01-Çështje Shëndetësore

  • on 23/08/2015

01-Çështje Shëndetësore

Hebrenjve 10:23-27

Sot fillojmë me një seri të re mesazhesh, të titulluara “Një i Krishterë i shëndetshëm në një Kishë të shëndetshme.” Përse kjo nismë nga ana e pastorit tuaj? E thënë shkurt? Sepse për këtë arsye jemi shpëtuar dhe jemi thirrur që si besimtarë e si një kishë lokale të jemi shpirtërisht të shëndetshëm. “Synimi i Zotit është që të luash një rol aktiv dhe jetik në trupin e vet, pra në kishën lokale. Ai synon që kishën lokale ta përjetosh si një familje tejet më kuptimplote dhe të mrekullueshme se sa çdo vend tjetër në botë. Ai synon që kishat e tij të jenë vende të shëndetshme, dhe që anëtarët e këtyre kishave të jenë të shëndetshëm” (Thabiti, faqe 14). Dhe kështu kjo seri e re do të përpiqet që ti përgjigjet tre pyetjeve kryesore. Së pari, çfarë është një kishë e shëndetshme? Së dyti, çfarë është një besimtar i shëndetshëm? Së treti, çdo të thotë të synosh shëndetin shpirtëror personal, dhe se si duhet të kontribuosh personalisht për shëndetin e njëri-tjetrit dhe të shëndetit të përgjithshëm të kësaj kishe lokale.

Në këtë mesazh të parë, do të fokusohemi se përse besimtari duhet ta shikoj e kërkojë këtë shëndet shpirtëror në kontekstin e kishës lokale. Disa fjalë u thanë më lart mbi qëllimin e Zotit për çdo besimtar, por le ta shtjellojmë pak më shumë për disa momente.

Domosdoshmëria e Shëndetit Shpirtëror

Përse duhet të synojmë që të jemi besimtarë shpirtërisht të shëndetshëm apo që praktikisht synojmë një shëndet të mirë shpirtëror? Përse është i domosdoshëm ky shëndet shpirtëror? Përse nuk është e mjaftueshme që kur të na pyesin se si jemi shpirtërisht, të themi ashtu siç ne shqiptarët përgjigjemi për ndoshta çdo gjë tjetër në jetën tonë: “Ja ashtu, kalojmë!”?

Së pari sepse ky ishte qëllimi dhe shërbesa e Krishtit kur ishte në tokë. Jezusi kur predikonte e mësonte, fliste për shëndetin e trupave tonë si një imazh i gjendjes tonë shpirtërore (Mateu 6:22-23 / Luka 11:33-34; Mateu 7:17-18, etj.). Ai madje tha, “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.” Dhe kuptimi i tij ishte që i gjithë njerëzimi është i sëmurë shpirtërisht dhe ka nevojë për shëndetin dhe mjekun hyjnor. Të gjitha mrekullitë që Krishti bëri kur ishte në tokë kishin një mesazh. Mrekullitë e shërimeve dëshmonin për nevojën tonë për shërim, dhe për qëllimin dhe gatishmërinë e Krishtit për të na e dhënë këtë shërim. Ai vetë tha, “Por, që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet në tokë që të falë mëkatet: Ngrihu (i tha të paralizuarit), merr vigun tënd dhe shko në shtëpi” (Mateu 9:6). Jezusi solli shëndet e restaurim fizik në trupat e njerëzve për të vënë në dukje rilindjen, shëndetit dhe plotësinë që ai ofronte për shpirtrat e njerëzve, e madje për tërë qenien e njeriut. Perëndia e krijoi njeriun trup e shpirt. Me hyrjen e mëkatit në botë, u fut edhe deformimi shpirtëror dhe fizik. Si rrjedhim, njeriu lëngon dhe vdes si në trup ashtu dhe në shpirt. Por Krishti erdhi që të rimarrë krijesën e humbur, që ta reformojë atë, madje ta ribëjë atë plotësisht, si në trup ashtu edhe në shpirt.

