• on 08/04/2017

Dashuri e Përgjunjur – Gjoni 13:2-15

 

Shpesh herë, veprat flasin më fort se fjalët. Gjithmonë aktet ekstreme, jo vetëm të tërheqin vëmendjen, por flasim më fort e më gjatë se çfarë do lloj fjalimi, a retorike, a deklarate. Në natën e tij të fundit me dishepujt, kur Krishti dëshironte tu mësonte atyre kaq shumë gjëra përpara se sa të kryqëzohej, ai vendosi që ti instruktonte duke bërë dy veprime të papritura e të paimagjinueshme për dishepujt. Dy veprime plot kuptim. Së pari, është akti i larjes së këmbëve të dishepujve, siç lexojmë tek Gjoni 13:2-11, dhe së dyti, është dhënia e bukës Judës, për të cilën shkruhet tek vargjet 13:21-30.

Përse i beri Jezusi këto veprime? Për shkak të preokupimit dhe frikës së dishepujve. Dimë nga Ungjilli i Gjonit që dishepujt ndjeheshin të terrorizuar nga autoritetet Judaike. Ata e ndjenin se rreziku që Jezusin ta arrestonin ishte real, dhe se edhe mund ta vrisnin, dhe madje edhe ata vetë me Jezusin. Kjo shpjegon edhe arsyen e frikës dhe të mohimit që Pjetri i bëri Krishtit tre herë. Ose të paktën, me arrestimin dhe vrasjen e tij, ata to të ishin të braktisur e të lënë vetëm. Situata e tyre, paniku i kishte paralizuar aq shumë sa i kishte bërë të paftë që të dëgjonin një leksion tjetër nga Krishti. Kështu, Jezusi, bën dy veprime të forta e të papritura për tu tërhequr vëmendjen dhe për tu komunikuar mesazhin.

Kontrasti ndërmjet Jezusit dhe Judës

Akti i parë që bën Krishti është larja e këmbëve të dishepujve. Por mënyra se si Gjoni e tregon historikë, ai tërheq vëmendjen në radhë të parë tek kontrasti i madh ndërmjet Judës dhe Jezusit. Juda shtyhet nga Satani, ndërsa Jezusi motivohet nga dashuria dhe nga njohja e Perëndisë Atit dhe e marrëdhënies unike që Jezusi ka me të. Gjoni shkruan, “   ” (vargjet 2-3). Në këto vargje vëmë re nga njëra anë përuljen e Krishtit, i cili i lan këmbët dishepujve të tij, dhe nga ana tjetër krenarinë e Judës ndaj dishepujve dhe madje edhe vetë Krishtit. Kontrasti është ndërmjet besnikërisë deri në fund dhe tradhtisë. Dhe, që ne të mos rrezikojmë të mos kuptojmë më të rëndësishmen, Gjoni gjithashtu përmend edhe djallin, sepse në fakt kontrasti kryesor qëndron ndërmjet Satanit dhe Perëndisë.

Qëllimi i Satanit, sipas Isaisë 14:12-14, është avancimi i ambicieve personale në kurriz të të tjerëve, dhe në këtë rast, në kurriz të Perëndisë. “Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet? 13 Ti thoshnje në zemrën tënde: ‘Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; 14 do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin’.” Pasoja e kësaj dëshire satanike është shkatërrimi i gjithçkaje që i del përpara, sepse pasazhi gjithashtu thotë, “Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.” (v. 15).

Nga ana tjetër, Bibla thekson qëllimin dhe mënyrën e Perëndisë në Krishtin Jezus, që na përshkruhet aq bukur nga Pali,  tek Filipianëve 2:5-8, “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, 6 i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, 7 por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit.” Pasoja e këtij qëllimi dhe mënyre e përmbushjes së qëllimit të Perëndisë është nderimi i Krishtit, dhe bekimi i atyre që i besojnë e i përkasin atij. “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, 10 që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, 11 dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (vt. 9-11).

