Dëshira dhe Lutja e një Pastori – Galatasve 4:12-20

  • on 08/04/2017

Dëshira dhe Lutja e një Pastori – Galatasve 4:12-20

O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe. 13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit; 14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet. 15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua. 16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën? 17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre. 18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush. 19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju! 20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush. – Galatasve 4:12-20

Ndryshe nga frika e jo-besimtarëve, Krishterimi nuk është skllavëri por birësim. Pa Jezus Krishtin njerëzit janë të skllavëruar nën mëkatin, frikën, dhe rregullat e religjioneve që burojnë nga supërsticioni e zemra idhujtare e njeriut. Por kur njerëzit vijnë tek Krishti, ata çlirohen prej tij nga skllavëria dhe bëhen bij e bija të Perëndisë. Nga skllavëria në birësim: ky është mesazhi i Palit në letrën e tij drejtuar Galatasve. Kështu përmes veprës të Frymës së Shenjtë, Galatasit qenë transformuar dhe mësuar që ti thërrisnin Perëndisë Abba, At. “Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!”,” (Gal. 4:6). Por tani Galatasit ishin në rrezik që të shisnin privilegjet e tyre të lindjes si bij e bija të Perëndisë “për një pjatë supë.” Mësues të rremë patën ardhur nga Jerusalemi me një mesazh të rreme i cili deklaronte se: Që dikush të bëhej i Krishterë ai më parë duhej të bëhej një Jude dukë ia nënshtruar veten ligjeve ceremoniale të Moisiut. Mesazhi i tyre ishte Krishti + Moisiu = Shpëtim. Madje ata e konsideronin bindjen ndaj Moisiut si shkallën më të lartë të Krishterimit. Për Palin, përkundrazi, Moisiu ishte abc-ja në krahasim me Krishtin dhe këtë ai e deklaron kur thotë “vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?” (vg. 9). Elementet e besimit aty janë abc-ja apo fillimet e mësimeve mbi Krishtin.

Kjo është arsyeja përse apostulli Pal është kaq i alarmuar e i shqetësuar saqë në momente të ndryshme ai flet madje edhe ashpër duke thënë “O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?” (Gal. 3:1). Dhe kështu Pali fillimisht u kujton atyre konvertimin e tyre përmes ungjillit të Jezus Krishtit (Gal. 1:11-2:21). Më pas ai u kujton atyre se ata e morën Frymën e Shenjtë jo përmes ligjit të Moisiut por kur erdhën në Krisht përmes besimit (Gal. 3:1-5). Pastaj ai u argumenton atyre nga historia Biblike me Abrahamin dhe nga teologjia se në jemi të shpëtuar vetëm nga hiri i Perëndisë që e merr shpëtimin vetëm përmes instrumentit të besimit që vendoset vetëm mbi Krishtin (Gal. 3:4-16). Më pas Pali përdor shembuj nga jeta e përditshme (Gal. 3:17-4:7). Së fundi, nga mesi i kapitullit të katërt, Pali u përgjërohet Galatasve mbi bazën e marrëdhënies dhe afeksionit që ata kanë për njëri-tjetrin. I frikësuar se mos ndoshta e tërë puna e tij ndër ta ka shkuar dëm ai shkruan: “Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju” (Gal. 4:11). “Ju lutem, o vëllezër,” shkruan ai, dhe më pas u drejtohet me dashurinë jo vetëm të vëllait më të madh por madje edhe të një nëne kur thotë “Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!” (Gal. 4:19). Në këtë pjesë së letër së tij, Pali ka tre qëllime apo dëshira pastorale. Këto dëshira apo qëllime pastorale janë gjithashtu edhe tre shenja dalluese të një biri apo bije të Perëndisë nga një skllav apo skllave. Këto tipare dalluese për të cilat synon Pali dhe çdo pastor i vërtetë i Mbretërisë së Perëndisë janë: Së pari, të njohim lirinë që kemi në hirin e Perëndisë (Gal. 4:8-11); së dyti, të shijojmë me gëzim shërbesën e Fjalës së Perëndisë (Gal. 4:12-16); dhe së treti të transformohemi në jetën e birit të Perëndisë deri sa Krishti të formohet në ne (Gal. 4:17-20). Në këtë studim do të fokusohemi vetëm në dy tiparet e fundit që duhet të jenë qëllimet pastorale të çdo Kishe dhe shërbëtori të Krishtit, dashuria për Fjalën dhe transformimi në jetën e Krishtit.

