Adhurimi Liturgjik

  • on 06/05/2008

Adhurimi Liturgjik

nga Leonard Doka

          Adhurimi është për Perëndinë. Ai është duke dëgjuar. Prandaj dhe duhet të ketë një strukturë fikse, formalitet dhe një liturgji të caktuar. Dhe kjo për arsye se adhurimi biblik është formal dhe i strukturuar. Sot spontaniteti në adhurim dëshirohet më shumë dhe shihet si provë e “të udhëhequrit nga Fryma”. Por a do të thotë të udhëhiqesh nga Fryma më pak formalitet e rregull (1 Kor.14:40). Fjala rregull në Dhiatën e Re është një term ushtarak, që do të thotë “disiplinë ushtarake”. Kur trupat janë në rregull e të disiplinuara, Kapiteni ynë lavdërohet. Shikoni Zbulesa 4:8-11, ku adhurimi në qiell është mjaft i strukturuar dhe formal: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!”. Sa herë që qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e të falenderim atij që rri ulur mbi fron, atij që rron në shekuj të shekujve, ^10 të njëzet e katër pleq bien përmbys përpara atij që rri mbi fron dhe adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë: ^11 “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan”.
          Këtu, çdo pjesëmarrës në shërbesën qiellore ka rolin e tij dhe e di se ç’është ai rol. Krijesat e gjalla e dijnë se ç’të thonë dhe kur ta thonë. Ata flasin e këndojnë një zëri dhe përgjigjen me radhë ose një zëri. Nuk ka spontanitet në adhurimin e qiellit! Asnjë nga engjëjt dhe shenjtorët s’guxon që të bëjë çfarë dëshiron ose çfarë i vjen spontanisht, por bëjnë çfarë kanë përgatitur të bëjnë dhe përfshihen në përmbushjen e roleve përkatëse, madje me gëzim. Prandaj në kishën tonë ne përdorim lutje kolektive me përgjigje, lexime dhe rrëfime mëkatesh, sepse dëshirojmë të pasqyrojmë adhurimin qiellor ndërsa marrim pjesë me një zë. Duke i planifikuar me kujdes këto, ne mund të jemi më aktivë në adhurim. Në këtë adhurim askush nuk është ulur si spektator, siç ndodh në adhurimin e kishave ungjillore, por të gjithë marrin pjesë, ose në këmbë, ose ulur, ose duke ngrënë, pirë, duke u lutur, duke kënduar dhe duke folur. Në këtë mënyrë të rregullt e fiksuar, ne i shprehim dashurinë tonë Perëndisë. Pse kujdesemi aq shumë, sidomos ne si shqiptarë kur do të ftojmë dikë për drekë apo darkë, duke programuar gjithçka, përgatitur mirë ushqimet, pastruar vendin, që t’u tregojmë se i duam dhe janë të veçantë dhe do të kujdesemi më pak kur Perëndia na fton për të adhuruar dhe për të qenë në praninë e tij solemnisht, siç jemi në adhurimin e të dielës?
          Kur e vetmja formë lutje është ajo spontane, që ka vendin e duhur, atëherë ne do të tundohemi të përpiqemi të krijojmë fjalët që të impresionojmë të tjerët. Sa ndryshim kanë lutjet e “mëdha” ku shpesh përsëriten po ato fjalë, me këshillime brenda, me ato në të cilat si me një listë, fillojmë e lutemi për drejtuesit e vendit, për vendet e ndryshme, për kishat e ndryshme, për pleqtë e dhjakët, duke kaluar pastaj në nevojtarët, të sëmurët? Lutjet e spontanitetit sado brilante të jenë nga ana retorike, nuk do të jenë si fjalët e mirëfillta publike, që janë gjuhë e ndarë, ku fjalët nuk janë të folësit. Kurse ato spontane, dështojnë në rast publik, tërheqin vëmendje ndaj folësit që nuk mund ta përjashtojmë se nuk ka dëshirë për t’u lavdëruar. Gjuha liturgjike është gjuhë publike, sepse nuk i përket një personi. Ato na janë dhënë dhe sidomos për këtë qëllim publik pjesëmarrës, janë dhuratë dhe nuk janë tonat. Ndaj Psalmet dhe Lutja e Zotit duhet të jenë qendrore sepse janë fjalë të Perëndisë. Mund të mos duam të marrim lavde nga njerëzit, por përsëri lutjet private e kanë vendin në dhomën personale. Humbja e liturgjive të shëndosha ndikoi dhe në rritjen e individualizmit në kishë duke e kthyer përshpirtmërinë tonë në atë të unit dhe Jezusit, pa nevojën e tjetrit.
