• on 09/05/2008

Eva: Nëna e ne të gjithëve

Arsyeja përse po studiojmë personazhet femërore të biblës është se ato janë shembuj të përjetshëm dhe të frymëzuar nga Perëndia për të qenë modele inspiruese, plot aplikime për jetën tonë. Mbi të gjitha, teksa studiojmë jetën e grave të Biblës ne studiojmë planin e bukur dhe mjeshtëror të Perëndisë që nis që nga fillimi i kohës dhe se si Ai është i hirshëm dhe i dashur ndaj atyre që Ai i ka zgjedhur për të qenë pjesë të popullit të Tij, fëmijët e Tij, bijat e Mbretit ë Përjetshëm. Dhe si rrjedhim ku tjetër mund të fillojmë veç se me Evën.

Shpresoj që çdo njëra do të ketë mundësinë për të marrë pjesë në studimin e sotëm duke lexuar ndonjë pjesë nga Bibla dhe duke bërë pyetje a komente. Leximi i paë flet për periudhën pasi Perëndia pat krijuar qiellin dhe tokën, vegjetacionin, kohën, ditën dhe natën, dhe pastaj botën e kafshëve. Momenti më i lartë i krijimit ishte njeriu:

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. 27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. 28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”. 29 Dhe Perëndia tha: “Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim. 30 Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim”. Dhe kështu u bë. 31 Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë. (Zanafilla 1:26-31.)

eva Në këtë pasazh ne shikojmë së pari dinjitetin e veçantë e të qenit një qenie njerëzore, dhe ky dinjitet reflekton dhe krijon në nivelin e krijesave rrugët e shenjta të perëndisë, ne jemi të krijuar në imazhin e Tij.” Për shembull, ne kemi kapacitetin për njohuri, veprim të bazuar mbi mendim dhe madje edhe aftësinë për të pasur jetë të përjetshme. A e vutë re në pasazhin që sapo lexuam që Perëndia përdori shprehjen “e mirë” për çdo gjë që krijoi, dhe shprehjen “shumë e mirë” për krijimin e njeriut dhe situatën në të cilin Ai e vendosi njeriun? Imagjinoni mrekullinë e parajsës, të prezencës së Perëndisë dhe të kënaqësisë që njeriu gjente në të.

Tani, përpara se sa të prezantojmë femrën e parë farë të krijuar nga perëndia, le të lexojmë së pari mbi detyrat dhe urdhrat që ju dhanë burrit.

7 Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. (Zan. 2:7)

15 Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. 16 Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: “Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; 17 por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri”. 18 Pastaj Zoti Perëndi tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis”. 19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. 20 Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. (Zan. 2:15-20).

A keni menduar ndonjëherë për faktin që Perëndia nuk e krijoi gruan në të njëjtën kohë me burrin me mundësinë për të ardhur vetë në një kompromis se cili do të ishte qëllimi i tyre në jetë, se si do ti arrinin këto qëllime? Vini re se si ishte Perëndia ai që krijoi Adamin, i dha atij një punë si administratori i planetit. Perëndia i dha atij një këndvështrim shpirtëror, urdhra dhe instruksione specifike madje edhe porsa i përket emërtimit të kafshëve. Dhe kështu Adami filloi punën e tij si administratori dhe mbikëqyrësi i krijesës së Perëndisë përpara se sa Eva të krijohej dhe të sugjeronte apo ofronte ndihmën apo imputin e saj në jetën e mashkullit.

Burri është krijuar për të qenë ndihmësi i Perëndisë. Mbani mend se si Krishti u bë ndihmësi i Atit këtu në tokë dhe se si Fryma e Shenjtë u bë ndihmësi i Birit, dhe megjithatë të tre personat e Trinisë së Shenjtë mbesin një Perëndi, të barabartë ne lavdi dhe fuqi pavarësisht nga diferencat e tyre. Në të njëjtën mënyrë është edhe për burrin dhe gruan. Të dy janë njësoj të rëndësishëm në sytë e Perëndisë pasi që të dy janë mbajtës së imazhit të Perëndisë në to, të shpirtit të njeriut. Që të dy po njësoj i nënshtrohen autoriteteve, qeverisë, punëdhënësve, prindërve, dhe në këtë bindje ndaj një autoriteti më të lartë, dinjiteti i burrit apo i gruas as nuk zvogëlohet e as nuk humbet. Le të vazhdojmë leximin dhe të zbulojmë rolin tonë në shërbim të një qëllimi më të lartë dhe hyjnor të dhënë nga Ati qiellor nga pasazhi që flet për krijimin e gruas së parë. Vini re titujt që i jepen Evës dhe mënyrë se si përshkruhet ajo.

21 Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. 22 Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. 23 Dhe njeriu tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri”. 24 Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. 25 Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj. (Zan. 2:21-15).