Dashuria për Fjalën e Perëndisë

Një nga tiparet apo karakteristikat më themelore, kryesore dhe të detyrueshme për çdo bij e bir të Atit Perëndi është dashuria për Fjalën e Tij. Apostulli tha “Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të,” (1 Gjonit 2:5). Nëse e duam dhe zbatojmë Fjalën provojmë se duam Perëndinë, dhe se jemi të shpëtuar. Të jesh biri dhe bija e Perëndisë do të thotë që të gjesh gëzimin dhe kënaqësinë e vërtetë në shërbesën e Fjalës së Perëndisë, veçanërisht në Ditën e Zotit. Psalmisti shkruan në atë psalmin e mrekullueshëm dhe më të gjatë të tërë psalmeve që flet vetëm për rëndësinë e Fjalës në jetën e besimtarit këto vargje: “Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë (14)… Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde (16)… Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi (24)… Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. 48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua (47-48)” (Psalmi 119). Këto janë thirrjet, deklaratat dhe lutjet e një zemre të rilindur, të çliruar, të shenjtëruar e të birësuar. Këto janë thirrjet e një zemre që kanë provuar e shikuar mirësinë e Krishtit. Prandaj edhe Pali tek vargu 15 u bën në fakt këtë pyetje Galatasve: “Çfarë është bërë me gëzimin tuaj, me bekimin që ju njëherë provonit në Perëndinë?” Galatasit një herë e një kohë e konsideronin veten të bekuar dhe të lumtur pasi patën dëgjuar dhe marrë lajmin e mirë mbi Jezus Krishtin, lajm që i pat shpëtuar dhe i pat sjellë ata nga skllavëria në birësim.

Konteksti historik i gëzimit të tyre ishte vizita e parë misionare apostolike e Palit në Galati. Kjo vizitë kishte qenë e pa-planifikuar nga Pali dhe e detyruar nga një sëmundje e që e pat kapur Palin teksa po kalonte në rajonin e tyre. “Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit,” (Gal. 4:13). Ne nuk e dimë detaje më të hollësishme për këtë sëmundje të Palit. Kjo sëmundje nuk përmendet tek Veprat e Apostujve. Situata duket e ngjashme me atë “gjembin në mish” për të cilin flet Pali tek 2 Kor. 12:7. Ndoshta Pali pati probleme me sytë. Kjo do të shpjegonte komentin e tij tek vargu 15: “Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua” (Gal. 4:15). Ndoshta kjo shprehje është thjesht një hiperbolë e Palit, një ekzagjerim për të theksuar se sa e madhe ishte në atë kohë dashuria dhe përkushtimi i Galatasve ndaj Palit. Cilado që të ketë qenë sëmundja e Palit, dy janë mësimet e rëndësishme që ne duhet të vëmë re prej saj.

Së pari, le të mësojmë që Perëndia i përdor problemet tona për të arritur qëllimet e tij. Pali nuk ishte shumë i dhënë pas sëmundjes së tij, dhe tek letra e dytë drejtuar Korintasve, lexojmë që Pali u lut për shërim. E megjithatë, në providencën e Perëndisë sëmundja nuk iu hoq. Por Perëndia i ktheu pamundësinë shëndetësore të Palit për mundësira të reja për ungjillin. Perëndia e përdori sëmundjen e Palit për të demonstruar përsosmërinë, mjaftueshmërinë dhe sovranitetin e fuqisë së tij. “Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë,” (2 Kor. 12:9). Perëndia e përdori sëmundjen e Palit për ta dërguar në Galati, dhe për të shpëtuar shumë atje përmes ungjillit të hirit të pamerituar të Perëndisë. Dhe po kështu, Perëndia po përdor sot ngjarjet që rrodhën ndërmjet Palit, Galatasve dhe mësuesve të rremë për të na mësuar ne ndryshimin përmes skllavërisë dhe birësisë. Përfitimi shpirtëror që rrodhi nga sëmundja e Palit ishte i madh, dhe po kështu edhe nga përplasja e Palit me mësuesit e rremë në letrën e Galatasve, sado që këto mund të jenë dukur të pashpresa dhe të padëshirueshme. Perëndia është një super-ekonomist. Ai është në gjendje që të realizojë përfitimet më të mëdha madje edhe në situatat më të çuditshme, më të parëndësishme apo edhe më të dhimbshme. Prandaj dhe nuk përfitojmë ndonjë gjë nëse ankohemi për vështirësitë e jetës. Është më mirë të besojmë se Perëndia e di se ç’bën dhe të shikojmë se si Perëndia po i jep lavdi vetvetes përmes vështirësive tona.

