Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut?
Përgjigja: Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.

Pyetja 2: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të?
Përgjigja: Fjala e Perëndisë, e përmbajtur në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër e të Re, është i vetmi standard i cili mund të na drejtojë si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të.

Pyetja 3: Çfarë mëson Shkrimi i Shenjtë në parim?
Përgjigja: Shkrimi i Shenjtë mëson në parim çfarë njeriu duhet të besojë në lidhje me Perëndinë dhe çfarë detyre Perëndia kërkon prej njeriut.

Pyetja 4: Çfarë është Perëndia?
Përgjigja: Perëndia është një Frymë, i pafund, i përjetshëm, dhe i pandryshueshëm, në qenien, urtësinë, fuqinë, shenjtërinë, drejtësinë, mirësinë dhe të vërtetën e Tij.

Pyetja 5: A ekzistojnë më shumë se një Perëndi?
Përgjigja: Ekziston një dhe vetëm një, Perëndia i gjallë dhe i vërtetë.

Pyetja 6: Sa persona ekzistojnë në Perëndi?
Përgjigja: Ekzistojnë tre persona në Perëndi; Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një Perëndi, të njëjtë në substancë dhe të barabartë në fuqi dhe lavdi.

Pyetja 7: Cilat janë dekretet e Perëndisë?
Përgjigja: Dekretet e Perëndisë janë qëllimi i Tij i përjetshëm, sipas këshillës së vullnetit të Tij, përmes së cilës, e për lavdinë e Tij, Ai ka paracaktuar gjithçka që ndodh.

Pyetja 8: Si i zbaton Perëndia dekretet e Tij?
Përgjigja: Perëndia i zbaton dekretet e Tij në veprat e krijimit dhe të providencës.

Pyetja 9: Çfarë është vepra e krijimit?
Përgjigja: Vepra e krijimit është bërja e gjithçkaje prej asgjëje, përmes fjalës së fuqisë së tij, në hapësirën e gjashtë ditëve, dhe gjithçka shumë të mirë.

Pyetja 10: Si e krijoi Perëndia njeriun?
Përgjigja: Perëndia e krijoi njeriun burrë e grua, sipas imazhit të Tij, në njohuri, në drejtësi dhe në shenjtëri, me sundim mbi krijesat.

Pyetja 11: Çfarë janë veprat e providencës së Perëndisë?
Përgjigja: Veprat e providencës së Perëndisë janë ruajtja dhe qeverisja plot shenjtëri, plot urtësi, dhe fuqi e të gjithë krijesave, si dhe të gjithë veprimeve të tyre.

Pyetja 12: Çfarë akti të veçantë providence ushtroi Perëndia ndaj njeriut në gjendjen në të cilën e krijoi?
Përgjigja: Pasi e kishte krijuar njeriun, Perëndia hyri në një besëlidhje jete, me kusht bindjen e përkryer, duke e ndaluar të hante nga pema e njohurisë të së mirës dhe të së keqes, me pasojë vdekjen.

Pyetja 13: A vazhduan prindërit tanë të parë në gjendjen në të cilën u krijuan?
Përgjigja: Prindërit tanë të parë, të lënë në lirinë e vullnetit të tyre, ranë nga gjendja në të cilën ata ishin krijuar, duke mëkatuar ndaj Perëndisë.

Pyetja 14: Çfarë është mëkati?
Përgjigja: Mëkati është çdo devijim prej, ose shkelje e, ligjit të Perëndisë.

Pyetja 15: Cili ishte mëkati, për shkak të së cilit prindërit tanë të parë ranë prej gjendjes në të cilën ishin krijuar?
Përgjigja: Mëkati, për shkak të së cilit prindërit tanë të parë ranë prej gjendjes në të cilën ishin krijuar, ishte të ngrënit e frytit të ndaluar.

Pyetja 16: A ra tërë njerëzimi në shkeljen e parë të Adamit?
Përgjigja: Për shkak se besëlidhja e bërë me Adamin nuk ishte vetëm me të, por me tërë pasardhësit e tij, i tërë njerëzimi, i ardhur brez pas brezi prej tij, mëkatoi përmes tij dhe ra bashkë me të, në shkeljen e tij të parë.

Pyetja 17: Në çfarë gjendje e solli njeriun rënia?
Përgjigja: Rënia e solli njeriun në një gjendje mëkati dhe mjerimi.