          Mungesa e liturgjisë shton edhe tendencën për kultin e famës. Pastorët bëhen superstar, gjithë vëmendja drejtohet tek ata, adhurimi i Zotit spostohet prej fokusit tek muzikantët në skenë, solistët e ftuar, ndërsa adhurimi liturgjik nuk e nxit sepse e kufizon pastorin brenda liturgjisë, si shërbëtor i Perëndisë që është, i vajosur për shërbesën e Fjalës dhe të sakramenteve, e si rrjedhim, personaliteti i tij duhet t’i nënshtrohet që Fjala të dëgjohet dhe shikohet.
          Vërtet që adhurimi liturgjik mund të jetë i zbrazët, i vdekur dhe hipokrit, si çdo gjë tjetër dhe disa herë nuk pranohet se të kërkon diçka dhe përmirësohet me përvojën e tij e është armik i dembelëve e atyre që mërziten lehtë. Përgjigjja për formalizmin e vdekur në adhurim nuk është risia, mohimi i liturgjisë.
          Tani le të shohim pak muzikën në këtë adhurim publik liturgjik. Muzika ka një rol qendror në adhurimin e Perëndisë, si dhuratë që na ka dhënë Ai. Nëse do të adhuroni me ne do të shihni se ne nuk përdorim si normë atë që quhet adhurim “bashkëkohor” ose muzikë lavdërimi, sepse besojmë se pjesa dërrmuese e këngëve të tilla nuk janë me vend për adhurimin e Perëndisë. Kjo çështje nuk përcaktohet me urdhërime direkt nga Zoti se ç’melodi duhet të përdorim por është çështje urtësie, për të përcaktuar se ç’lloj muzike është e denjë për një rast të caktuar-në këtë rast adhurim publik. Ne nuk vëmë muzikë funerali në një dasmë ose anasjelltas. Kisha një trashëgimi të pasur të një muzike të tillë. Në përgjithësi, para disa dekadash kjo trashëgimi i la vendin muzikës pop që gjoja i nxit njerëzit, e si rrjedhim kisha duhet ta përdorë këtë formë që të joshë më shumë njerëz, por e dimë se joshja e tillë nuk është faktor që ka të bëjë me përgatitjen e adhurimit tonë. Dhe a është e urtë që kisha të flakë rreth 2000 vjet trashëgimie? Kjo muzikë ka vendin e vet në një restaurant apo gjetkë por jo kur i afrohemi fronit të lavdishëm të Zotit. Nuk është fjala për të thënë se preferojmë atë “tradicionale” përkundrejt “bashkëkohores”, por atë që është e denjë për adhurim. Madje nuk mund ta quajmë muzikën që përdorim “tradicionale” por thjesht “adhurimi publik”, pasi nuk kemi të bëjmë me atë nëse është e vjetër apo e re, por lloji i muzikës, nëse shpreh format muzikore që kanë qenë efektive në të kaluarën. A shprehin fjalët dhe muzika respekt e nderim ndaj Zotit? Apo shprehin thjesht ndjenjat tona mbi adhurimin e tij, sa të gëzuar jemi, apo sa mirë po e kalojmë? Sepse shpesh kjo e fundit është çfarë shprehet, ndonëse jo qëllimisht.