Së dyti, shëndeti shpirtëror i shenjtorëve të Perëndisë ishte fokusi i punës pastorale edhe të apostujve, pastorëve e dishepujve të parë. Nga njëra anë, tek Veprat e Apostujve ne shikojmë Apostujt të vazhdojnë shërbesën shëruese të Krishtit që sigurisht që kishte si qëllim predikimin e nevojës së njeriut për shëndet shpirtëror, dhe predikimin e Krishtit si jetë-dhënësi hyjnor për këdo që e hedh veten e tij apo të saj në krahët e mëshirshëm të Krishtit.

Po kështu, në shërbesën e Fjalës, përmes predikimeve dhe shkrimit të letrave, Apostujt insistuan në rritjen shpirtërore të besimtarëve. Apostulli Pal përdor imazhin e kishës si trupi i vetë Krishtit, dhe e përshkroi përparimin e saj shpirtëror me imazhin e një rritjeje dhe mirëqenie organike. Për shembull, ai u shkroi Efesianëve këto fjalë: “Por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi i bashkuar dhe i lidhur mirë, me anë të bashkimit të ndihmës sipas masës së veprueshmërisë të çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij na dashuri,” (Efe. 4:15-16). Urdhri i tij në vargun 15 është “të rritemi.” Kjo rritje ndodh në një kontekst, sipas Palit. “Me anë të bashkimit të ndihmës…së çdo pjese të veçantë…shkakton rritjen e trupit.” Urdhri është që të rritemi të gjithë, dhe të rritemi së bashku. Për këtë, sipas Palit duhet të punojmë së bashku, dhe e thotë këtë kur flet për “gjithë trupin e bashkuar dhe të lidhur mirë.” Kjo rritje sipas tij, ndodh “me anë të bashkimit të ndihmës sipas masës së veprueshmërisë të çdo pjese.” Pra, gjithsecili bën pjesën e vet si për veten e tij ashtu edhe për të shkaktuar rritjen e tjetrit përbri. Po kështu, Pali e përshkroi doktrinën e pastër biblike tek Letra që i drejtoi Titit (2:1) si një “doktrinë e shëndoshë.” Po kështu, Apostulli Gjon i përshëndet të Krishterët me fjalët, “uroj të kesh mbarësi në çdo gjë, dhe të jesh i shëndoshë, ashtu siç ka mbarësi trupi yt,” (3 Gjo. 1:2).

Me këtë nuk po themi që nuk është vullneti i Perëndisë që ne të sëmuremi fizikisht herë pas here, pasi këto testime janë sprova që duhet të prodhojnë shëndet shpirtëror për të Krishterin. Por çfarë po themi është thjesht kjo: Shëndeti është një ilustrim i natyrshëm që Perëndia përdor për të theksuar atë që është e mirë, e duhur dhe e plotë. Thirrja e Perëndisë është që ne të jemi të plotë e jo të mangët, të reformuar dhe jo të deformuar, të shëndetshëm dhe jo të sëmurë shpirtërisht.

Një çështje për të gjithë

Duke shpresuar që të gjithë e kuptojmë rëndësinë e rritjes dhe të shëndetit tonë shpirtëror, le të marrim në konsideratë një pyetje të dytë: A duhet të jetë rritja dhe shëndeti shpirtëror i individit dhe i kishës lokale një shqetësim vetëm për drejtuesit e kishave, apo i të gjithëve? Ka njerëz që mendojnë se cdo njeri duhet të kujdeset për veten e tij, dhe drejtuesit e kishës për të gjithë, por se ata vetë nuk kanë ndonjë obligim apo thirrje ndaj shëndetit shpirtëror të besimtarëve të tjerë. Le të shikojmë pra, se si shëndeti shpirtëror është një çështje e të gjithëve, është një projekt komunitar.