Pyetja 18: Ku konsiston mëkati i asaj gjendje në të cilën ra njeriu?
Përgjigja: Mëkati i asaj gjendjes në të cilën ra njeriu konsiston në fajin e mëkatit të parë të Adamit, në devijimin nga drejtësia e mëparshme dhe në korruptimin e tërë natyrës së tij, që në përgjithësi quhet Mëkati Fillestar, së bashku me të gjithë shkeljet e tanishme që burojnë prej këtij.

Pyetja 19: Cili është mjerimi i asaj gjendje në të cilën ra njeriu?
Përgjigja: I tërë njerëzimi, me rënien e tij, humbi bashkësinë me Perëndinë; është nën zemëratën dhe mallkimin e tij; ndaj është pre e tërë mjerimeve të kësaj jete, e vetë vdekjes, si dhe përjetësisht e të gjithë vuajtjeve të ferrit.

Pyetja 20: A e la Perëndia njerëzimin të humbasë në gjendjen e mëkatit dhe mjerimit?
Përgjigja: Perëndia, prej kënaqësisë së Tij mirëdashëse, nga përjetësia, zgjodhi disa në jetë të përjetshme, dhe hyri në një besëlidhje hiri, për t’i shpëtuar ata nga gjendja e mëkatit dhe e mjerimit, dhe për t’i sjellë ata në një gjendje shpëtimi përmes një Shpenguesi.

Pyetja 21: Cili është Shpenguesi i të zgjedhurve të Perëndisë?
Përgjigja: Shpenguesi i vetëm i të zgjedhurve të Perëndisë është Zoti Jezus Krisht, i cili, si Bir i përjetshëm i Perëndisë, u bë njeri, e kështu ishte, dhe vazhdon të jetë Perëndi e njeri në dy natyra të veçanta, por një person, përgjithmonë.

Pyetja 22: Si u bë Krishti njeri, duke qenë Biri i Perëndisë?
Përgjigja: Krishti, Biri i Perëndisë, u bë njeriu duke marrë për vete një trup të vërtetë, e një frymë me arsye, i mbarsur prej fuqisë së Frymës së Shenjtë, në barkun e virgjëreshës Marie, i lindur prej saj, megjithatë i pa mëkat.

Pyetja 23: Cilat ofiqe ekzekuton Krishti si Shpenguesi ynë?
Përgjigja: Krishti, si Shpenguesi ynë, ekzekuton ofiqet e një profeti, e një prifti, dhe një mbreti, si në gjendjen e përulësisë, ashtu edhe në atë të lartësimit.

Pyetja 24: Si e ekzekuton Krishti ofiqin e një profeti?
Përgjigja: Krishti e ekzekuton ofiqin e një profeti duke na zbuluar, përmes Fjalës dhe Frymës, vullnetin e tij për shpëtimin tonë.

Pyetja 25: Si e ekzekuton Krishti ofiqin e një prifti?
Përgjigja: Krishti e ekzekuton ofiqin e një prifti përmes ofrimit një herë e përgjithnjë të vetvetes si një flijim për të kënaqur drejtësinë hyjnore, për të na pajtuar me Perëndinë, e duke ndërmjetësuar vazhdimisht për ne.

Pyetja 26: Si e zbaton Krishti ofiqin e një mbreti?
Përgjigja: Krishti e ekzekuton ofiqin e një mbreti duke na nënshtruar për veten e Tij, duke na sunduar e mbrojtur, dhe duke penguar e mposhtur të gjithë armiqtë e tij e tonët.

Pyetja 27: Ku konsistoi përulësia e Krishtit?
Përgjigja: Përulësia e Krishti konsistoi në faktin që u lind, e kjo në një ambient të rëndomtë; nën pushtetin e ligjit; vuajti mjerimet e kësaj jete, zemëratën e Perëndisë, e mallkimin e vdekjes në kryq; në varrosjen dhe qëndrimin nën pushtetin e vdekjes për një farë kohe.

Pyetja 28: Ku konsiston lartësimi i Krishtit?
Përgjigja: Lartësimi i Krishtit konsiston në të ngjallurit e tij prej së vdekuri ditën e tretë, të ngjiturit në qiell, të ulurit në të djathtë të Perëndisë At, dhe të kthyerit për të gjykuar botën në ditën e fundit.

