Bekimi i Ditës së Zotit

  • on 06/01/2018

Bekimi i Ditës së Zotit

Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh sabatin, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan sabatin kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua, 14 do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur”. Isaia 58:13-14

Ky është premtimi i Perëndisë për ty. Nëse nuk dhunon Ditën e Zotit, nëse e nderon atë duke e konsideruar e deklaruar atë kënaqësi, ti do të bekohesh. Mbi të gjitha, “…në rast se e quan sabatin kënaqësi… të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti” Perëndia do të të bekojë.

Barrë apo Kënaqësi?

A është për ty e Diela, Dita e Zotit, një barrë apo kënaqësi? Shumë besimtarë ungjillorë sot, dhe ndoshta edhe shumë prej nesh në kishën tonë të vogël, e përjetojnë Ditën e Zotit si një barrë dhe jo si një bekim. Sigurisht që nuk e themi këtë gjë me fjalë por me vepra. Përtesa dhe vonesa me të cilën vijmë të adhurojmë Perëndinë së bashku si bashkësi, padurimi që tregojmë gjatë Shërbesës së Adhurimit dhe në Shkollën e të Dielës, shpejtësia për tu larguar nga bashkësia dhe këto shërbesa pas mbarimit të tyre, gatishmëria për të munguar prej tyre nëse na del një punë tjetër sado e vogël apo e parëndësishme, të gjitha këto janë prova që për ne është barrë veçimi i tërë ditës së Diel vetëm për gjërat e Perëndisë. Në fakt, këto që u thanë më sipër janë prove që edhe ato dy orë që ia kushtojmë adhurimit të përbashkët e publik të Perëndisë, popullit të Perëndisë, dhe qëllimeve të Perëndisë janë një barrë për shumë prej nesh sot.

Kjo, kur në fakt e Diela është Dita e Zotit. E gjitha është e Tij. Jo vetëm dy orë por të njëzet e katër orët e saj nuk janë tonat. Ato janë të Perëndisë. Ai i ka veçuar ato që të na bekojë dhe jo të na rëndojë, që ne ti pranojmë e përjetojmë si një privilegj e hir i pameritueshëm dhe jo si një barrë e rëndë të cilën nuk e meritojmë. E madje Ai edhe na premton, edhe pse nuk ka se përse ta bëjë këtë gjë, që do të na bekojë nëse gjejmë kënaqësi në Ditën e  Tij, në adhurimin e tij, në mes të popullit të tij. Por fatkeqësisht, kjo është mënyra se si sot shumë të krishterë e mendojnë, e ndjejnë, dhe e përjetojnë Ditën e Zotit, çdo orë të saj, e madje edhe ato pak minuta prej saj që ia kushtojnë adhurimit të Perëndisë dhe grumbullimit me popullin e tij.

Bekimi i Ditës së Zotit

Dita e Zotit nuk u projektua për të qenë një barrë për ju që jeni në Krishtin, por një kënaqësi e bekim. Prandaj, për të parë se si kjo ditë është kënaqësi dhe si mund të jetë kënaqësi për ne, le të përpiqemi të kuptojmë qëllimin e kësaj dite. Nga Dhjetë Urdhërimet, më shpesh e harruar është e katërta, e cila thotë:

Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. 9 Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; 10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; 11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë. (Eksodi 20: 8-11)

Përse e krijoi Perëndia ditën e sabatit për njeriun?

Së pari, Perëndia krijoi ditën e Sabatit për njeriun, për të na dhënë pushim nga puna jonë. “Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; 10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd”. Zoti na krijoi që të punonim dhe na dha gjashtë ditë për të bërë të gjitha punët tona. Para se mëkati të hynte në këtë botë, siç na zbulohet te Zanafilla 3, Perëndia i dha njeriut punë për të bërë. Zanafilla 2:15 na thotë se Ai e vendosi njeriun në kopsht “që ta punonte dhe ta ruante atë”.