          Por çfarë duhet të këndojmë? Nga koha e gjatë gjatë së cilës psalmet, si të psalura ashtu dhe ato metrike u larguan nga kisha, përgjigjja jonë do të përjashtojë pikërisht ato që janë muzika e Perëndisë, pra psalmet. Por vetëm ato, po himnet e shkruara? Me përparësinë e psalmeve, sigurisht që ka vend për himnet, të vjetra dhe të reja, mjafton që të jenë brenda normave biblike. Që nga koha e Davidit, këndimi i psalmeve ka qenë në qendër të lutjeve dhe këngëve për popullin e Perëndisë. Gjatë kohës së judaizmit, në tempullin e Solomonit dhe në Dhiatën e Re, Psaltiri ishte himnorja e kishës. Edhe në kishën e hershme, psalmet ishin baza e adhurimit e psaleshin nga murgjërit gjatë mesjetës dhe një nga arritjet më të mëdha liturgjike të Reformacionit ishte kultivimi i psalmeve që mund të këndoheshin në adhurimin bashkësimor. Të kënduarit e psalmeve i pëlqen Perëndisë. “Këndoni, dhe bëni melodi në zemrën tuaj me psalme, himne dhe këngë shpirtërore”. Duhen kënduar edhe himne, por këto himne, si ato të trashëgimisë së çmuar të kishës gjatë të gjitha kohërave dhe ato që shkruhen sot, duhet të vijnë pas psalmeve, që janë himnet e Perëndisë, në mënyrën më të drejtpërdrejtë të frymëzimit. Ai kënaqet tej mase kur sidomos e lavdërojmë me këngët që na ka dhënë nga dora e tij. Ashtu si predikimi ekspozues apo shtjellues është më i miri se na parashtron tërë Fjalën pa kufizim, edhe psaltiri ka këtë avantazh, që përmban një gamë të gjerë temash, që Davidi apo psalmistët përshkruajnë, dëshpërim, gëzim, kënaqje në triumfin e shenjtorëve mbi armiqtë e Zotit e shumë të tjera. Kur ne i këndojmë ato, i thërrasim Jehovës, Luftëtarit Hyjnor që të luftojë për ne dhe na fuqizon për luftë. Të kënduarit e tij të vrullshëm ngre shpirtrat e na bën gati për veprim. Këngët luftarake të nxisin për fitore, edhe bota e sportit e di këtë, prandaj këngët e tifozëve japin aq inkurajim. Prandaj psalmet duhet të jenë mbizotëruesit e adhurimit, sepse nuk duhet shumë shqyrtim për përmbajtjen, sepse fatkeqësisht në mes të himneve ka shumë që janë këngë disfatiste, sesa beteje, zmbrapsje pasive sesa psalme përparimi ngjadhnjyes. Këndojini psalmet me entuziazëm e vrull gazmor.
          Duke u kthyer te adhurimi biblik i të dielës, të shohim faktin sesa qendror është adhurimi për njeriun dhe sidomos ai publik. Ngaqë nuk kuptohet kjo rëndësi, ndaj ka një indiferencë apo dhe neglizhim apo nënvleftësim të adhurimit nga të krishterët, që shihet aq shpesh në kishat ungjillore. Pyetja e parë e katekizmës se për çfarë jemi krijuar, jep përgjigjen e problemit. Kisha ungjillore duke e mënjanuar këtë pyetje, e sheh adhurimin e të dielës me përparësi ungjillëzuese dhe kjo shihet edhe kur pyet besimtarë që të përgjigjen se njeriu është krijuar për të ungjillëzuar. Në fakt adhurimi publik ka lidhje me ungjillëzimin por jo siç mendohet. Një nga traktet më të mira ungjillëzuese që mund të ndani, sigurisht me shpjegim është buletini që përmban liturgjinë. Çfarë i tha Jezusi gruas te burimi? Që të adhuronte Perëndinë në frymë e në të vërtetë. Ungjillëzimi në thelb është të thërrasësh njerëz që të jenë adhurues të Zotit e Krijuesit të tyre. Prandaj kjo shërbesë e ripërtëritjes së besëlidhjes është shërbesa më ungjillëzuese. Elementet i tregojnë jobesimtarit lajmin e mirë. Një pastor tregon se ndërsa po drejtonte adhurimin, vuri re se një vajzë e re, që kishte ardhur për here të parë, po qante pas rrëfimit të mëkateve në fillim të shërbesës. Me vazhdimin e shërbesës, vazhdoi të qante në heshtje. Edhe gjatë predikimit e deri në fund, e pa duke qarë. Pas bekimeve, u largua për t’u qetësuar. Më vonë ai mësoi se megjithëse ishte rritur në shumë kisha, nuk ishte penduar kurrë për mëkatet, por atë ditë në atë kishë, ishte hera e parë kur ia kishte rrëfyer mëkatet Zotit! Atë ditë ajo i besoi ungjillit të Krishtit për faljen e mëkateve të saj dhe e gjitha kjo pa thirrje apo ftesë për të dalë përpara, pa lutje me kokë të ulur e sy të mbyllur, pa ndonjë predikim të madh ungjillëzues, por vetëm sepse iu tregua besëlidhja e Perëndisë nëpërmjet Krishtit në shërbesë dhe vetëdija se ajo ishte një shkelëse e besëlidhjes, që duhet të pendohej nga mëkatet. Perëndisë i pëlqeu që ta përdorte adhurimin, për t’i hapur zemrën.
