Arrestimi i Jezusit – Gjoni 18:3-11

  • on 08/04/2017

Arrestimi i Jezusit – Gjoni 18:3-11

 

E Enjte e Urdhëresës së Madhe, 2016

Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.

Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?”.

Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas”.

Jezusi u tha atyre: “Unë jam!”. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. Sapo ai u tha atyre: “Unë jam”, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.

Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?”.

Ata thanë: “Jezusin Nazareas”.

Jezusi u përgjigj: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë”; që të përmbushej fjala që kishte thënë: “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë”.

Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.

Por Jezusi i tha Pjetrit: “Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?”.

 

Sovraniteti i Jezusit edhe në momentin e arrestimit të tij. Kjo është një prej gjërave që të bie menjëherë në sy, ndërsa lexojmë këto vargje nga përshkrimi, që Gjoni në frymëzimit e Frymës së Shenjtë, i bën ngjarjeve që ndodhën në momentin e arrestimit, dhe madje të tërë asaj natë të bekuar. Jezusi dhe jo arrestuesit e tij janë në kontroll të situatës. Ishte Jezusi ai, që u vonua qëllimisht në kopshtin e Getsemanesë, madje në lutje, për të siguruar takimin me arrestuesit e tij. Ishte Jezusi ai që u doli atyre vullnetarisht përpara për tu siguruar që ata nuk do të arrestonin personin e gabuar. Ishte Jezusi ai që u dorëzua vullnetarisht. Ishte Jezusi ai që madje edhe në momentin e arrestimit, tregoi sovranitet të plotë mbi situatën, duke treguar një fuqi hyjnore mbi ushtarët, hir ndaj dishepujve të tij, dhe mëshirë ndaj armiqve të tij.

Kemi të bëjmë me një situatë absurde dhe qesharake në të njëjtën kohë. Njerëz që vijnë me hunj e shpata  për të arrestuar Birin e Perëndisë. Përshkrimi që i bën Gjoni ngjarjen nuk na lejon që të mos e vëmë re këtë ironi. Ungjilli i Gjonit thekson se Jezusi ishte Drita e kësaj botë. Në kapitullin e parë ai e thekson këtë gjashtë herë në nëntë vargje. Dy herë ai e citon Krishtin që të deklarojë se ai është “drita e botës” (8:12; 9:5). Dhe në këtë kapitull, shikojmë njerëzit e errësirës, nën pushtetin e errësirës, që me fenerë e pishtarë, vijnë për ta arrestuar atë në mes të errësirës.

Por ata vijnë edhe me armë. Dhe kjo është ironia e dytë. Nga pikëpamja e tyre, arrestuesit e Krishtit e menduan se kjo ishte e domosdoshme. Armiqtë e tij, siç edhe sot e kësaj ditë, kanë frikë prej tij, dhe ndruheshin se çfarë do të ndodhte nëse ai do të vendosë që ti rezistonte arrestimit. Frika e tyre, pavarësisht injorancës së tyre ishte plotësisht e logjikshme. Nëse Biri i Perëndisë do të zgjidhte që ti rezistonte arrestimit, asnjë lloj arme nuk do të kishte qenë e mjaftueshme ndaj tij. E vërteta biblike që Gjoni ka për qëllim që të na komunikojë përmes këtyre vargjeve, është që Jezusi e dha veten e tij, vullnetarisht, për të na shpëtuar ne.

Sot, armiqtë e Krishtit, në budallallëkun e tyre shpirtëror, e sulmojnë atë po në të njëjtën mënyrë, me armët, fenerët dhe pishtarët e kohës së sotme. Sigurisht jo me pishtarë e fenerë të vërtetë, por nën “dritën e progresit” apo nën “dritën e arsyes.” Pavarësisht se sa impresionuese mund ti duken këto mendjes njerëzore, ato janë errësirë të krahasuara me atë që është vetë Drita. Drita e tij nuk mund të shuhet nga drita jonë, sepse ajo varet dhe buron prej tij. Perëndia është burimi i dritës dhe i arsyes. Gjithçka që ne kemi, që përdorim e që ndërtojmë varet prej tij. Logjika buron prej Perëndisë. Fjala buron prej tij. Kur ne refuzojmë që ta pranojmë këtë, që ti nënshtrohemi atij, dhe që ta adhurojmë atë, ne jemi si një fëmijë i vogël, që i biem babait me shkelm në gjoks, sepse është ai që na mban në krahët e tij. Që njeriu të kundërshtojë, të argumentojë apo të flasë kundra Perëndisë, i duhet që më parë të marrë borxh prej Tij fuqinë e arsyes, logjikën dhe fjalën. Njeriu kundërshton apo sulmon Perëndinë me materiale të marra borxh prej tij. Dhe ironia, vetëvrasja dhe budallallëku shpirtëror i njeriut modern konsiston pikërisht në atë që kur njerëzit refuzuan që të adhurojnë Perëndinë, ata “u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. 22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, 23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pa kalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve” (Rom. 1:21-23).