Së dyti, le të mësojmë nga situata e Palit me Galatasit se cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj Fjalës së Perëndisë, se si duhet që ta presim e marrin ne Fjalën e Perëndisë. Pali shkroi, “ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet,” (Gal. 4:14). Ky varg na sugjeron se sëmundja e Palit do të ketë qenë pak e neveritshme për syrin e njeriut. Si rrjedhim, do të kishte qenë e lehtë për Galatasit që ti kthenin kurrizin Palit për shkak të paraqitjes së tij. Deformimi i tij kishte qenë në fakt një tundim për ata. Në kulturën Greko-Romake, sëmundjet e vështira për syrin e njeriut konsideroheshin të paktën si shenja të sigurta të pakënaqësisë hyjnore mbi të sëmurin, madje prova që personi ishte i përbuzur, i mallkuar nga Perëndia ose dhe i demonizuar.

Cilado të ketë qenë pamja e jashtme e Palit, Galatasit jo vetëm që nuk e refuzuan Palin, por madje e pranuan “si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet,” (Gal. 4:14). Ata i dhanë atij pranimin që do ti kishin dhënë vetë Krishtit. Arsyeja e kësaj pritjeje nuk ishte se ata donin Palin por sepse ata donin Fjalën e Krishtit. Ata kishin kuptuar e pranuar që Pali ishte një apostull, një mesazher zyrtar i Krishit. Si rrjedhim ata e morën shërbesën e Fjalës ashtu siç fëmijët e Perëndisë e marrin gjithmonë Fjalën e Atit: me një gëzim të vërtetë.

Së treti, shembulli i Galatasve na kujton gjithashtu që cilësitë kryesore për çdo shërbëtor të Krishtit, pastor, plak apo dhjak në Kishë duhet të jetë dashuria për Fjalën dhe njohja e Fjalës së Perëndisë. Shumë kisha kudo nëpër botën Perëndimore kërkojnë cilësira të tjera ndër ata që u shërbejnë atyre. Aftësi, paraqitje, temperament, personalitet, popullaritet, janë këto disa prej cilësive që kërkohen sot. Por shërbëtorët e Krishtit duhet të gjykohen kryesisht porsa i përket besnikërisë ndaj Fjalës së Perëndisë. Nëse ata janë besnikë me Fjalën atëherë ata duhen pranuar e nderuar si edhe vetë Krishtin, pasi është vetë Krishti ai që flet përmes tyre. E bekuar është ajo kishë ku pastori e do popullin e tij dhe populli a do pastorin e saj për shkak të së vërtetës.

Por fatkeqësisht, Galatasit po ktheheshin kundra Palit. Ata nuk i kishin bërë keq Palit më parë, por sigurisht që kishin filluar to bënin atij keq tani. Miqësia e tyre po kthehej në armiqësi dhe mikpritja në mospritje. Kjo sepse mësuesit e rremë qenë futur ndërmjet Apostullit të Krishtit dhe Kishës së Tij. Ata po largonin besimtarët nga e vërteta e Fjalës duke i larguar ata më parë nga shërbëtori i Fjalës. Siç e dimë, këta persona po mohonin e doktrinën e Palit dhe për këtë u duhej që më parë të mohonin postulimin e Palit. Nëse postulimi i Palit nuk do të ishte i vërtetë, atëherë edhe mesazhi i tij do të ishte i rremë. Kjo ishte taktika e mësuesve të rremë.

Si rrjedhim, Pali u shkruan Galatasve si një dashnor zemërthyer. “A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?” (Gal. 4:16). Ungjilli i tij nuk ka ndryshuar. Ai vazhdon të predikojë lajmin e mirë të kryqëzimit dhe ringjalljes së Krishtit. Ai vazhdon të predikojë që mëkatari shfajësohet nga Perëndia vetëm përmes hirit të tij falas e sovran, vetëm përmes besimit në veprën e Krishtit dhe në asgjë tjetër. Por Galatasit po fillonin të mohonin ungjillin e vërtetë. Duke mos dashur që të dëgjojnë të vërtetën ata po trajtonin Palin si armik. I njëjti mesazh që dikur pat krijuar e dashurisë tani po krijonte humnerën e urrejtjes.