Pyetja 29: Si bëhemi pjesëmarrës të shpengimit të siguruar prej Krishti?
Përgjigja: Ne bëhemi pjesëmarrës të shpengimit të siguruar prej Krishtit përmes aplikimit efektiv të tij tek ne përmes Frymës së Shenjtë.

Pyetja 30: Si e aplikon tek ne Fryma shpengimin e siguruar prej Krishtit?
Përgjigja: Fryma e aplikon tek ne shpengimin e siguruar prej Krishtit duke vepruar besim në ne, e në këtë mënyrë duke na njësuar me Krishtin në thirrjen tonë efektive.

Pyetja 31: Çfarë është thirrja efektive?
Përgjigja: Thirrja efektive është vepra e Frymës së Perëndisë, përmes së cilës, duke na bindur për mëkatin dhe mjerimin tonë, duke na ndriçuar mendjet në njohurinë e Krishtit, dhe duke na ripërtërirë vullnetin tonë, ai na bind dhe na aftëson të përqafojmë Jezus Krishtin, i cili na ofrohet falas përmes ungjillit.

Pyetja 32: Çfarë përfitojnë në këtë jetë ata të cilët janë thirrur efektivisht?
Përgjigja: Ata të cilët janë thirrur efektivisht përfitojnë në këtë jetë shfajësimin, adoptimin dhe shenjtërimin, si edhe përfitime të tjera që shoqërojnë ose burojnë prej këtyre.

Pyetja 33: Çfarë është shfajësimi?
Përgjigja: Shfajësimi është një vepër falas e hirit të Perëndisë përmes së cilës Ai na fal të tërë mëkatet tona, dhe na pranon si të drejtë në sytë e Tij, vetëm për shkak të drejtësisë së Krishtit të kredituar në ne, dhe e marrë vetëm përmes besimit.

Pyetja 34: Çfarë është adoptimi?
Përgjigja: Adoptimi është një vepër falas e hirit të Perëndisë, përmes së cilës ne pranohemi në numrin (e të zgjedhurve), dhe fitojmë të drejtën e të gjitha privilegjeve të fëmijëve të Perëndisë.

Pyetja 35: Çfarë është shenjtërimi?
Përgjigja: Shenjtërimi është puna falas e hirit të Perëndisë përmes së cilës ne ripërtërihemi në tërësinë e njeriut sipas imazhit të Perëndisë, dhe aftësohemi gjithnjë e më shumë të vdesim ndaj mëkatit dhe të jetojmë në drejtësi.

Pyetja 36: Cilat janë përfitimet që në këtë jetë shoqërojnë ose burojnë prej shfajësimit, adoptimit, dhe shenjtërimit?
Përgjigja: Përfitimet që në këtë jetë shoqërojnë ose burojnë prej shfajësimit, adoptimit dhe shenjtërimit janë siguria e dashurisë së Perëndisë, paqja e ndërgjegjes, gëzimi në Frymën e Shenjtë, shtimi i hirit, dhe këmbëngulja në këtë gjendje deri në fund.

Pyetja 37: Cilat janë përfitimet që besimtarët marrin prej Krishtit në vdekje?
Përgjigja: Shpirtrat e besimtarëve në vdekje bëhen të përsosur në shenjtëri, dhe kalojnë menjëherë në lavdi, dhe trupat e tyre, duke qenë të bashkuar me Krishtin, prehen në varr deri në ringjallje.

Pyetja 38: Cilat janë përfitimet që besimtarët marrin prej Krishtit në ringjallje?
Përgjigja: Besimtarët në ringjallje, duke u ngritur në lavdi, do të njihen haptazi dhe do të shfajësohen në ditën e gjykimit, do të bekohen përsosmërisht duke u kënaqur plotësisht në Perëndi përjetë.

Pyetja 39: Çfarë detyre kërkon Perëndia prej njeriut?
Përgjigja: Detyra që Perëndia kërkon prej njeriut është bindja ndaj vullnetit të Tij të shfaqur.

Pyetja 40: Çfarë i shfaqi së pari Perëndia njeriut si standard për t’iu bindur?
Përgjigja: Standardi të cilin Perëndia i shfaqi së pari njeriut për t’iu bindur ishte ligji moral.