Por tre gjëra dua të theksoj nga ky pasazh sot, fuqinë e Krishtit mbi armiqtë e tij hirin e tij ngulmues për dishepujt e tij, dhe mëshirën e tij kundrejt të gjithëve.

Sovraniteti i Krishtit

Veçoria e parë që mësojmë mbi Krishtin prej këtij pasazhi është sovraniteti i tij hyjnor madje edhe në momentin e arrestimit. Gjoni shënon një incident tepër të rëndësishëm që ungjijtë e tjerë e lënë pa përmendur. Lexojmë se ndërsa ushtarët po i afroheshin Jezusit, ky i fundit, duke e ditur fare mirë se çfarë do të pasonte, ngrihet dhe u del përpara, dhe e fillon po ai vetë procesin e arrestimit me pyetjen: “Kë kërkoni?”

Për shkak të errësirës së natës dhe të zemrave të tyre, ata i përgjigjen, “Jezusin Nazareas.”

Në këtë moment, sipas Gjonit, Jezusi përgjigjet duke thënë, “Unë Jam!” Reagimi i tyre është mjaft i çuditshëm.  “Sapo ai u tha atyre: “Unë jam”, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.”Dhe ata me sa duket qëndruan për dhe deri sa Krishti i lëshoi ata duke i pyetur përsëri. Përse ndodhi një gjë e tillë? Tre arsye kryesore.

Së pari le të shikojmë se cili ishte shkaku i reagimit të tyre të çuditshëm? I zmbrapsjes dhe i rënies përdhe? Sipas tekstin, nuk ishte thjesht qëndrimi kurajoz, pafajësia dhe prezenca imponuese e një profeti të shenjtë, siç me siguri ushtarët e besonin që Krishti ishte, por diçka tjetër shumë më e madhe se kaq. Ata reaguan ndaj deklaratës madhështore dhe me të drejtë frikësuese së Krishtit se ai ishte “Unë Jam!”

Cila është rëndësia e kësaj deklarate? “Unë Jam” apo JHVH (Jehova apo Jahveh) është emrin madhështor i Perëndisë, që ai ia zbuloi Moisiut nga ferrishta që digjej (Eksodi 3). Perëndia i tha Moisiut që emri i tij është JHVH – “UNÉ JAM AI QÉ JAM” (Eks. 3:14). Duke përdorur për veten e tij emrin e shenjtë të Perëndisë, emrin mbi çdo emër (Fil. 2:9-11), Perëndia-Njeri shkaktoi frike e nënshtrim në kampin e atyre që kishin ardhur për ta arrestuar atë, e madje i bëri ta paaftë për ta arrestuar atë.

Ky është një moment i ngjashëm me atë të Shpërfytyrimit në Mal (Mar. 9:2-13; Mat. 17:1-3; Luk. 9:28-36). Në të dyja këto raste, për një moment të shkurtër, perdja e natyrës njerëzore të Krishtit u hap, dhe Biri shpalos lavdinë e fuqinë e personit të tij hyjnor që tabernakullonte nën natyrën e tij njerëzore, nën mantelin e mishit të tij njerëzor (Gjoni 1:14). Në atë moment, ashtu si edhe në momentin e Shpërfytyrimit në Mal, fuqia e lavdia e Birit, Sovraniteti i tij si Jehova, shpërtheu prej qenies së tij, dhe arreston…arrestuesit e tij. Është pak a shumë e ngjashme me përjetimin e Isaisë  kur ai pa Mbretin në tërë lavdinë e tij hyjnore dhe tha, “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive” (Isa. 6:5). Ishte i njëjti reagim me atë të Moisiut, i cili nuk mund të qëndronte në këmbë e të shihte Jehovën në Fytyrë, por vetëm pjesën e “pasme” të lavdisë së tij (Eks. 33:20-23). Dhe kështu, kur Krishti tha, “UNË JAM,” lavdia e shenjtëria e fuqia e tij e brendshme që shpërtheu për një moment prej tij i bëri që ti nënshtrohen.

