Ardhja e Mbretit: Mesazhi i Dieles se Palmave

  • on 13/04/2014

Ardhja e Mbretit: Mesazhi i Dieles se Palmave

 Me përjashtim të lindjes, vdekjes dhe ngjalljes së Jezus Krishtit, asnjë histori e jetës së Krishtit nuk njihet më mirë e se sa ajo e hyrjes së tij triumfale në Jerusalem, dhe që si rrjedhim festohet rregullisht çdo vit, në atë që njihet si Dita e Palmave. E megjithatë, pak histori nga jeta e Krishtit keqkuptohen më shumë se sa hyrja e tij në Jerusalem. Shumë studiues e kanë kuptuar dhe interpretuar hyrjen e Krishtit në Jerusalem si oferta e fundit që i bëri Krishti popullit të Jerusalemit për ta pranuar atë si Mbretin e tyre. Thuhet se deri tani Krishti pat refuzuar dëshirën e Judenjve për ta bërë të famshëm e të pranuar publikisht, por me acarimin e marrëdhënieve me drejtuesit fetarë të vendit, me afrimin e shpejtë të ditës së vdekjes, Krishti bën një përpjekje të fundit, gati të dëshpëruar, për të fituar ndjekës. Dhe se vetëm pasi e njëjta turmë shkëmben Hosanat me thirrjet për kryqëzim, Krishti braktis planin e tij dhe shkon në Kalvar.

E vërteta është se në fakt, Krishti tashmë ia ka ofruar Judenjve veten si mbretin e tyre, madje shumë herët në shërbesën e tij siç lexojmë tek Mateu 4:17 ku thuhet se “Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”  Judenjtë e refuzuan ofertën e Krishtit, dhe tani Krishti futet në Jerusalem me një qëllim krejt tjetër.

Erdhi për të Vdekur

Cila është arsyeja pra, e hyrjes së Krishtit në Jerusalem? Përgjigja është e shumëfishtë. Së pari, Krishti erdhi në Jerusalem për të vdekur. Ungjilli sipas Markut është më i hollësishmi pasi na tregon se si dy ditë para se sa Krishti të futej me dishepujt në Jerusalem, ai u zbulon atyre qëllimin e tij për këtë udhëtim të fundit. Tek Marku 10:32-34 lexojmë se “Ata ishin në udhëtim për t’u ngjitur në Jerusalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t’u thotë çfarë do t’i ndodhte: 33 “Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, 34 të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet”.”

Pra, Krishti nuk u fut në Jerusalem për tu fituar zemrat Judenjve (koha për këtë gjë kishte kaluar), për të shfronësuar Herodin apo Pilatin dhe për tu kurorëzuar mbret. Ai po futej në Jerusalem për shtyrë Farisenjtë, Saducenjtë dhe kryepriftërinjtë në një reaksion të dhunshëm që do të sillnit ngjarjet që ai i dinte shumë mirë.

Erdhi për të Plotësuar Shkrimet

Arsyeja e dytë pse Krishti u fut në atë mënyrë triumfale në Jerusalem ishte që të plotësonte Shkrimet. Ne kjo mund të na duket diçka e çuditshme. Krishti është në fund të fundit Perëndia, dhe si i tillë ai nuk mund të kufizohet apo kushtëzohet nga asgjë. Por Krishti e konsideronte veten të lidhur nga Shkrimi i Shenjtë si një shprehje e pagabueshme dhe e detyrueshme e vullnetit të Atit të Tij për atë. Në fakt të tëra veprimet e tjera që Krishti bëri, në përputhje të profecive të shumta të Dhiatës së Vjetër për atë, tregojnë pikërisht këtë gjë. Ai në mënyrë të qëllimte, përdorte sovranitetin e tij prej Perëndie për të përmbushur si profecitë e veta, ashtu edhe të Dhiatës së Vjetër për të (që në fund të fundit vinin prej tij si Logosi i Përjetshëm i Perëndisë).

Kështu, si Mateu ashtu edhe Gjoni i referohen profecisë së Zakarisë 9:9 në të cilën thuhet “Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.” Gjoni rrëfen se në atë kohë, apostujt as nuk e kuptonin këtë gjë dhe as nuk e kishin bërë këtë lidhje, por që e kuptuan më vonë pas ringjalljes dhe ngritjes së Krishtit.