Pyetja 41: Ku gjendet i përmbledhur ligji moral?
Përgjigja: Ligji moral gjendet i përmbledhur në dhjetë urdhëresat.

Pyetja 42: Cila është përmbledhja e dhjetë urdhëresave?
Përgjigja: Përmbledhja e dhjetë urdhëresave është që, ta duam Perëndinë, Zotin tonë me të gjithë zemrën tonë, me të gjithë shpirtin tonë, me të gjithë forcën tonë, dhe me të gjithë mendjen tonë; si dhe të duam fqinjin tonë si vetveten.

Pyetja 43: Cila është parathënia e dhjetë urdhëresave?
Përgjigja: Parathënia e dhjetë urdhëresave është në këto fjalë, Unë jam Zoti, Perëndia Yt, që të nxori nga vendi i Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.

Pyetja 44: Çfarë na mëson parathënia e dhjetë urdhëresave?
Përgjigja: Parathënia e dhjetë urdhëresave na mëson se, për shkak se Perëndia është Zoti, Perëndia Ynë, dhe Shpenguesi, e kemi për detyrë t’i zbatojmë urdhrat e Tij.

Pyetja 45: Cila është urdhëresa e parë?
Përgjigja: Urdhëresa e parë është, Nuk do të kesh perëndi të tjerë përpara meje.

Pyetja 46: Çfarë kërkohet në urdhëresën e parë?
Përgjigja: Urdhëresa e parë na kërkon të njohim dhe të pranojmë Perëndinë si të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe si Perëndinë tonë, dhe ta adhurojmë e ta lëvdojmë ashtu siç duhet.

Pyetja 47: Çfarë ndalohet në urdhëresën e parë?
Përgjigja: Urdhëresa e parë ndalon mohimin, ose mos adhurimin dhe mos lëvdimin e Perëndisë së vërtetë si Perëndi, dhe si Perëndinë tonë, dhe dhënien e atij adhurimi e lëvdimi, që i takon vetëm Atij, dikujt tjetër.

Pyetja 48: Çfarë mësojmë tjetër prej fjalëve ‘përpara meje’ në urdhëresën e parë?
Përgjigja: Fjalët ‘përpara meje’ në urdhëresa e parë na mësojnë, se Perëndia, i cili shikon gjithçka, vëren, dhe mbetet i pakënaqur me, mëkatin e pasjes të perëndive të tjerë.

Pyetja 49: Cila është urdhëresa e dytë?
Përgjigja: Urdhëresa e dytë është, Nuk do të bësh skulpturë apo shëmbëlltyre të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt, apo këtu poshtë në tokë, ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre e nuk do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijëve të tyre deri në brezin e tretë e të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan e që zbatojnë urdhërimet e mia.

Pyetja 50: Çfarë kërkohet në urdhëresën e dytë?
Përgjigja: Urdhëresa e dytë kërkon marrjen, këqyrjen, dhe mbajtjen të pastër e në tërësi të gjithë atyre urdhrave e shërbesave fetare të cilat Perëndia i ka caktuar përmes Fjalës së Tij.

Pyetja 51: Çfarë ndalohet në urdhëresën e dytë?
Përgjigja: Urdhëresa e dytë ndalon adhurimin e Perëndisë përmes shëmbëllesave, apo çfarëdo mënyre tjetër që nuk është caktuar prej Fjalës së Tij.

Pyetja 52: Cilat janë arsyet bashkangjitur me urdhëresën e dytë?
Përgjigja: Arsyet bashkangjitur me urdhëresën e dytë janë, sovraniteti i Perëndisë mbi ne, autorësia e tij në ne, dhe zelli që ai ka për adhurimin e vet.

Pyetja 53: Cila është urdhëresa e tretë?
Përgjigja: Urdhëresa e tretë është, Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd kot, sepse Zoti nuk do të lerë pa ndëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.

Pyetja 54: Çfarë kërkohet në urdhëresën e tretë?
Përgjigja: Urdhëresa e tretë kërkon përdorimin e shenjtë dhe me nderim të emrave, titujve, atributeve, urdhëresave, Fjalës, dhe veprave të Perëndisë.

Pyetja 55: Çfarë ndalohet në urdhëresën e tretë?
Përgjigja: Urdhëresa e tretë ndalon çnderimin dhe abuzimin e tërë gjërave përmes të cilave Perëndia na bëhet i njohur.