Përse, sepse vetëm një rreze e vetme e lavdisë dhe e shenjtërisë së Perëndisë, vetëm një moment i manifestimit të hyjnisë së Tij është e mjaftueshme që të konsumojë e shkatërrojë tërë ekzistencën njerëzore. Lajmi i mirë i ungjillit është se ky Perëndi, mbuloi lavdinë e tij me mish njerëzor, e me një natyrë njerëzore, vetëm e vetëm që Ai të na afrohej ne pa na shkatërruar, që ne ti afrohemi Atij, ta prekim atë, dhe të soditnim “lavdinë e tij si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë”, dhe të mos shkatërrohemi. Përkundrazi, që ai të vdesë për ne, me qëllim që ne të kemi jetë dhe ta kemi atë me bollëk, me përjetësi (Gjoni 3:16-18).

Dhe ky është paradoksi i Trupëzimit dhe i tërë jetës së Birit në Tokë që e gjejmë kudo nëpër faqet e Ungjijve. Në lindjen e tij shikojmë dobësinë njerëzore, një bebe i shtrirë në një grazhd. Por kudo nëpër fushat e Betlehemit lindja e tij lajmërohet nga ushtritë qiellore të engjëjve (Luka 2:9-14). Ai u lind i varfër, por një yll drejton mbretër-bërës nga Orienti për ti dhuruar atij ar, temjan dhe mirrë (Mat. 2:11). Në pagëzimin e tij ai u identifikua me mëkatet e popullit të tij, por ai vetë ishte i pamëkatë dhe Ati nga Qielli dëshmoi për të duke thënë “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mat. 3:17). Ai lodhej si çdo njeri e madje flinte siç bëri në barkë kur shpërtheu stuhia, por në të njëjtën kohë ai ishte i plotfuqishëm dhe qetësoi stuhinë e madje ecte mbi det (Luka 8:24). Tek varri i Llazarit ai qau, por kur ai foli fjalën e jetës me fuqi, i vdekuri doli nga varri i ringjallur (Gjoni 11:43). Në kopshtin famëkeq të agonisë, ai u lut si një njeri i pafuqishëm që kupa e hidhërimit të largohej prej tij. Por vetëm disa momente më vonë, ai çohet, shkon e u del përpara armiqve të tij që për ta arrestuar, e madje edhe i befason ata me fuqinë e prezencës së tij.

Ky kombinim i natyrës së tij njerëzore dhe hyjnore është arsyeja e veprime të Jezusit në këtë moment. Kjo kishte për qëllim që të shpaloste në këtë moment që ai ishte më shumë se sa njeri. Ai ishte plotësisht njeri. Por ai ishte gjithashtu edhe Perëndia i zbuluar në mish. Ai donte që ne të dinim e të besonim se ai ishte plotësisht njeri e plotësisht Perëndi, dhe si i tillë ai vullnetarisht eci drejt kryqit për shpëtimin tonë. Përse? Sepse Ndërmjetësi i Perëndisë me njeriun, Shpëtimtari duhet të jetë njëkohësisht plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Përse? Ai duhet të jetë njeri, sepse njeriu ishte ai që mëkatoi dhe po njeriu duhet të vdesë. Por Ai duhet të jetë edhe Perëndi, me qëllim që vdekja e një njeriu, e madje e një njeriu të vetëm, të ishte plotësisht e mjaftueshme si haraç, si shpagim për mëkatin tonë.

Por së dyti, ky ngjarje na shpalos edhe që vdekja e tij ishte e vullnetshme dhe jo e detyruar. Asnjë lloj armate apo arme nuk do të kishte qenë në gjendje që ta arrestonte atë, nëse ai nuk do ta dëshironte një gjë të tillë. Ushtria qiellore e Engjëjve të Perëndisë ishin në shërbim të tij. Në fakt, vetë Biri është komandanti i kësaj ushtrie. Ai iu shfaq Jozueut si “Kreu i ushtrisë së Zotit” me një shpatë të zhveshur në dorë (Joz. 5:13-14). Para tij Jozueu ra përmbys e i zbathur.