Juda si edhe Satani si shembulli tij thanë, “unë do të vendos veten time të parin; dhe gjëja e arë që to të kërkoj dhe siguroj është madhështia e tij. Por atij, si rrjedhim Perëndia i thotë se do të përfundojë në shkatërrim. Jezusi nga ana tjetër, dëshiroi dorëzimin e vetes së tij për vëllezërit e tij. Si rrjedhim, Perëndia i premton se do ta nderoj përmbi gjithçka, dhe do ta bëjë një bekim të madhështor për tërë botën.

Motivet e Jezusit

Gjëja e dytë që lexojmë në këtë pasazh është edhe motivimi i Jezusit në larjen e këmbëve të dishepujve të tij. Vargu 3 thotë “Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej.” Vargu na zbulon tre gjëra mbi gjendjen mendore të Jezusit në këto momente shërbimi dhe përulje. Së pari, Jezusi e dinte se Ati ia pat nënshtrua çdo gjë. Kjo flet për autoritetin e Krishtit. Së dyti, ai e dinte që “ai vinte nga Perëndia.” Kjo flet për origjinën dhe natyrën e tij hyjnore si plotësisht Perëndi. Së treti,  ai e dinte se shumë shpejt do të kthehej tek Perëndia. Kjo i referohet lavdisë që e priste.

Pra, Jezusi nuk po u lante këmbët dishepujve të tij sepse kishte harruar se kush ishte, apo sepse po përjetonte një krizë momentale identiteti, se nuk kuptonte apo nuk besonte se nga kishte ardhur dhe se ku po shkonte në jetë. Përkundrazi ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për gjithçka, identiteti i tij ishte motivi i tij për të shërbyer. Ai nuk po shërbente sepse kishte harruar që ishte Perëndi, por po shërbente sepse ishte Perëndi dhe po vepronte si një Perëndi i vërtetë, një Perëndi që e do krijesën e tij.

Mesazhi i Jezusit

Kështu vijmë tek akti i larjes së këmbëve të dishepujve. Akti ishte në vetvete një shëmbëlltyre, si ato të shumtat që Jezusi u pat treguar kaq e kaq herë. Ndryshimi i vetëm këtu është se ai vetë po e dramatizonte këtë shëmbëlltyre, dhe se ai vetë është protagonisti kryesor. Çfarë ai po bën nuk duhet kuptuar si një sakrament, i ngjashëm me atë të Darkës së Zotit që institucionalizoi po të natë. Larja e këmbëve të dishepujve, madje gabimisht është kuptuar si një ritual apo një veprim që të Krishterët sot duhet ta bëjnë herë pas here si ritual publik përulje ndaj njëri-tjetrit. Ky është një keq aplikimin që rrjedh nga keqinterpretimi i këtij veprimi të Krishtit. Mesazhi i këtij veprimi, apo i kësaj shëmbëlltyre është natyra e shërbesës së Krishtit, mënyra se si ai pat ardhur në botë, çfarë ai pat ardhur për të bërë në këtë botë, dhe se çfarë ai do ti dërgonte dishepujt për të bërë kudo nëpër botë në emrin e tij. Kuptimi i veprimit bëhet më i qartë nëse e krahasojmë atë paralelisht me mesazhin e Filipianëve 2:5-11 që cituam më lart.

Së pari, lexojmë se Jezusi u ngrit nga darka. Këtë Biri tashmë e pat bërë në një mënyrë më të madhe, kur ai u ngrit nga froni i tij i lavdisë përpara ardhjes në këtë botë. Së dyti, lexojmë se ai hoqi rrobat e tij. Pali thotë tek Filipianëve se kur Krishti erdhi në këtë botë, ai la mënjanë gjithë madhështinë e tij, dhe morri trajtë njeriu me qëllim që të mos verbonte me madhështinë e shenjtërinë e tij qiellore ata që do ta shikonin atë. Së treti, ai morri një peshqir dhe e veshi rreth brezit. Kjo ishte veshja e shërbëtorit, roli dhe detyra që ai mori siç edhe thotë Pali. Së katërti, ai hodhi ujë në një legen dhe filloi të lante këmbët e dishepujve. Brenda pak orëve, Biri do të derdhte gjakun e tij për të larë mëkatin njerëz në një akt hyjnor dhe përfundimtar shlyerje.