Ashtu si Perëndia punoi për gjashtë ditë, po ashtu Ai pushoi ditën e shtatë dhe jo sepse kishte nevojë për pushim, por sepse ishte e përshtatshëm dhe e drejtë për ta bërë këtë. Zanafilla 2:2-3 thotë se Perëndia e përfundoi punën e Tij ditën e shtatë dhe u çlodh, dhe më pas e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi atë, sepse atë ditë ai u çlodh nga gjithë vepra e krijimit të Tij. Njeriu, pra, nëpërmjet shembullit të Zotit, duhet ta ndjekë Atë në mbajtjen e urdhërimit të katërt (Eksodi 20:8-11) dhe të pushojë nga puna e tij sepse kjo është e përshtatshme dhe e drejtë për ne në sytë e Zotit. Zoti ynë krijoi një ditë të shtatë për të qenë më e veçantë se të gjitha ditët e tjera. Ky nuk është një urdhër vetëm për judenjtë sepse nuk iu dha vetëm Judenjve. Ky urdhër e bekim është për tërë njerëzimin, para dhe pas Krishtit, në apo jashtë Krishtit, sepse iu dha Adamit dhe përmes tij tërë njerëzimit, menjëherë pas krijimit të tij. Kjo është një urdhëresë e krijimit.

Je të kujtojmë edhe dhënien e urdhërimit të katërt përmes Moisiut, në mënyrë që të shikojmë se sa e rëndësishme dhe i fuqishëm është kjo ditë me të vërtetë edhe sot. Zoti e kishte çliruar Izraelin nga Egjipti ku ishin skllevër. Për 400 vjet, kombi i Egjiptit nuk kremtoi të shtunën; ata nuk kishin ditë pushimi. Sa e ëmbël dhe e çmuar një ditë pushimi është në një kontekst të tillë. Gjatë sistemi komunist në Shqipëri, njeriu duhej të punonte si skllav kundrejt një pagese të vogël nga e hëna e deri të shtunën. Me pas, të dielën, duke patur frikë se populli do të festonte Ditën e Zotit, sistemi komunist gjente mënyra e arsye për ti nxjerr njerëzsit për të bërë “punë vullnetare”. Çfarë barre dhe mallkimi! Por Perëndia i dha sabatin Izraelit që të pushonte ditën e shtatë nga punët e zakonshme. Çfarë bekimi e kënaqësie.

Megjithatë, për shumë të krishterë ky bekim konsiderohet barrë e zgjedhë. Një nga tundimet e para që provojmë pasi kemi ardhur në shtëpi nga shërbesa e të dielës është të punojmë ose të bëjmë kënaqësitë tona dhe jo ato të Zotit tonë. Ne mbushim pjesën e mbetur të Ditës së Zotit me mendimet e punës që bëjmë në gjashtë ditët e tjera, dhe biseda a projekte, aktivitete apo takime, me lexime apo me studime që kanë të bëjnë me javën në vijim. Disa prej nesh kthehen në punë ose do të punojnë në shtëpi. Zoti na thërret që të punojmë fort gjashtë ditë të javës, por Ai me dashamirësi, e pa e merituar atë, na dha pushim prej saj. Lavdi Zotit, ne nuk duhet të jemi skllevër si Izraeli në Egjipt; Ai na ka dhënë liri në Krishtin!

Së dyti, Dita e Zotit është e krijuar që të na japë pushim për shpirtrat tanë. Zoti e ka urdhëruar këtë ditë të jetë veçanërisht i shenjtë; për rrjedhojë, ne mblidhemi së bashku në adhurimin publik. Ndërsa adhurojmë, na është dhënë mundësia e madhe që shpirtrat tanë të mbushen nga Zoti me Fjalën e Tij. Kur adhurojmë, ne lusim Fjalën, këndojmë Fjalën, lexojmë Fjalën, dëgjojmë Fjalën e predikuar dhe ndiejmë dhe shohim Fjalën në sakramentet. Prandaj, Fjala mbush mendjen tonë, e cila përfundimisht, nëse merret me besim, mbush shpirtrat tanë.

Ndërsa Fjala na mbush, ne e shohim dashurinë e Perëndisë në Krishtin Jezus, i cili na shpëtoi nga të gjitha mëkatet dhe fajet tona. Ne bëhemi më të vetëdijshëm për mëkatet tona nga java e kaluar dhe e kuptojmë se janë falur në Krishtin. Mëkatet që ne do të kryejmë në javën e ardhshme janë të mbuluara nga gjaku i Jezusit dhe shpirtrat tanë gjejnë prehje para fronit të mëshirës së Tij. Në adhurim, na dhurohet në shpirtrat tanë atë që është fitimprurëse për mësim, qortim, korrigjim dhe mësim në drejtësi, që secili prej nesh që është në Krishtin të jetë i plotë, i pajisur plotësisht për çdo vepër të mirë (2 Timoteu 3:16-17). Ka një pushim të bekuar për shpirtrat tanë në Ditën e Zotit.

