, siç edhe ishte rasti i Pashkës. Në respekt ndaj këtyre ligjeve, (edhe pse këta kishin treguar aspak  respekt ndaj Ligjdhënësit), drejtuesit fetarë shkuan tek Pilati duke i kërkuar që të përshpejtonte vdekjen e tre të kryqëzuarve duke u thyer këmbët. Ishte një fenomen i njohur që një person i gozhduar në mund të rezistonte madje edhe disa ditë i varur atje. Por nëse do ti thyheshin këmbët, e tërë pesha e trupit do të binte mbi diafragmën dhe i kryqëzuari do të vdiste shumë shpejt nga asfiksimi.

Sigurisht që Pilati nuk e pati problem se çfarë do të ndodhte me trupat apo se sa shpejt do të vdisnin të kryqëzuarit. Dhe kështu ua plotësoi dëshirën Judenjve, dhe u dha urdhër ushtarëve “që t’u thyheshin kërcinjtë dhe që të hiqeshin që andej.” Kështu, ata thyen kërcinjtë e dy kriminelëve të kryqëzuar në të majtë e të djathtë të Krishtit, por kur i erdhi radha Krishtit, ata panë se ai tashmë kishte dhënë shpirt, dhe nuk ia thyen kërcinjtë. “Por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.” (v. 34). Vargjet 35-37 tregojnë se si Apostulli Gjon si dëshmitari i tërë këtyre ngjarjeve, kuptoi nën shtyrjen e frymës së Shenjtë, se të gjitha këto ngjarje kishin ndodhur në këtë mënyrë me qëllim që të plotësoheshin Shkrimet e Shenjta që kishin profetizuar mbi mënyrën e vdekjes së Mesisë. Madje, Gjoni thekson veçanërisht rrjedhjen e gjakut dhe të ujit nga brinja e shpuar me heshtë e Krishtit, duke thënë, “Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni” (v. 35).

Përse Gjoni thekson veçanërisht derdhjen e gjakut dhe të ujit? Vdekja e Krishtit, që është fokusi dhe pika kulmore e Ungjillit, tregohet në një varg të vetëm, dhe pa ndonjë komentin nga ana e Gjonit. Por tani, fakti i mos-thyerjes së kërcinjve të Krishtit, shpimi me heshtë dhe derdhja e gjakut dhe e ujit marrim një vëmendje të veçantë? Gjoni, i shtyrë nga Fryma e Shenjtë, ka arsye që e bën këtë gjë, dhe është me leverdi për ne nëse i ekzaminojmë me kujdes këto arsye.

Prova e Gjakut dhe e Ujit

Por le të vëmë re së fundi, arsyet e shumta që Gjoni kishte për të theksuar derdhjen e gjakut dhe të ujit, si dhe mos thyerjen e kërcinjve të Krishtit.

Së pari, e tërë mënyra se si rrodhën ngjarjet është dëshmi që Jezusi vdiq vërtetë. Qëllimi i thyerjes së kërcinjve ishte shpejtimi i vdekjes së të kryqëzuarve. E vetmja arsye përse Krishtit nuk iu thyen kërcinjtë është se ai ishte me të vërtetë i vdekur. Por, për të hequr çdo dyshim, ushtarët e shpuan me heshtë në brinjë. Kjo nuk u bë që të siguroheshin ushtarët Romakë, të cilët ishin specialistë të vdekjes, por për leverdi të publikut që rrinte e këqyrte, si provë ligjore që gjithçka ishte kryer sipas rregullores. Ky është një element shumë i rëndësishëm për ne sot sepse ka pasur studiues që kanë spekuluar se ndoshta Jezusi nuk vdiq vërtet në kryq, se pësoi një zalisje apo thjesht i ra të fikët, por që u përmend më vonë në freskinë e guvës në të cilën e kishin varrosur. Dhe sipas kësaj teorie, ai më vonë iu shfaq dishepujve të tij si i ringjallur. Nëse ai nuk vdiq vërtetë, ai edhe nuk u ringjall vërtetë, dhe ne jemi ende të humbur në mëkatet tona. Por nëse ai vdiq vërtetë, ai edhe u ringjall vërtetë, dhe kështu shpresa jonë bazohet jo mbi dëshirën por mbi faktin. Të gjitha deklaratat dhe premtimet e Krishtit janë të deklaruar “Po! dhe Amen!,” dhe ne jemi me të vërtetë të shpëtuar e të shfajësuar nga mëkatet tona. Krishti vdiq vërtetë. Si rrjedhim ai edhe u ngjall vërtetë. Prova e këtyre fakteve është gjaku dhe uji që rrodhi prej brinjës së shpuar të tij.