          Mos të kuptuarit e rëndësisë apo së adhurimit publik, ndikon edhe në frekuentimin e këtyre shërbesave. Të shkuarit apo jo, përveç rasteve madhore si sëmundjet apo vështirësi të tjera, është shumë e kushtëzuar nga gjëra të vogla dhe shpesh, të krishterët ngaqë nuk e kuptojnë këtë rëndësi të adhurimit publik, zgjedhin opsionin e shtëpisë, ku mund të bëjnë një kohë të qetë në vend të mbledhjes solemne të shenjtorëve dhe shpesh shprehen se meqë janë të lodhur, do bëjnë pushim duke mos shkuar në kishë. Adhurimi përkufizon dhe brumos shenjtorët. Por injorimi i vullnetshëm i thirrjes për të adhuruar është akt përbuzjeje ndaj Zotit. Perëndia nuk thotë që është mirë po ta adhurojmë por urdhëron pjesëmarrjen në adhurimin publik të kishës (Ps.100, Heb.10:24-25). Nuk mund të jemi të krishterë besnikë pa adhuruar Zotin në mbledhjen e shenjtorëve.
          Po si duhet të adhurojmë?
          Aktiviteti ynë i adhurimit na tregon shumë se kë adhurojmë. A i afrohemi me respekt e frikë të perëndishme? Fatkeqësisht kjo nuk shihet sot në shumë kisha shqiptare. Këngët, veprimet e adhurimit, toni mbizotërues bëhet shpesh me një qëllim tjetër në mendje. Ai synon të tërheqë vizitorë ose të shkaktojë ndjenja të këndshme te pjesëmarrësit. Kjo s’përputhet fare me të afruarit e Perëndisë me frikë e nderim. Adhurimi është për lavdi të Perëndisë e jo për lëvdatat e njerëzve. Atmosfera e një klubi argëtues apo një spektakli që mbizotëron në shumë kisha, që synojnë rehatinë dhe entuziazmin e audiencës nuk ka fare të bëjë me qëndrimin e duhur në adhurim. Por ky nuk është vendi apo koha për ungjillëzim, por është koha “familjare” kur i afrohemi Perëndisë. Jo se nuk duhet të mirëpresim jobesimtarë, por prania nuk e tyre nuk duhet të diktojë se çfarë duhet apo çfarë nuk duhet në adhurim. Por si mund ta dimë se ç’e kënaq Perëndinë? Kisha duhet të shohë te Fjala, për të përcaktuar se si duhet të jetë shërbesa dhe kjo do t’u sjellë dobi edhe jobesimtarëve. Sepse duke na parë në adhurim, do ta kuptojnë se nuk janë në besëlidhje me Perëndinë nëse do Perëndia, do të binden për mëkatin dhe do të pendohen. Karakteri argëtues që shihet në kisha nuk ka gjë të përbashkët me adhurimin e Perëndisë që tund qiellin e tokën (Heb.12:18).
          Një tjetër koncept i gabuar është ai që koha e adhurimit duhet të jetë një kohë e gëzuar dhe kjo ka të bëjë me mos aplikimin e psalmeve, që siç thamë përfshijnë një gamë të gjerë gjendjesh shpirtërore apo emocionale, nga gëzimi i pranisë së Perëndisë tek përleshjet e besimtarit me tundimet, vuajtjet dhe përndjekjet.
Ja elementet e një shërbese të zakonshme adhurimi, të lidhura me flijimet në Dhiatën e Vjetër, përsa u përket simboleve që paraqesnin:
          *Thirrja për adhurim*: Megjithëse nuk është i lidhur me një flijim, shpreh të vërtetën që askush nuk mund t’i afrohet Perëndisë nëse Ai nuk na afrohet më parë. Ne mund ta adhurojmë Zotin sepse na ka thirrur dhe ditën e Zotit ne duhet ta dëgjojmë zërin e Perëndisë për të dalë para Tij.
