• on 06/05/2008

Fëmijët në Adhurim

nga Leonard Doka

          Ne i mirëpresim fëmijët në shërbesën e adhurimit publik. E dimë se ata shpesh bëjnë zhurmë, por ndonëse u kërkojmë prindërve që të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve, si bashkësi kemi një tolerim të madh ndaj pranisë së fëmijëve në bashkësi. Kuptohet që prindërit duhet të punojnë me fëmijët gjatë javës, nëpërmjet trajnimit të nevojshëm për adhurimin e të dielës gjatë kohës së adhurimit familjar të përditshëm dhe që ata të jenë të qetë, të vëmendshëm dhe respektues sepse ndodhen në shtëpinë e Zotit. Por hyrja në praninë e Perëndisë dhe pjesëmarrja në liturgji janë të drejta të “pagëzimit” që u përkasin si pjesëtarë të priftërisë mbretërore. Ne ju nxisim që t’i trajnoni fëmijët që jo thjesht të rrinë ulur qetësisht gjatë shërbesës, por edhe të përfshihen sa më shumë gjatë saj. Këtë avantazh atyre ua jep në fakt mënyra liturgjike që përmban shumë përsëritje në përgjigjet e liturgjisë. Ata mësojnë shpejt edhe gjestet trupore dhe pozicionet që përdorim, kur duhet të ulen, kur të ngrihen, të përgjunjen, të ngrenë duart dhe të thërrasin “Amen”! Nëse fëmijët bëjnë pak rrëmujë, mos u bezdisni apo që të kërkoni menjëherë që të dalin jashtë apo në vendin (për ato kisha që e kanë) ku qëndrojnë foshnjet apo fëmijët më të vegjël). Kur ata e teprojnë dhe meritojnë disiplinim është përgjegjësia e prindërve që ta trajtojnë. Edhe në kohën e Jezusit, fëmijët ishin po ata dhe megjithatë ai i ftoi ata tek vetja pa përfillur shqetësimet që sjellin (Mat.18:19). Edhe psalmisti thekson te Ps.8 rolin domethënës që luajnë ata në “luftën e shenjtë” liturgjike të kishës, për t’u mbyllur gojën armikut. Vini re edhe Ps.34:11: “Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit”.
          Mos pjesëmarrja e fëmijëve në adhurim është diçka serioze, që jo vetëm kërkohet nga Zoti por edhe ka një ndikim të madh në gjithë gjendjen e kishës. Nuk është habi pse sot të rinjtë nuk gjenden shpesh në kishat perëndimore, kur në shumicën e kishave ungjillore nxiten që të veçohen nga prindërit, në një program të veçantë, duke ndjekur video apo diçka tjetër. Një pastor vërejti një herë që sapo filloi predikimi një grup adoleshentësh u larguan nga ballkoni dhe u kthyen vetëm pak para himnit përmbyllës. Edhe javën vijuese ndodhi e njëjta gjë. Pas interesimit, doli se para disa vitesh pastori i të rinjve i lejonte ata që të shikonin video të krishtera në sallën e miqësisë. Kjo praktikë kishte vazhduar me vite duke arritur deri në atë kohë, por fillimet e kësaj mund t’i gjejmë që në vitet e fëmijërisë. Përtej kësaj praktike gjendet ideja që të rinjtë e shohin shërbesën të mërzitshme dhe të rriturit kishin frikë se ata do ta linin kishën kur të rriteshin, po të mos gjenin mënyra për t’i argëtuar, që të qëndronin në po atë ndërtesë. Por kjo strategji nuk funksionon dhe ironik është fakti që e kundërta ndodh, kur gjërat bëhen në mosbesim e mosbindje ndaj Fjalës, sepse ndodhi pikërisht çfarë ata kishin frikë. Jo më kot, ata largohen nga besimi, nuk kanë fare interes te Perëndia, Fjala e tij, pa i shtuar edhe frekuentimin e përditshëm në vlerat anti-kristiane të shkollës publike. Shikoni sa pa vlerë janë orvatjet “argëtuese”, apo Shkolla e të dielës, grupi i të rinjve, me lojërat e veprimtaritë e tjera tërheqëse pa integrimin në adhurimin familjar, jetën e krishterë në familje dhe adhurimin në kishë. Për këta fëmijë adhurimi njësohet në mendjen e tyre me “dëfrimin shpirtëror”. Ja pse një brez i tërë humbet ndaj Mbretërisë, kur sipas statistikave kishat ungjillore konservatore humbasin rreth 70 % të fëmijëve në moshën 25 vjeçare. Një tjetër problem i shkëputjes nga adhurimi i kishës në “kishën e fëmijëve” është që ata mësohen që të shoqërohen më shumë me bashkëmoshatarët sesa me prindërit, për sa i përket vlerave që përqafojnë. Imagjinoni se ç’ndodh kur kjo kombinohet edhe me problemin e përqafimit