Ne në Amerikë themi për dikë që është lakuriq se ai apo ajo ka veshur “kostumin e lindjes.” Mendoni se sa i habitur ka qenë Adami kur pasi i zgjua nga gjumi në të cilin e pati vënë Perëndia ndjeu se kishte një brinjë më pak dhe sytë i ndalën në dhuratën e Perëndisë për të, tek Eva e cila ishte ende në kostumin e saj të lindjes. Perëndia e dinte që nuk ishte e mirë për njeriun që të ishte vetëm dhe Perëndia i krijoi një ndihmëse të përsosur për nevojat e tij. Fakti që Eva u krijua nga brinja e tij do të thotë që ajo nuk u krijua për të qenë mbi Adamin dhe as nën të, por përbri tij si shoqëruese, mike dhe ndihmëse. Vini re gjithashtu, që edhe pse Eva nuk ishte bija e një ati tokësor, ajo ishte tashmë bija e një Ati qiellor, ashtu si edhe të gjitha femrat besimtare. Nëse ju nuk jemi e martuar mbani mend që ashtu si edhe Eva detyra juaj e parë dhe më e lartë është që ju të lavdëroni Atin dhe të gjeni kënaqësi në të. Është e rëndësishme për të vënë në dukje atë që shumë femra beqare sot nuk e kuptojnë apo pranojnë: Ndërsa Perëndia i urdhëror gratë që të jenë ndjekëse dhe ndihmëse të burrave të tyre, Ai gjithashtu dëshiron që vajzat beqare të jenë ndjekëse dhe mbështetëse të baballarëve të tyre si koka e tyre e dhënë nga Perëndia sç edhe lexojmë në librin e Numrave 30;16, Kodit Priftëror 22:13, dhe librit të Ruthit. Të mbështeturit në drejtimin dhe mbrojtjen e mashkullit është cilësia më bazë dhe më e bukur e të qenit femër apo grua. Ky është një mësim pak i ndryshëm nga feminizmi sekular me të cilin të tëra ne jemi të edukuara në këtë botë sekulare. Le të lexojmë disa pasazhe të tjera nga dhiata e re që flasin për këtë qëllim:

Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, 8 sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, 9 edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. (Zan. 1 Kor. 11:7-9).

Mbani mend që gruaja erdhi nga brinja e Adamit dhe u krijua për të. Ne jemi pjese e tij.

32 Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. 33 Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin. (Efes. 5:32-33)

Një nga arsyet përse Perëndia dha martesën, burrin dhe gruan është për të ilustruar marrëdhënien e Tij me kishën, dhe këtë marrëdhënie Pali e quan një mister të madh. Kisha është trupi i Krishtit, e krijuar për Krishtin, kokën tonë. Po kështu është edhe marrëdhënia ndërmjet gruas dhe burrit.

Një autor shkruan që “ju mund të vini në realizimin e plotë të feminizmit të vërtetë vetëm atëherë kur ju si femër po funksiononi sipas natyrës dhe qëllimit për të cilin u krijuat.” Kështu, dëshira për apo uzurpimi i rolit të bashkëshortit apo të babait nuk do tju japë kënaqësi as juve, as Perëndisë dhe as burrit. Mos çoni nëpër mend mendime si “unë e bëj më mirë këtë apo atë gjë” edhe kur kjo është e vërtetë pasi nuk është ky thelbi i çyshtjes. Ne duhet ta trajtojmë problemin jo nga këndvështrimi i aftësive tona por nga këndvështrimi i rolit tonë në planin e Perëndisë për të cilin jemi krijuar. Perëndia e krijoi burrin për një qëllim dhe gruan për ta ndihmuar atë në arritjen e këtij qëllimi. Madje edhe kur ne ndjekim drejtimin e varfër të një bashkëshorti apo babai jo shumë të aftë, ne në fakt po nderojmë, po i bindemi dhe shërbejmë Perëndisë. Mendoni këtë: po sikur bindja, ndjekja dhe mbështetja juaj plot dashuri dhe gatishmëri të jetë plani i Perëndisë për shpëtimin e burrave apo baballarëve tuaj dhe mënyra që Perëndia po përdor për të përmirësuar rolin e tij drejtues në familje.

Deri tani ju keni dëgjuar vetëm gjysmën e historisë. Le të lexojmë gjysmën tjetër për të krijuar një ide më të plotë për evën dhe rolin e saj në histori.

Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: “Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?””. 2 Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: “Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; 3 por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: “Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni””. 4 Atëherë gjarpri i tha gruas: “Ju s’keni për të vdekur aspak; 5 por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen”. 6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. 7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar. (Zan. 3:1-7)

Kuptohet që personi negativ këtu është Satani i maskuar si një kafshë. Por përse ai iu vardis Evas dhe nuk u përpoq që të tundonte vete Adamin madje edhe përpara se sa Eva të Krijohej?

13 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva. 14 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje. 15 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti. (1.Tim.2:13-14).