Por së treti, Jezusi veproi në atë mënyrë që na e përshkruan Gjoni, edhe për ti lënë pa shfajësim arrestuesit e tij. Nga ai moment e mbrapa, nëse ata nuk do të pendoheshin dhe besonin në të, ata nuk do të kishin asnjë justifikim për të thënë se nuk e dinin se kë po arrestonin. Ata nuk ishin më injorantë të lavdisë dhe forcës së tij hyjnore. Kështu do të jetë edhe në ditën e dytë të Krishtit, atë të ardhjes së tij të dytë. Edhe në atë ditë, ai do ti zbulojë botës madhështinë, shenjtërinë dhe pushtetin e personit të tij, dhe së bashku me të, edhe fajin, rebelimin dhe mëkatin e papranueshëm të njeriut. Por ajo do të jetë një ditë gjykimi dhe jo hiri. Sot është dita për tu kthyer prej mëkateve tona, dhe për ta shpallur e për t’iu nënshtruar atij si Zotin dhe si Shpëtimtarin tonë.

Hiri i Krishtit

Veçoria e dytë që Gjoni thekson nga mënyra se si e përshkruan momentin e arrestimit të Krishtit, është edhe hiri i tij kundrejt dishepujve të tij. Jezusi i çliron arrestuesit e tij prej nënshtrimit që u bëri duke i pyetur përsëri, “Kë kërkoni?” dhe me pohimin e dytë se ai vetë ishte personi që ata kërkonin, ai i urdhëroi ata që të lejonin të shkonin të lirë dishepujt e tij: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë” (18:8). Kjo nuk ishte një kërkese por një urdhër. Në këtë moment Jezusi tregon hirin e tij kundrejt dishepujve të tij. Ky ishte një hir efektiv, një hir që mbaron punë, një hir sovran. Krishti i mbrojti ata me hirin e tij në mënyrë që të përmbushej fjala e tij kur i tha Atit në lutje, “unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi” (17:12).

E dimë që ushtarët kishin ardhur të arrestoni jo vetëm Jezusit por edhe dishepujt e tij nga fakti që Ungjilli sipas Markut na tregon për përpjekjen e tyre për të arrestuar njërin prej ndjekësve të Jezusit, por që u shpëtoi nga duart duke u lënë në dorë çarçafin me të cilin ishte i mbështjellur, dhe që sipas traditës ishte vetë Marku (Mark 14:51-52).

Por Ai i mbrojti me hirin e tij me qëllim që edhe të përmbushte premtimin e tij ndaj vetë atyre kur u tha “Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit” (6:39). Dhe ky është ai hiri më i madh, më gjithëpërfshirës i tërë ndjekësve të tij kudo nëpër botë e kurdo nëpër shekuj.

Si e ushtron Jezusi, hirin e tij ngulmues dhe ruajtës ndaj shenjtorëve të tij? Ja një numër vargjesh që na tregojnë se Perëndia është në gjendje dhe i vullnetshëm që të ruajë Kishën e tij: Hebrenjve 7:25 – “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.” 2 Timoteu 1:12 – “Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.” Hebrenjve 2:18 – “Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.” Filipianëve 3:20-21 – “Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, 21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.” Juda 24-25 – “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, 25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.”

Të tëra këto vargje së bashku na tregojnë se si Jezusi ushtron hirin e tij efektiv, ngulmues dhe ruajtës ndaj nesh që i kemi besuar atij, kur na “thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pje. 2:9), duke ruajtur shpirtrat tanë, trashëgimitë tona shpirtërore, duke na mbajtur përmes cd tundimi, madje edhe duke shpëtuar trupat tanë në ditën e ringjalljes së fundit, dhe së fundi, duke na sjellë në Prezencën e Atit dhe lavdinë e tij ta panjollë e patëmetë. Dhe këtë Krishti e bën duke u futur si një mbrojtje ndërmjet nesh dhe armiqve tanë.

Mëshira e Krishtit

Veçoria e tretë që Gjoni thekson në këtë pasazh, dhe që del nga një incident që na tregohet edhe në Ungjijtë e tjerë, është mëshira e Krishtit ndaj armiqve të tij. Kur Pjetri pa se ushtarët po vinin duart mbi Krishtin për ta arrestuar, ai nxorri shpatën dhe i preu veshin Malkut, shërbëtorit të kryepriftit. Kuptohet qëllimi i Pjetrit nuk ishte që ti priste veshin por kokën. Luka na tregon historinë e plotë se si Krishti i preku plagën dhe ia sherpi veshin (Luka 22:51). Gjoni shton se Krishti gjithashtu e qortoi Pjetrin duke i thënë, “Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?” (Gjoni 18:11).