të vlerave të bashkëmoshatarëve edhe në orët e mësimit që kalojnë në shkollat publike. Çfarë kisha ka bërë duke i përjashtuar fëmijët ngjan me përkëdheljet që u bëjnë prindërit fëmijëve duke u plotësuar çdo tekë që t’u plotësojnë dëshirën, duke i larguar nga vetja, rruga e drejtë dhe duke bërë që të humbasin respektin prej tyre. Por shumë thonë se është e vështirë t’i mbash të përqendruar gjatë adhurimit. Të vegjlit shkaktojnë bezdi, nga zhurmat dhe prania e tyre i ofendon njerëzit. Vizitorët kërkojnë vend të veçantë për fëmijët që të adhurojnë në qetësi. Qetësia është normale por disa herë individualizmi ka nxitur si fokusimin e tepërt të kohës së qetë në shtëpi përkundrejt adhurimit publik ashtu edhe kërkimin e një qetësie absolute, që është egoizëm. Thuhet se nuk duhet të rrinë në predikim sepse nuk e kuptojnë dhe nuk mund të qëndrojnë gjatë tij, duke i rënë shkurt, pa iu futur punës (në këtë rast prindërit, që duhet të nxiten nga kisha) për t’i mësuar fëmijët, duke i stimuluar që të kenë vëmendjen. Problemi i vërtetë është në fakt që prindërit nuk duan t’i disiplinojnë fëmijët seriozisht . Kurse kur fëmijët sillen mirë por kanë ato lëvizjet e tyre normale e të pashmangshme, disa kthejnë sytë vëngër dhe nuk i durojnë, sepse kujtojnë se janë duke bërë kohën e qetë në shtëpi. Kurse disa të tjerë tolerojnë të rriturit që në fund të kishës bisedojnë gjatë predikimit dhe ngrihen menjëherë nga “zhurma” e fëmijëve që ndjehet më shumë se është e natyrshme e spontane. Për fëmijët vërtet problematikë, zgjidhja nuk është largimi i tyre por trajnimi i prindërve që të edukojnë fëmijë të perëndishëm. Perëndia kërkon që t’i mësojmë fëmijët si ta adhurojnë Atë (Ligji i Përt.6:4; Efes.6:27). Shumë kujtojnë se fëmijët mësojnë që ta adhurojnë atë si duhet kur përplasin këmbët, ndërsa këndojnë “Babi Abraham”.
          Siç thamë zgjidhja nis me adhurimin familjar, që është kthyer në një ide të harruar krejt sot në familjet e krishtera. Në 1647, Asambleja e Përgjithshme e Kishës së Skocisë u kërkon etërve e krerëve të familjes që t’i drejtojnë familjet çdo ditë në adhurim (shih Udhëzuesi apo Manuali i Adhurimit Familjar). Për kishën skoceze, kjo detyrë ishte aq e rëndësishme saqë etërit që dështonin në kryerjen e adhurimit familjar i nënshtroheshin disiplinës, që përfundonte deri në përjashtim kishe. Kur burrat i merrnin seriozisht këto detyra, ata e kthenin botën përmbys dhe kur Adhurimi familjar ra, ra edhe gjendja fetare e sociale e kombit. Kur një fëmijë nuk mësohet në familje si të adhurojnë Perëndinë çdo ditë, do të humbasë, hutohet e do të mërzitet kur të vijë në adhurimin e së dielës.
Pra, hapi i parë në mësimin e fëmijëve tanë për adhurimin e duhur, është që etërit të rikultivojnë detyrën e të udhëhequrit të familjeve në adhurimin e përditshëm. Babai të drejtojë familjen në fjalën, këndimin e psalmeve e himneve, duke e shpjeguar dhe zbatuar fjalën. Kur babai (sigurisht edhe nëna, por ai është kreu) nuk i kontrollon dot fëmijët që të rrinë qetë për 15 minuta çdo ditë, si mund të kontrollohet fëmija të dielën për një orë e gjysmë shërbesë apo veçanërisht 30 minuta predikim? Ruhuni nga televizori që jo i vetëm u merr kohën fëmijëve (edhe prindërve) por edhe i mëson pasivë, duke ua zvogëluar diapazonin e vëmendjes. Etër, ju jeni përgjegjës për mirëqenien shpirtërore të familjes suaj, që t’i rrisni fëmijët në frikën e Zotit. Është koha që të mos luajnë me telekomandën, sportin apo gazetat dhe të bëhen më seriozë për këtë.
Për t’iu kthyer temës sonë, le ta mbyllim me këtë pasazh: Mat.18:1-6: “* *Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?”. ^2 Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre ^3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. ^4 Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. ^5 Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua. ^6 Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit”.