Pyetja 56: Cila është arsyeja bashkangjitur me urdhëresën e tretë?
Përgjigja: Arsyeja bashkangjitur me urdhëresën e tretë është, se sado t’i shmangen shkelësit e kësaj urdhërese dënimit njerëzor, megjithatë Zoti, Perëndia ynë, nuk do t’i lejojë ata që t’i shmangen gjykimit të tij të drejtë.

Pyetja 57: Cila është urdhëresa e katërt?
Përgjigja: Urdhëresa e katërt është, Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.

Pyetja 58: Çfarë kërkohet në urdhëresën e katërt?
Përgjigja: Urdhëresa e katërt kërkon mbajtjen të shenjtë përpara Perëndisë të atyre afateve kohore të cilat ai i ka përcaktuar në Fjalën e tij; shprehimisht, një ditë të tërë nga shtatë, për të qenë një Sabath i shenjtë për Të.

Pyetja 59: Cilën prej shtatë ditëve ka përcaktuar Perëndia për të qenë Sabathi javor?
Përgjigja: Prej fillimit të botës deri në ringjalljen e Krishtit, Perëndia përcaktoi ditën e shtatë të javës për të qenë Sabathi i javor; dhe, që prej asaj kohe e deri në fund të botës, ditën e parë të javës, e ky është Sabathi i krishterë.

Pyetja 60: Si duhet shenjtëruar Sabathi?
Përgjigja: Sabathi duhet shenjtëruar përmes një çlodhje të shenjtë tërë ditën, bile edhe prej atyre përfshirjeve dhe argëtimeve shekullare të cilat janë të ligjshme në ditët e tjera; dhe duke e kaluar tërë kohën në ushtrim të adhurimit publik dhe privat të Perëndisë, me përjashtim të aq kohe sa nevojitet për veprat e domosdoshmërisë dhe mëshirimit.

Pyetja 61: Çfarë ndalohet në urdhëresën e katërt?
Përgjigja: Urdhëresa e katërt ndalon neglizhencën ose kryerjen e shkujdesur të detyrave të kërkuara, dhe çnderimin e ditës përmes plogështisë, ose asaj çka është mëkat në vetvete, ose përmes mendimeve, fjalëve, apo veprave të panevojshme, që lidhen me përfshirjet dhe argëtimet tona shekullare.

Pyetja 62: Cilat janë arsyet bashkangjitur me urdhëresën e katërt?
Përgjigja: Arsyet bashkangjitur me urdhëresën e katërt janë, Perëndia na lejon gjashtë ditë në javë për të kryer punët tona personale; pronësia që ai shpall mbi të shtatën; shembulli i tij personal; dhe bekimi prej tij i ditës së Sabathit.

Përgjigja 63: Cila është urdhëresa e pestë?
Përgjigja: Urdhëresa e pestë është, Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

Pyetja 64: Çfarë kërkohet në urdhëresën e pestë?
Përgjigja: Urdhëresa e pestë kërkon ruajtjen e nderit, dhe kryerjen e detyrave, që i takon të gjithë atyre që, sipas pozitës dhe marrëdhënieve të tyre të ndryshme, janë mbi, nën, apo të barabartë me ne.

Pyetja 65: Çfarë ndalohet në urdhëresën e pestë?
Përgjigja: Urdhëresa e pestë ndalon neglizhencën, apo çdo veprim kundër, nderit dhe detyrave që i përkasin kujtdo në pozitat dhe marrëdhëniet e tyre të ndryshme.

Pyetja 66: Cila është arsyeja bashkangjitur me urdhëresën e pestë?
Përgjigja: Arsyeja bashkangjitur me urdhëresën e pestë është premtimi i një jete të gjatë e me bollëk (për aq sa do t’i shërbejë lavdisë së Perëndisë dhe të mirës së tyre) për të gjithë ata që e zbatojnë këtë urdhëresë.

Pyetja 67: Cila është urdhëresa e gjashtë?
Përgjigja: Urdhëresa e gjashtë është, Nuk do të vrasësh.

Pyetja 68: Çfarë kërkohet në urdhëresën e gjashtë?
Përgjigja: Urdhëresa e gjashtë kërkon të gjitha përpjekjet e ligjshme për ruajtjen e jetës tonë dhe të tjerëve.