Erdhi për të qenë Sovran i Vdekjes së Tij

Vëmë re së treti, se Krishti qëllimisht organizon një hyrje publike në Jerusalem, në krye të dishepujve e ndjekësve të tij. Ai kalëron qëllimisht në qytetin e shenjtë, i rrethuar nga një turmë e madhe që thërriste Hosana, ashtu siç u bë për Davidin kur u kthye në pallatin e tij në triumf (2 Samuelit 19:40). E gjitha kjo u bë kur një pafundësi njerëzish ishte dyndur në Jerusalem, nga të gjithë cepat e botës, për festimin e pashkës së Hebrenjve. Hyrja e Jezusit në Jerusalem ishte një hyrje triumfale, e planifikuar dhe ekzekutuar në mënyrë sovrane nga Krishti. Mesazhi i kësaj hyrje ishte ky: Ja Perëndia i zbuluar në Personin e Krishtit që vjen në shtëpinë e vet. Hiri Sovran i Perëndisë që i afrohet popullit të Perëndisë për ta bekuar atë.

Kështu, së pari vëmë re se Krishti i afrohet Jerusalemit nga ana e Malit të Ullinjve dhe jo nga rruga e zakonshme e asaj kohe, dhe dërgon dishepujt e tij për të përgatitur hyrjen e teksa ai pret në Malin e Ullinjve. Ky mal jo vetëm është më i lartë se sa kodrat mbi të cilin ndodhet Jerusalemi, por mbi të gjitha ishte një vend adhurimi, nga i cili besohej se do të vinte Mesia. Në vigjilje të rënies së Jerusalemit më 586 B.C., Ezekieli pati një vizion në të cilin lavdia e Zotit i largohet Jerusalemit dhe vendoset në Malin e Ullinjve (Eze. 11:23). Sipas Zamarias 14:4, Mali i Ullinjve do të bëhej vendndodhja e gjykimit të fundit, dhe tradita judaike e lidhte ardhjen e Mesisë me Malin e Ullinjve. Marku radhë herë përmend emra vendesh në ungjillin që mban emrin e tij, dhe ai e bën këtë në këtë rast që të lidhë kuptimin mesianik të Malit të Ullinjve me hyrjen e Krishtit në Jerusalem.

Po kështu, tek Ungjilli sipas Markut vëmë re kujdesim me të cilin Krishti organizoi detajet tjera të hyrjes së tij në Jerusalem. Aty lexojmë paranjohjen precize dhe sovrane të Krishtit mbi të gjitha ngjarjet që do të pasonin. Çdo detaj që vjen më pas ka kuptime mesianike. Kërriçi identifikohet në Dhiatën e Vjetër  si kafsha e Mesisë (Zak. 9:9l Zan. 49:11). Mobilizimi i kafshëve të punës ishte një prerogativë vetëm e mbretit në kohën e Krishtit, kjo në vetvete sugjeron rolin mbretëror të tij. Fakti që mbi këtë kafshë nuk kishte hipur askush na thotë të njëjtën gjë pasi tek Num. 19:2 dhe L.Rip. 21:3 një kafshë e pa-hipur konsiderohej e shenjtë  dhe sipas ligjit judaik askush nuk duhet ti hipë kafshës së mbretit. Madje kur Jezusi udhëzon dishepujt e tij mbi mënyrën e mobilizimit apo sekuestrimit të kafshës, ai përdor fjalën kurios, Zot, “Kjo i duhet Zotit.” Jezusi nuk futet në Jerusalem si një person i panjohur nga askush që rastësisht bëhet viktimë e intrigave politike të kryeqytetit. Jo! Ai futet me paranjohjen dhe sovranitetin  prej Perëndie me të cilën pat shërbyer dhe udhëtuar drejt Jerusalemit që ditën kur filloi shërbesën e tij.

