• on 08/04/2017

Bekimi i Madh – Gjoni 20:29

Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar! – Gjoni 20:29

 

Një prej karakteristikave interesante të Fjalës së Perëndisë është se ajo ka më shumë deklarata bekimi se sa mallkime.

Në fakt Bibla fillon me një bekim. Pas çdo dite krijimi, Perëndia e bekoi atë duke thënë se ishte e mirë. Bibla mbaron me një bekim, “Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen” (Zbu. 22:21). Ndërmjet këtyre dy kapitujve ka bekime si, “Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumojuni, mbushni tokën e nënshtrojeni” (Zan. 1:28); “Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim” (Zan. 12:2); “Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi” (Zan. 35:9); “Zoti të të bekojë dhe të të ruajë! Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty! Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!” (Num. 6:24-26); “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve,” (Psa. 1:1); “Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij” (Psa. 33:12); “Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit” (Psa. 119:1); “Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin” (Rom. 4:7-8); “Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: ‘Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t’i ndjekin’.” (Zbu. 14:13). Ka të paktën 400 pasazhe në Dhiatën e Vjetër që flasin për bekimet e Perëndisë, dhe mbi 100 të tilla në Dhiatën e Re.

Nuk është aspak e habitshme, që në kontekstin e kësaj karakteristike të mrekullueshme të Perëndisë tonë dhe të zbulesës së tij, të gjejmë se Zoti ynë Jezus Krisht, Perëndia i trupëzuar, gjithashtu foli shumë fjalë bekimi gjatë shërbesës së tij këtu në tokë. Lumturitë tek Mateu 5:3-11 janë një shembull i parë. Por ai bekoi fëmijë (Marku 10:16); dishepujt e tij (Mat. 16; 16:17); ai deklaroi bekime mbi shërbëtorët besnikë të Perëndisë (Mat. 24:46); mbi ata që dëgjojnë Fjalën e Perëndisë dhe e mbajnë atë (Luka 11:28). Po kështu kemi edhe bekimin në fund të Ungjillit sipas Gjonit 20:29,  “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!”

Ky deklaratë bekimi është e rëndësishme, sepse është e fundit që del nga goja e Krishtit ndërsa është ende në tokë, dhe si rrjedhim, nuk i adresohet vetëm një personi, por tërë atyre që do ti besonin atij si shpëtimtarin e tyre.

Kuptimi i Bekimit

Çfarë kupton Krishti me këto fjalë? “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!”A mos po thotë që besimi subjektiv është më i mirë se sa besimi objektiv? A është besimi pa prova në ringjalljen e Krishtit më i mirë e më i bekuar se sa besimi me prova, si ai i dishepujve dhe i Thomait? E vështirë ta besosh se është kështu, sepse Krishti iu paraqit dishepujve, e madje e lejoi Thomain që ti inspektonte shenjat që gozhdët e kryqëzimit i kishin lënë në trup, vetëm e vetëm që Thomai e çdo dishepull tjetër të besonte. Gjithashtu, nuk kjo mënyra se si i shikon vetë Gjoni këto fjalë të Krishtit. A thotë se i ka shkruar gjithçka që Krishti pat thënë e bërë që ne sot të besojmë (10:31). Apostulli Pal e ndërton vërtetësinë e besimit të Krishterë mbi faktet historike të paraqitjes personale të Krishtit ndaj më shumë se 500 vëllezërve njëherësh (1 Kor. 15).

Jezusi nuk po promovon një besim subjektiv e pa prova. Ai po fliste për një besim që kënaqet e mjaftohet në fjalën e Perëndisë, apo në gjithçka tjetër që vetë Perëndia vendos që të japë për të forcuar besimin tonë. Thomai kërkonte një vizion të Krishtit, ta shikonte mrekullinë me sytë e tij, ai donte ti shikonte vetë evidencat e veprave të Perëndisë. Predikimi i lajmit të mirë të ngjalljes së Krishtit, që atij i erdhi nga vëllezërit e tij apostolikë nuk ishte i mjaftueshëm për të. Këtë qëndrim po adresonte Krishti kur tha, “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” Besimi që basohet jo mbi vizionet, mrekullite, përjetimet esoterike, apo format e ndryshme të suksesit të kësaj bote, por besimi që bazohet mbi atë që mjaftohet dhe të jep Perëndia është besimi superior. Thomai pat thënë, se në qoftëse nuk e shikoj me sytë e mi Krishtin e ringjallur, unë nuk do të besoj. Pra, refuzoj të besoj predikimin e lajmit të mirë, refuzoj ti besoj ngjarjes së ngjalljes së Krishtit, nëse unë nuk e shikoj Krishtin vetë me sytë e mi. Në dukje, duket sikur është dicka e Perëndishmë për Thomain, dhe për shumë të tjerë sot që kanë të njëjtin doktrinë e qëndrim. Por Krishti nuk e lavdëron këtë lloj besimi e qëndrimi që i vendos kushte Perëndisë.