Pyetja 69: Çfarë ndalohet në urdhëresën e gjashtë?
Përgjigja: Urdhëresa e gjashtë ndalon vetëvrasjen, ose marrjen padrejtësisht të jetës së tjetrit, apo çdo tentativë për sa më sipër.

Pyetja 70: Cila është urdhëresa e shtatë?
Përgjigja: Urdhëresa e shtatë është, Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

Pyetja 71: Çfarë kërkohet në urdhëresën e shtatë?
Përgjigja: Urdhëresa e shtatë kërkon ruajtjen e dëlirësisë sonë dhe të tjetrit, në zemër, fjalosje dhe sjellje.

Pyetja 72: Çfarë ndalohet në urdhëresën e shtatë?
Përgjigja: Urdhëresa e shtatë ndalon të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet e pa dëlira.

Pyetja 73: Cila është urdhëresa e tetë?
Përgjigja: Urdhëresa e tetë është, Nuk do të vjedhësh.

Pyetja 74: Çfarë kërkohet në urdhëresën e tetë?
Përgjigja: Urdhëresa e tetë kërkon përvetësimin dhe zgjerimin e ligjshëm e të pasurisë dhe pronave tona dhe të tjerëve.

Pyetja 75: Çfarë ndalohet në urdhëresën e tetë?
Përgjigja: Urdhëresa e tetë ndalon gjithçka që pengon, apo mund të pengojë, pasurinë dhe pronat tona e të tjerëve.

Pyetja 76: Cila është urdhëresa e nëntë?
Përgjigja: Urdhëresa e nëntë është, Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

Pyetja 77: Çfarë kërkohet në urdhëresën e nëntë?
Përgjigja: Urdhëresa e nëntë kërkon mbajtjen dhe promovimin e së vërtetës midis njëri-tjetrit, të emrit të mirë tonë dhe të fqinjit, veçanërisht në daljen dëshmitar.

Pyetja 78: Çfarë ndalohet në urdhëresën e nëntë?
Përgjigja: Urdhëresa e nëntë ndalon gjithçka është devijuese ndaj të vërtetës, ose dëmtuese ndaj emrit të mirë, si tonin, ashtu edhe të fqinjit tonë.

Pyetja 79: Cila është urdhëresa e dhjetë?
Përgjigja: Urdhëresa e dhjetë është, Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd.

Pyetja 80: Çfarë kërkohet në urdhëresën e dhjetë?
Përgjigja: Urdhëresa e dhjetë kërkon kënaqësi të plotë me konditën tonë, një frymë të drejtë dhe bamirëse ndaj fqinjit, dhe gjithçkaje që i përket atij.

Pyetja 81: Çfarë ndalohet në urdhëresën e dhjetë?
Përgjigja: Urdhëresa e dhjetë ndalon çdo pakënaqësi me pronësitë tona, çdo lakmi apo lëngim ndaj të mirave të fqinjit tonë, dhe çdo veprim apo ndjesi të pazakontë ndaj gjithçka që i përket atij.

Pyetja 82: A mundet ndokush të mbajë përsosmërisht urdhëresat e Perëndisë?
Përgjigja: Që prej rënies, asnjë person nuk është i aftë në këtë jetë të mbajë përsosmërisht urdhëresat e Perëndisë, por i shkel ato përditë në mendje, fjalë dhe vepër.

Pyetja 83: A janë të tëra shkeljet e ligjit njësoj të urryera?
Përgjigja: Disa mëkate në vetvete, dhe për shkak të disa pasojave, janë më shumë të urryeshme në sytë e Perëndisë se disa të tjera.

Pyetja 84: Çfarë meriton secili mëkat?
Përgjigja: Secili mëkat meriton urrejtjen dhe mallkimin e Perëndisë, si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën që pason.

Pyetja 85: Çfarë kërkon Perëndia prej nesh në mënyrë që t’i shpëtojmë urrejtjes dhe mallkimit që meriton mëkati ynë?
Përgjigja: Për t’i shpëtuar urrejtjes dhe mallkimit të Perëndisë që mëkatet tona meritojnë, Perëndia na kërkon besim në Jezus Krisht, pendimin që sjell në jetë, dhe përdorimin e zellshëm të gjitha mjeteve të dukshme përmes të cilave Krishti na komunikon përfitimet e shpengimit.