Kur Galatasit u kthyen kundra mesazhit dhe mesazherit të Perëndisë, Palit nuk i mbeti gjë tjetër veç të konsiderojë nëse ata ishin në të vërtetë bij të Perëndisë. Ata pastorë që i janë besnikë Fjalës shpesh u thonë njerëzve gjëra që nuk duan ti dëgjojnë. Por, nëse mesazhi vjen vërtetë nga Perëndia, bijtë e vërtetë të tij do të gëzohen në të pasi e dinë se çdo gjë që vjen nga Perëndia vjen për bekimin e tyre.

Transformimi në Jetën e Birit të Perëndisë

Por diçka ndodh në ata që e gjejnë gëzimin dhe kënaqësinë e tyre në shërbesën e Fjalës. Sa më shumë që ata e pranojnë atë aq më shumë ata transformohen në imazhin shpirtëror të Jezu Krishtit. Në këtë proces shenjtërimi, bijtë e Atit fillojnë ti ngjajnë gjithmonë e më shumë vëllait të tyre të madh, Birit të Parëlindur të Atit. Ata mendojnë gjithnjë e më shumë si Krishti, të duan ato gjera që do ai, të bëjnë ato gjëra që bën ai, madje edhe të vuajnë për ato gjëra dhe ashtu siç vuan ai. Çfarë po ndodh është që Krishti po formohet në ta. Kjo është dhe cilësia e dytë dalluese e bijve të Atit dhe synimi që duhet të ketë çdo shërbëtor i Perëndisë për bashkësinë e tij, transformimi i çdo besimtari në jetën e Birit të Perëndisë.

Sigurisht që edhe kundërshtaret e Palit, mësuesit e rremë synonin për një ndryshim, por jo për të mirë. “Ata tregohen të zellshëm ndaj jush – shkroi Pali – por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre,” (Gal. 4:19). Mësuesit e rremë që po shkaktonin trazira në kishën e Galatisë ishin farisenj të konvertuar në Krishtërim por që ruanin ende fariseizmin që aq shumë e pat dënuar Krishti kur ishte në tokë. Në zellin e tyre të gabuar për ligjin e Moisiut ata u patën insistuar Galatasve se ata më parë duhej të bëheshin judenjë përpara se sa të bëheshin të Krishterë. Kjo doktrinë heretike çonte në përçarjen e kishës nga brenda ku judenjtë veçoheshin nga jo-judenjtë kur ata duhej të ishin të tërë një dhe të barabartë në Krisht. Por kjo doktrinë po largonte gradualisht edhe Galatasit nga vetë Apostulli dhe nga ungjilli i hirit. Këta mësues të rremë duket që kishin zili suksesin misionar të Palit. Ata donin dishepujt e tyre personalë si çdo kult tjetër. Kështu ata po mënjanonin Palit duke flirtuar me afeksionet e Galatasve.

Sa për Palin, ai nuk ishte i interesuar që të kishte dishepuj personal. Kujtoni se sa i shqetësuar ishte Pali kur ai morri vesh se kishte grupazhe në kishën e Korintit (1 Kor. 1:10-17). Të vetmit dishepuj që Pali donte të kishte ishin ata që ndiqnin Krishtin. Për këtë arsye Pali shkroi “O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju,” (Gal. 4:12). Kjo është metodologjia misionare e Palit që e gjejmë më të zgjeruar tek 1 Kor. 9: 20-22: “Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t’i fituar ata që janë nën ligj; 21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj. 22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.” Pali bëhej si të tjerët me qëllim që të tjerët të bëheshin si Krishti, apo që Krishti të formohej në ta. Ai dinte se si të kontekstualizonteungjillin. Ai dinte se si të integrohej në jetën e një rajoni me qëllim që ai të dinte se si tua shpjegonte ungjillin në mënyrë të kuptueshme njerëzve të atij rajoni gjeografik. Ky është modeli apostolik i ungjillëzimit dhe i punës misionare. Vështirësia qëndron në atë që kjo gjë duhet bërë pa tjetërsuar apo kompromentuar ungjillin. Parimi apostolik është që i Krishteri apo shërbëtori i ungjillit duhet të përvijojë Krishtin me jetën e tij me qëllim, që besimtarët e rinj, duke imituar ata të imitonin Krishtin. Pali u shkroi të njëjtën gjë Korintasve: “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit,” (1 Kor. 11:1). Qëllimi i Palit nuk ishte të klononte vetveten, por të formonte besimtarin sipas imazhit shpirtëror të Krishtit, të formonte Krishtin në ta. Pali dëshironte që Galatasit të shijonin lirin shpirtërore që ai kishte si bir i Perëndisë, lirinë nga legalizmi i një religjioni pa perëndi apo të një Krishterimi pa Krisht.