Sot në kishën ungjillore ka shumë që thonë se nëse do të shikonim vizione, mrekulli, nëse Perëndia do të na fliste ne vetë personalisht një fjalë vetëm për veten tonë dhe vetëm në veshin tonë, nëse Perëndia do të na bekonte me këtë apo me atë, atëherë besimi ynë do të linde, do të forcohej e madje do të bëje shumë vepra madhështore për Perëndinë. Në fakt e kundërta është e vërtetë.

Le të marrim vizionet. Në Bibël shumë persona patën vizione madhështore të Perëndisë dhe veprave të tij e megjithatë besimi i tyre nuk u bë më i fortë e më i shëndetshëm. Izraelitët e Moisiut përjetuar mrekulli pas mrekullie në Egjipt, në Detin e Kuq, në shkretëtirë, në malin e shenjtë, dhe jo vetëm një herë. E megjithatë ata vdiqën të tërë në shkretëtirë e pa e marrë bekimin e Tokës së Premtuar.

Së pari, Perëndia nuk i bekon motivet e gabuara, dhe zakonisht kur njeriu i vë kushte Perëndisë e bën këtë gjithnjë për motivet e gabuara. Perëndia as nuk i bekon dhe as nuk u përgjigjet atyre. Së dyti, nëse Perëndia do ti nënshtrohej kushteve të tilla, ne do të kishim një opinion shumë më të lartë për veten tonë, sepse do të kishin përjetime që nuk do ti kishin të tjerët. Së treti, nuk është e provuar që vizionet të nxisin e forcojnë besimin. Kjo sepse është besimi ai që shpjegon dhe nxit përjetimin dhe jo e anasjellta. Judenjt morën tërë provat e mundshme si në Dhiatën e Re ashtu edhe në Dhiatën e Vjetër dhe përsëri nuk besuan.

Le të marrim mrekullitë apo aktet e tjera të veçanta të provanisë (apo providencës) së Perëndisë. Nëse do të merrnim mrekulli nga Perëndia, ndoshta jo në mënyrë të shpeshtë apo të përditshme, por të paktën në mënyrë të zakonshme, një herë ne javë apo në muaj, atëherë gradualisht besimi ynë do të bëhej i pandjeshëm ndaj tyre. Ne harrojmë që buka e përditshme, shëndeti, shikimi e dëgjimi, rrahja e zemrës, ngjizja dhe lindja e fëmijëve janë të tëra bekime nga Perëndia, dhe prova të dashurisë së tij ndaj nesh. Por kaq të zakonta janë këto, sa që ne harrojmë që ta falënderojmë atë në lutje, apo që të mahnitemi sa duhet me mirësinë e tij ndaj nesh. Këto bekime e prova janë të përditshme ndaj nesh e si rrjedhim ne mësohemi kaq shumë me to, sa bëhemi të pandjeshëm ndaj tyre.

Le të marrim përjetimet esoterike. Ka njerëz që besojnë se po të kemi më shumë nga këto përjetime, besimi ynë do të ishte edhe më i fortë. Pali flet tek 1 Kor. 12:9-10 për dhuratat e shërimit, të profecisë dhe të bërjes së mrekullive, apo edhe të gjuhëve të panjohura e interpretimit të tyre, dhe shumë mendojnë sikur ti kishim të tëra këto gjithsecili prej nesh do të ishim shumë më të lumtur apo shumë më të fortë në besim. Por as kjo nuk nuk është e vërtetë. Kisha e Korintit i kishte keto dhe ishte në rrëmujë të plotë, e madje më mëkate skandaloze në mes të saj, dhe pa forcën që vjen prej besimit, për ti adresuar ato. Sigurisht që këto dhurata Perëndia i jep për forcimin e bekimin e Kishës. Pali e pranon këtë gjë. Por lexuesi i kujdesshëm i këtij kapitulli do të vërë re që Pali nuk na inkurajon që ne ti dëshirojmë këto përjetime, nuk deklaron bekime për ata që i kanë këto, dhe madje në fakt ai na paralajmëron që të kemi kujdes me to. Përse? Sepse bekimet e ungjillit janë për ata që ecin sipas besimit dhe jo sipas shikimit. Bekimet e ungjillit janë për ata që jetojnë përmes besimit të tyre në karakterin dhe mirësinë e Perëndisë dhe jo të bazuar në evidencat e vizioneve, mrekullive apo të përjetimeve të tjera të pazakonta.