Së dyti, këto detaje të vdekjes së Krishtit ishin shumë të rëndësishme edhe për lexuesit e Ungjillit në shekullin e parë. Një herezi që që njihet me emrin Gnosticism, pat filluar të infiltronte Kishën, që në kohën kur Gjoni po shkruante këtë Ungjill. Gnosticizmi mohonte që Krishti ishte plotësisht njeri dhe që kishte një trup të vërtetë. Derdhja e gjakut dhe e ujit nga brinja provonte gabimin e Gnosticizmit dhe vërtetonte se Jezusi me të vërtetë e provoi vdekjen fizike në kryq për ne, siç edhe e thonë Kredot e shumta të Krishterimit.

Një prej këtyre kredove më të hershme të Krishterimit gjendet tek 1 Korintasve dhe thotë: “Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, 4 se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,” (1 Kor. 15:3-4). Kështu, edhe Kredoja e Apostujve  afirmon se Jezusi “vuajti nën Pontin Pilat, u kryqëzua, vdiq dhe u varros.” Ungjilli insiston dhe provon se Jezusi vdiq vërtetë në trup, se përjetoi një vdekje të vërtetë dhe të plotë për mëkatet tona, dhe se edhe u ngjall vërtetë në trup për shfajësimin tonë.

Së treti, ngjarjet që rendit Gjoni vënë në dukje ato ishin edhe përmbushja e profecive te Shkrimit të Shenjtë. Në fakt përmbushja ishte e jashtëzakonshme për vetë faktin se profecitë ishin të komplikuara dhe të pamundura për tu përmbushur në mënyrë natyrore.

Komplikimi ka të bëjë me përmbushjen e dy profecive të kombinuara së bashku, Psalmi 34:20 de Zakaria 12:10. Tek Psalmi 34:20 thuhet, “Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.” Ndërsa tek Zakaria 12:10 lexojmë, “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jerusalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur.” Njëra profeci thoshte se asnjë nga kockat e Mesisë nuk do të thyheshin, ndërsa profecia tjetër parashikonte se brinja e tij do të shpohej.

E pamundura ka të bëjë edhe me faktin që ushtarët Romake u nisën të urdhëruar për të bërë pikërisht të kundërtën. Ata nuk u nisën që ti shpojnë brinjën dhe u dërguan që ti thyejnë kërcinjtë. E megjithatë, ata përfundua që të përmbushnin profecitë. Si shpjegohet që këta njerëz brutalë u penguan që të kryenin një akt tjetër dhune për të cilin kishin marrë një urdhër specifik, por bënë një veprim tjetër për të cilin nuk ishin urdhëruar ta bënin? Përgjigja gjendet në sovranitetin e Perëndisë. Duke sunduar në mënyrë sovrane mbi tërë njerëzit dhe veprimet e tyre, Perëndia i cili frymëzoi profetët siguroi përmbushjen e fjalëve të tij.

I Krishterë, besoi Fjalës së Perëndisë! A nuk bën të njëjtën gjë Perëndia me të gjitha profecitë, e madje edhe me ato profeci e premtime ë kanë të bëjnë me ne, për të cilët Krishti vdiq? Spurgeon shkroi:

Nuk kishte të ngjarë që kockat e Zotit tonë të mos përfundonin të thyera nga tërë ai abuzim që pësoi ai gjatë tërë asaj dite, dhe po aq e pamundur ishte edhe që ai të përfundonte në fund të ditës me brinjë të shpuar: por ndodhi pikërisht kështu. Sa herë që të përballesh me një premtim që nuk ka asnjë shans që të plotësohet, besoji fort atij premtimi. Sa herë që të shikosh se gjerat po shkojnë kundra të vërtetës së Perëndisë, besoji Perëndisë, dhe mos i beso asgjëje tjetër. Le të dalë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar. Edhe pse njerëzit dhe djajtë do të përpiqen që ta nxjerrin Perëndinë gënjeshtar, mbahu pas asaj që Perëndia ka thënë e ka shkruar, sepse qielli dhe toka do të kalojnë por asnjë pikë a presje e fjalës së tij nuk do të bie në tokë.

