5 Solat e Reformacionit

Unë besoj që uniteti viziv në Kishën si institucion është i detyrueshëm dhe i komanduar. Uniteti i Kishës ishte një çështje e rëndësishme për Krishtin kur ai ishte këtu në tokë, dhe këtë e dimë pasi në fakt ai u lut për unitet në atë që është quajtur Lutja e Kryepriftit, që e gjejmë tek Ungjilli i Gjonit 17 ku Jezusi thotë: O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne! …7 Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Apostulli Pal gjithashtu urdhëron në emër të Krishtit me këto fjalë tek 1 Kor 1:10: Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.Kështu pra, uniteti është një çështje thelbësore për Popullin e Perëndisë në Dhiatën e Re.

     Në këtë kontekst lind pyetja: Përse dhe si shpjegohet ndarja në Krishterim ndërmjet Protestantëve dhe Katolikëve, ndërmjet Protestantëve me vetveten, ndërmjet Katolikëve me vetveten, dhe madje edhe ndërmjet Ortodoksëve me vetveten (një fakt historik që pak veta e dinë)? Arsyeja thelbësore e ndarjeve është krijimi i mundësisë për mbajtjen dhe ruajtjen e një sërë deklaratash thelbësore teologjike. Për faktorin Protestant apo Ungjillor, ndarja në këtë kontekst është e justifikueshme pasi artikujt apo doktrinat thelbësore të ungjillit janë të rrezikuara të humbasin. Kjo ishte arsyeja përse krahu reformator në Kishën në perëndim të Adriatikut, ndryshe e quajtur Kisha Katolike Romane, shkroi, debatoi, predikoi dhe punoi. Artikujt thelbësor të ungjillit ishin goditur rëndë si në teorinë ashtu edhe në praktikën e Kishës Katolike të Mesjetës. Reformatorët e viteve 1400 – 1600 kurrë nuk patën si qëllim ndarjen e Kishës, por pastrimin dhe reformimin e saj nga brenda. Inercia shndërruese e lëvizjes së Reformacionit pati edhe kundraveprimin ndaj saj. Kisha Katolike reagoi me dënime, me shkishërime, dhe me ekzekutimet e inkuizicionit që fillojnë si me pararendësit e Reformacionit, me Jan Husin dhe John Wickliff, dhe më pas me ngjarje tragjike si Nata e Shen.Bartolomeut gjatë së cilës e tërë Kisha e Reformuar Franceze u zhduk nga faqja e dheut, apo dhe më pas me luftën 30 vjeçare evropiane që përgjysmoi popullsinë e Evropës. Përse e gjitha kjo? Sepse pasuria që Perëndia ia pat besuar Kishës si institucion për ta përçuar atë brez pas brezi ishte shtrembëruar plotësisht. Dhe kështu, në kohën e Reformacionit Evropian, ndarja kishte për qëllim ruajtjen e ungjillit të Perëndisë. Kjo është arsyeja e ekzistencës së Kishës protestante apo reformatore apo ungjillore. Në fak, Kisha Protestante e Reformacionit nuk u nda nga Kisha Katolike, ishte Kisha Katolike ajo që e përjashtoi atë nga gjiri i vet. Sido që të jete, e rëndësishme të mbahet mend është fakti që qëllimi i ndarjes për të dyja palët ishte ruajtja e doktrinës së vet. Kisha Katolike dëshironte të ruante doktrinën e koncilëve dhe të Papëve ndërsa Kisha e Reformacionit dëshironte të ruante doktrinën e Krishtit dhe të Apostujve. Unë besoj që kjo vazhdon të jetë arsyeja e ndarjes edhe sot. Ose më saktë, kjo duhet të jetë arsyeja për të qenë të ndarë sot.

     Fatkeqësisht, shumë kisha ungjillore apo protestante i kanë humbuar doktrinat e veçanta dhe ekskluzive të Krishtërimit biblik. Ky grup Kishash beson dhe vepron si Kisha Katolike me të vetmin ndryshim që ata nuk kanë Papën si kreun e Kishës por pastora egocentristë të uritur për pushtet e lavdi personale. Ndryshimi tjetër midis këtyre kishave ungjillore dhe Kishës Katolike Romane është se ato edhe pse besojnë tek frymëzimi i Biblës dhe autoriteti i saj, e vendosin veten e tyre, opinionet e papëve, të kardinalëve, të koncileve, të pastorëve dhe të çdo besimtari tjetër të thjeshtë mbi deklarimet Biblike. Kisha Katolike është teknikisht një Kishë karizmatike ashtu si edhe shumica e kishave ungjillore, pasi që të dyja ato besojnë në vazhdimësinë e zbulesës së veçanë nga Perëndia. Në Kishën Katolike kjo zbulesë kalon vetëm përmes Papëve dhe zyrës së Doktrinës, ndërsa ndërmjet ungjillorëve ajo kalon ndërmjet … të gjithëve. Në Kishën Katolike, papët bien në kontradiktë me njëri-tjetrin, por të paktën në një segment të caktuar kohor ka vetëm një zë interpretues apo zbulues, ndërsa në Kishën ungjillore që të gjithë janë papë njëkohësisht … dhe vazhdimisht. Si mund të adresohet ky kaos ungjillor? Kjo mund të realizohet përmes deklarimit, studimit, artikulimit dhe përqafimit të atyre doktrinave bazë që e shpëtuan Kishën një herë gjatë periudhës së Reformacionit Evropian, dhe që kanë fuqinë për ta bërë përsëri pasi janë e vërteta e patjetërsueshme dhe plot fuqi e ungjillit të Krishtit. Këto doktrina bazë janë kategorizuar nën pesë deklarata apo thirrje të shkurtra që njihen si Pesë Solat e Reformacionit.

     Tani thelbi i çështjes është pyetja që gardiani nga Filipi bëri tek Veprat 16: “çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” Gjithsecila nga këto kisha që përmenda më lart i përgjigjet ndryshe kësaj pyetjeje. “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” është një pyetje tepër e rëndësishme. Në fakt është pyetja thelbësore e çdo besimi apo religjioni në botë, dhe mënyra se si ti i përgjigjesh asaj të afron apo të largon nga Perëndia. Ky është thelbi i ungjillit dhe arsyeja përse me mijëra martirë kristianë zgjodhën vdekjen. Besimi i pastër në përputhje me Fjalën e Perëndisë, dhe reformatorët e shekullit 15-16-17 iu përgjigjën kësaj pyetje përmes këtyre 5 solave. Ato janë Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi; Sola Gratia – Vetëm Hiri, Sola Fide – Vetëm Besimi, Solus Christus – Vetëm Krishti, Soli Deo Gloria – Lavdia Vetëm Perëndisë. Këto 5 Sola përmbledhin dhe përfaqësojnë thelbin e identitetit tonë si të Krishterë protestante apo ungjillorë apo reformatorë. Këto 5 sola janë jo vetëm arsyeja e ndarjes, por edhe besimi ynë, edhe identiteti ynë, edhe praktika jonë e përditshme.

     Dëgjojeni me kujdes serinë 5 Solat e Reformacionit që e fillojmë sot pasi këto 5 fraza – të shoqëruara me ndoshta 5 shpjegime të shkurtra – do tju mundësojë dhe aftësojnë që ti përgjigjeni pyetjeve dhe injorancës që ekziston atje jashtë dhe madje edhe brenda kishash ungjillore në Shqipëri. 5 Solat janë identiteti juaj, janë thelbi dhe përmbledhja e asaj që ju duhet të besoni, jetoni dhe madje edhe të vdisni.