• on 29/11/2014

Çfarë Është Një i Krishterë?

Bibla ka shumë mënyra se si e përshkruan apo e përkufizon se çfarë është një i Krishterë. i Krishteri është një mëkatar i falur, një krijesë e re në Krisht, një fëmijë i adoptuar i Perëndisë, një udhëtar në këtë botë me destinacion qiellin. Një nga përshkrimet më dramatike që gjejmë në Bibël gjendet tek Letra e Palit drejtuar Romakëve 6:13, ku çdo i Krishterë përshkruhet si dikush që është sjellë i gjallë prej së vdekurish.” Kjo është një deklaratë kategorike e Palit. Ai nuk nënkupton mundësinë por deklaron një fakt, të kryer, një herë dhe përgjithmonë, një fakt i papërsëritshëm dhe i pamohueshëm. Nëse je i Krishterë, Perëndia të ka sjellë nga vdekja në jetë. Mund të mos ndjehesh si i tillë, por nëse je i Krishterë, ky është realiteti.

Së pari, cila është vdekja prej së të cilës ka shpëtuar i Krishteri? Në Bibël, vdekja është në thelb një realitet e status shpirtëror. Perëndia i tha Adamit, “mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zan. 2:17). Por Adami hëngri prej pemës së ndaluar (Perëndia po testonte bindjen e Adamit), dhe vdiq. Fizikisht, procesi i vdekjes filloi të kontrollonte dhe të shkaktonte ndryshimet në trupin dhe shëndetin e Adamit dhe Evës. Por shpirtërisht, ata tashmë kishin vdekur në momentin e asaj mosbindje të parë. Në thelb të konceptit dhe realitetit të vdekjes është ndarja. Ndarja po divorci martesor është vdekja e asaj martese. Vdekja fizike është ndarja e trupit nga shpirti. Vdekja shpirtërore është ndarja e njeriut nga Perëndia, mënyra e të jetuarit në rebelim ndaj Zotërimit dhe drejtimit sovran të Perëndisë. Mbi të gjitha, vdekja është dominimi apo skllavërimi nën një mbretëri të re që sundohet nga Satani (Vep. 26:18). Krishti tha “Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit” (Gjoni 8:34). Kjo është mbretëria të cilit i përkisnim të gjithë (Efesianëve 2:2) për shkak të pasardhjes nga Adami dhe njësimit me të si kreu ynë (1 Kor. 15:22). Kur ai iu rebelua Perëndisë, ne iu rebeluam Perëndisë në të. Ai ishte kreu dhe përfaqësuesi i tërë njerëzimit, dhe kur ai ra, ne të gjithë ramë ne të; “të gjithë vdesin në Adamin” (1 Kor. 15:22).

Së dyti, çfarë është kjo jetë në të cilën i Krishteri është sjellë i gjallë prej së vdekurish”? Ashtu siç jeta është e kundërta e vdekjes, ashtu edhe kjo “jetë” e re është e kundërta e ndarjes prej Perëndisë dhe e rebelimit nga Zotërimit të Tij. “Jeta” është sfera e ekzistencës së njeriut në të cilën ndarja nga Perëndia është zëvendësuar nga miqësia me Perëndinë. Jeta, është sfera e re ekzistencës së njeriut në të cilën ai apo ajo ka dashuri për Perëndinë, dhe ku Krishti Jezus rrëfehet e duhet si Zot e Shpëtimtar, dhe në të cilën asgjë nuk do të na ndajë ndonjë herë nga dashuria e Perëndisë (Rom. 8:37-39).

Së treti, le të vëmë re se si kaluam nga vdekja në jetë. Vini re se fraza “të gjallë prej së vdekurish,” në origjinal, pavarësisht përkthimit në Shqip, është në pasive. Perëndia është ai që e ka realizuar këtë gjë, dhe jo njeriu. Përmes veprës së tij të hirshme dhe sovrane, Perëndia na kaloi nga vdekja në jetë. Kur dhe ku e bëri Ai këtë? Në Kryqin e Golgotës, kur Biri i Perëndisë pagoi haraçin, shpërblimin për mëkatin tonë (Marku 10:45). Në Adamin, të gjithë në vdiqëm, por në Krisht, Kreu ynë i përsosur e i pamëkatë, të gjithë u ngritëm në një jetë të re. Në Krisht, Perëndia arriti shpëtimin tonë nga mbretëria e vdekjes dhe e errësirës (Kol. 1:13). Por ne nuk vijmë në pronësi të këtij shpëtimi deri në momentin që ne besojmë në Zotin Jezus Krisht duke e përqafuar atë si Shpëtimtarin dhe Zotin tonë.

Së fundi, një i Krishterë është dikush që jeton si një person që ka kaluar nga vdekja në jetë. Apostulli i Krishtit na urdhëron “tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë” (Rom. 6:23). Cili është mesazhi që ju përçoni përmes jetës tuaj? A demonstroni dhe provoni ju përmes jetës tuaj se jeni të gjallë prej së vdekurish?” A i sugjeron jeta juaj botës që na vëzhgon, se ju keni përjetuar ngjalljen e rilindjen shpirtërore? Ngjallja nga të vdekurit është diçka dramatike. Çdo i Krishterë është një person i ngjallur nga vdekja. Ne jemi bërë pjesëmarrës të jetës së ngjallur të Krishtit, jeta jonë është fshehur me Krishtin në Perëndinë (Kol. 3:3). Jeta e botës që vjen, tashmë ka ardhur dhe pushtuar jetët tona. Si duhet të jetë kjo jetë? Lexo Galatasve 5:22-23 dhe Kolosianët 3:12-17. Më pas, ulu dhe mendohu. Reflekto, medito, pendohu, ngazëllohu në Krishtin dhe për Krishtin. Përmes hirit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë, jeto praktikisht në përputhje me atë që je në sytë e Perëndisë, një person i ngjallur nga vdekja në jetë.