Së katërti, fakti që kockat e tij nuk u thyen, vë në dukje se Krishti është Qengji ynë i Pashkës që u sakrifikua për mëkatet e popullit të tij. Psalmi 34:20 thotë, “Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.” Ky është vargu që i referohet Gjoni, dhe nuk ka varg tjetër të tillë në tërë Dhiatën e Vjetër. Madje edhe ky varg nuk flet direkt për Krishtin, por Davidi po i këndon njeriut të drejtë sipas standardit të Perëndisë. Ndërsa Gjoni i referohet këtij Psalmi ai e shikon atë në një kontekst më të gjerë, në atë të Pashkës. Askush nuk është i drejtë para Perëndisë veç Biri i Tij, Qengji i Përsosur i Perëndisë. Perëndia pat urdhëruar, që në festimet e pashkës, kockat e qengjit të pashkës nuk duheshin thyer. Tek Eksodi 12:46 deklarohet, “Qengji do të hahet vetëm në një shtëpi; asnjë pjesë të mishit të tij nuk do ta nxirrni jashtë shtëpisë dhe nuk do të thyeni asnjë kockë të tij.” Po kështu, Numrat 9:12 thotë, “Nuk do të lënë asnjë tepricë deri në mëngjes dhe nuk do të thyejnë asnjë kockë. Do ta kremtojnë sipas të gjitha statuteve të Pashkës.” Ky detaj në dukje i parëndësishëm në përgatitjen qengjit dhe festimin e Pashkës, dhe ky detaj në dukje i parëndësishëm në vdekjen e Jezusit, në provaninë e Perëndisë, kombinojnë për të identifikuar Jezusin si Qengji i vërtetë i Pashkës, përmes së cilit ne kemi shpengimin dhe çlirimin shpirtëror.

Madje nga mënyra se si Gjoni i përshkruan detajet e kryqëzimit, dimë se momenti i kryqëzimit dhe i vdekjes së Krishti përkonte me momentin kur thereshin qengjat e Pashkës në atë ditë të fundit të përgatitjes. Madje, që në fillim të këtij pasazhi, Gjoni thekson se këto gjëra ndodhën gjatë kohës së përgatitjes për Pashkën.

Çdo Jude e dinte mirë kuptimin e Pashkës. Ajo përkujtonte ngjarjen në të cilën Perëndia pat /liruar popullin e tij nga skllavëria e Egjiptit. Ai u pat thënë Izraelitëve se do të sillte dhjetë dënime mbi kombin e Egjiptit, dhe e fundit do të ishte vdekja e të gjithë meshkujve të parëlindur e çdo shtëpie. Perëndia do të dërgonte engjëllin e tij për të therur të parëlindurit në të gjithë vendin. Por shtëpitë e popullit të Perëndisë mund të shpëtoheshin vetëm nëse ata do të merrnin një qengj, i cili duhej mbajtur në atë shtëpi për tre ditë, dhe që duhej të ishte pa asnjë të metë. Pasi ta thernin në ditën e përgatitjes, Izraelitët duhej që me gjakun e qengjit të lyenin arkitraun dhe shtalkat e dyerve të jashtme të shtëpisë. Kur engjëlli i vdekjes do të vinte, aty ku ai do të shikonte gjak, ai do të kalonte mbi atë shtëpi dhe do ta linte të paprekur. Ky është kuptimi i termit “Pashkë,” “kalim mbi.” Në këtë mënyrë engjëlli i vdekjes nuk do të futej në atë shtëpi për të vrarë, dhe kështu do të shpëtoheshin. Kështu, Pashka ishte ngjarja më e madhe kombëtare dhe fetare e vitit, dhe pikërisht këtë festim po përgatitnin Judenjtë, atë ditë që u kryqëzua Krishti. Perëndia thotë përmes penës së Gjonit se Jezus Krishti është përmbushja e përsosur e qëllimit, e shëmbëlltyrës, e këtij ilustrimi të Dhiatës së Vjetër. Ne të gjithë jemi mëkatarë. Të gjithë meritojmë të vdesim. Engjëlli i gjykimit të Perëndisë po vjen. Por Jezusi ka vdekur në kryq në vendin tonë. Gjaku i tij ka shlyer e pastruar mëkatin tonë. Kështu, për shkak të vdekjes së Qengjit të përsosur të Perëndisë, engjëlli i gjykimit do të kalojë e nuk do ti prekë të gjithë ata që i besojnë Krishtit.