Pyetja 86: Çfarë është besimi në Jezus Krisht?
Përgjigja: Besimi në Jezus Krisht është një hir shpëtues, përmes së cilit e marrim dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim, siç na është ofruar në ungjill.

Pyetja 87: Çfarë është pendimi që sjell jetë?
Përgjigja: Pendimi që sjell jetë është një hir shpëtues, përmes të cilit mëkatari, prej një ndjesie të vërtetë të mëkatit të tij, dhe të kuptimit të mëshirës së Perëndisë në Krisht, kthehet tek Perëndia, me lëngatë dhe urrejtje për mëkatin e tij, me qëllimin e plotë dhe përpjekjen për një bindje të re.

Pyetja 88: Cilat janë mjetet e dukshme përmes të cilave Krishti na komunikon përfitimet e shpengimit?
Përgjigja: Mjetet e dukshme dhe të zakonshme përmes të cilave Krishti na komunikon përfitimet e shpengimit janë urdhërimet e tij, veçanërisht Fjala, sakramentet dhe lutja; të cilat bëhen efikase tek të zgjedhurit për shpëtim.

Pyetja 89: Si bëhet Fjala efikase për shpëtim?
Përgjigja: Fryma e Perëndisë bën leximin, por veçanërisht predikimin e Fjalës, një mënyrë efikase për bindjen dhe konvertimin e mëkatarëve, dhe për ndërtimin e tyre në shenjtëri dhe ngushëllim, përmes besimit, me qëllim shpëtimin.

Pyetja 90: Si duhet të lexohet dhe të dëgjohet Fjala, në mënyrë që të bëhet efikase për shpëtim?
Përgjigja: Në mënyrë që Fjala të bëhet efikase për shpëtim, ne duhet ta trajtojmë atë me përkushtim, përgatitje, dhe lutje; ta marrim atë me besim dhe dashuri; ta përvetësojmë në zemrat tona, dhe ta zbatojmë në jetë.

Pyetja 91: Si bëhen sakramentet mjete efikase për shpëtim?
Përgjigja: Sakramentet bëhen mjete efikase për shpëtim, jo prej ndonjë virtyti të tyre, apo të atij që i administron, por vetëm prej bekimit të Krishti, dhe të veprës së Frymës së Tij në ata të cilët i marrin këto sakramente me besim.

Pyetja 92: Çfarë është një sakrament?
Përgjigja: Sakramenti është një urdhërim i shenjtë i caktuar nga Krishti, ku, përmes shenjave të dallueshme prej shqisave, Krishti, si dhe përfitimet e besëlidhjes së re, përfaqësohen, vulosen dhe aplikohen tek besimtarët.

Pyetja 93: Cilat janë sakramentet e Dhiatës së Re?
Përgjigja: Sakramentet e Dhiatës së Re janë Pagëzimi dhe Darka e Zotit.

Pyetja 94: Çfarë është Pagëzimi?
Përgjigja: Pagëzimi është një sakrament ku larja me ujë në emër të Atit, dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë, shënon dhe vulos shartimin tonë në Krisht, dhe pjesëmarrjen në përfitimet e besëlidhjes së hirit, dhe angazhimin tonë për të qenë të Zotit.

Pyetja 95: Kujt mund t’i administrohet pagëzimi?
Përgjigja: Pagëzimi nuk mund t’i administrohet atyre që janë jashtë kishës së dukshme, derisa ata të shpallin besim në Krisht, dhe bindje ndaj Tij, por fëmijët e atyre që janë anëtarë të një kishe të dukshme duhet të pagëzohen.

Pyetja 96: Çfarë është Darka e Zotit?
Përgjigja: Darka e Zotit është një sakrament, ku, prej dhënies dhe marrjes së bukës dhe verës, sipas përcaktimit të Krishti, shpallet vdekja e Tij, dhe marrësit e denjë të saj bëhen pjesëmarrës të trupit dhe gjakut të tij, jo në ndonjë mënyre trupore apo mishëzuese, por prej besimit, me të gjitha përfitimet e tyre, për ushqimin e tyre shpirtëror dhe rritjen në hir.

Pyetja 97: Çfarë kërkohet për ta marrë denjësisht Darkën e Zotit?
Përgjigja: Prej atyre që do të marrin pjesë denjësisht në Darkën e Zotit kërkohet këqyrja e vetvetes për aftësinë dalluese të trupit të Krishtit; për besimin që të ushqehen prej tij; për pendim, dashuri dhe bindje të re; përndryshe, si të padenjë, ata hanë dhe pinë gjykimin e vetvetes.