Fundi i shëmbëlltyrës dhe i mesazhit të saj është kthimi i Jezusit në vendin e tij, pas larjes së këmbëve. Po në të njëjtën mënyrë, Krishti i ringjallur është kthyer në fronin dhe lavdinë e tij qiellor, i ngritur lart në atë të Atit. Apo siç thotë Hebrenjve 1:3, “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta.”

Mesazhi i kësaj shëmbëlltyre dhe natyra e saj frymore shikohet edhe në dialogun interesant ndërmjet Krishtit dhe Pjetrit. Në një atmosferë habie e heshtje të thellë, për shkak se larja e këmbëve ishte detyra një skllavi dhe jo e një Rabini të nderuar, Jezusi ka hequr rrobat e sipërme dhe po i vjen rrotull dhomës duke i larë këmbët dishepujve të tij. Por kur Krishti vjen tek Pjetri, këtij të fundit, në impulsivitetin e tij, nuk i rrihet por thotë, “Zot, ti të m’i lash këmbët mua?”

Jezusi i përgjigjet, “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj.”

Pjetri që ishte ai i përulur sa të mos dëshironte që t’ia lante këmbët mësuesi i tij, tregohet jo shumë i përulur kur me arrogancë i thotë Jezusit, “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët!”

Jezusi iu përgjigje: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua.”

Pas kërkesës së Pjetrit që ti lajë jo vetëm këmbët por edhe duart e kokën, Jezusi i tha: “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

Në këtë dialog disi hutues, Jezusi po flet jo për pisllëkun fizik por atë shpirtëror të mëkatit dhe për nevojën tonë për tu pastruar prej saj. Ai i shpjegon Pjetrit (por jo Judës), se ai si person është i shfajësuar, dhe se ka nevojë vetëm për pastrimin nga efektet kontaminuese të mëkatit, dhe jo faljen nga dënimi i mëkatit. Bëhet fjalë për ndryshimin ndërmjet shfajësimit që ndodh një herë dhe shenjtërimit tonë si një proces i vazhdueshëm.

Imazhi që përçon Jezusi është ai i zakonit oriental të asaj kohe, sipas së cilit, një person i ftuar për darkë diku, duhej të bënte një banjë të plotë në shtëpinë e tij përpara se sa të shkonte tek ata që e kishin ftuar. Rrugës për tek shtëpia ku e kishin ftuar, atij do ti bëheshin këmbët pis për shkak se të tërë vishnin sandale dhe rrugët ishin me pluhur apo baltë. Si rrjedhim, kur vizitori do të arrinte në shtëpinë e miqve të tij, shërbëtori apo skllavi i shtëpisë do ti lante vetëm këmbët, dhe jo tërë trupin. Në mënyrë të ngjashme, ata që janë të Krishtit janë plotësisht të shfajësuar nga faji, mallkimi dhe dënimi i mëkatit të tyre. Por ata që i përkasin Krishtit vazhdojnë që tu ngjitet në rrugëtimin e tyre në këtë botë mëkati, dhe vazhdojnë që të torturohen në këtë botë nga efektet dhe fuqia e mëkatit mbi jetën e tyre. Si rrjedhim, ata që i përkasin Krishtit, në mënyrë të vazhdueshme, kanë nevojë për një pastrim të vazhdueshëm, rrëfim e pendim të vazhdueshëm, në mënyrë që ata të vazhdojnë të kenë marrëdhënie me Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë. Një herë të shfajësuar, për gjithnjë të shfajësuar. Shfajësimi është një akt i vetëm. Shenjtërimi nga ana tjetër është një proces i vazhdueshëm. E tërë jeta e të Krishterit pas shpëtimit duhet të jetë pendim e besim e luftë kundra mëkatit që i ngjitet nga pas si baltë.

Jezusi po i thotë Pjetrit në këtë pasazh, se ai nuk ka nevojë që të rilindet sërish pasi është rilindur një herë. Por, pasi është tashmë rilindur një herë, Pjetri duhet që vazhdimisht të vijë tek Krishti për pastrim, shenjtërim, pendim e rrëfim.