*Rrëfimi i mëkateve: *Në fillim të shërbesës, silleshin flijimet e mëkatit (Lev.9:7-11). Populli i Perëndisë duhet të merrej me mëkatet para se të vazhdonin me shërbesën. Kjo përputhet me praktikën tonë të rrëfimit të mëkateve. Ne duhet ta pranojmë gjithnjë nevojën që kemi për hirin e Perëndisë në Krishtin. Ne jemi shenjtorë por akoma përleshemi me mëkatin dhe na duhet vazhdimisht falja dhe forca për t’i mposhtur ato. Pa rrëfimin, adhurimi bëhet hipokrizi dhe arrogancë. Kishat që nuk kanë rrëfim liturgjik të fiksuar, por kur kujtohen, shpallin mesazhin se nuk kemi asgjë për të rrëfyer dhe jemi mirë siç jemi, por Perëndia nuk i dëgjon lutjet dhe nuk e konsideron adhurimin e atyre që nuk janë në bashkësi me Të dhe njëri-tjetrin, për shkak të mëkatit të tyre. Ne dëgjojmë pastaj nga Shkrimet mbi nevojën për faljen dhe më pas, rrëfejmë mëkatet si kolektivisht ashtu edhe personalisht.
          *Shenjtërimi ose kushtimi* : Flijimi i ngjitjes ofrohej pas atij të mëkatit (Lev. 9:12-14), gjatë së cilit kafsha e flijuar ngjitej në qiell në formë tymi, në renë e lavdisë së Perëndisë së hapur mbi çadër. Kjo simbolizon ngjitjen e besimtarit në praninë e Perëndisë, ku megjithëse gjaku i derdhur i Krishtit dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, adhurimi ynë ndodh para fronit të Perëndisë (Heb.10:19-22). Ne marrim deklaratën e faljes së Perëndisë dhe na kujtohen përgjegjësitë tona si marrës të hirit të tij. Në këtë flijim, e tërë kafsha digjej, në kontrast me flijimet e tjera. Prandaj, ngjitja e holokaustit tregon se i përkasim krejtësisht Zotit. Në këtë moment, ne dëgjojmë ligjin e Perëndisë që na mëson çfarë i pëlqen atij, ofrojmë veten në lutje dhe lavdërim ndaj Perëndisë dhe dëgjojmë predikimin, ndërsa Zoti flet përmes pastorit të caktuar për ndërtimin tonë. Perëndia na kërkon që t’i bindemi Fjalës së tij siç mësohet e predikohet. Ju do të shenjtëroheni e shndërroheni nga kjo Fjalë, duke u bërë më të ngjashëm me Vetë Krishtin.
          *Kungimi, Darka ose Tryeza e Zotit*: Flijimi i paqes sillej pas ngjitjes (Lev.9:18-21). Një pjesë e kafshës digjej, një pjesë tjetër tundej para Zotit dhe pastaj i jepej adhuruesit që ta hante (Lev.7:11-21). Ky flijim ishte unik, sepse ishte flijimi i vetëm në të cilin adhuruesi lejohej që të hante një pjesë. Në Bibël, të ngrënit me një tjetër është shprehje e bashkësisë së besëlidhjes (siç shihet te Eksodi 24:9-11). Në flijimin e paqes, adhuruesi hante me Perëndinë si shprehje e dashurisë, besimit dhe miqësisë së madhe. Përreth tryezës së Zotit, ka paqe dhe siguri të dashurisë së tij për ne. Kështu përkujtimorja e besëlidhjes së Darkës së Zotit na ofrohet me anë të Krishtit, flijimi ynë i paqes dhe Ai bisedon me ne përmes saj (1 Kor. 10:16). Si pjesë e adhurimit të Ditës së Zotit, Perëndia na jep privilegjin e të ndarit të një ushqimi besëlidhës me Të, si shenjë se na do dhe jemi pjesëtarë të familjes së tij besëlidhëse përjetë.