Pyetja 98: Çfarë është lutja?
Përgjigja: Lutja është ofrimi i dëshirave tona përpara Perëndisë, për çfarë është në përputhje me vullnetin e tij, në emrin e Krishtit, duke rrëfyer mëkatet tona, dhe me mirënjohje falënderuese për mëshirat e tij.

Pyetja 99: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar në lutje?
Përgjigja: E tërë Fjala e Perëndisë mund të përdoret për të na drejtuar në lutje; por standardi i veçantë për drejtim është ajo formë lutje të cilën Krishti ua mësoi dishepujve, gjerësisht e quajtur si Lutja e Zotit.

Pyetja 100: Çfarë na mëson parathënia e Lutjes së Zotit?
Përgjigja: Parathënia e Lutjes së Zotit, [që thotë, Ati unë që je në qiej] na mëson t’i afrohemi Perëndisë me gjithë nderim dhe bindje të shenjtë, si fëmijët i afrohen një ati, i gatshëm dhe i aftë për të na ndihmuar; dhe se duhet të lutemi për të tjerët e me të tjerët.

Pyetja 101: Për çfarë lutemi në kërkesën e parë?
Përgjigja: Në kërkesën e parë, [që thotë, U shenjtëroftë emri yt] lutemi që Perëndia të na aftësojë ne, dhe të tjerët, për ta lavdëruar atë në çdo gjë që ai na zbulohet; dhe që ai do të sjell gjithçka për lavdinë e tij.

Pyetja 102: Për çfarë lutemi në kërkesën e dytë?
Përgjigja: Në kërkesën e dytë, [që thotë, Ardhtë mbretëria jote] lutemi që mbretëria e djallit të shkatërrohet, dhe që mbretëria e hirit të përparojë, që ne dhe të tjerët të futemi, dhe të mbahemi, në të, dhe që ardhja e mbretërisë së lavdisë të përshpejtohet.

Pyetja 103: Për çfarë lutemi në kërkesën e tretë?
Përgjigja: Në kërkesën e tretë, [që thotë, U bëftë vullneti yt në tokë, si në qiell] lutemi që Perëndia, përmes hirit të tij, të na bëjë të aftë dhe të vullnetshëm që të njohim, të bindemi dhe t’i nënshtrohemi vullnetit të tij në çdo gjë, ashtu siç bëjnë engjëjt në qiell.

Pyetja 104: Për çfarë lutemi në kërkesën e katërt?
Përgjigja: Në kërkesën e katërt, [që thotë, Bukën tonë të përditshme jepna sot] lutemi që të marrim prej dhuratës së Perëndisë një racion të mjaftueshëm të së mirave të kësaj jete, dhe të gëzojmë bekimet e tij bashkë me to.

Pyetja 105: Për çfarë lutemi në kërkesën e pestë?
Përgjigja: Në kërkesën e pestë, [që thotë, Na i fal fajet tona, siç ua falin ne fajtorëve tanë] lutemi që për hir të Krishti, Perëndia do të na fal lirisht tërë mëkatet tona, për të cilën ne inkurajohemi të lutemi, pasi prej hirit të tij ne aftësohemi të falim të tjerët nga thellësia e zemrës.

Pyetja 106: Për çfarë lutemi në kërkesën e gjashtë?
Përgjigja: Në kërkesën e gjashtë, [që thotë, Mos na lejo të biem në tundim] lutemi që Perëndia ose do të na mbajë larg tundimit për mëkat, ose do të na mbështesë dhe çlirojë kur ne të tundohemi.

Pyetja 107: Çfarë na mëson përfundimi i Lutjes së Zotit?
Përgjigja: Përfundimi i Lutjes së Zotit, [që thotë, Sepse Jotja është mbretëria, dhe fuqia dhe lavdia përjetë, Amen] na mëson që ta gjejmë inkurajimin për lutje vetëm tek Perëndia, dhe në lutjet tona ta lëvdojmë atë, duke ja deklaruar mbretërinë, fuqinë, dhe lavdinë vetëm Atij. Dhe si dëshmi e dëshirës sonë, dhe si të sigurt që na ka dëgjuar, ne themi, Amen.