Shembulli i Jezusit

Pas larjes së këmbëve dhe dialogut me Pjetrin, Krishti rikthehet në vendin e tij në krye të tavolinës dhe u shpjegon dishepujve kuptimin e veprimeve të tij. Ai u tha atyre, ”    ” (v. 12-15).

Kur Jezusi flet për shembullin që u ka lënë, dhe u bën thirrje që ti lajnë këmbët njëri-tjetrit, Jezusi nuk po u thotë se ka institucionalizuar një sakrament të ri, dhe se ata disa herë në vit, gjatë shërbesës së adhurimit ditën e diel, apo ndoshta gjatë natës së lutjes në ndonjë prej ditëve të javës, duhet të replikojnë pikërisht keto veprime, apo këtë ritual ndaj njëri-tjetrit. Jo! Edhe pse disa e kanë kuptuar kështu dhe praktikojnë ritualin e larjes së këmbëve. Për çfarë po flet Jezusi këtu është përulja dhe domosdoshmëria e rolit të shërbëtorit që duhet ta karakterizojë popullin dhe shërbëtorët e Perëndisë. Krishti na thotë se, “Nëse Mësuesi juaj u bë shërbëtor ndaj njeriut, ju që jeni shërbëtorët e mi, aq më tepër duhet ti shërbeni me përulësi njëri-tjetrit.”  Ashtu siç ne e duam Perëndinë sepse Ai na deshi ne i pari, ashtu edhe ne duhet ti shërbejmë njëri-tjetrit siç edhe ai na shërbeu i pari. “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. 4 Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. 5 Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin,” (Filipianëve 2:3-5).

Por mbi të gjitha, thirrja e tij për ne është që të ndjekim shembullin e tij për sa i përket çështjes së njollosjes dhe pastrimit shpirtëror, sepse ky është mesazhi dhe qëllimi i vërtetë i shëmbëlltyrës. Në përputhje me fjalët e Krishtit drejtuar Pjetrit, larja e këmbëve simbolizonte pastrimin shpirtëror të atyre që kanë rënë në ndonjë mëkat specifik. Kështu, nëse ne do të ndiqnim shembullin e Krishtit, që është edhe thirrja jonë, ne duhet të ndjekim instruktimin e Palit tek Galatasve 6:1 që thotë, “Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti.”

Si duhet bërë restaurimi i vëllait apo i motrës së rënë në ndonjë mëkat? Ne duhet të marrim Fjalën e Perëndisë me anë të së cilës të gjithë ne duhet të pastrojmë të gjitha rrugët dhe veprimet tona, dhe me butësi ta aplikojmë atë si balsam mbi vëllanë apo motrën tonë me qëllim që ai apo ajo të reagojnë ndaj Fjalës përmes hirit të Perëndisë.

Pali përdor fjalën butësi. Jezusi përdori ujë. Ne duhet të kemi kujdes me temperaturën e ujit, që të mos jetë aq e nxehtë sa ta djegë tjetrin, dhe jo aq e ftohtë sa ta bëjmë thjesht për formalitet. Këto janë dy ekstremet e mundshme të gabuara të aplikimit të Gal. 6:1 dhe kësaj shëmbëlltyre. Disa të krishterë mundohen që ti pastrojnë mëkatet e të tjerëve me zhavorr, disa me ujë të nxehtë, e disa e bëjnë sa për formalitet e për të larë gojën. Në vend të kësaj, Krishti na jep një thirrje dhe një shembull të shumëfishtë. Ai nuk na lë  në mëkatet tona, dhe as nuk dëshiron që ne ta lëmë njëri-tjetrin në mëkatet tona, por ta inkurajomë drejt dashurisë dhe veprave të mira. Së dyti, ai na pastron butësisht me ujë, dhe jo me të thatë, duke aplikuar mbi ne mjeshtërisht balsamin e ungjillit. Kjo është çfarë ne si trupi i tij, duhet të bëjmë ndaj trupit të tij.  Dhe së treti, duhet ta bëjmë me dashurinë e Perëndisë, dhe për shkak të dashurisë së tij, dhe jo me gjysmë zemre, apo formalisht e me një qëndrim të ftohtë barrë-vënës si prej fariseu, por me lot e lutje.

 

E Enjte e Madhe, 2015