Së pesti, derdhja e gjakut dhe e ujit janë shlyerje për mëkatet dhe pastrim nga njollosja e tyre.  Derdhja e gjakut dhe e ujit ishin përmbushja e profecisë tek Zakaria 12:10. Në fakt çfarë Gjoni ka ndërmend është i tërë pasazhi nga Zakaria që flet për këtë gjë dhe që është Zakaria 12:10-13:1. Në fakt vargu i fundit ndihmon në kuptimin e vargut të parë: “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jerusalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur…Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jerusalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë.” Vargu i fundit veçanërisht flet për hapjen e një burimi. Sigurisht që Gjoni e njihte këtë varg. Mbi të gjitha ai e dinte se sa rëndësi ka gjaku në Dhiatën e Vjetër për pastrimin nga mëkati. Për shembull, Levetiku 17:11 thotë, “Jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën.” Po kaq e rëndësishme është edhe uji për pastrimin nga papastërtitë. Kështu, kur Gjoni pa gjak dhe ujë të burojnë nga brinja e shpuar e Krishtit, gjëja e parë që atij i shkoi ndërmend janë këto profeci, këto imazhe të Dhiatës së Vjetër, dhe kuptoi se ai po shikonte me sytë e tij të ndodhte në trupin e Krishtit si Qengji i Pashkës, shlyerja për mëkatet dhe pastrimi nga njollosja e tyre.

Marrja e Gjakut dhe e Ujit

Por jo vetëm Apostulli Gjon kuptoi këto lidhje të shumta ndërmjet rrjedhjes së gjakut dhe ujit nga brinja e shpuar e Krishtit dhe profecive të Dhiatës së Vjetër, dhe mbi të gjitha nuk ishte vetëm ai që kuptoi dhe përqafoi këtë mesazh, këto përfitime e bekime të Kryqit, por edhe shumë e shumë të tjerë që përqafuan Krishtin, që qëndruan për pastrim poshtë Kryqit të tij përmes besimit. Një prej tyre ishte edhe Uilliam Couper, poeti Anglez i cili shkroi tekstin e himnit të njohur “Me gjak plot është një burim,” që thotë:

Me gjak plot është një burim

nga ij’ e Krishtit vejn

Çdo mëkatar në at’vërshim

pastrim nga faji gjen

O Qengj që vdes, që kur buroi

fuqin’ s’e humb ky gjak

Sa gjith’ata që Ai shpengoi,

T’mos bëjnë më mëkat

Që kur e pash atë vërshim

të rrjedh nga plagët burim

Ësht’ kënga ime ky shpengim

dhe s’do t’mbarojë kurr’

Kur gjuha që po belbëzoj,

Të prehet qet’ në varr

Një këng’ më t’ëmbël do këndoj,

Për gjakun që shpengon

Gjoni, autori i këtyre vargjeve, dhe me qindra mijëra në këto dy mijë vitet e fundit kanë zbuluar fuqinë pastruese të kësaj sakrifice, të këtij gjaku e uji pastrues e shlyes. Të gjithë këta kanë gjetur ngushëllim të thellë, gëzim të plotë në këto të vërteta, edhe pse mund të mos i kenë kuptuar thellësisht të gjitha detajet e shumta e të imta të Ungjijve. A je edhe ti një prej tyre? A e ke lyer edhe ti arkitraun dhe shtalkat e dyerve të jetës dhe zemrës tënde me gjakun e Pashkës së përsosur, që është Biri, Jezus Krishti, Qengji i Përsosur i Perëndisë? Nëse ende jo, heshta që shpoi brinjën e Krishtit të sëmboftë në zemër. Le të thyhet e të zbutet zemra jote ndërsa ti i fikson sytë tek ai në këtë sezon Pashke. Ky është edhe qëllimi që Gjoni e shkroi këtë Ungjill, që ju të fiksoni sytë tuaj tek Krishti, që ti besoni atij dhe të shpëtoheni. Shko tek Kryqi, shiko Jezusin e sakrifikuar për ty, besoji atij tërë jetën tende dhe do të shpëtohesh.

E Premtja e Mirë, 2015