Vini re që nga 27 libra që ka Dhiata e Re, vetëm 5 prej tyre u adresohen personalisht individëve. Pali u dërgoi dy letra Timoteut, një Titit dhe një Filemonit, ndërsa Gjoni ia adreson letrën e tij të tretë Gajit, dhe qëllimi i këtyre letrave është avancimi i shëndetit shpirtëror të kishave lokale që ata kishin marrë në dorëzim për ti pastoruar. Pra edhe pse letra personale, efekti duhej të ishte shëndeti i tërë bashkësisë si një investim nga ana e drejtuesve të kishës. Nga ana tjetër, të gjitha letrat e tjera u dërgohen vetë kishave lokale. Vetëm kaq informacion është i mjaftueshëm për të insistuar në një parim të rëndësishëm: Shëndeti i Kishës dhe i besimtarëve brenda Kishës, nuk është një përgjegjësi vetëm e drejtuesve por e tërë bashkësisë lokale.

Por këtë parim, ne mund ta vërtetojmë edhe më tej kur studiojmë në imtësi këto letra apostolike. Vini re së pari që kur Apostujt shkruan këto letra, ata iu drejtuan të Krishterëve  që adresuan me fjalën “Ju!” Dhe kjo jo sepse po u flisnin individëve me respekt, por sepse po u shkruanin të tërë të Krishterëve si bashkësi lokale. Të gjitha letrat janë të ndara në pjesë doktrinare dhe ne pasazhe aplikuese. Me fjalë të tjera, ata na shkruajnë: Ja se cili është statusi juaj në Krishti (Efesianëve 1-3); sa se cili është obligimi juaj në bashkësi (Efesianëve 4-6).

Po kështu, kur Galatasit filluan to vënë vesh mësimeve të gabuara të mësuesve të rremë, Pali u shkroi atyre duke u thënë: “Çuditem që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju nëpërmjet hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër,” (Gal. 1:6). Kush janë këta “ju”? Nuk janë vetëm pleqtë apo pastorët e Kishës në Galati, por e tërë bashkësia e besimtarëve atje. Për ndryshe Pali do tu kishte shkruar drejtuesve të Kishës: “Mos predikoni herezira e ungjij të rremë.” Por jo, ai thërret tërë bashkësinë e shenjtorëve në Galati në pendim, kthim, ndreqje e shëndet shpirtëror. Po kështu edhe për sa i përket letrave që Pali u dërgoi Korintasve. Bashkësia atje pat lejuar apo nuk pat reaguar ndaj një marrëdhënie incesti që po ndodhte në gjirin e tyre. Tek 1 Korintasve 5, ai nuk i thotë drejtuesve të bashkësisë që të adresojnë problemin, por tërë bashkësisë. Për sa i përket letrës që ai i dërgoi Kishës në Filipi, vargu i parë tregon qartë se kujt i adresohet veçanërisht: “Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezus Krishtit, gjithë shenjtorëve në Krishtin Jezus që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët,” (Filipianëve 1:1). Interesante apo jo. Në fillim ai përmend të gjithë shenjtorët si një trup i vetëm, dhe shton, gati si një prapamendim, peshkopët dhe dhjakët. Më pas në Dhiatën e Re kemi dy letra të Palit drejtuar “kishës së Thesalonikasve.” Jo kishave në Thesaloniki, por kishës së Thesalonikasve, ku theksi bie tek bashkësia e besimtarëve Thesalonikas. Dhe ky refren vazhdon kështu letër pas letre (Rom. 1:7; 2 Kor. 1:1; Kol. 1:2; 1 Pje. 1:1).