          *Mandati ose Dërgesa: *Aaroni dhe Moisiu e mbyllnin shërbesën duke bekuar popullin me bekimet e Perëndisë (Lev.9:22-24). Ka një bekim në adhurimin e Perëndisë sipas vullnetit të tij dhe për lavdinë e tij. Ndërsa e lëmë asamblenë e shenjtorëve, duhet ta dimë se nuk po e lëmë Perëndinë nga pas, por Ai shkon me ne që të na mbrojë e të na aftësojë që të jetojmë sipas udhëzimeve të Fjalës. Perëndia i bekon ata që e nderojnë atë duke iu bindur thirrjes së adhurimit ditën e Zotit.
Thirremi solemnisht prej Perëndisë që ta adhurojmë, ngrihemi në vendet e larta duke u bashkuar me shenjtorët në tokë dhe engjëjt e shenjtorët që kanë shkuar atje para nesh dhe ne përgjigjemi sepse jemi të gëzuar që na ka thirrur, pastrohemi e lahemi me ujë të kulluar duke rrëfyer mëkatet tona që të jemi të denjë për adhurim të pranueshëm në Frymë, marrim sigurinë e faljes nëpërmjet Fjalës së shpallur nga pastori në emrin e Krishtit, marrim Fjalën e tij nëpërmjet pastorit, që na shenjtëron, ushqen e na rrit në besim, duke na kujtuar se kush jemi si popull i tij dhe si duhet të jetojmë. Pastaj ulemi në tryezën e tij me të, duke kuvenduar e duke u kënaqur në praninë e tij, por edhe duke u ushqyer në Frymë, me trupin e gjakun e tij që Ati na ofron që të na bëjë të sigurt se me aq siguri e prekim me gojë bukën dhe me buzë verën, po aq të sigurta janë bekimet e vdekjes së Krishtit. Tani jemi gati të ndahemi me njëri-tjetrin e të lëmë shërbesën, e të shkojmë në botë, në thirrjet tona, që ta ndihmojnë edhe botën të ndjekë Jezusin, duke dishepullizuar të tjerët.
Kjo është pra liturgjia jonë e adhurimit. Por ç’do të thotë liturgji? Ajo duket si një fjalë që ka të bëjë me “katolikët romakë” siç ndodh edhe me katekizmin. Kjo fjalë rrjedh nga “leitourgia” në greqisht, shpesh përdoret për shërbesën ndaj Zotit, pra adhurim, por do të thotë edhe “vepër e popullit”. Ajo pasqyron bindjen tonë se adhurimi nuk është thjesht diçka që besimtari frekuenton, por që bën. Çdo besimtar duhet të marrë pjesë aktivisht në liturgji duke bashkuar zemrën lavdërimit që i ofron atij populli i Perëndisë. Esenca e një liturgjie të gjallë është një zë, një njeri.
          Në fakt çdo kishë ka një liturgji, në e quajnë apo jo me atë fjalë, sepse çdo shërbesë kishe është një liturgji, nëse ka disa elemente të një farë përgatitje. Në mënyrën siç i quajmë, kishat jo liturgjike janë ato që nuk i kushtojnë kujdes mënyrës sesi të adhurojmë Perëndinë, ashtu si Ai kërkon. Kishat jo-liturgjike pandehin se kujdesen ta adhurojnë Perëndinë, por duan ta bëjnë këtë në liri, spontanitet por siç thamë standardi është në Fjalën e tij. E vetmja gjë për të cilën këto kisha përgatiten është shpesh vetëm praktika e këngëve që do të këndohen në shërbesë, që për ironi janë shumë intensive, duke shpërfillur atë që vlen më shumë-si ta adhurojmë Atë, që kërkon studim, meditim dhe përgatitje të kujdesshme për atë që do të bëjmë në këtë shërbesë. Shërbesa liturgjike shpesh shihet si monotone dhe ritualistike, por pse duhet të besojmë se ritualet janë të mërzitshme. Ka disa rituale që ne i presim dhe i vlerësojmë, si ai i të ngrënit tre herë në ditë, që na pëlqen. Po ashtu bëjmë dush dhe lajmë dhëmbët çdo ditë. Vetë Perëndia në mënyrë ritualiste