Fjala u bë Mish

  • on 21/12/2017

Fjala u bë Mish

Festimet tona të Krishtlindjeve janë si eksodi i Izraelit nga Egjipti. Ajo ishte një shpërngulje e lavdishme. Lavdia e Izraelit ishte lavdia e Perëndisë në mesin e tyre nëpërmjet tabernakullit dhe Arkës së Besëlidhjes. Kështu është edhe për ne sot me Krishtin: lavdia jonë është ajo e vetë Krishtit. Ky ishte mësimi i apostullit Gjon në Ungjillin e tij kur ai fliste për domethënien e Krishtlindjes: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Gjoni 1:14).

Ndryshe nga ungjijtë e tjerë që tregojnë ngjarjet e lindjes së Jezusit, Ungjilli i Gjonit tregon historinë e Krishtlindjes në terma teologjike. Gjoni 1:14 na jep doktrinën e mishërimit të Krishtit. Jezusi lindi nga Maria e virgjër, por personi i dytë i Trinisë nuk erdhi në jetë në këtë lindje. Përkundrazi, Gjoni thotë, “Fjala”, domethënë, Perëndia Biri, mori një formë dhe natyrë njerëzore për t’ia shtuar natyrës sëe tij përjetësisht hyjnore. Mishërimi i Krishtit do të thotë që Biri i Perëndisë u bë njeri në kuptimin më të plotë, pa humbur asnjë nga hyjninë e tij. Duke qenë i pamëkatë, ai është i pakorruptuar, njerëzimi i vërtetë, siç e kishte projektuar fillimisht Perëndia.

Më lejoni të jap disa nga arsyet pse Jezu Krishti mori mishin tonë nëpërmjet mitrës së Marisë. Një nga arsyet është që Perëndia të na njohë përmes përjetimit dhe kështu të simpatizohet plotësisht në nevojat tona. Sepse Jezusi u bë njeri, ai është në gjendje ti vijë keq për ne në sprovat tona dhe ai e di se çfarë është dhimbja dhe gëzimi si qenie njerëzore. Hebrenjve 4:15 thotë: “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” Si e tillë, Jezui gjithashtu na jep një shembull për tu ndjekur, pasi na udhëheq në këtë jetë në rrugën që ai ka hapur për ne.

Një arsye e dytë pse Jezui u bë njeri ishte të na tregonte lavdinë e Perëndisë në një formë që mund ta kuptonim. Perëndia është frymë dhe është i padukshëm në natyrën e tij të vërtetë (1 Tim. 6:16). Prandaj, Biri i Perëndisë e veshi veten në formë njerëzore në mënyrë që burrat dhe gratë të mund ta shihnin dhe ta kuptonin karakterin e Perëndisë. Ne mund ta njohim shenjtërinë dhe dashurinë e Perëndisë duke e parë atë në jetën njerëzore të Jezusit, siç është zbuluar në Bibël. Jezusi tha: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9).

Më e rëndësishmja, Jezui u bë një njeri për të vdekur për mëkatet tona. Meqenëse ishin burra dhe gra që thyenin ligjin e Perëndisë dhe ranë nën zemërimin e Perëndisë, shlyerja e vërtetë mund të bëhej vetëm nga një i cili ishte plotësisht njeri. Jezusi u bë një qenie njerëzore në mënyrë që të mund të ofrohej për mëkatet e popullit të tij, pasi vetëm ai ishte në gjendje të vuante dënimin e vdekjes në natyrën e tij njerëzore dhe megjithatë të ngadhënjente përmes jetës në hyjninë e tij.

Në botën e lashtë ka pasur shumë mite rreth perëndive që zbritën në tokë pak kohë derisa u lodhën dhe u kthyen në retë. Por askund në botën e lashtë nuk ekzistonte koncepti i Perëndisë që bëhej njeri, Fjala të merrte mishin, nga dëshira e tij për të na shpëtuar. Por ky është mesazhi ynë i gëzueshëm i Krishtlindjeve. Çfarë thotë kjo për dëshirën e Perëndisë për shpëtimin tonë? Ai hyri në botën tonë dhe u bë një prej nesh! Sa e madhe është dashuria e Perëndisë për secilin nga njerëzit e tij, që ai ta dërgojë Birin e tij që të vdesë për ne dhe kështu të na mundësojë që të jetojmë me Perëndinë përgjithmonë në lavdi! Kjo është dhurata që ne e festojmë me falenderime ndaj Perëndisë në Krishtlindje.

Gjoni thotë se Jezusi jo vetëm që banoi mes nesh, ashtu si tabernakulli i Perëndisë në mes të fiseve të Izraelit, por që na tregoi lavdinë e tij. Ka aq shumë lavdi lidhur me Krishtlindjen. Lutja ime është     që të gjithë ne – sidomos fëmijët tanë – të ndiejmë gjatë festimeve tona të Krishtlindjes, diçka nga lavdia që engjëjt kënduan në fushat e Betlehemit. Por, sipas Jezusit, lavdia e vërtetë për të cilën erdhi u zbulua në kryq. Në prag të hyrjes së tij në Jerusalem para kryqëzimit të tij, Jezusi deklaroi: “Ka ardhur ora që Biri i Njeriut të përlëvdohet” (Gjoni 12:23). Jezusi nuk po fliste për Hosannën e Ditës së Palmës por për agonitë e vdekjes së tij shlyese. Në kryq, Perëndia na tregoi turpin e vërtetë të mëkatit tonë, pasi edhe një aq i përsosur sa Jezusi duhej të vuante për të. Por në kryq, Perëndia na tregoi edhe lavdinë e vërtetë të dashurisë së tij, pasi ai ishte i gatshëm të jepte edhe Birin e tij, sakrifica që duhej për ne që të shpëtohemi. Kështu, duke parë lavdinë e hirit të Perëndisë në kryq, mëkatarët si ne janë të shpëtuar. A është Jezui, i cili ka lindur në grazhd për të vdekur në kryq, lavdia jote?

Sot, lavdia e Jezusit shkëlqen në zemrat tona nëpërmjet shkrimeve të Biblës (2 Pjetrit 1:19). Pra, ne mbajmë në një libër, të vërtetën e Perëndisë në gjithë lavdinë e tij, që na siguroi nëpërmjet profetëve dhe apostujve të lashtë të Jezu Krishtit. Nëse ne kemi marrë hirin e Perëndisë në kryqin e Krishtit, atëherë le të duam dhe dëshirojmë njohjen e së vërtetës së Perëndisë në Fjalën e tij. Le të sigurohemi që këtë sezon të Krishtlindjes ne të festojmë dhuratën e Perëndisë duke kaluar disa kohë në Bibël. Më pas le të jetë dhurata jonë e Krishtlindjes për të, besimi ynë besnik ndaj Jezusit dhe kënaqësia jonë në adhurimin e Perëndisë me falënderime në kishën tonë dhe së bashku me familjet tona. Në këtë mënyrë, Zoti mund t’ju japë të gjitha bekimet e tij më të pasura këtë kohë Krishtlindje.