Më tej, vëmë re se në hyrjen triumfale të Mesisë në Jerusalem, njerëzit shtronin rrobat e tyre në rrugë e të tjerë hidhnin degë pemësh. Sipas historisë, ato ishin degë palmash që shpjegon përse në kalendarin liturgjik të kishës e diela para Pashkës njihet si e diela e palmave. Ky ishte akti i mirëpritjes ceremoniale të mbretërve siç ndodhi në inaugurimin e Jehut mbret tek 2 Mbr. 9:13. Thirrja Hosana tek vargu 9 është një transliterim një fjalë në Hebraisht që përkthehet “Shpëtona, të lutemi!” Thirrja “Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!” është një citim nga Psa. 118:25-26. Ungjijtë e tjerë në mënyrë të qartë e identifikojnë hyrjen e Jezusit në Jerusalem me citimin mesianik nga Zakaria 9:9 që thotë “Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.” Nuk ka dyshim që turmat nuk e kuptonin vërtetësinë e thellësinë e deklaratave të tyre, gjë që shpjegon shpërndarjen e tyre të mistershme pas hyrjes së Krishtit dhe votimin demokratik për vrasjen e tij disa ditë më pas. Në të tëra këto gjëra, ato po plotësonin profecitë mesianikë ndërsa Perëndia-Njeri po udhëtonte në mënyrë të qëllimshme e sovrane drejt kryqit për të vdekur atje për ne.

Erdhi për të Qenë Pashka Jonë

Por arsyeja më e rëndësishme se përse Krishti hyri në Jerusalem ashtu siç hyri, ishte që të tregonte se ai do të ishte pashka jonë. Krishti u kryqëzua në ditën e katërmbëdhjetë të Nisanit, që ishte muaji i parë i vitit sipas kalendarit Judaik. Krishti u fut në Jerusalem në ditën e dhjetë të Nisanit, në të njëjtën ditë kur, sipas kalendarit Judaik, me mijëra qengja që ishin caktuar që të flijoheshin për pashkë, duhej që të futeshin nga të zotërit e tyre në qytet dhe qëndronin në shtëpitë e tyre për tre ditë. Josephus, historiani Judeo-Romak dhe gati bashkëkohës i Krishtit, tregon që në një vit që u mbajt një regjistrim i përgjithshëm i popullsisë dhe mallrave që hynin në Jerusalem në javën e pashkës, u futën në Jerusalem mbi 265 mijë qengja për flijim. Kuptohet që duhej një ditë e tërë që një mori kaq e madhe qengjash të hynte e të shpërndahej nëpër shtëpitë e Jerusalemit. Kjo do të thotë, se kur Krishti u fut në qytet, ai u fut i rrethuar nga qindra e mijëra qengja pashkësh, ku në fakt ai vetë ishte krye-qengji, në fakt qengji i vërtetë i Perëndisë. Përmes kësaj hyrje në Jerusalem, Krishti po deklaronte, ashtu siç pat deklaruar edhe Gjon Pagëzori për të ditën e pagëzimit të tij “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Katër ditë më vonë, në kohën kur qengjat thereshin, Krishti i kryqëzua e vdiq për mëkatet tona. Në këtë mënyrë ai u bë qengji i vërtetë dhe përfundimtar i pashkës. Për shkak të gjakut të tij të derdhur për ne dhe në ne në ditën kur ne besuam, engjëlli i vdekjes sonë shpirtërore kapërceu mbi ne, mbi të gjithë ata që besojnë në Krisht.

Për shkak të tij, mëkatet tona janë shpaguar, borxhi ynë është larë, në atë ne kemi shpengimin nga skllavëria e mëkatit, e fajit dhe e fuqisë së tij në jetën tonë. Por a është ai Pashka jote? A është ai Shpëtimtari yt? A je në një marrëdhënie paqeje me Perëndinë përmes gjakut të tij? A e ke rrëfyer me gojë e me vepra, e i beson me zemër? A e ke hedhur veten tënde trup edhe shpirt në krahët e Tij? A ke rrëfyer me besimtarët e tjerë kudo nëpër botë “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve të mia, u shtyp për paudhësitë e mia; ndëshkimi për të cilin kam paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij unë jam  shëruar” (Isaia 53:5). Sepse është e vërtetë, se… “ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet,” (Isa. 53:6), por në përputhje më hirin e tij “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.