Një çështje për “njëri-tjetrin”

Kuptohet që drejtuesit e këtyre bashkësive kishin po aq shumë detyrën dhe obligimin për të dëgjuar dhe për tju bindur instruktimit të apostujve që vinte e frymëzuar nga vetë Perëndia. Tek Hebrenjve 13:17, lexojmë, “Dëgjoni udhëheqësit tuaj dhe bindjuni, sepse ata rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.” Të gjithë ne drejtuesit e kishave, dhjakonë, pleq e pastorë do të japim llogari një ditë, por çdo minutë të shpenzuar, për çdo fjalë të thënë, për çdo situatë të përdorur apo të shpërdorur për mbrojtjen, instruktimin, shenjtërimin e shpirtrave tuaj dhe të shëndetit tuaj shpirtëror.

Por gjithashtu, çdo njeri prej nesh që është një dishepull i Jezus Krishtit do të japë llogari për përmbushjen apo mospërmbushjen e të gjitha instruktimeve e urdhrave të Dhiatës së Re. Për shembull: Autori apostolik i Letrës drejtuar Hebrenjve shkroi, “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi. Le të kujdesemi për njeri-tjetrin, për t’u nxitur në dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet,” (Heb. 10:23-25). Vini re këto urdhra: Le të mbajmë së bashku pra, të patundur rrëfimin e shpresës tonë. Së dyti, le të kujdesemi për njëri-tjetrin. dhe së treti, të nxisim njëri-tjetrin në dashuri dhe vepra të mira. Dhe të gjitha këto në kontekstin e bashkësisë lokale, pasi kemi edhe një urdhër të katërt, “pa hequr dorë nga të mbledhurit tona.” Me sa duket edhe  në atë kohë kishte nga ata që mendonin se mund të jetonin një jetë të Krishterë të veçuar dhe pa nevojën e kishës lokale, që nuk vinin në shërbesat e adhurimit të dielave, apo në çfarë do rastesh te tjera që u ofroheshin për tu inkurajuar nga të tjerët apo për të inkurajuar të tjerët.

Vini re që ky pasazh është vetëm një prej pasazheve të shumta të kategorisë “njeri-tjetrin.” Këto pasazhe janë gati-gati, një zhanër më vete horatorie apostolike. Bëhet fjalë për pasazhe në të cilat urdhërohemi që të bëjmë diçka për njëri-tjetrin në kishë. Ka mbi 50 të tilla në faqet e Dhiatës së Re.

Një e treta e pasazheve kanë të bëjnë me unitetin në bashkësinë lokale: “Jetoni në paqe njëri me tjetrin” (Marku 9:50). “Mos murmurisni midis jush” (Gjoni 6:43). “Kini të njëjtat mendime njëri me tjetrin” (Rom. 12:16). “Pranojeni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë” (Rom. 15:7). “Kur mblidheni për të ngrënë, priteni njëri-tjetrin” (1 Kor. 11:33). “Mos kafshoni dhe hani njëri-tjetrin” (Gal. 5:15). “Le të mos provokojmë njëri-tjetrin duke patur smirë për njëri-tjetrin” (Gal. 5:26). “Duroni njëri-tjetrin në dashuri” (Efe. 4:2). “Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin” (Efe 4:32). “duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju” (Kol 3 13). “Vështroni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë” (1 The. 5:15). “Mos flisni keq për njeri tjetrin” (Jak. 4:11). “Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin,” (Jakobi 5:16). Ja, deri këtu kemi renditur vetëm një pjesë të vogël të pasazheve “të njëri-tjetrit” nga Dhiata e Re. Ka mbi 59 referenca të tilla.

Të tërë këto pasazhe janë të pa-aplikueshme jashtë kontekstit të kishës lokale. Të tëra këto pasazhe marrin si të mirëqenë ekzistencën e kishës lokale dhe besimtarin si pjesëmarrës aktiv në të. Kuptohet që dikush mund të vijë në kishë e të mos bëjë asnjërën prej tyre për shkak të rebelimit në zemrën e tij. Kuptohet që dikush mund të vijë në kishë dhe të bëjë të kundërtën e tërë këtyre urdhrave qëllimisht për shkatërrimin e bashkësisë lokale. Por thjesht ardhja fizike në kishë nuk është e mjaftueshme. Nuk jemi thirrur që të jemi thjesht prezentë e spektatorë, ngrohës të karrigeve të sallave. Thirrja nga Perëndia është që ti bëjmë tërë këto urdhërime. Përndryshe ato nuk kanë kuptim. Por ato gjithashtu as nuk kanë kuptim dhe as janë të aplikueshme jashtë kontekstit të bashkësisë lokale. Ndaj kujt do ti aplikojë këto urdhëresa një i Krishterë pa kishë dhe pa dëshirë për tu përfshirë në jetën e të tjerëve në një bashkësi?