Qëllimi final i Palit ishte që ata të formoheshin në Krishtin dhe që Krishti të formohej brenda tyre. Disa vargje më lart ai u kishte shkruar këto fjalë: “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua,” (Gal. 2:20). Tani ai dëshironte që i njëjti Krisht të jetonte në Galatasit në të njëjtën mënyrë. Ky duhet të jetë qëllimi i çdo të Krishteri. Ky duhet të jetë qëllimi i çdo kishe lokale dhe e çdo shërbëtori të Fjalës apo plaku Kishe, jo favorizimi nga njerëzit por formimi i Krishtit brenda tyre.

Ky lloj formimi nuk ndodh brenda natës. Një embrion duhet të rritet qelizë pas qelize në një bebe, dhe pastaj ajo bebe të rritet qelizë pas qelize përtej moshës së pjekurisë. Në të njëjtën mënyrë Fryma e Perëndisë e përdorën Fjalën e Perëndisë për të shndërruar bijtë e Perëndisë në imazhin e Birit të Perëndisë. “Besimi i vërtetë është unioni i shpirtit me Perëndinë, një pjesëmarrje e vërtetë e natyrës Hyjnore, në të cilën imazhi shpirtëror i vetë Perëndisë stampohet mbi shpirtin e njeriut, duke bërë që Krishti të formohet në të,” (Henry Scougal The Life of God in the Soul of Man). Mund të themi që është gati sikur Krishti është mishërizuar në jetën e të Krishterit.

Kuptohet që sa më shumë Krishti formohet në ne aq më shumë ne bëhemi konsekuent dhe të qëndrueshëm në Krishërimin tonë. Këtë kishte ndër mend Pali kur shkroi “Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush,” (Gal. 4:18). Me sa duket që atëherë kishte të krishterë që ndryshe silleshin në prani të pastorit apo të besimtarëve të tjerë dhe ndryshe jetonin larg syve të Kishës.

E tërë kjo përpjekje, të tëra këto qëllime të larta të Palit kërkonin kaq shumë ngulm, energji dhe punë saqë mund të krahasoheshin me dhimbjet e lindjes. Pali mendonte se ai i kishte lindur Galatasit tashmë një herë. Por mesa dukej, kishte ende mjaft punë për të bërë dhe ai ishte i vendosur që ta çonte shtatzëninë e tij shpirtërore deri në fund. Ai dëshironte që ti lindjen e Galatasve si bij dhe bija të Perëndisë.

Kështu, në vargjet që studiuam më lart kemi parë se çdo të thotë të jesh një fëmijë i vërtetë i Perëndisë. Do të thotë të njohësh lirinë në hirin e Perëndisë, të gëzohesh në Fjalën e Perëndisë, dhe të formohesh në imazhin e Birit të Perëndisë. Kur kjo fillon të ndodhë, kur ne kemi kaluar nga skllavëria në birësim, është e paimagjinueshme kthimi prapa në skllavëri.

Një shërbëtor i shquar i Perëndisë dhe i Fjalës, John Newton kurrë nuk harroi se si Perëndia e pat çliruar atë nga skllavëria në liri. Në rininë e tij përpara se sa ai të njihte Krishtin, ai kishte qenë tregtar skllevërish, më pas ai përfundon vet në skllavëri. Por me çlirimin nga skllavëria e njeriut, Perëndia e çliroi edhe nga skllavëria e mëkatit dhe e bëri atë bir të tijin. Për të mos e harruar kurrë që ai ishte një ish-skllav ai mbante të shkruar në murin e studios së tij këtë varg: “Nuk do të harrosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të ka liruar,” (Bes. Rip. 15:15). AMEN.