bën që dielli të dalë dhe të perëndojë çdo ditë, mos mërzitet Ai prej kësaj? Po të mendojmë mirë, ritualet përbëjnë një pjesë të madhe të jetës sonë. Në fakt, jeta pa ritual, përsëritje, zakon tregon një patologji serioze dhe do të ishte e karakterizuar nga kaosi dhe çrregullimi. Prandaj nuk do të ishte e tepërt të themi se arsyeja pse kishat e sotme që nuk e pranojnë liturgjinë, siç e përkufizojmë, janë në gjendje kaosi dhe sëmundje të sëmura shpirtërisht, është edhe mungesa e liturgjisë. Por dhe kishat e lira e përdorin liturgjinë fikse sidomos kur ndahet Darka e Zotit, lexohet Fjala, bëhet lutja, bëhen të njëjtat gjëra dhe përdorin një farë liturgjie kur ka shërbesë dasme në kishë. Kur Perëndia dëshiron që ta bëjmë diçka në një farë mënyre, ashtu duhet ta bëjmë. Edhe engjëjt në qiell nuk pushojnë ditë e natë së thëni “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë Zoti Perëndi…”. Nëse adhurimi liturgjik është apo i mërzitshëm varet nga ne, sepse sigurisht që ritet mund të bëhen keq, nëse pastori dhe bashkësia thjesht bëjnë lëvizjet formale, por kur ka dashuri të vërtetë për Perëndinë dhe një zell për ta nderuar atë, liturgjia e mirë do t’i bëjë të aftë që ta bëjnë efektivisht. Ashtu si vajza ime dëshiron që ta lexojë të njëjtin libër vazhdimisht sepse mrekullohet prej tij, edhe ne duhet të dëshirojmë ta adhurojmë Perëndinë vazhdimisht ashtu si Ai do. Siç thamë, çdo kishë ka një liturgji, por çështja është cilën lloj liturgjie. Ja një skicë imagjinare që e ilustron krijuar nga një pastor që dëshiron të theksojë këtë pikë:

*Kjo kishë:*
*Pastori*: Në emrin e Atit, të Birit e Frymës së Shenjtë
*Bashkësia*: Amen
*Pastori*: Ndihma jonë është te emri i Zotit…
*Pastori* Ki mëshirë për ne, o Perëndi…
*Bashkësia*: sepse i pranojmë të ligat që kemi bërë dhe mëkati ynë na rri gjithnjë përpara. Kemi mëkatuar kundër teje…

*Ne një kishë e lire ungjillore (jo- “liturgjike”):*

*Pastori:* Mirmëngjes
*Bashkësia: *(murmuritje)
*Pastori: *(duke buzëqeshur) edhe një herë.
Unë thashë “Mirmëngjes!”
*Bashkësia:* Mirmëngjes.
*Pastori:* Më mire tani. Çfarë dite e bukur. Dhe jemi të gëzuar sepse jemi kampionë bote në boks tani që….ose.
Sa mirë që shoh shumë veta megjithëse bie shumë shi.
Mirë le ta lëmë pak boksin tani dhe le të përqendrohemi te adhurimi. Le të kemi një kohë të mirë lavdërimi.
Këndojnë: ……..Të dua ty, të dua ty, të dua ty.

          Liturgjia është sidomos e mirë për fëmijët, sepse mund të mësojnë më lehtë lutjen e Zotit, një kredo, përgjigjet liturgjike dhe mund të marrin pjesë aktivisht në adhurim publik që të vegjël. Atyre u pëlqen veprimi fizik, të ngriturit në këmbë, të ulurit. Është e mirë edhe për të moshuarit, sepse u jep një thesar në kujtesë, që do t’i mbajë deri në vdekje e sidomos për ata që kanë probleme mendore apo me kujtesën, sepse fjalët e zakonet e depozituara prej kohe të gjatë qëndrojnë gjatë. Pikërisht një liturgji e shëndoshë e lidhur me predikimin besnik dhe jetën e bindur, na duhet që të rritemi në lavdi, pjekuri dhe efektshmëri në botën që na rrethon. Të mos harrojmë se si adhurojmë tani, si lutemi dhe si i afrohemi Perëndisë në kishat tona do të përcaktojë se si do të besojnë, mësojnë e pohojnë një ditë nipërit tanë shpirtërorë.