Le të marrim doktrinën e “ungjillit të prosperitetit.” Ky ungjill i rremë thotë se ata që marrin bekime materiale në këtë botë, janë ata që janë me të vërtetë të bekuar. Suksesi në sferën profesionale, akademike, sociale e ekonomike janë provat që fuqizojnë besimin tonë. Ka kisha që janë të obsesur me rritjen numerike, dhe është kjo mënyra se si e interpretojnë bekimin e Perëndisë dhe evidencën e dashurisë së Perëndisë për ta. Nuk po themi këtu se nuk duhet të përpiqemi që ti shohim kishat tona duke u rritur si në shat ashtu edhe në pjekuri shpirtërore. Nuk po them se të krishterët nuk duhet të punojnë fort dhe besnikërisht që të sigurojnë për familjet e tyre dhe kishën ku bëjnë pjesë. Por ne nuk duhet që ta lidhim besimin tonë në Perëndinë me gjëra të tilla si shumën e parave në xhep apo shumën e të Krishterëve në Kishë.

Çfarë është besimi? Besimi është mbështetja e plotë në Perëndinë, mbi bazën e Fjalës së Tij, dhe të vepruarit sipas saj. Ky është besimi i vërtetë. Ky është besimi që Perëndia bekon. Perëndia bekon besimin e vërtetë dhe jo përjetimin e gjërave jashtë normales të jetës së Krishterë.

Përmbajtja e Bekimit

Cila është përmbajtja e bekimeve të Perëndisë? Çfarë përfshihet në këto bekime? Do ti përgjigjem kësaj pyetje me pasazhe nga Ungjilli sipas Gjonit. Ky Ungjill u shkrua “që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij” (Gjoni 20:31). Në fakt fjala besim (pisteo) dhe derivatet e saj në Greqishten e vjetër gjenden më shumë në këtë Ungjill se sa në çdo libër tjetër të Biblës, plot 101 herë. Pra për Gjonin, besimi është qëllimi kryesor dhe me një rëndësi parësore për bekimin tonë. Çfarë bekimesh marrin ata që besojnë? Nga ky Ungjill do të listojmë vetëm dhjetë bekimet më të rëndësishme:

  1. Përmes besimit ne bëhemi fëmijë të Perëndisë dhe kështu marrim privilegjin e adoptimit dhe të anëtarësisë në familjen frymore të Perëndisë. “Të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,” (Gjoni 1:12). Ky është bekimi më i madh dhe burimi i të tëra bekimeve të tjera që pasojnë.
  2. Përmes besimit ne kemi jetën e përjetësme. Ky është mësimi i vargut më të njohur të Biblës, Gjoni 3:16. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Vdekja është një armik (1 Kor. 15:26). Por vdekja do të mundet nga jeta e përjetshme, e cila na bashkon me Krishtin që ngadhënjeu mbi të.
  3. Përmes besimit ne shpëtohemi nga gjykimi. Jezusi tha, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24).
  4. Përmes besimit ne futemi në bekimin e përmbushjesh frymore tani në këtë botë: “Dhe Jezusi u tha atyre: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje’,” (Gjoni 6:35). Të vish tek Krishti do të thotë ti besosh Krishtit, kjo është cfarë paralelizmi letrar sugjeron. Pra, besimi në Krishtin na përshkruhet si . Pra, besimi në Krishtin na përshkruhet si çelësi që kënaq e ërmbush të gjitha nevojat dhe lëngimet tona shpirtërore.
  5. Besimi është instrumenti përmes së cilit ne futemi në ngjalljen e fundit. Krishti tha, “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë” (Gjoni 11:25-26). Bekimi i ringjalljes është për të gjithë ata të cilët ibesojnë Jezusit.
  6. Besimi në Jezusit është gjithashtu edhe mënyra se si ne bëhemi një bekim për të tjerët, ndërsa Fryma e Shenjtë që punon në ne, komunikon përmes nesh, (si ato enët komunikuese për të cilat kemi mësuar në lëndën e fizikës në shkollë), të gjitha bekimet e Perëndisë. “‘Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.’ Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar” (Gjoni 7:38-39). Pamja që na krijohet ndërsa lexojmë këto fjalë është e një lumi të madh që rrjedh përmes një shkretëtire dhe që i jep jetë e gëzim kujdo që shkon atje.
  7. Përmes besimit ne shikojmë lavdinë e Perëndisë. Krishti tha, “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?” (Gjoni 11:40). Pa besim ne bëhemi si paganët, të cilët edhe pse të rrethuar nga lavdia e Perëndisë që është e zbuluar në mënyrë aq madhështore në mrekullinë e kozmosit e të natyrës në tokë, nuk janë në gjendje që të zbulojnë përmes tyre, atributet e mrekullueshme të Perëndisë, duke ia atribuuar këto mrekulli, idhujve të imagjinatës së tyre. Vetëm nëse njeriu shikon Perëndinë përmes syve të besimit tek Krishti, mendja e zemra jonë hapet për të parë  siç duhet, e madje edhe për ta shijuar siç duhet Perëndinë dhe krijesën e tij.
  8. Besimi është sekreti i një jete të shenjtë. Krishti tha, “Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë” (Gjoni 12:46). Në retorikën Biblike, errësira i referohet errësirës së mëkatit (shiko 1 Gjonit 1:5-10). Ecja në dritë është ecja në perëndishmëri e shenjtërinë e jetës së re, përmes jetës së re, shpirtërore dhe morale që buron e prodhuar në ne nga Perëndia.
  9. Përmes besimit vjen bekimi i një jetë të frytshme dhe e dobishme. Krishti tha, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati” (Gjoni 14:12). Kjo nuk do të thotë që të gjithë ne do të jemi në gjendje që të bëjmë mrekullia, edhe pse këto kanë ndodhur veçanërisht nënë shërbimit apostolik të dishepujve të Krishtit. Ky bekim i referohet shërbesës së ungjillëzimit, misionit, dëshmimit dhe predikimit të Krishtit, dhe të shërbimeve të tjera të kryera nga të Krishterët me përuljen dhe dashurinë si të Krishtit. Këto vepra të mëdha mund të bëhen nga të gjithë ata që i besojnë fjalës e premtimeve të Perëndisë, dhe me kurajë e vendosin vetveten në mundësi shërbimi.
  10. Përmes besimit ne marrim përfitimet e lutjes që Krishti bëri për ne. Krishti iu lut Atit të tij kështu, “Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,” (Gjoni 17:20). Siç thotë edhe Jakobi, “shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jak. 5:16). Imagjinoni për një çast se sa shumë herë më efektive dhe bekuese është lutja e Zotit Krishti për ne, e Birit, me të cilin Atit ishte aq shumë i kënaqur për shkak të shenjtërisë së tij të përsosur. Edhe nëse nuk do ti kishim bekimet e tjera të përmendura më sipër, vetëm ky bekim do të ishte I mjaftueshëm për ti zëvendësuar të gjitha ato.

Thirrja e Bekimit

Çfarë kemi studiuar më lart ka aplikimin të drejtpërdrejtë ndaj të Krishterëve, atyre që i kanë besuar Jezusit, si marrësit e këtyre bekimeve. Por këto bekime kanë një aplikim edhe për ata që nuk i kanë besuar Jezus Krishtit si Shpëtimtarit dhe Zotit të tyre. Dhe thirrja është pikërisht kjo: Besoji Krishtit Jezus, si Shpëtimtarit dhe Zotit tënd.

Mos thuaj siç bëjnë shumë, “Unë do ti besoj Krishtit vetëm nëse më shfaqet personalisht, vetëm nëse Ai vetë ma provon ekzistencën e tij. Dua shenja, prova, mrekulli të pakontestueshme që unë të besoj.” I dashur lexues, mos mendo për asnjë çast, se në momentin kur të përjetosh mrekulli apo vizione hyjnore, ti do të besosh. Mund të duket e çuditshme por kështu ndodh gjithnjë. Faroni nuk i besoi dhe as iu nënshtrua Perëndisë edhe pse Ai i dha 10 mrekulli, 10 plagët e Egjiptit, madje humbi edhe birin e tij të parëlindur, e të tërë ushtrinë e tij. Faroni vdiq mosbesues pavarësisht provave e mrekullive madje të dhimbshme për jetën e tij. Problemi yt nuk është mungesa e mrekullive apo e shenjave a provave të veçanta, por mëkati në zemrën tënde. Problemi është mëkati. Ti je mëkatar si edhe cdo njeri tjetër në këtë botë. Dhe Jezusi është zgjidhja e problemit të mëkatit tënd. Ai vdiq për ty. Për ty ai morri e mbajti mbi trupin e shpirtin e tij dënimin e mallkimin e Perëndisë, me qëllim, që ti të marrësh prej tij, bekimet e tij. Por ti duhet të vish tek Perëndia në përulje, në besim, me pendim. Ti mund të mos e shikosh atë me ty sot, por ti mund ta gjesh atë, nëse e kërkon atë me tërë zemrën tënde sot.