Kjo ngjarje përmban shumë të vërteta të rëndësishme për ne. Por një mësim që duhet theksuar sot, në këtë natë të së Enjtes së Javës së Pashkës, është se njeriu mishor, i pandjeshëm ndaj planit dhe rrugëve të Perëndisë, kërkon që të mbrojë Perëndinë. Pjetri duhet ta dinte fare mirë se Krishti nuk kishte nevojë për mbrojtjen e tij, ndërsa Pjetri vetë kishte nevojë për mbrojtjen e Krishtit. Ai kishte qenë me Krishtin në momentin e Shpërfytyrimit të tij në Mal. Ai pat dëgjuar Atit që të dëshmonte për të. Ai pat parë e përjetuar të tëra mrekullitë e Krishtit për tre vite rresht. Ai pat parë se si Krishti i vetëm pat dëbuar legjionë demonësh, pat fashitur stuhitë, par ushqyer me mijëra frymë, pat ngjallur familjarët e tij nga vdekja, e madje së fundi edhe vetë Llazarin. Pjetri nuk kishte asnjë arsye që të mendonte se Krishti kishte nevojë për mbrojtjen e tij. E aq më pak ne sot, nuk duhet të mendojmë se Perëndia ka nevojë për mbrojtjen tonë.

Problemi me Pjetrin qëndronte në mungesën e lutjes dhe të njohjes. Zelli i tij nuk ishte i kushtëzuar e informuar nga njohja biblike e Krishtit dhe lutja. Krishti i pat thënë që të qëndronte zgjuar me të dhe të lutej sepse ora e tundimit ishte afër. Tani ora e tundimit pat ardhur për Pjetrin  dhe ai fillon vargun e gjatë të rënieve të tij sepse nuk e kishte përgatitur vetën në lutje. Në fillim do të tentojë të vrasë, më pas do të gënjejë e mohojë vetë Zotin e tij që ai tentoi që ta mbronte në fillim. Pjetri ishte i guximshëm por injorant dhe i papregatitur në lutje. Dhe kështu Pjetrit ra. Kështu do të biem edhe ne nëse zelli e guximi ynë nuk ushqehet me njohjen që Krishti jep përmes Fjalës së Tij dhe me urtësinë e qëndrueshmërinë që Fryma na e dhuron përmes lutjes.

Por mësimi më i rëndësishëm që duhet theksuar sonte është mëshira e Krishtit ndaj armiqve të tij. Por vini re kohën kur e bën ai këtë. Të shumtë kanë qenë ata që i kanë falur armiqtë e tyre shumë e shumë vite më pas. Krishti u tregua i mëshirshëm ndaj armiqve të tij madje edhe përpara se sa ata ta kryqëzonin.

Në vargun e fundit Krishti thotë, “a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?” (18:11). Dy janë kupat për të cilën flitet në Bibël. Kupa e Shpëtimit dhe Kupa e Vuajtjeve. Psalmi 116:13 flet për kupën e shpëtimit. “Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.” Kupa të cilës i referohet Krishti këtu është kupa e  zemërimit të Perëndisë. Çdo njeri në këtë botë do të pijë ose prej njërës ose prej tjetrës. Por të gjithë ata që pinë prej kupës së shpëtimit, e bëjnë këtë sepse Krishti piu kupën e urrejtjes së Perëndisë në vendin tonë.

Thirrja për ata që nuk i besojnë Krishtit është që të mendohen mirë. Kupa e urrejtjes së Perëndisë ndaj tyre, për shkak të mëkatit të tyre, kjo kupë nuk mbaron kurrë. Kjo kupë do të pihet prej mëkatarëve në ferr për gjithë përjetësinë. Prandaj, ata që nuk i besojnë Krishtit, të shkojnë tek ai, të fshihen tek ai, ti besojnë atij dhe veprës së tij të shpëtimit që ai bëri për ta.

Thirrja për ata që tashmë i kanë besuar Krishtit, gjithçka që janë e që kanë, është kjo: Mos harro për asnjë çast se kush e piu kupën tënde të urrejtjes së Perëndisë, vetëm e vetëm që ti të pije kupën e shpëtimit prej gjakut të tij. Ji falënderues! Ji mirënjohës! Ji besëplotë. Jehova, ai që është sovrani, ai që ishte i mëshirshëm ndaj teje dhe të shpëtoi, ai do të jetë edhe i hirshëm ndaj teje cdo ditë të jetës tënde, dhe do të të çojë në shtëpinë e tij, “duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit’ (Fil. 1:6).