Së fundi, Dita e Zotit ka për qëllim të na japë pushim në Zotin. Synimi kryesor i njeriut është që ta përlëvdojë Perëndinë dhe ta shijojë Atë përgjithmonë. Megjithatë, shumica e jetës sonë është e përqendruar në punën tonë, në shtëpinë tonë, në kohën tonë, në planet tona, në kënaqësitë tona. Sigurisht që duhet që ta lavdërojmë Perëndinë dhe ta shijojmë prezencën e Tij edhe përmes punës sonë, shtëpisë, kohës, planeve dhe kënaqësive të kësaj jete, por thirrja jonë është që gjashtë ditë të javës të shpenzohen në impenjimet e jetës së përditëshme. Por me qëllim që ne të kuptojmë nevojën tonë për Zotin, për prehjen, për pendimin nga mëkatet, si dhe për të gjitha bekimet e tjera të Perëndisë, Zoti krijoi Sabatin, Ditën e Zotit – një ditë nuk fokusohet tek ti dhe impenjimet e tua, por tek Ai; një ditë jo ku punoni për veten tuaj për të marrë përfitime fizike tani, por kur ju dorëzoni veten tuaj te Shpëtimtari dhe Zoti juaj dhe merrni përfitime që do të zgjasin për përjetësinë.

Si rrjedhim, si mund të jetë pushimi në Zotin një barrë e mallkim?! Përpiqeni të kuptosh dashurinë e Perëndisë për ty nëpërmjet dhënies së kësaj dite. Ishte dëshira e Perëndisë që të ju jepte ju një ditë nga shtatë pikërisht për të të bekuar ty në një mënyrë të veçantë. Perëndia ju jep pesëdhjetë e dy ditë të shenjta në vit, një çdo javë, për ta festuar Zotin, për të gjetur kënaqësi në prezencën e tij, dhe jo për të qenë një barrë e një mallkim për ju. Prandaj, shikoje me gëzim në zemrën tënde, çdo javë, Ditën e Zotit, si ditën e kënaqësisë së ëmbël, të cilën Mbreti i universit ka bërë për ju.

Por ju mund të bëni pyetjen: “Si do ta kryej të gjitha punët, detyrat apo impenjimet e mia nëse nuk punoj edhe në Ditën e Zotit? Gjashtë ditët e tjera të javës nuk do të më mjaftojnë!” Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje që vjen nga mungesa e besimit dhe është vetëm një justifikim është i thjeshtë dhe shpesh anashkalohet. Perëndia është sovran mbi gjithçka, përfi këtu edhe mbi impenjimet, detyrimet, nevojat dhe detyrat tona të përditëshme, si edhe mbi kohën dhe fuqinë tonë. Për këtë arsye urdhërimet e Perëndisë vijnë me premtime. Nëse ne i nderojmë ato, Perëndia do të na nderojë ne. Nëse ne nderojmë Ditën e Zotit, ai do të na bekojë ditët e javës. Ai premton, “unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur” (Isaia 58:14).

Dita e Zotit u bë për ne. Le të jetojmë sikur Dita e Zotit të jetë e Zotit dhe jo e jona. Le të mos diktojmë mbi të mënyrat e qëllimet tona të nisur nga mosbesimi dhe mosbindja jonë, por le të ndjekim Zotin në atë që Ai dëshiron. Ai na jep pushim nga puna, pushim për shpirtrat tanë dhe pushim në Birin e tij, Zotin Jezus. Le të jetojmë sikur dita më e rëndësishme e javës është Dita e Zotit, sepse është pikërisht e tillë; është dita kur ne e festojmë ringjalljen e Jezu Krishtit nga të vdekurit, ku Ai siguroi drejtësimin tonë dhe fitoi fitoren për ne (Romakëve 4:25, 1 Korintasve 15:57). Ai na bëri më shumë se fitimtar mbi vdekjen dhe fitoi për ne pushimin e përjetshëm (Romakëve 8:37, Hebrenjve 4:1-13). Le të kujtojmë çdo javë, se e Diela është dita që Zoti ka bërë dhe ne do të gëzohemi dhe do të jetë i lumtur në të (Ps 118:24).