Një çështje për Krishtin

Ashtu siç e filluam me Krishtin, edhe duhet ta mbyllim me të. Shëndeti ynë shpirtëror dhe jeta jonë e përbashkët si bashkësi është gjithashtu edhe çështje e vetë Krishtit. Ai tha, “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.” Le të kuptojmë e pranojmë që dashuria është një çështje lokale. Dhe bashkësia lokale është vendi ku mund të shpaloset kjo dashuri ndaj njeri-tjetrit për tu parë nga e gjithë bota. Ka njerëz që largohen nga kisha sepse e përjetojnë atë si një vend plot me hipokritë e pa dashurinë për të cilën flet Krishti. Nga ana tjetër, shumë në fakt i besojnë Krishtit sepse shikojnë e përjetojnë me sytë e tyre pikërisht këtë dashuri vetëmohuese si e Krishtit. Kisha lokale është kështu plani i Perëndisë për ungjillëzimin e botës, dhe jo organizatat parakishtare.

Në fakt Kisha është në qendër të planit të Perëndisë dhe jo individët. Kur Pali u la amanetet e fundit pleqve të Kishës në Efes, ai u tha “Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij” (Vep. 20:28). Efesianëve tashmë Pali u pat dërguar një letër ku ndër të tjerash u shkruante, “Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të” (Efe. 5:25). Për shkak të egocentrizmit të natyrshëm të njeriut mëkatar, dhe për shkak të frymës individualiste të kohës tonë, ne kemi tendencën të mendojmë se ne si individë jemi në qendër të planit të Perëndisë. Jo! Kisha është në qendër të planit të Perëndisë. Bashkësia lokale e trupit të Krishtit është në qendër të planit të Perëndisë. Vini re kohën e tashmë të kësaj deklarate. Sauli, ishte rrugës për në Damask, ku kishte si qëllim që të persekutonte kishën atje, kur Krishti i shfaqet dhe i thotë, “Përse më përndjek?” (Vep. 9:4).  Sauli po përndiqte kishat lokale, ndërsa Krishti i flet për vetën. Sauli do të bënte diçka në të ardhmen, Krishti i flet për të tashmen. Dhe Krishti nuk e pyeti Palin, “Përse përndjek të krishterët?” dhe as “Përse përndjek kishën?”, por “Përse më përndjek mua?”. Kjo sepse Krishti identifikon plotësisht veten e tij me kishën e tij, madje edhe me bashkësinë lokale. Kisha është trupi i tij. Për këtë arsye, kisha ishte në qendër të planit të përjetshëm të Perëndisë në sakrificën e Krishtit në kryq, dhe kisha vazhdon të jetë në qendër të planit të Perëndisë si sipërmarrja e shqetësimi i tij personal. Krishti e deshi kishën e tij deri në kryq, dhe Krishti vazhdon ta dojë e të kujdeset për kishën e tij deri në përjetësi.

Dimë pra nga Bibla, por edhe nga përvoja disa mijëra vjeçare, se praktika e jetës së Krishterë nuk është diçka që duhet bërë apo që mund të bëhet vetëm. Të jesh i krishterë është vërtetë një çështje personale, por jo private. Besimi dhe shëndeti shpirtëror janë çështje personale, por njëkohësisht çështje e të gjithëve, çështje të njëri-tjetrit, dhe mbi të gjitha një çështje e vetë Krishtit.