Djalli priti për krijimin e ‘enës’ më të brishtë. Nuk i referohem fuqisë fizike të gruas por natyrës së ëmbël dhe të butë të femrës. Kjo natyrë është një nga asetet më të rëndësishme të femrës pasi ajo është e krijuar për të qenë më e ndjeshme, për tu lënduar më lehtë, për të dashur, për të pasur mëshirë, për të kuruar zemrën e lënduar dhe për të besuar për më ë mirën. Por kjo mund ë bëhet edhe pika e saj më e dobët. A mund të jetë me të vërtetë më e bukur figura e një femre plot muskuj, të vrazhdë, të ngurtë, skeptike, cinike, indipendente dhe e inatosur me botën deri në pikën e feminizmit sekular dhe lezbianizmit? Të gjitha këto janë cilësi që janë kundra natyrës me të cilën femra u krijua. Eva u krijua nga Perëndia që të ishte ndjekëse dhe besuese. Në këtë mënyrë Eva ndoqi drejtimin e Djallit në vend të Adamit.

Eva u mashtrua në tre aspekte kryesore. 1) në dëshirat fizike, pasi ajo dëshiroi pemën e ndaluar si një ushqim i veçantë; 2) në dëshirat e estetikes. Ajo pa që frutat ishin të pëlqyeshme për sytë e saj dhe e dëshiroi pemën e ndaluar. 3) në dëshirat e mendjes dhe shpirtit pasi ju tha që pema e ndaluar kishte aftësinë për të përçuar një njohje më të thellë intelektuale dhe shpirtërore se sa ajo me të cilën Perëndia tashmë e kishte bekuar. Eva nuk i besoi Perëndisë dhe bashkëshortit të saj, dhe në vend që të ishte një ndihmëse ajo vendosi që të vepronte në mënyrë indipendente madje edhe në dëshirat e saj intelektuale dhe shpirtërore. A nuk jemi shpeshherë edhe ne si Eva? A nuk e vëmë në dyshim me mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona vullnetin e mirë të Perëndisë për ne? A nuk i vëmë në dyshim rrugët e Tij? Edhe pse mëkati i njerëzimit mbarë vjen si pasojë e mëkatit të Adamit, Eva pati përgjegjësinë e saj në të pasi ajo jo vetëm që nuk e ndihmoi Adamin për të qëndruar në vullnetin e Perëndisë, por e ndihmoi atë për në drejtimin e kundërt. Mëkati i Adamit na hodhi të gjithëve në robërinë e mëkatit.

Leximi i Tetë: Zanafilla 3:16. Mëkati i Adamit dhe i saj prodhuan jo vetëm robërinë e mëkatit por edhe mallkimin e Perëndisë mbi ta. Roli drejtues i burrit mbi gruan i dhënë që nga fillimi nga Perëndia, edhe pse nuk ka karakter dënues për gruan, do të përjetohej me mjaft vuajtje nga ajo. Roli drejtues i burrit tani do të kthehej në një burim vuajtjesh. Njeriu tani është i mëkatshëm, egoist, mishor. E megjithatë, kjo nuk e ndryshon rolin e gruas si ndihmësja e burrit.

Edhe pse e gjendur një situatë të tillë të re, Perëndia i hirshëm dhe i mëshirshëm nuk e la njerëzimin në përgjithësi dhe gruan në veçanti pa shpresë.

“15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.” (Zan. 3:15).

Fara që do të vijë nga gruaja është Krishti. Shpresa e gruas, e rolit të saj në shoqëri, në martesë apo në shtëpi është Krishti. Dhe nuk ishte e rastësishme që personi i parë që i besoi Krishtit pas ngjalljes së tij ishte në fakt një grua. Krishti, Perëndia i mishërizuar përmes mitrës së Marisë, pasardhëses së Evas, vdiq në kryq për të paguar borxhin që Eva dhe të gjitha gratë i kanë Perëndisë për shkak të mëkatit të tyre. Me vdekjen e Tij Krishti shleu borxhin tonë, fitoi mbi mëkatin, dhe nga besimi në Krishtin ne marrim faljen e mëkateve, paqen me perëndinë, jetën e përjetshme me të, çlirimin. Por gruaja që beson, merr jo vetëm çlirimin shpirtëror në Krisht, por edhe çlirimin nga këndvështrimi jo biblik mbi gruan, rehabilitimin e rolit të saj, si dhe rehabilitimin e dinjitetit të saj në Krisht si mbajtëse e imazhit të Perëndisë, dhe mbi të gjitha si mbajtëse e Frymës së Shenjtë që Krishti derdh në të në momentin e besimit. Emri Evë në hebraisht do të thotë ‘nëna e jetës,’ apo “nëna e të tërë atyre që kanë jtë.’ Si e tillë, ajo është nëna jonë e parë edhe porsa i përket besimit të saj në Krishtin që do të vinte. Ajo i besoi premtimit të Zan 3:15 dhe me këtë besim, ajo dhe Adami i shërbyen Perëndisë duke ndërtuar një civilizim. Le ta falënderojmë edhe ne Perëndinë për mëshirën e Tij ndaj nesh që na fali Krishtin dhe na fali në Krishtin, dhe le të lutemi që Fryma e tije Shenjtë do të na bëjë ndihmëse të perëndishme të burrit që Ai e ka vënë të jetë si koka jonë.